PYETJET MË TË SHPESHTA DHE AVANTAZHET E TYRE




Ky artikull është i përqendruar në “Pyetjet më të Shpeshta” të cilat janë adresuar në rubrikën “Pyet Ekspertin” në Platformën ABA online. 

Pasqyrimi i Pyetjeve më të Shpeshta është shoqëruar me përgjigje të thjeshta, lehtësisht të kuptueshme lidhur me një çështje të ngritur, një produkt, apo një shërbim. Ndonëse ne ju inkurajojmë të adresoni vazhdimisht pyetjet tuaja në rubrikën “Pyet ekspertin”, në mënyrë të vazhdueshme do të prezantojmë për lehtësi artikuj përmbledhës të pyetjeve më të shpeshta dhe përgjigjet e tyre për t'i bërë të njohura ato në një numër sa më të madh lexuesish. Gjithashtu, ju inkurajojmë që pyetjet të ofrojnë sa më shumë detaje nga situata me të cilën përballeni dhe në rastet e mundshme këto situata t'i shoqëroni me fotot përkatëse.

Cilat janë përfitimet nga një përmbledhje e tillë?

Përmes pyetjeve më të shpeshta ju ofrohet një listim i pyetjeve e problemeve që hasen më shpesh në ferma. Ju mundëson të njiheni me një gamë të gjerë problemesh të cilat mund të hasen potencialisht edhe në fermën tuaj, e kështu të njiheni me masat që duhen ndërmarrë për parandalimin apo përballimin e problemit. Kjo ju lehtëson përpjekjen dhe shkurton kohën për gjetjen e zgjidhjes së problemeve.

Ofrimi i përgjigjeve mbi pyetjet më të shpeshta krijon një tjetër lidhje besueshmërie, ndërmjet Platformës ABA, ekspertëve të saj dhe ju si të interesuar për përgjigjen e pyetjeve të adresuara. 

Lehtëson kërkimin tuaj në platformë lidhur me pyetjet specifike që mund të keni duke marrë përgjigje specifike dhe praktike lidhur me këto pyetje. 

Ky do të jetë artikulli i parë që pasqyron Pyetjet më të Shpeshta të adresuara në Platformë. Artikuj të tillë përmbledhës do të përgatiten dhe ndahen me ju dy herë përgjatë vitit duke përmbledhur pyetjet më të shpeshta të adresuara si dhe përgjigjet e tyre për një periudhë 6 mujore.

Pyetje: Sa duhet të jetë mosha dhe pesha e një mëshqerre në inseminimin e parë?

Përgjigje: Lidhur me inseminimin e parë në mëshqerra, dy janë faktorët të cilët duhen mbajtur parasysh: mosha dhe pasha e mëshqerrës. 
Përsa i përket moshës për ndërzimin e parë të mëshqerrave, ajo duhet të jetë 13 deri në 15 muaj, periudhë kjo kur arrihet pjekuria seksuale dhe kemi zhvillimin e duhur të vezores. Mosha duhet të përkojë dhe kombinohet me peshën trupore e cila duhet të jetë 350 kg. Këto parametra janë natyrisht në varësi edhe të rracës, por ky është orientimi i përgjithshëm. Duhet mbajtur parasysh që për inseminimin e parë, domosdoshmërisht të përdoren dema me lehtësi në pjelljen e pasardhësit. Kjo është shumë e rëndësishme pasi mëshqerrat janë akoma me një trup relativisht të vogël të cilit i duhet të përballojë sfidat e pjelljes.

Për këtë qëllim, ju si fermer duhet të kërkoni nga tekniku i inseminimit artificial që të ofrojë për inseminim dema me lehtësi në pjellje. Gjithashtu, mbani në vëmendje se materiali gjenetik i seksuar (që mundëson lindjen e 90% të pasardhëseve femra) rekomandohet të përdoret kryesisht tek mëshqerrat. 

 

PyetjeLidhur me importin e kafshëve të fermës, cilat janë procedurat e duhura për futjen e tyre në Shqipëri?

Përgjigje: Së pari, nëse ju do të importoni kafshë për fermën tuaj ose ferma të tjera brenda vendit, ju duhet të jeni të regjistruar si operator biznesi i liçensuar për import kafshësh të gjalla. Pra, në përshkrimin e liçencës së operatorit të biznesit duhet të specifikohet edhe aktiviteti "import dhe tregtim kafshë të gjalla".
Ju si importues duhet të zotëroni stallë të përshtatshme për strehimin e kafshëve që importohen, gjë e cila është edhe parakusht për marrjen e liçencës.
Ju si importues duhet të keni çertifikatën shëndetësore veterinare lëshuar nga vendi eksportues. Lista e vendeve të lejuara nga ku mund të eksportoni paraqitet në rregulloren Nr. 328, datë 22.11.2011 të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. 

Vendi eksportues (nëse ka eksperienca të mëparshme eksporti me Shqipërinë) e disponon modelin e çertifikatës veterinare të dakortësuar me autoritetet kompetente Shqiptare. Çertifikata krahas gjuhës Angleze dhe gjuhës së vendit eksportues duhet të jetë e përkthyer edhe në gjuhën Shqipe. Nëse vendi eksportues nuk ka eksperiencë të mëparshme eksporti me Shqipërinë, duhet të përgatisin dhe dakortësojnë modelin e çertifikatës veterinare me autoritetin kompetent Shqiptar, duke ndjekur rregullin e gjuhës së shprehur në Anglisht, gjuhën e vendit eksportues si dhe në Shqip. 

Për orientim, të llojit të çertifikatës, në rregulloren 328, mund të gjeni modelin BOV-X për importin në rastin e gjedhit dhe modelin OVI-Y në rastin e importit të të imtave.

Në përzgjedhjen e kafshëve duhet bërë kujdes që krahas kondicionit të tyre trupor (pamjes së jashtme) të siguroni edhe pedigre të kafshëve të cilat shprehin performancën e paraardhësve dhe janë një tregues i mirë mbi performancën e kafshëve që do të importoni. 

Gjithashtu mbani parasysh se transporti duhet të realizohet me mjete të përshtatshme dhe të aprovuara sipas rregulloreve të BE të cilat sigurohen nga kompania eksportuese. 

 

Pyetje: Kam 15 viça të prekur me pneumoni. Si mund të përballoj këtë situatë?

Përgjigje: Pneumonia në viça është shumë kritike dhe mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm si: 

  •  temperaturat shumë të ulta; 
  •  korrentet e forta ajrore; 
  •  ngarkesa mikrobike; 
  •  lagështia e madhe në ambientet e stallave;
     ventilimi i pamjaftueshëm që shoqërohet me erë amoniaku të rëndë;
  •  zona e pjelljes e papërshtatëshme;
  •  miksim apo vendosje e viçave me moshë të ndryshme në të njëjtin grup.

Si rezultat i Pneumonisë të vegjlit humbasin peshë e kalojnë deri në ngordhje. Trajtimi për kurimin e tyre duhet bërë me antibiotikë, anti-inflamatorë, por për këtë duhet të konsultoheni me veterinerin e zonës me qëllim që të përdoret medikamenti i duhur në varësi nga lloji dhe shkalla e prekjes si dhe medikamentet e disponueshme në farmacinë veterinare të zonës suaj.

Për të parandaluar pneumoninë duhet të bëni kujdes që:

  •  Të ofroni patjetër kulloshtrën e duhur brenda 24 orëve. Kulloshtra është e domosdoshme pasi siguron imunitet tek viçat. Sasia që duhet përdorur në 24 orët e para është rreth 5 litra ose 1/8 e peshës trupore të viçit të porsalindur. Pra, nëse pesha e viçit të porsa lindur është 40 kg, sasia e kulloshtrës duhet të jetë 40 pjestuar për 8, pra 5 litra.
  •  Të realizoni ventilimin e duhur të stallës por pa krijuar korente ajrore në zonën ku ndodhen viçat.
  •  Kushtojini vëmendje të ushqyerit që në ditët e para duke përdorur si qumësht ashtu edhe bar të thatë e koncentratë në mënyrë graduale.

 

Pyetje: Në tufë kam dhi të cilat shfaqin dridhje trupore dhe deri edhe ngordhje. Përse ndodh kjo?

Përgjigje: Shkaqet mund të jenë nga më të ndryshmet, si: 

  •  mos-ngrënia mjaftueshëm dhe ç'rregullimi metabolik; 
  •  helmim nga ushqimi ose nga insekte helmuese; 
  •  prania e temperaturave të ulta.

Veçanërisht në rastin kur kemi të bëjmë me temperatura të ulta ndodh dridhje e deri dhe humbje e jetës. Në këtë rast si masë e shpejtë dhe fektive rekomandohet vendosja e kafshëve në zona më të ngrohta te fermës, si dhe ofrimi i ujit të vakët me sheqer.

Në rastin kur kemi helmim të kafshëve duhet analizuar së çfarë ka ndryshuar me të ngrënët e dhive. Po ju ofrojmë atyre një ushqim të ri?, Ushqim të prodhuar në fermë? Ushqim të blerë?, Kemi dyshime për persona të pa-autorizuar ose të panjohur që mund t'i jenë afruar kafshëve? Pra, ju duhet të analizoni të gjitha këto raste të mundshme. A kanë patur dhitë humbje të oreksit? Po temperaturë trupore?

Pavarësisht orientimeve mësipër, ju duhet të merrni kontakt me veterinerin e zonës për një diagnostikim sa më të saktë, gjetjen e arsyes së shenjave dhe ngordhjes dhe marrjen e masave për të shmangur përhapje të mëtejshme të fenomenit në tufë.

 

Pyetje: Kam maisje të gojës tek dhitë, çfarë është dhe si mund ta trajtoj?

Përgjigje: Nga fotot, duket që shenjat korrespondojnë me sëmundjen e quajtur "maisja e gojës" ose "zgjebja e gojës", që është një sëmundje e përhapur tek dhitë në të gjithë botën.

Sëmundja shkaktohet nga nje virus i familjes së lisë. Ajo fillon me shfaqjen e flluskave në buzë, në fytyrë dhe në gojë. Më vonë flluskat shndërrohen në kore ose dregëza. Sëmundja shkakton vështirësi për dhitë gjatë procesit ë ngrënies dhe përhapje të plagëve në gjirin e dhive kur kecat e infektuar pijnë qumësht direkt nga gjiri i nënës së tyre. Kafshët e prekura mund të shërohen plotësisht brenda një muaji, por ekziston edhe rreziku i ri-infektimit të tyre. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ju si pronar i tufës ti kushtoni vëmendje parandalimit të prekjes nga virusi. Duhet bërë kujdes ndaj kullotave duke i pastruar nga objekte që shkaktojnë plagë, gërvishtje ose prerje tek dhitë, pasi plagët që shkaktohen bëhen burim infeksioni. Duhet që të dezinfektoni mjediset e fermës, grazhdet e ushqimit, vendet e pirjes së ujit, mjetet dhe paisjet që përdorni në fermë. Gjithashtu duhet që kafshët e prekura t'i izoloni më vete, pra të mos bien në kontakt me kafshët e shëndetshme. Nëse ju prekni një kafshë të sëmurë duhet të lani mirë duart dhe ti dezinfektoni ato.

Nëse sëmundja merr përhapje në masë të madhe duhet të kontaktoni veterinerin e zonës për të kryer vaksinimin e tufës.

Kujdes, nëse ju vetë do të prekeni do t’ju shfaqen flluska dhe plagë të vogla në lëkurë kryesisht në gishta. Flluskat krijohen për 3-7 ditë, ndërsa plagët mund të jenë me dhimbje dhe të zgjasin për dy muaj.

 

Pyetje: Cili është racioni ushqimor që më rekomandoni për delet në laktacion?

Përgjigje: Mbani parasysh se racioni është orientues, pasi ai varet nga disa faktorë, si rraca, pesha trupore e deleve, kondicioni trupor, faza e prodhimit, numri i qengjave që mëmëzojnë, lloji i ushqimeve që keni në dispozicion, etj. Sidoqoftë, duhet të mbani parasysh se laktacioni është faza kur delet kanë kërkesa më të larta për ushqim. Në rast se tufa juaj është e madhe, ajo duhet ndarë në grupe në varësi nga numri i qengjave që mëmëzojnë delet, pra ato me një qengj më vete dhe të ndara nga ato me dy qengja, etj.

Pas pjelljes nevojat e deleve për ushqime rriten shumë sepse me anë të qumështit që prodhohet ato nxjerrin nga trupi i tyre sasi të mëdha proteinash, lëndësh minerale dhe vitamina.

Për të siguruar prodhimin e qumështit duhet të plotësoni nevojat e deleve për ujë, energji, proteina, minerale si kalçiumi, fosfori, magnezi, sulfuri, bakri, seleni, jodi, kripërat, vitaminat si ajo A, D dhe E.  Gjatë fazës së laktacionit, pra fazës së prodhimit të qumështit duhet të siguroni ushqimet më cilësore. Ushqimi më i mirë në këtë periudhë është jonxha cilësore, silazhi i misrit (nëse përdorni për të imtat) si dhe koncentrata që përgjithësisht është përzierje e misrit, elbit, himeve. Sasia e koncentratës që ofrohet duhet të jetë 350-500 gr për krerë në ditë, ndërsa bari i thatë i jonxhës rreth 1.5 kg për krerë në ditë shoqëruar këto me kullotje të lirë. Gjithashtu uji është një element shumë i rëndësishëm dhe duhet të jetë i pastërt, i pranishëm gjatë të gjithë kohës, me qëllim që delet të pijnë sipas nevojës së tyre. Duhet të përdorni gjithashtu blloqet minerale për të siguruar vitaminat dhe mineralet e nevojshme. 

Data e publikimit: 13/09/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

ÇFARË ËSHTË E RËNDËSISHME TË DINI NDËRSA SHKOJMË DREJT ANËTARËSIMIT TË VENDIT NË BASHKIMIN EUROPIAN

Çfarë duhet mbajtur parasysh gjatë hyrjes së kafshëve, materialeve riprodhuese si dhe produkteve me origjinë shtazore në vendet e BE-së nga vendet jashtë tij.

Lexo më shumë

ÇFARË MUND TË KOMPOSTOHET DHE KËRKESAT PËR CILËSINË E MATERIALEVE TË KOMPOSTUESHME

Pothuajse çdo lëndë organike në parcelat e mbjella, në stalla, në kopshtet tuaja, në anë të rrugëve të fshatit, mund të jetë një burim i mirë lëndësh për kompostim.

Lexo më shumë