ÇFARË DUHET TË MBANI PARASYSH PËR NGRITJEN E NJË FERME ME TË DHIRTA!




Dëshironi të filloni një biznes të ri në fushën e blegtorisë? Synoni të mbarështoni të dhirta? Ju intereson një tufë për prodhim qumështi, mishi, apo prodhim të dyfishtë? Në këtë artikull do të përshkruajmë disa elementë të rëndësishëm që duhet të mbani parasysh. 

Fermat e dhive kanë disa përparësi pasi dhitë kërkojnë më pak tokë për plotësimin e nevojave të tyre për ushqim, më pak kapital fillestar për ngritjen e fermës, kanë një numër më të lartë pasardhësish për pjellje, janë më rezistente dhe të adoptueshme ndaj kushteve të ndryshme, si dhe qumështi i tyre është më i ushqyeshëm dhe i tretshëm për njeriun. 

Veçanërisht vitet e fundit ka një interes të shtuar për krijimin e fermave që mbarështojnë dhitë e qumështit, por ende shumë nga pronarët e këtyre fermave nuk kanë njohuritë e duhura për maksimalizimin e fitimit nga ky biznes. Ndaj, duke qenë se shumë fermerë të tjerë kanë ngritur tashmë ferma të suksesshme ku mbarështojnë dhitë, ju mund të mësoni nga eksperiencat e tyre, sukseset e tyre, si dhe nga gabimet me qëllim që të mbarështoni tufën tuaj në mënyrë të sukseshme. 

Por, cfarë duhet mbajtur parasysh për të rritur efiçencën e fermave të dhive?

Studimi i tregut dhe planet e marketingut

Eshtë e rëndësishme të njihni klientët tuaj dhe tregun përpara se të thelloni kërkimet e mëtejshme, kjo si një bazë e mirë për të patur një biznes të suksesshëm.  Studimi i tregut është veçanërisht i rëndësishëm në rastin kur ju filloni një biznes të tillë për herë të parë dhe nuk keni eksperienca të mëparëshme. Merrni infomracionin e duhur lidhur me volumet e shitjeve të pordukteve, çmimet e tyre respektive, vlerësoni nëse ju mund të bëheni konkurentë në kushte të tilla tregu. Nëse produktet që ju do të prodhoni në fermë (qumësht, djathë, keca) nuk janë më të mirë se çfarë është ofrohet aktualisht në treg; gjeni mundësi të tjera të cilat do t’ju dallojnë nga prodhimet ekzistuese të tregut. 

Vlerësimi i vendit ku do të ngrini fermën. 

Kur analizoni vendin në të cilin planifikoni të ngrini fermën, merrni në konsideratë kushtet klimatike të zonës. Merrni kontakt me autoritet lokale për të siguruar lejen e ndërtimit të fermës. Merrni në konsideratë furnizimin e zonës me energji elektrike apo burime alternative të saj si dhe furnizimin me ujë. Merrni informacion lidhur me historikun e mbarështimit të dhive në zonë, cilat janë eksperiencat e fermerëve të tjerë në këtë biznes, informohuni mbi bizneset e suksesshme, informohuni mbi bizneset që kanë dështuar. Sigurohuni nëse ka eksperienca problemesh serioze me sëmundjet, gjë që përcakton nëse zona është e përshtatëshme për mbarështimin e dhive ose jo. Vlerësoni nëse është e mjaftueshme sipërfaqja e tokës në dispozicion për ngritjen e fermës?  

Përzgjedhja e rracës së duhur.

Mbani parasysh që fitimi i ardhur nga fermat e dhive nuk varet vetëm nga prodhimi i qumështit. Ndaj, së pari ju duhet të shtroni pyetjen: a është rraca me prodhimtari të lartë e përshtatshme për kushtet mjedisore dhe ato menaxhuese që do të mund të ofrojë ferma ime? 

A mundet që burimet e mija të disponueshme për prodhim të mund të adoptohen në mënyrë të tillë që të ruajnë rracën me prodhimtari të lartë? 

Cila është efiçenca e riprodhimit të racës që unë dëshiroj të mbarështoj në fermë? 

Pra, përzgjidhni një rracë që ofron një sasi të mirë të qumështit bazuar mbi burimet e disponueshme për prodhim, që është në gjendje të adaptohet shpejt dhe që shfaq treguesit e duhur të riprodhimit me një numër të kënaqshëm pasardhësish. Cila rracë mund t’ju sjellë më shumë para?

Përzgjedhja e kafshëve të fermës duhet të kalojë në disa vlerësime siç janë:

  • Gjiri. Kur blini dhi të rracës së qumështit, mbani parasysh që thithat të jenë lehtësisht të pozicionuara përpara dhe jo afër njëra – tjetrës me qëllim që të krijohet lehtësia në mjelje.
  • Qimja. Dhitë cilësore kanë një mbulesë (qime) me shkëlqim.
  • Vitaliteti. Dhitë cilësore janë vitale, energjike, kanë sy të gjallëruar si dhe një kondicion të mirë trupor.

Ju rekomandojmë që përzgjedhjen ta bëni në prani të një eksperti të fushës, zooteknik ose veteriner me eksperiencë. Rracat e importuara dhe më të adoptueshme ne vendin tonë janë Saanen, Alpine dhe Murciana. 

Por, mbani parasysh, ato përformojnë më mirë në zona të freskëta dhe vuajnë nga stresi si rezultat i ndryshimeve klimatike në një klimë shumë të nxehtë. Janë rraca me prodhimtari të lartë qumështi, që me plotësimin e kushteve mund të prodhojnë edhe deri në 5 litra qumësht në ditë. Kryqëzimet e këtyre rracave me rracat e vendit gjithashtu kanë dhënë rezultate të kënaqshme dhe kanë adoptim më të mirë me kushtet e mjedisit. 

Të ushqyerit e përshtatshëm

Të gjithë elementët e shëndetit të tufës janë ngushtësisht të lidhur me të ushqyerit. Dhitë janë konsumuese natyrale të ushqimeve, kanë tendencën të provojnë çdo vegjetacion, ndaj duhet të bëni kujdes për të siguruar një dietë të balancuar në energji, protein, minerale dhe vitamina, si dhe të siguroni ujë të pastërt e të vazhdueshëm. Ato janë konsumuese të llojeve të ndryshëm të barit, shkurreve si gjetheve dhe degëzave të drurëve pyjorë dhe bimëve të tjera, ndërkohë që burimet e energjisë mund t’ja siguroni përmes konsumit të misrit. 

Proteina që shërben si një burim i mirë për rritje, riprodhim, e prodhim qumështi, mund të sigurohet përmes barit të thatë të jonxhës, sojës, legumeve, etj. Mbani parasysh si rregull të përgjithshëm se sasia e barit të thatë duhet të varet nga stadi i zhvillimit si dhe nga pesha e kafshës, ndaj përgjithësisht rekomandohet që një dhi duhet të konsumojë lëndë të thatë sa 3.5% e peshës trupore. Pra, nëse janë të mirë ushqyera dhe konsumojnë mjaftueshëm ujë, dhitë parandalojnë sëmundjetet e mundshme. 

Strehimi i duhur

Me qëllim që të krijoni një ambient sa më të thatë, stallat e dhive duhet të jenë mjaftueshëm të ngritura nga toka, të jenë lehtësisht të pastrueshme, të mirë rrethuara, të kenë ventilimin e duhur si dhe një shtrat të thatë me bar të thatë apo kashtë. Një ambient jashtë stalle që ju siguron lëvizjen dhe marrjen e rrezeve të diellit është gjithnjë i këshillueshëm, ambient ky që rekomandohet të ketë objekte si shkëmbinj, pemë, goma makinash që krijojnë impresionin e “malit” ku kafshët janë mësuar të ngjiten dhe argëtohen, duke ja mundësuar këtë lëvizje artificialisht. 

Mbani parasysh, hapsira jashtë stallës dhe këto objekte nuk janë thjesht argëtuese, por ju shërbejnë dhive të forcojnë kockat dhe muskujt, janë një antistres i mirë që mundëson rritjen e prodhimit të qumështit dhe imunitetin shëndetësor. 

Parandalimi i sëmundjeve

Mbani parasysh që dhitë janë shumë të ndjeshme nga pneumonia dhe krimbat. Ato shkaktojnë probleme për një shëndet të dobët, si dhe rënie të prodhimit të qumështit. Ndaj, pastrimi nga krimbat duhet bërë në mënyrë të rregullt sipas medikamenteve të ndryshme. Shenjat kryesore të pneumonisë janë tështitjet, kollitjet, dhe frymëmarrja e rënduar. Për të patur një trajtim të sukseshëm të pneumonisë është e rëndësishme të kryhet diagnostikimi i saj sa më i hershëm

Vaksinat për pleuropneumoninë ngjitëse dhe tetanozin janë të domosdoshme.  Rriqnat dhe pleshtat janë të zakonshëm tek dhitë, ndaj duhet bërë trajtimi i kafshëve dhe stallës për eliminimin e tyre. Ju rekomandojmë t'i kushtoni vëmendje masave të bio-sigurisë duke mbajtur mjediset, mjetet dhe kafshët e pastra për ti mbrojtuar ato nga mastiti dhe koksidiozat. 

Riprodhimi

Përmes një riprodhimi dhe seleksionimi të mirë, ju mund të krijoni dhi shumë të mira në tufën tuaj. Dhitë mund të riprodhohen në mënyrë natyrale ose përmes inseminimit artificial. Për ndërzimin natyral ju rekomandojmë 1 cjap për rreth 20-25 dhi. Nën kushte të mira menaxhimi, dhitë vijnë në afsh për ndërzim në moshën 8 mujashe, por rekomandohet që çiftëzimi i tyre të ndodhë në moshën 12 muajshe kur arrihet pjekuria seksuale. Afshi zgajt nga 24-26 orë, ndërsa barrsmëria zgjat 150 ditë ose 5 muaj. 

Analizoni nëse biznesi që do të ngrini ka kuptim financiar 

Para se te filloni një biznes të tillë, vlerësoni nëse keni mjaftueshëm pará, apo do t’ju nevojiten burime shtesë financiare si kredi bankare, apo hua nga persona të tjerë. Vlerësoni gjithashtu sa kohë ju duhet për tu angazhuar në këtë biznes dhe a e keni ju kohën e domosdoshme. 

Planifikimi financiar dhe menaxhimi i Operacioneve

Për të patur një biznes të suksesshëm, duhet të mbani parasysh përgatitjen e një plani për fillimin e biznesit i cili duhet të përmbajë çdo gjë që nga paisjet, ushqimet e nevojshme, blerjen e kafshëve të cilat përbëjnë shpenzimet kapitale e deri tek shpenzimet operacionale si fuqi punëtore, drita, ujë, menaxhim i plehut, mbetjeve, siguracionet, si dhe vlerat e kredisë së mundëshme dhe interesave të saj. Nëse nuk merrni parasysh këto të dhëna, ju rrezikoni të dështoni me biznesin tuaj përpara se sa ta filloni atë. 

Krijimi i marrëdhënieve të shëndetshme me furnitorët, veterinerët dhe organet rregullatore

Furnitorët, veterinerët si dhe organet rregullatore mund ta ndihmojnë biznesin tuaj, ose mund ta dëmtojnë atë tërësisht. Ndaj, ruajtja e marrëdhënieve të mira me ata është thelbësore për suksesin e fermës. Qëndroni pranë tyre, ruani komunikimin e duhur dhe tregoni ndershmëri me ata lidhur me operacionet që kryeni në fermë. Ruani marrëdhënie të shkëmbimit të informacionit duke ndarë detaje të biznesit tuaj dhe duke u iformuar në detaje lidhur me biznesin e tyre. Në këtë mënyrë ju mund të parandaloni problemet që mund t’ju shfaqen në fermë. 

Garantoni që do të keni punonjësit e duhur

Një biznes i suksesshëm varet shumë nga njerëzit që shërbejnë në fermë, të cilët duhet të kenë kualifikimin dhe ndërgjegjen e duhur. Ata duhet të përgatiten për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, të kenë pasionin e duhur për një punë cilësore. Ndaj, vlerësojini dhe shpërbleni siç duhet përpjekjet e tyre. 

Siguroni paisjet e duhura për fermën

Në varësi të modelit që kërkoni të ngrini (prodhim qumështi, apo prodhim mishi) siguroni pasijet e përshtatëshme për modelin specifik. Siguroni informacion nga burime të ndryshme furnizimi si për cilësinë ashtu edhe çmimet e paisjeve. 

Data e publikimit: 05/03/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË GËSHTENJËS

Vendi ynë ka kushte shumë të mira klimatike e tokësore për rritjen dhe prodhimin e gështenjës. Gështenja mund të konsiderohet si “bimë bamirëse” për njeriun dhe faunën e egër.

Lexo më shumë

SHËRBIMET AGROTEKNIKE TË GËSHTENJËS

Çfarë shërbimesh i kryhen gështenjës pas mbjelljes?

Lexo më shumë

VJELJA DHE RUAJTJA E FRUTAVE TË GËSHTENJËS

Për vjeljen e gështenjës mund të bëhet me dorë ose mekanike.

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË RUKETËS NË FUSHË TË HAPUR

Cilat janë kërkesat e ruketës për klimën, tokën dhe parabimën ?

Lexo më shumë