TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË TRUMZËS




Trumza dimërore ose trumza e malit (Satureja montana) është një bimë barishtore shumëvjeçare, kaçubore, me gjelbërim të përhershme e familjes Lamiaceae (Buzore). Origjina e saj janë rajonet e ngrohta e të buta të Evropës Jugore, Mesdheut dhe Afrikës. Ka gjethe jeshile të errët dhe lule me ngjyrë që variojnë nga livando e zbehtë ose rozë në të bardhë. 

Në gjininë Satureja përfshihen më shumë se 30 specie, por më të përhapura në pellgun e Mesdheut janë Satureja hortensis dhe Satureja montana. E para, S. Hortensis, është një vjeçare, kryesisht e formës verore, kurse e dyta është shumë vjeçare. Në kushtet e habitatit natyror bima e trumzës jeton në formën e një kaçube të ulët mbi 10 vjet. Ri-përtëritja realizohet nëpërmjet farave të cilat piqen zakonisht pas muajit Gusht. Me një teknologji racionale, kultivimi për këtë bimë zgjat për 5-6 vite duke ruajtur nivele të larta prodhimi dhe përmbajtje të kënaqshme të principeve aktive.

Trumza dimërore (Satureja montana L.) njihet si bimë aromatike dhe mjekësore nga e cila prodhohet vaj esencial dhe komponime të tjera aktive si acid rosmarinik dhe hidroksincinnamik. Komponimet kryesore kimike të vajit esencial janë monoterpenet aromatike të cilat janë përgjegjëse për aromë dhe shije karakteristike. Principi bazë aktiv është karvakrol (rreth 44.5%). Përmbajtja e vajit esencial është e lidhur me habitatin (vendndodhja), kushtet në rritje dhe teknikat bujqësore që aplikohen në kultivim. Po kështu, periudha pas korrjes, tharja, përpunimi dhe teknika e distilimit ka ndikim të madh në cilësinë e principeve aktive të trumzës. Në vendin tonë trumza e malit rritet spontanisht në të gjithë masivet malore. 

Cilat janë vetitë kurative dhe ushqyese të trumzës?

Në mjekësi: 

  • Trumza dimërore ka veti antiseptike, aromatike, karminative (parandalues i formimit të gazit  në traktin intestinal) dhe ndihmon tretjen. 
  • Është përdorur gjithashtu si një ekspektorant (pastron mukozën nga rrugët e frymëmarrjes) dhe në trajtimin e pickimeve të bletëve ose pickimit të insekteve nëpërmjet përdorimit të llapës së gjetheve. Një degëz e bimës, e fërkuar mbi pickimet e bletës ose grerëzave, sjell lehtësim të menjëhershëm.
  • E marrë si çaj, thuhet se është një ilaç për dhimbje barku dhe një kurë për fryrjen e stomakut, ndërsa përdoret gjithashtu për trajtimin e gastro-enteritit, cistitit, të përzierave, diarresë, kongjestionit bronkial, dhimbjes së fytit dhe çrregullimeve menstruale. Nuk duhet të përshkruhet për gratë shtatzëna.
  • Frenon rënien e flokëve: Vaji esencial është një përbërës në kremra për lëkurën e kokës në rastet e rënies fillestare të flokëve.
  • Kundër artritit: Një pomadë e bërë nga bima përdoret nga jashtë për të lehtësuar nyjat me artrit.

Në gatim: trumza e malit shkon shumë mirë me fasulet dhe mishin,. Në mishin e pulës dhe gjelit të detit mund të përdoren në mbushje. Mund të përdoret gjithashtu në supa dhe salca. 

Cilat janë kërkesat e trumzës ndaj faktorëve të mjedisit?

Kërkesat për temperaturë 

Trumza e malit (ose trumza e dimrit) është një bimë rezistente ndaj temperaturave të ulëta disa gradë nën zero, si dhe ngricave të vona apo të hershme, megjithatë preferon dhe jep prodhim më të lartë në kushtet e një klimë të butë.

Kërkesat për tokën 

Trumza preferon tokat e shkrifëta, gëlqerore, gurore, të thata e të mirë kulluara. Nuk shkon mirë në tokat e rënda të cilat mbajnë lagështi apo krijojnë mbetje ujore sipërfaqësore. Duron mirë periudhat e gjata të thatësirës. Toka ku do të kultivohet, duhet të jetë e kulluar, me shkëmb amënor karbonate, pH neutral deri në të lehtë bazik. 

Cila është teknologjia e kultivimit të trumzës?

Trumza malore shumëzohet me dy mënyra:

  • Me fidanë të përgatitur nga fara; 
  • Me kalema ose me copa bimore. 

Me fidanë të përgatitur nga fara: koha e përgatitjes së fidanit varet nga koha e mbjelljes në fushë të hapur. 

Kur mbjellja e fidanit në fushë të hapur bëhet në pranverë ose siç quhen ndryshe mbjellje të pranverës, përgatitja e fidanit bëhet në ambiente të mbrojtura dhe ajo fillon që në muajt nëntor – dhjetor. Sasia e farës së përdorur është 2 gram farë për 10 m2. Nga kjo sipërfaqe sigurohen 5 – 60000 fidanë ose 500 – 600 fidanë/m2. Fara e trumzës ka një mbulesë shumë të fortë dhe mbin me shumë vështirësi për këtë arsye, paraprakisht para mbjelljes ajo trajtohet me ujë të ngrohtë për 24 orë dhe pastaj shpërndahet në sipërfaqen e tokës së përgatitur për këtë qëllim, pa qenë nevoja që të mbulohet. Në kushtet e përshtatshme tokësore dhe lagështirës, mund të sigurohet një nivel i lartë në mbirje. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se % e mbirjes mbetet e ulët, në nivelet 15-20 %.

Kohëzgjatja e përgatitjes së fidanit zgjat rreth 90 ditë dhe fidani është i gatshëm për ndërrim/trapiantim në fushë të hapur kur ai ka arritur lartësinë 8 – 10 cm.

Kur mbjellja e fidanit në fushë të hapur kryhet në vjeshtë apo dimër,  në këtë rast përgatitja e fidanit mund të bëhet edhe në vllaja të hapura duke filluar në muajt Maj - Qershor. Për gatitjen e fidanit përdoret e njëjta teknikë si edhe në ambiente të mbrojtura.

Mbjellja me copa apo me kalema është më pak produktive, në veçanti kur kemi sipërfaqe të mëdha. Kjo për faktin se dëmtojmë bimët nga ku merren copat si dhe konstatohet zënia e dobët e copave, rreth 60%. Megjithatë sipas kësaj metode, e cila aplikohet më tepër në vjeshtë, mund të shfrytëzohen copat që merren nga parcelat 5-6 vjeçare që janë drejt fundit të kultivimit të tyre. Këto parcela mund të ripërtërihen me një kosto më të ulët pasi materiali mbjellës me copa kushton më pak. Është mirë që copat kur shkëputen nga bima mëmë të merren së bashku me një pjesë të rrënjëve.

Përgatitja e tokës për mbjelljen e fidanëve në fushë

Përgatitja e tokës bëhet përmes punimeve të saj. Zakonisht kryhet një plugim i thellë, i ndjekur nga punimet sipërfaqësore për thërrmimin të tokës (diskime apo frezime) duke siguruar një strukturë të përshtatshme për shtratin e mbjelljeve të reja.

Mbjellja

Trumza e malit (shumëvjeçarja) ka një zhvillim të bujshëm dhe hapet mjaft si kurorë. Nisur nga ky tipar dhe mekanikën që kemi në dispozicion, mbjelljet mund të realizohen në rreshta me gjerësi 60-70 cm dhe me distancë të bimëve në rresht 25 – 30 cm në mënyrë të tillë që të sigurohet një densitet 5-6 bimë/m2

Mbjellja e fidanëve kryhet me punëtorë, me kunja dore si edhe fidanët e perimeve, ose në toka me përmbajtje të lehtë inertesh, mund të përdoren makina mbjellëse fidanësh. Është mirë që krahas mbjelljes, menjëherë, fidani në fushë të ujitet për një lidhje të shpejtë e të mirë me tokën me qëllim sigurimin e një zënie sa më të mirë.  Kjo kryesisht ne mbjelljet e pranverës. Gjatë procesit të mbjelljes ka një ngjeshje të tokës për efekt të kalimit të punëtorëve apo mekanikës, prandaj rekomandohet një kultivim i shpejtë, 10-15 ditë pas mbjelljes.

Plehërimi

Për bimën e trumzës së malit, plehërimi bazë realizohet gjatë përgatitjes së shtratit për mbjellje, kryesisht me një sasi plehu organik të kalbur plotësisht si dhe plehra komplekse NPK në doza të ulëta, 50:90:100. Ndërsa, në vitet pasardhëse, në përshtatje me kushtet e pjellorisë së tokës dhe kushtet ambientale, në fazën e ngritjes vegjetative, aplikohet pleh i kombinuar NPK me tretje të ngadaltë me 1⁄2 e dozës së vitit të parë.

Shërbimet dhe përkujdesja pas mbjelljes

Prashitja, shkrifërimi i tokës dhe tëharrja e barërave të këqija

Gjatë vitit të parë është e rëndësishme të fokusohemi në mbajtjen e shkrifët të tokës nëpërmjet disa kultivimeve dhe tëharrjen e barërave të këqija ndërmjet bimëve. Të tilla operacione kryhen sa herë që shihet e nevojshme për të evituar ngjeshjen e tokës dhe infeksionin nga barërat e këqija. Nga viti i dytë i prodhimit e më pas, kultivimet rrallohen e kryhen vetëm në fillim të vegjetacionit dhe pas kositjes.

Ujitja

Pavarësisht se trumza e malit është shumë rezistente ndaj thatësirës, për të bërë të mundur rritjen e rendimentit të gjethes, gjatë verës mund aplikohen 1-2 ujitje me kusht që pas çdo ujitjeje toka të kullohet mirë sepse trumza është e ndjeshme ndaj lagështirës së tepërt. Gjithashtu, kujdes duhet t’i kushtohet edhe dozave të ujit, pra të mos përdoren shumë doza të larta të ujit.

Sëmundjet dhe dëmtuesit e trumzës

Trumza e malit është bimë e fuqishme dhe është rezistente ndaj dëmtuesve dhe sëmundjeve. Mundësia më e madhe e prekjes është ajo e kalbjes rrënjore e cila shfaqet  në prezencë të mbetjeve/pellgjeve ujore. Prezenca e karvakrolit në përbërjen kimike të bimës është aktive kundër pjesës më të madhe të kërpudhave dhe insekteve, pra e mbrojnë bimën nga sëmundjet kërpudhore. Vetëm gjatë prodhimit të fidanëve në farishtore është konstatuar mundësia e infeksionit nga kërpudha e gjinisë Phythium e cila është shkaktare e kalbjes së sistemit rrënjor dhe tharjes së bimëzave të reja. Fillimisht infektohen zona e qafës së rrënjës, pastaj infeksioni përhapet me shpejtësi në të gjithë sistemin rrënjor. Temperatura optimale për infeksion është 20 deri 30°C, ndërsa faktorë të tjerë mund të përmenden lagështi e lartë ajrore dhe dritësimi i dobët. 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja e Trumzës.

Data e publikimit: 27/12/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ROZMARINËS

Cilat janë sëmundjet, simptomat dhe masat e kontrollit?

Lexo më shumë

VJELJA DHE TRAJTIMI PAS VJELJES I ROZMARINËS

Kur është koha e korrjes së rozmarinës?

Lexo më shumë

VJELJA/KORRJA E TRUMZËS

Vjelja bëhet me dorë ose me makineri korrëse e cila e realizon prerjen e bimës në mënyrë që të mos komprometojë cilësinë e saj. Në përgjithësi, vjelja kryhet në lartësinë 5-8 cm mbi sipërfaqen e tokës.

Lexo më shumë

VJELJA/KORRJA E MENTËS

Në këto raste, gjethet e thata tek menta nuk kanë më ngjyrë të bukur të gjelbër, kështu që i humb vlera tregtare.

Lexo më shumë