Teknologjia e kultivimit të kivit




Aktinidja (Aktinidia deliciosa), ose emri i ndërkombëtarizuar Kiwi (Kivi) është  fruti që në 35 - 40 vitet e fundit ka zgjuar interes të madh në shumë vende të botës.

Pse ka interes kultivimi i kivit?

  • Vlerat e lartë ushqyese dhe mjekësore. Fryti vlerësohet shumë për vlerën e tij ushqyese dhe mjekësore. Është burim i pasur me vitaminë C dhe me pak kalori. Ka më shumë fibra se sa shumica e drithërave të mëngjesit. Është burim i pasur i sheqerit, që janë kryesisht glukozë dhe livulozë dhe disa minerale si fosfori, kaliumi dhe kalciumi.
  • Rendiment i lartë dhe çmim i lartë i shitjes së frutave duke siguruar të ardhura të larta për njësi të sipërfaqes. 
  • Tregu i sigurt.
  • Frutat e forta mund të transportohen në distanca të gjata pa përdorur paketim të veçantë.
  • Fruti mund të ruhet për një kohë shumë të gjatë deri në 4 - 5 muaj.
  • Kivi konsiderohet me vlera më të larta agronomike se shumë kultura të tjera. Bimë që prodhon me shërbime të minimizuar dhe pa kimikate.
  • Vendi ynë ka kushte klimatike - tokësore të favorshme për kultivimin e kivit.

KËRKESAT PËR KLIMËN DHE TOKËN
Shumica e llojeve të kësaj familje rriten në zona të nxehta dhe me reshje. Kivi rritet dhe jep rezultate të mira kultivimi në toka që janë afër sipërfaqeve ujore të deteve, liqeneve e lumenjve. 

Faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e zhvillimin me sukses të kivit janë: temperatura, reshjet, lagështia e ajrit, drita, shpejtësia e erës dhe toka (përbërja e saj).

Temperatura: Kivi bën pjesë në grupin e bimëve që kanë kërkesa relativisht të larta për temperaturë. Shkon në atë zona ku rritet e kultivohet hardhia edhe pse ka kërkesa më të larta për temperaturë në fazën e qetësisë së plotë. 

  • Duron deri në - 20°C uljen e temperaturave në fazën e qetësisë së plotë.
  • Dëmtimi i lastarëve të rinj bëhet në temperaturën - 2°  deri - 3°C.
  • Dëmtimi i prodhimit bëhet në temperatura rreth  0°C. 

Tek kjo bimë problemin më të madh e paraqesin ngricat e vona të pranverës dhe ato të hershme të vjeshtës. 

Zona bregdetare e vendit tonë plotëson kushtet më të mira sa i takën temperaturës. Kivi kultivohet në zona tipike ku kultivohet hardhia dhe pjeshka. 

Nga ngricat e vona të pranverës mund të dëmtohen lastarët e rijnë, ndërsa dëmtimi i lules ndodh më rrallë dhe më pak ngaqë lulëzimi është më i vonë krahasimisht me pemët tjera.

Uji dhe lagështia: Uji dhe lagështia ajrore janë faktorë kryesor të zhvillimit.

Për rritjen dhe zhvillimin e mirë të kivit është e domosdoshme një sasi e madhe e reshjeve dhe kjo me një shpërndarje sa më të drejtë gjatë gjithë vegjetacionit.

Karakteristika e kivit, me rritje të shpejtë dhe të bujshme të lastarëve, tregon se kivit i duhet një furnizim me ujë në mënyrë ritmike dhe të bollshme. Vendi ynë ka një shpërndarje të çrregullt të sasisë së reshjeve që bien gjatë vegjetacionit të kivit, prandaj deficitet gjatë vegjetacionit duhet të plotësohen me ujitje. Deficiti më i madh i lagështirës është në gjysmën e dytë të muajt qershor, gjatë muajt korrik dhe gusht, pra periudha nga çelja e sythave e deri në pjekjen e frutit. Mungesa e lagështirës shkakton stres fiziologjik jep “goditje” në kurbën e ecurisë vjetore të rritjes.

Sasia e tepërt e ujit dhe niveli i lartë i ujërave nëntokësore, ndikojnë negativisht në zhvillimin normal të kivit. Lagështia e lartë e shoqëruar me temperatura të  ulëta, ndikojnë negativisht në procesin e pjalmimit.

Drita: Drita luan rol të madh tek kivi. Ajo ka ndikim në pjekjen dhe cilësinë e frutave. 

Për kushtet e vendit tonë drita nuk paraqitet si faktor kufizues. Zonat ku kultivohet vreshti dhe pjeshka, janë zonat që kanë kushtet më optimale për dritë. Shfrytëzimi sa më i  mirë i energjisë diellore varet nga shpërndarja e pemëve (forma dhe distancat e mbjelljes).

Era: Era për kivin është e dëmshme. Ajo ndikon negativisht në:

  • Dëmtimin e lastarëve (lastarët e rinj të kivit shqyhen letë nga dega prej erës);
  • Mund të dëmtojë gjethet;
  • Ul sasinë e lagështirës në gjethe dhe çon në rritjen e transpirimit (largimi i ujit nëpërmjet gjethes), vyshkjen e lastarëve dhe si pasojë rënie të prodhimit;
  • Pjalmimin, sepse pengon fluturimin e rregullt të bletëve.

Efekti negativ i erës rritet në varësi të: fortësisë, drejtimit, shpejtësisë dhe mënyrës së fryrjes.

  • Mbrojtja nga era mund të realizohet me ndërtimin e brezave mbrojtës.
  • Dëmi i shkaktuar nga era është më i madh në fazën e vegjetacionit.
  • Në zona tipike me erë të fortë e të shpejtë (zona e Kurbinit) kujdes duhet kushtuar edhe gjatë dimrit, ku duhet të merren masa në kohë për lidhjen dhe fiksimin e degëve të kivit në sistemin mbështetës, me qëllim që të mos kemi shqyerje të tyre nga forca e erës.

Toka: Tokat më të përshtatshme për kivin janë tokat e lehta në të cilat sistemi rrënjor i kivit depërton e përhapet me lehtësi. 

  • Toka ku rritet kivi duhet të ketë në raporte të drejta ajrin, ujin dhe temperaturën. Tokat që kanë nivel të lartë të ujërave nëntokësore, nuk janë të përshtatshme për kultivimin e kivit.
  • Toka të përshtatshme janë tokat që kanë kapacitet ujë mbajtës normal, sepse kërkesat e kivit për ujë janë shumë të mëdha.
  • Ruajtja e nivelit të pjellorisë së tokës dhe përmirësimi i cilësive fizike të saj, arrihet me përdorimin e sasive të bollshme të plehrave organike.
  • Për kultivimin me sukses të kivit toka  duhet të përmbajë 2 - 3% humus, pehash (pH) 6.5 - 7 dhe përmbajtje të gëlqeres deri në 10%.
  • Në toka me pehash dhe me përmbajtje të gëlqeres më të lartë tek kivi shfaqen shenjat e klorozës.

Në vendin tonë mund të konsiderojmë toka tipike  të kësaj bime, brezin e tokave aluvionale që shtrihen nga Kopliku deri në Sarandë. Gjithashtu të përshtatshme janë edhe zonat me depozitime detare.

Pjalmimi  tek kivi

Kivi është bimë me sekse të ndara, pra në të  kemi bimë femërore dhe bimë mashkullore. Gjatë mbjelljes duhet pasur parasysh që në pemëtore krahas bimëve femërore të mbillen edhe bimë mashkullore për të realizuar pjalmimin e bimëve femërore dhe lidhjen e frutave. Pjalmimi realizohet me anë të erës dhe insekteve ku rolin kryesor e luajnë insektet, prandaj prania e bletëve në pemëtore është e domosdoshme.

Pjalmimi i kivit është një ndër fazat kritike që ndikon në madhësinë e frutit. Rezultate të mira në madhësinë e frutit merren kur pjalmimi bëhet 1 - 3 ditë pas lulëzimit. Pjalmimi i vonë ndikon në dhënien e një fruti të vogël dhe me pak fara. 

Pra, një pjalmim i shpejtë pas lulëzimit – lidhje e një numri të madh të farërave – frut i madh. 

Lulja mashkullore (lart) dhe lulja femëror (poshtë) tek kivi

Pjalmimi me anë të bletës është shumë më efektiv se ai me anë të erës. Edhe pse lulja e kivit nuk është edhe aq e frekuentuar nga bleta ajo vizitohet prej saj në sasi dhe kohë të mjaftueshme.

Sipas përvojës në Zelandën e Re, kultivuesit e kivit mbjellin tërfil zvarritës (Trifolium rapense) përgjatë parcelës së kivit. Kjo bëhet për arsye se lulja e tërfilit është më pak e dashur për bletën. Kështu që me anë të kivit, bletës i afrohet një lule më e mirë dhe për pasojë bleta zgjedh lulen e kivit. Në disa vende, vitet e fundit, pjalmimi bëhet edhe me fuqi punëtore.

  • Kultivarët kryesorë tek kivi
    Numri i varieteteve të kivit është relativisht i vogël në krahasim me kulturat e tjera frutore.
  • Ndër kultivarët kryesorë të bimëve femra mund të përmendim: Abbott, Bruno, Hayward dhe Monti, variete tjera janë edhe Allison, Greensill, Gracie, Elmovood etj.
  • Llojet pjalmuese ose mashkullore më kryesorë janë: Matua, Tomuri, Klon M - 3 dhe klon T - 2.
    Krahas  këtyre kultivarëve, po bëhet një punë intensive në seleksionimin e llojeve me ngjyrë të kuqe të tulit të frutit. Një lloj i veçantë është edhe “Zesperi i artë”, me ngjyrë të verdhë të tulit.

Përshkrimi i kultivarëve të bimëve femërore

Abbott: është kultivar i krijuar në Zelandën e Re dhe futet në grupin e kultivarëve me prejardhje nga Kina.

  • Bima ka zhvillim të bujshëm.
  • Frutifikon në vitin e tretë e katërt.
  • Gjethet janë të rrumbullakëta ose të gjata.
  • Lulet janë me ngjyrë krem në të bardhë me diametër 5,5 - 5,6 cm dhe me petla 5 - 7 cm të gjatë.
  • Lulëzon rreth 22 - 26 maj dhe lulëzimi zgjat afro 10 ditë.
  • Fruti është me madhësi mesatare she pak i zgjatur me peshë rreth 75 g.
  • Tuli është jeshil, shumë i lëngshëm, i ëmbël në të thartë dhe me një aromë të lehtë.
  • Pjekjen teknologjike e arrin në 10 ditshin e dytë të tetorit.
  • Mundësia e ruajtjes në magazinë është e kufizuar.
  • Ky kultivar është i ndjeshëm ndaj klorozës dhe nematodave. Gjithashtu është i ndjeshëm ndaj thatësirës dhe erës.

Bruno: është kultivarë nga Zelanda e Re

  • Ka zhvillim mesatar deri në bujshëm të trupit
  • Prodhimi fillon në vitin e tretë e të katërt
  • Gjethen e ka të rrumbullakët në të zgjatur.
  • Lulja është me ngjyrë krem në të bardhë, me diametër 4.5 - 5.5 cm, petla me gjatësi 3 - 4 cm.
  • Lulëzimi fillon 2 ditë pas kultivarit Abbott dhe zgjat 10 ditë.
  • Fruti ka madhësi mesatare në formë elipsi të zgjatur dhe pesha mesatare 65 g.
  • Tuli është jeshil, i lëngshëm me shije të thartë dhe me aromë të mirë. Pjekja bëhet në fund të tetorit.
  • Ruhet mirë në frigorifer.Ka ndjeshmëri mesatare ndaj sëmundjeve dhe thatësirës

Hayward: është ndër kultivarët më të vjetër dhe ka marrë emrin e personit i cili e seleksionoi dhe krijoj këtë kultivar. (Hayward nga Zelanda e Re)

  • Pema ka zhvillim mesatar deri në të bujshëm.
  • Fillon prodhimin në vitin e katërt.
  • Gjethen e ka të rrumbullakët.
  • Lulja ka ngjyrë të bardhë në krem me diametër 5 - 6 cm, gjatësia e petlave shkon 4.5 - 5.5 cm.
  • Fruti është i madh, me peshë mesatare 85 - 90 g në formë ovale.
  • Tuli është jeshil, i lëngshëm, i ëmbël në të thartë.
  • Në vende të ngrohta pjekja bëhet në 10 ditshin e parë të nëntorit.
  • Ruhet mirë në magazinë.
  • Është lloj i ndjeshëm ndaj mungesës së hekurit dhe thatësirës së verës, të cilat shoqërohem me klorozë të bimës.

Monty: Ky kultivar është seleksionuar në Zelandën e Re dhe u përket kultivarëve me prejardhje nga Kina..

  • Pema ka zhvillim të bujshëm dhe me mundësi të larta prodhimi..
  • Prodhimi fillon në vitin e tretë.
  • Gjethja është e rrumbullakët.
  • Lulja është me ngjyrë të bardhë në krem.
  • Madhësia e frutit është mesatare me peshë rreth 65 g. Bishti i frutit është i gjatë 3 - 4 cm.
  • Tuli është me ngjyrë jeshile, i lëngshëm, i ëmbël  në të thartë dhe me aromë të mirë.
  • Pjekja teknologjike arrin në fillim të nëntorit.
  • Ruhet mirë në frigorifer.
  • Është më i qëndrueshëm, ndaj tokave gëlqerore, thatësirës dhe nematodeve, se llojet tjera.

Përshkrimi i varieteteve të bimëve pjalmuese (mashkullore)

Matua: 

  • Zhvillohet vrullshëm.
  • Lulëzon shumë dhe gjatë.
  • Është pjalmues i mirë për të gjitha llojet.

Tomuri:

  • Lulëzon më vonë dhe i përshtatet mirë llojit Hayward.

Chico: 

  • Është pjalmues i mirë për Hayward dhe nyk rekomandohet për llojet që lulëzojnë herët.

Kloni (tipi) M – 3:

  • Lulëzon shumë dhe i përshtatet mirë llojit Hayward.

Përgatitja e tokës për mbjellje dhe mbjellja e kivit

  • Para plugimit të thellë të tokës ku do të ngrihet pemëtorja e kivit duhet bërë pastrimi me themel nga çdo rrënjë a mbeturina tjera. Kur është e nevojshme (sipas terrenit) bëhet rrafshimi ose sistemimi në tarraca.
  • Në tokat e rënda dhe me përshkueshmëri të dobët të ujit është e nevojshme të bëhet drenazhimi. 
  • Para mbjelljes bëhet piketimi i rrugëve dhe parcelimi.
  • Gjithasht para mbjelljes bëhet edhe plehërimi bazë me plehra kimike e organike. Sasia e plehrave përcaktohet në bazë të analizës së tokës dhe nevojave të bimës.
  • Zakonisht në plehërimin bazë përdoret 80 – 100 ton plehra organike.

Gjatë mbjelljes rekomandohet që në një metër kub dherishte që do të shërbejë për mbushje të përdoren:

  • 0.95 kg sulfat amoni me 12 % N;
  • 3 kg superfosfat me 15 – 16 % P2O5;
  • 1 kg sulfat potasi me 50% K2O

Në toka e sheshta është mirë që punimi të bëhet kurriz me pjerrësi 1- 2%. Distanca e kurrizeve bëhet aq sa gjerësia e rreshtave të bimëve të kivit (zakonisht 4 – 5m). Mbjellja e fidanit bëhet në mesin e kurrizit të formuar.

Distancat e mbjelljes: Largësia e mbjelljes në mes të rreshtave dhe midis bimëve  është në varësi të kushteve ekologjike dhe agroteknikës që do të përdoret. Si dhe në shumë pemë frutore, edhe te kivi po kalohet në tendencën e mbjelljeve intensive, me numër të lartë bimësh për hektarë. 

Kështu distancat e mbjelljes nga 4.5 x 5.5 janë reduktuar në 4 x 2 m. Sipas shumë autorëve kjo ndikon në jetëgjatësinë e pemëtores dhe në cilësinë e frutit.

Rëndësi të veçantë i kushtohet radhës së mbjelljes së bimëve mashkullore me atë femërore si dhe raportet e tyre. Autorë të ndryshëm rekomandojnë raporte të ndryshme të cilat mund të jenë: 12:1, 8:1, 6:1, 5:1 etj. Pavarësisht raporteve rëndësi ka që bimët mashkullore të vihen në radhë të drejtë. Si rregull në çdo 2 – 3 rreshta dhe në 2 - 3 – 4 bimë femra vendoset një bimë mashkull.

Mbjellja: Si në gjithë pemët frutore edhe tek kivi mirë është që orientimi i rreshtave të jetë veri – jug. Kur mbjellim disa kultivarë është mirë që ato të ndahen me parcela për të realizuar një pllenim sa më të mirë.

Për mbjellje duhet të sigurojmë fidanë të shëndetshëm. Një fidan i mirë dhe i shëndetshëm për mbjellje është një garanci për ngritjen e një pemëtoreje efektive.

  • Zakonisht fidanët mbillen të moshës njëvjeçare. Përvoja ka treguar se fidani më i përshtatshëm për mbjellje është fidani me moshë 2 vjeçare.
  • Fidanët  duhet të jenë me sistem rrënjor të shëndoshë.
  • Kur vihen re dëmtime të rrënjës ato duhet të shkurtohen deri tek pjesa e shëndoshë.
  • Para mbjelljes, si tek të gjitha pemët frutor, fidani duhet të trajtohet me përzierjen e njohur bajgë + argjilë.
  • Fidanin mund të jenë me bukë dheu ose me rrënjë të lira.

Koha e mbjelljes: 

  • Kur fidani është me kubikë (bukë dheu) mbjellja mund të bëhet gjatë gjithë vitit dhe zënia e bimëve në këto raste është pothuaj 100%. Nuk kryhet mbjellja vetëm në temperatura të ulëta dhe në ditët e nxehta të verës.
  • Mbjellja e fidanëve pa bukë dheu, me rrënjë të zhveshura,  bëhet gjatë vjeshtës me qëllim që gjatë dimrit ajo të ketë krijuar rrënjë të vogla të reja.
  • Në vendet e ftohta, zakonisht, mbjellja kryhet në pranverë, në mars – prill.
  • Thellësia e mbjelljes së fidanit duhet të jetë tillë që ajo të përkojë me thellësinë e fidanit në fidanishte.
  • Kur para mbjelljes është kryer plugimi i thellë gropat hapen në dimensione 40x40x50 cm, mjafton që sistemi rrënjor të shtrihet plotësisht.
  • Kur toka nuk është përgatitur me plugim qilizmë atëherë, disa muaj para mbjelljes, hapen gropat me përmasa 80x100x70 cm.
  • Në gropë shtohet 10 – 12 kg pleh organik i dekompozuar si dhe plehrat kimike sipas analizës së tokës dhe planifikimit.

Kujdes! Sistemi rrënjor asnjëherë mos të vihet në kontakt direkt me plehrat.

Gjatë mbjelljes dhe mbushjes së gropës dheu rreth fidanit ngjishet me këmbë për të krijuar një kontakt sa më të mirë të sistemit rrënjor me tokën. Pas mbjelljes në qendër të gropës vendoset një hu i cili luan rolin mbështetës deri sa bima të arrijë telin e parë të sistemit mbështetës.

Krasitja e fidanit të porsambjellë: Gjithmonë, pavarësisht kohës së mbjelljes, bëhet krasitja e fidanit të porsambjellë. Parimi është i njëllojtë me atë të hardhisë. Zakonisht fidani shkurtohet dhe lihet 2 - 3 sytha. Në përfundim të periudhës së vegjetacionit të atij viti, në kohën e krasitjes, nga tre lastarët që shpërthejnë, zgjedhim njërin më të fuqishmin dhe lidhet pas hurit mbështetës. Një tjetër shkurtohet në 2 - 3 sytha dhe lihet si rezervë, kurse të tjerët hiqen plotësisht.

Sistemi i mbështetjes: Kivi rritet si hardhia, madje në mënyrë më të bujshme. Pra për një zhvillim normal, asaj i duhet detyrimisht sistemi mbështetës.

  • Shtrati ose tenda është mirë të bëhet përpara mbjelljes, me qëllim që më vonë të mos shkaktojmë dëme në bimë, por edhe që bima të marrë formën e përshtatshme që në fillim.
  • Forma e shtratit mbështetës varet nga forma që kemi vendosur ta mbajmë këtë pemë.
  • Shtrati përbëhet nga shtylla betoni, hekuri ose druri si the tel shtrëngues.
  • Lartësie e shtyllave varet nga forma e mbajtjes së kivit. Zakonisht rekomandohet lartësia deri në 2 metra, lartësi që lejon kryerjen e shërbimeve pa ndihmën e shkallëve (si krasitje, vjelje etj.).
  • Largësia e vendosjes së shtyllave është 5 - 7 m ose edhe më pak.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Cilat janë format e kultivimit tek  kivi

Data e publikimit: 21/10/2021


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

KANCERI BAKTERIAL (Cmm) në domate

Kanceri Bakterial është një sëmundje shumë e rrezikshme e domates që shkaktohet nga Clavibakter Michiganensis (Cmm)

Lexo më shumë

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I ÇIKORES

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

Teknologjia e kultivimit të çikores në fushë të hapur

Përse çikorja meriton të përhapet më shumë në vendin tonë?

Lexo më shumë

Si të luftoni kuskutën në parcelat e farës së tërfilit aleksandrin?

Në gjininë e kuskutës bëjnë pjesë mbi 201 specie bimësh parazitare me ngjyra të verdhë, portokalli ose të kuqe (rrallë jeshile).

Lexo më shumë