PROCEDURAT PËR LEJE NDËRTIMI




Lejet e ndërtimit për stallat dhe objektet ndihmëse miratohen vetëm nëse përmbushen kërkesat dhe kriteret e legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit dhe nuk ka shkarkime që krijojnë ndotje në ujë. Leja e ndërtimit lëshohet nga njësia e qeverisjes vendore në përputhje me dokumentin e planifikimit vendor.

Çertifikata e pronësisë si kusht për Lejen e Ndërtimit
Pronësia e tokave, vërtetohet përmes çertifikatave të pronësisë që lëshohen nga Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP).

Në rastet kur ju nuk e keni regjistruar ende pronën tuaj, përmes Bashkisë ju mund të filloni praktikat e paraqitjes së kërkesës për leje si:

  • Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), ose kopje e noterizuar e tij;
  • Çertifikatë familjare e datës 01.08.1991 e lëshuar nga Gjendja Civile pranë Bashkisë përkatëse;
  • Çertifikatë e statusit aktual familjar nga Gjendja Civile pranë Bashkisë (ose mund të shkarkohet nga portali “e-Albania”);
  • Deklarimi i pajtueshmërisë me master-planin komunal. 
  • Në kushtet e mungesës së planit të përgjithshëm vendor
  1. Rregullat dhe kriteret e përcaktuara në VKM janë kushtet minimale për paisjen me leje;
  2. Leja e ndërtimit lëshohet pas kontrollit të përputhshmërisë së projekt propozimit nga Agjensia e Zhvillimit të Territorit (AZhT), e cila në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural verifikon përputhshmërinë me dokumentet e planifikimit të territorit në fuqi.
  3. AZhT njofton bashkinë përkatëse dhe aplikantin për kontrollin e përputhshmërisë dhe vazhdimin e mëtejshëm të procedurave;
  4. Bashkia kryen verifikimin në terren në bazë të dispozitave ligjore në fuqi për planifikimin e territorit, përfshirë edhe rregullat dhe kriteret e përcaktuara në këtë VKM dhe njofton AZhT
  5. Në rast se si pasojë e verifikimeve në terren rezulton që propozimi është në përputhje me kriteret e përcaktuara dhe dokumentat e planifikimit të territorit në fuqi, kryetari i bashkisë merr vendimin pë miratimin e lejes së ndërtimit dhe i propozon Ministrisë së Bujqësisë të vijojë procedurat për kalimin e sipërfaqes ndërtimore të tokës bujqësore si objekt i lejes së ndërtimit. Ministria më pas harton projekt vendimin të cilin e paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave. 
  6. Pas miratimit të kalimit të tokës bujqësore në sipërfaqe ndërtimore, bashkia i dorëzon kërkuesit dokumentin e lejes dhe e boton atë në regjistrin e integruar të planifikimit të territorit. 

Lejet e ndërtimit për sektorin e blegtorisë jepen vetëm pasi të jetë verifikuar ekzistenca e infrastrukturave të nevojshme sikurse rrugët lidhëse, energjia elektrike, uji i pijshëm, ose marrjes përsipër të realizimit të tyre nga investitori njëkohësisht me ndërtimin e objektit.

Leja e ndërtimit jepet vetëm me kushtin e ruajtjes dhe mos-ndryshimit të destinacionit për qëllim blegtoral të objektit për të cilin ajo leje është lëshuar.

Me qëllim përllogaritjen e vëllimit/sipërfaqes së ndërtimit në intensitetin e ndërtimit përfshihen ngastra ose bllok ngastrash edhe kur ndahen nga rrugë, kanale apo kufij të tjerë natyralë në pronësi apo në përdorim.

Ndërtimet e lejuara në tokë bujqësore nuk duhet në asnjë rast të cënojnë infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit të tokës bujqësore. 

KUJDES!! Për ndërtimet e zhvillimit të fermës në sektorin e blegtorisë ju duhet që së pari të keni bërë planet tuaja mbi madhësinë e fermës dhe perspektivën e saj. Projektin e ndërtimit duhet ta përgatisni me anë të një inxhinieri ndërtimi të licensuar pasi të jeni konsultuar me një specialist të blegtorisë (zooteknik) lidhur me përmasat dhe kërkesa të tjera si ndriçimi, volumi, hapsira, ventilimi, etj. Kjo konsulencë me specialistin e blegtorisë dhe inxhinierin e ndërtimit ju nevojitet si në rastin e ndërtimit të një stalle të re apo edhe në rastin e rikonstruksionit apo adoptimeve të një stalle ekzistuese.

Preventiv për kostot e ndërtimit nga kompania që do të kryejë punimet, kjo ndër të tjera me qëllim përllogaritjen e taksës së infrastrukturës që do të paguhet pranë Bashkisë. Kjo taksë paguhet çdo vit dhe përgjithësisht llogaritet sa 4% e kostove të përcaktuara në preventiv.

Si duhet të veproni në rastin e ndryshimeve të brendshme?
Në rastin kur ju duhet të bëni ndryshime të brendshme në stallë pa patur nevojë të bëni ndryshime në perimetrin e saj ose karakteristika të tjera strukturore, atëherë ju duhet të dorëzoni një deklaratë paraprake punimesh. Këto ndryshime mund të përfshijnë: hapjen ose zgjerimin e dyerve të brendshme, ndërtimin ose eliminimin e mureve të brendshme; përforcim të strukturave të brendshme mbajtës si kolonat; ndërtimin e sistemeve të reja higjeno-sanitare, vendosjen e ventilatorëve, vendosjen e paneleve diellore, etj. Kjo deklaratë mund të përdoret edhe në rastin e ndryshime të vogla jashtë një ndërtese si modifikimin e fasadës, ngjyrës së saj, karakteristikat e suvatimit, etj.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Standardet Minimale të Ndërtimit të Stallave.

Data e publikimit: 06/03/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: