Dëmi
Sistemi i kontrollit të dëmtuesit
Hundëgjati duke qenë një dëmtues polifag, shpesh herë gjendet në fushe pa shkaktuar dëme serioze, prandaj zakonisht nuk ka nevojë të ndërhyhet për ta kontrolluar direkt veçse në vite të veçanta si dhe në situata të rralla.
Një vrojtim i kujdesshëm i kulturës duke bërë monitorimin dhe kampionim e herë pas hershëm është një praktikë që duhet të bëhet rregullisht për të përcaktuar shumë shpejt zonat ku shfaqen infeksionet e reja si dhe për të vlerësuar nevojën e ndërhyrjes me metoda të ndryshme luftimi.
Ka pak njohuri mbi kompleksin e faktorëve natyralë kufizues të zhvillimit të hundëgjatit, por përshtatja e disa faktorëve agronomik kufizues lejon që të reduktohet dëmi. Në prezencë të popullatave të larta të dëmtuesit mund të përdoren faktorët artificial kufizues, por problemi është i zgjidhur shumë thjeshtë pa pasur nevojë të përdoren produkte kimike.
Armiqtë natyralë
Hundëgjati ka pak armiq natyral. Në natyrë ekzistojnë armiq natyral të përgjithshëm si insekte tokësore të cilët ushqehen me hundëgjatin. Insektet e rritura duke pasur një aktivitet vetëm natën mund të futen në dietën e mamifereve të vegjël si minjtë, iriqët etj.
Në terrene me lagështi të mjafueshme janë nematodat entomopatogjene armiqtë kryesorë të larvave. Nga ana tjetër këto mund të preken edhe nga kepurdhat entomopatogjene, nga të cilat me aktive paraqitet Beauveria.
Ndërhyrjet agronomike
Krasitja
Një teknike e përdorur nga fermerët që kultivojnë ullirin për të kufizuar dëmet që shkakton hundëgjati është ajo e mos eliminimit gjatë krasitjes së gjelbërt të thithakëve në pjesën e poshtme të trungut të ullirit. Hundëgjati ushqehet me ato duke prekur më pak si dhe më vonë pjesët e tjera të bimës. Pak kohë para vjeljes thithakët mund të eliminohen.
Kontrolli biologjik
Kontrolli biologjik kundër hundëgjatit mund të realizohet vetëm ndaj larvave duke përdorur nematodat entomopatogjene.
Në praktikë, metodat biologjike të kontrollit nuk janë ekonomike mbasi ka faktorë të tjerë artificial kufizues me kosto më të ulët dhe më efikas.
Kontrolli me mjete bioteknike
Aftësia e hundëgjatit për të mos fluturuar si dhe tendenca e tij për t'u fshehur gjatë ditës poshtë trungut të pemëve që ai prek dhe për t'u ngjitur përsëri gjatë natës ka bërë shumë efektiv përdorimin e barrierave mbrojtëse rreth e rrotull trungut për të mbrojtur në këtë mënyrë kurorën.
Barrierat mbrojtëse
Gjatë vendosjes së barrierave mbrojtëse duhet të sigurohemi që në mes të materialit që përdoret si barrierë dhe lëvores së trungut të mos ketë hapësira ku mund të kalojnë insektet.
Duhet pasur kujdes që thithakët apo bimët e tjera të infektuara të mos të përdoren si ura kalimi mbi barrieren e vendosur. Për këtë qëllim është mirë që të vendosen barriera edhe tek shkopinjtë që përdoren për të drejtuar fidanat e ullirit.
Në kulturën e ullirit përdoren disa tipe barrierash të cilat mund të jenë materiale plastike me ngjitës të ndryshëm si dhe me lesh sintetik.
Fashot plastike
Veprimi: insektet e rritura të hundëgjatit nuk arrijnë të kalojnë fashon mbasi rrëshqasin mbi sipërfaqen e lëmuar.
Kosto: kostoja e materialit të përdorur është pothuajse zero mbasi mund të përdoren thasë plastikë të ricikluar; modeste janë gjithashtu shpenzimet për vendosjen e tyre.
Disavantazhet: këto materiale mund të përdoren vetëm në lëvore me sipërfaqe shumë të sheshta; mikroklima e ngrohtë dhe e lagët që krijohet nën fasho ndryshon indet e lëvores.
Fasho me ngjitës
Barrierat me ngjitës të instaluar kur vërehen erozionet e para në gjethe, mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë. Ato janë efikase duke përdorur vetëm një aplikim në vit. Nga ana tjetër nuk është e nevojshme që levorja e bimës të jetë e lëmuar. Mjafton të përdoret një fasho me gjerësi 1cm por, që rrethon të gjithë trungun.
Veprimi: Insektet e rritura vërejnë pengesën dhe kthehen mbrapsht, shumë rrallë mbesin të ngjitura në barriera.
Kosto: Normalisht përdoret ngjitës për insektet, që ka një kosto të ulët; vendosja e këtyre barrierave është më e shpejtë sesa aplikimi i fashove të tjera.
Disavantazhet: një sasi e tepërt e ngjitësit mbi lëvoren delikate të bimëve të reja mund të provokojnë fitotoksicitet; ngjitësi i përdorur mbi shkopinjtë mbajtës mund të thahen parakohe, duke krijuar kështu kushte për të kaluar insektet; mbi fashon me ngjitës ka mundësi të bijnë një numër i konsiderueshëm insektesh të dobishëm si sirfide, kocinelide dhe krizopa.
Fashot me lesh sintetik
Vitet e fundit është duke u përhapur përdorimi i fashove me lesh sintetik. Zakonisht përdoren fasho me gjerësi 15-20 cm.
Veprimi: insektet e rritura të hundëgjatit paraqesin vështirësi për të lëvizur mbi materiale të tilla dhe në këtë mënyrë fashoja transformohet si një kurth i vërtetë ku insektet ngelin të ngatërruara në fibrat sintetike.
Kostoja: materiali ka një kosto të pranueshme dhe shpenzimet për tu vendosur janë si ato për fashot plastike.
Disavantazhet: përdorimi i këtyre materiale deri tani nuk ka paraqitur ndonjë disavantazh.
Shpërndaj në rrjetet sociale: