Nespulla (Eriobotrya japonikca) është pemë e familjes Rosaceae. Origjina e pemës është Lindja e Largët, specifikisht Japonia nga ku vjen emri shkencor, Eriobotrya japonica.
Nespulla është bimë shumëvjeçare me gjelbërim të përhershëm, me gjethe të mëdha dhe të shumta dhe lule të bardha me aromë magjike. Frutat dalin në bashkësi dhe janë të rrumbullakëta ose si dardhë të vogla, me ngjyrë të verdhë ose portokalli. Nespulla ka një shije mrekullueshme, që vjen e ëmbël si shija e pjeshkës dhe mangos, por edhe paksa e athët. Brenda frutit gjenden 2- 3 fara të mëdha me ngjyrë kafe, të cilat janë të pangrënshme.
E veçanta e kësaj peme është se ajo lulëzon në vjeshtë dhe frutat piqen në pranverë. Në Shqipëri e gjejmë me emra të ndryshëm ku dominon termi ‘nespull’, por në zona të ndryshme e lidhin me mushmollën, madje në Elbasan e quajnë edhe ‘mushmolla e verës’. Normalisht frutat e nespullës dominojnë në tregjet e fshatarëve nga fundi i pranverës.
Nespulla është shumë e pasur me ujë, fibra, minerale, vitamina si dhe acide organike. Por një nga elementet më të rëndësishëm të saj është pektina, një nga fibrat kryesore.
Mineralet që përmban e bëjnë këtë fryt shumë të çmuar. Elementët aktivë të nespullave përbëhen nga një pasuri e larmishme me Vitamina A, Vitamina B dhe C.
Ato përmbajnë gati të gjithë gamën e komplekseve të Vitaminës B, tiaminën, riboflavinën, niacinën dhe piridoksinën.
Nespullat janë gjithashtu të pasura me folate dhe acid folik, si edhe me një seri të rëndësishme të mineraleve si kalcium, mangan, kalium, fosfor, zink, bakër, selen dhe karbohidrate.

E veçanta e nespullave është se përmbajnë edhe acide Omega3 dhe Omega6. Është përdorur prej kohësh në mjekësi, sidomos në mjekësinë popullore.
Gjethet e saj janë përdorur për kurimin e ç'rregullimeve të frymëmarrjes, ekzemën dhe psoriazës. Gjethet e nespullës ndihmojnë në qetësimin nervor kur përdoren në formën e çajit që ofrohet nga mjekësia tradicionale.
Vetitë shëndetësore të nespullave:
Vëmendje! Theksojmë, se farat e frutit përmbajnë lëndë helmuese si alkaloidë toksikë të cilat nëse i ha, shkaktojnë të vjella, spazma dhe marramendje. Prandaj duhet kujdes sidomos kur fëmijët e konsumojnë këtë frut.
Cilat janë kërkesat e nespullës për klimën (temperaturë, dritë dhe ujë) dhe tokën?
Kërkesat për temperaturën
Pemët e nespullës janë shumë rezistente ndaj të ftohtit dhe mund të përballojnë temperatura deri -13°C.
Megjithatë, lulet dhe frutat thahen nga temperaturat nën -2.7°C. Ky është edhe shkaku pse në disa zona ku ajo rritet e zhvillohet mirë nuk arrin të frutifikoi. Meqenëse pema lulëzon gjatë dimrit, nëse ajo kultivohet në zonë me klimë të ftohtë me temperatura të vazhdueshme nën zero gradë celsius lulet do të thahen nga ngrica.
Temperaturat mbi 35°C mund të ndikojnë negativisht në rritjen e pemës së nespullës.
Nespulla është bimë tropikale, si e tillë ajo është e pajisur mirë për të përballuar lagështinë e lartë.
Kërkesat për dritë
Frutifikon mirë kur rritet në diell të plotë, megjithatë mund të tolerojë hijen e pjesshme, por do të jetë më pak produktive.
Kërkesat për tokën
Nespulla preferon toka argjilore me kullim të mirë me një pH 6.0 dhe 8.0. Toka argjilore shumë të ngjeshura ose toka me aciditet të lartë dhe kripësi të lartë nuk është e përshtatshme për kultivimin e nespullës.
Si të kultivoni pemën e nespullës?
Për kultivimin e nespullës duhet të keni parasysh këto kritere: kohën e mbjelljes, zgjedhjen e vendit për mbjellje, distancat, thellësia e mbjelljes dhe mbështetja e bimës.
Koha e mbjelljes
Mbjella bëhet në fund të vjeshtës ose në fillim të pranverës.
Zgjedhja e një vendi për mbjellje
Vendi i mbjelljes duhet të ketë diell të plotë deri në hije të pjesshme me të paktën 5 orë rrezet e diellit direkte çdo ditë. Nëse në zonën tuaj të kultivimit temperaturat e dimrit janë në kufijtë minimal të qëndrueshmërisë së bimës zgjidhni një vend të mbrojtur dhe me mikroklimë të pranueshme për bimën, pra zgjidhni vendet me pamje nga jugu ose juglindja, për të kapur sa më shumë ngrohtësi gjatë dimrit.
Hapësira, thellësia e mbjelljes dhe mbështetja e bimëve
Nespulla ka rritje të bujshme, prandaj rekomandohen distancat e mbjelljes 7x7 ose 7x8 m. Pemët e mbjella shumë afër pemëve ose strukturave të tjera mund të mos rriten normalisht ose të mos prodhojnë shumë fruta për shkak të hijes.
Pasi keni piketuar fushën, duke respektuar këto distanca, hapni gropat tre deri në katër herë më të mëdha se diametri i enës së fidanit dhe tre herë më të thellë. Shtoni pak nga dheu përsëri në gropë dhe vendoseni pemën nga ena në gropë në mënyrë që sipërfaqja e dheut të jetë në nivel ose pak mbi nivelin e dheut përreth.
Mbushni përsëri me dy të tretat e dheut origjinal dhe shtypeni butësisht dheun. Para se ta mbushni përsëri me dheun origjinal të mbetur, ujiteni ngadalë dhe thellë për ta lagur të gjithë dheun.
Edhe pse pemët e nespullës konsiderohen vetëpjalmuese, mbjellja e një kultivari të dytë afër përmirëson prodhimin e frutave. Pema duhet të pjalmohet nga bletët dhe insektet e tjera.
Për t'u siguruar që pema juaj e sapombjellë të rritet drejt dhe erërat e forta nuk do t'i zhvendosin rrënjët vendosni një hu mbajtës (mbështetës) për fiksimin e pemës.
Kujdesi gjatë vegjetacionit
Ujitja: Pema e nespullës është rezistente ndaj thatësirës, por do të jetë më produktive kur merr ujë të rregullt. Pemët e nespullës të mbjella rishtas duhet të ujiten çdo dy ditë. Mbajtja e rrënjëve me lagështi gjatë kësaj faze është thelbësore. Nga mosha rreth gjashtë muajsh deri në tre vjeç, pema do të përfitojë nga ujitja një herë në javë gjatë sezonit të thatë. Pasi të jetë vendosur plotësisht, ujitni më rrallë, përveç nëse ka një periudhë thatësire.
Plehërimi: Plehrat normalisht nuk nevojiten, por një aplikim i një plehu të plotë dhe të ekuilibruar, siç është 5-5-5 (N, P, K) ose 6-6-6 (N, P, K), katër herë gjatë sezonit të rritjes do të ndihmojë në prodhimin e më shumë frutave.
Kontrolli i madhësisë së pemës (krasitja): Gjatë 1 deri në 2 viteve të para pas mbjelljes, krasitni pemët e reja duke i shkurtuar lastarët mbi 60 – 90 cm, sepse prerja e tyre do të rrisë degëzimin. Pemët mund të mbahen në një udhëheqës qendror të modifikuar ose në një konfigurim qendror të hapur. Pemët në prodhim mund të krasiten në mënyrë selektive për të mbajtur pemët në lartësinë 1.8 m deri 3.6 m. Kjo do ta bëjë që pema të rritet e frutifikojë më mirë si dhe vjelja do të jetë më e lehtë.
Rrallimi i frutave: Për të përmirësuar madhësinë e frutave, mund të rralloni lulet ose frutat me dorë. Rekomandojmë nga 4 deri në 10 fruta për secilën lulëri. Rrallimi do të rrisë madhësinë e frutave nga 25%–100%.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja dhe ruajtja e prodhimit të nespullës.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Përse endivia meriton të përhapet më shumë në vendin tonë?
Lexo më shumë
Guava ka përdorime të shumta falë profilit të saj ushqyes, shijes dhe vlerës së saj në mjekësinë tradicionale.
Lexo më shumë
Feijoa është një frut i pasur me lëndë ushqyese, që siguron minerale, vitamina dhe fibra thelbësore për mirëqenien e përgjithshme.
Lexo më shumë
Pazia është një perime që kultivohet kryesisht për prodhim gjethesh dhe bishtash.
Lexo më shumë