STRATEGJITË PRAKTIKE MBI NDRIÇIMIN




Duke ofruar intensitetin e duhur të dritës, ju do të ndikoni drejtpërdrejt në rritjen e performancës së lopëve, si dhe do të lehtësoni aktivitetin e njerëzve që punojnë në stallë, pasi për ata do të jetë më e lehtë të kontrollojnë tufën siç duhet si dhe të dallojnë më mirë afshet tek lopët, dëmtimet e tyre, lëvizjet, sjelljen, etj.

Mbani parasysh, se ju duhet të: 

  • respektoni oraret fikse të ndriçimit duke mënjanuar kështu prishjen e ritmeve biologjike. Rregullojini ciklet e ndriçimit në mënyrë graduale për të ulur në këtë mënyrë stresin që mund të krijohet nga ndryshimet e mëdha;
  • rregulloni oraret e ndriçimit sipas ndryshimeve sezonale. Gjatë ditëve më të shkurtra të dimrit, zgjasni ekspozimin ndaj dritës artificiale për të ruajtur ciklet e qëndrueshme. Në verë, zvogëloni dritën artificiale për t’ju përshtatur orëve më të gjata të ditës;
  • monitoroni intensitetin e dritës. Sigurohuni që intensiteti i dritës të jetë i përshtatshëm, pasi si ndriçimi i tepërt dhe ai i pakët mund të jenë të dëmshëm. Përdorni programe të matjes së intensitetit për të kontrolluar nivelet e dritës dhe për të siguruar që kafshët të kenë ekspozim normal ndaj ndriçimit.

Kategori të ndryshme kafshësh kanë specifika përsa i përket kërkesave për dritë. Duke njohur këto specifika, ju mund të adoptoni ndriçimin dhe ta bëni atë të vlefshëm për kafshët. Kështu, gjedhi përfiton më shumë nga periudha e zgjatur e dritës. Mbani parasysh se lopët e qumështit prodhojnë më shumë qumësht kur janë të ekspozuara ndaj 16-18 orë dritë në ditë. Gjithashtu gjedhi për mish rritet më shpejt nën ekspozimin e zgjatur të dritës. 

Derrat kanë nevojë për ekspozim të ekuilibruar ndaj dritës për rritje dhe riprodhim normal, ndërsa dosat e ekspozuara ndaj cikleve të qëndrueshme të dritës kanë shkallë më të lartë të fertilitetit si dhe shëndet më të mirë. 

Shpendët, për shembull pulat, kërkojnë cikle drite specifike për prodhimin e vezëve. Ekspozimi ndaj një orari të qëndrueshëm prej 14-16 orë dritë në ditë mund të rrisë prodhimin e vezëve.

Por, cili është intensiteti i duhur i ndriçimit për gjedhin?

Intensiteti i ndriçimit matet me njësinë standard ndërkombëtare Lux. Kohëzgjatja optimale e dritës për lopët e qumështit është 16-18 orë me një intensitet ndërmjet 162 – 215 Lux, e cila ndiqet nga periudha e “errët” që zgjat nga 6- 8 orë me 50 Lux, por jo më pak se 30 Lux.  Burimi më i mirë për ndriçim janë llampat LED për shkak të jetëgjatësisë së tyre, efiçencës së energjisë dhe faktit që ato prodhojnë më pak nxehtësi dhe kërkojnë më pak mirëmbajtje.

Mbani parasysh:

  • Mos harroni të fikni dritat kur ato nuk nevojiten ose gjatë ditës me qëllim që të kurseni para
  • Bëni investimin e duhur për të blerë dritat e duhura, me qëllim që të kurseni në një periudhë afatgjatë

Data e publikimit: 15/11/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: