Shumë e rëndësishme është që vjelja e prodhimit të bëhet në kohën më të përshtatshme, sepse pjekja te fasulja nuk është e njëkohshme. Korrja para kohe jo vetëm dëmton kokrrat gjatë shirjes por dhe kërkon shpenzime suplementare për tharjen e saj. Vonesa nga ana tjetër mund të jetë shkak i humbjeve për arsye të thyerjes së kokrrave gjatë shirjes ose për shkak të hapjes së bishtajave.
Pjekja në bimën e fasules është e njëkohshme te kultivarët e tipit të kufizuar, ndërsa në ata të tipit gjysmë të kufizuar pjekja nuk është e njëkohshme, ajo ndodh në pjesë të ndryshme të bimës ashtu siç ndodh edhe lulëzimi. Në këtë rast çasti i vjeljes përcaktohet nga shkalla e bishtajave të pjekura. Zakonisht ky çast është përcaktuar të jetë kur 75 – 85% e bishtajave është pjekur dhe bima ka shkëputur marrëdhëniet me tokën. Nuk duhet të pritet që të piqen të gjitha bishtajat e bimët të thahen plotësisht, sepse do të ketë humbje të mëdha të prodhimit për shkak të hapjes së bishtajave. Kjo dukuri është edhe më e theksuar kur ka vesa apo ndonjë shi dhe që ndiqet menjëherë nga dielli i fortë.
Për vjeljen e prodhimit është mirë që bimët të shkulen herët në mëngjes për të eliminuar shkoqjen e kokrrave. Bimët e shkulura lihen 1 – 2 ditë në grumbuj (togje) të vogla me qëllim që të thahen mirë pjesët ende të gjelbra. Pastaj, përsëri herët në mëngjes, bimët transportohen në lëmë. Shirja mund të realizohet me makina shirëse, autokombajnë ose duke i shtypur me traktor me goma. Shirja me kombajnë shkakton thyerje të kokrrave në masën deri 15 – 20%. Prandaj, në shumë raste më e preferuar është shirja me shkelje me traktor me goma.
Vjelja e fasules për kokërr mund të bëhet edhe direkt me autokombajnë duke treguar kujdes me shpejtësinë e lëvizjes së saj dhe të organeve të punës për të shmangur humbjet e prodhimit që vijnë si rezultat i çarjes së bishtajave dhe thyerjes së kokrrave.
Pas shirjes bëhet përpunimi i prodhimit, nëpërmjet ventilimeve, lëvizjeve për ajrosje dhe triorimit deri sa lagështia në kokërr të arrijë në standardet e përcaktuara. Prodhimi ambalazhohet në thasë dhe ruhet në depo të dezinfektuara, të pastra, të ajrosura, me qëllim që fara të jetë e sigurt për një kohë të gjatë. Kur fasulja do të ruhet për një periudhë të gjatë kohe, mbi tre vjet, parametrat kryesorë si temperatura, lagështia relative e ajrit dhe lagështia e kokrrës duhet të jenë të kontrolluara. Në këtë rast prodhimi është i sigurt kur temperatura është 0 – 5oC, lagështia relative nën 60% dhe lagështia e farës nën 15%.
Gjatë ruajtjes së prodhimit në depo bëhen kontrolle të herëpashershme për të zbuluar në kohë praninë e buburrecit të fasules apo edhe dëmtime të tjera.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cilat janë vlerat e qiqrës?
Lexo më shumëMënyra më e zakonshme e vjeljes së tyre është të presësh që gjethet të thahen dhe të nxihen, pastaj të shkulni të gjithë bimën.
Lexo më shumëThjerrëza kultivohet kryesisht për kokrrat e saj, të cilat janë të shijshme dhe të përvetësueshme nga organizmi i njeriut.
Lexo më shumëVjelja para kohe ul ndjeshëm cilësinë e prodhimit, kurse vjelja me vonesë çon në humbjen e tij, për shkak të hapjes së bishtajave dhe rënies së farës.
Lexo më shumë