Hithra, me emrin shkencor Urtica dioica, është bimë barishtore shumëvjeçare që rritet e lartë 40-100 cm. Ngjyra e bimës është e gjelbër në të mbyllur, e mbuluar me qime djegëse ose jo. Hithra vjen nga Evropa, Afrika e Jugut, Amerika e Veriut dhe Azia. Në Evropën mesjetare ajo u përdor si diuretik për të hequr ujin e tepërt nga trupi dhe gjithashtu për trajtimin e dhimbjeve të nyjave dhe muskujve. Të dhënat e para historike të hithrës datojnë në shekullin e parë para Krishtit ku ajo u përdor si një ilaç për dobësinë e përgjithshme, por edhe si një mjet për pastrimin e trupit.
Përbërja e hithrës
Hithrat e njoma dhe të thata kanë përbërës të ndryshëm, por gjatë tharjes, bima i humb disa nga përbërësit aktivë.
- Në hithrat e njoma ndodhen flavonoide me shumicë. Flavonoidet janë antioksidantë që ndihmojnë në pastrimin e organizmit nga toksinat si dhe ulin rrezikun për shumë sëmundje, etj.
- Gjenden karotenoide si beta-karoten, të cilat ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar dhe në përmirësimin e shikimit.
- Hithrat e njoma përmbajnë vitamina si: A, C, D, E, F, K, P, dhe B-komplekse. Gjithashtu përmban thiamin, riboflavin, niacin, dhe vitamina B-6, të gjitha janë në nivele të larta antioksidantësh.
- Përmbajnë rreth 16 aminoacide, të cilat ndihmojnë në rigjenerimin e qelizave në organizëm.
- Gjethet e thara janë të pasura me vitaminë E, vitamina B2, hekur, zink, kalcium, etj. Hithrat e thara e humbasin vitaminën C dhe beta-karotenin, por përmbajnë të 16 aminoacidet dhe përbërësit e tjerë.
Cilat janë vetitë shëruese dhe ushqyese të hithrës?
Hithrat janë një bimë mjekësore që përdoren në gatime të ndryshme si byreku etj. Ato janë shumë të shëndetshme, pasi përmbajnë mbi 50 përbërës kimike.
Hithrat kanë shumë efekte pozitive në organizmin e njeriut, pasi e ndihmojnë në: - stimulimin e sistemit limfatik, prandaj përmirësojnë imunitetin. Këshillohen të përdoren të njoma ose të thata nga individët që janë anemikë dhe të dobët, apo që preken shpesh nga gripi.
- Mund të përdoren në gjellë të ndryshme dhe të gatuhen njësoj si spinaqi. Kur ziejnë, hithrat e humbasin djegien që shkaktojnë kur janë të njoma, kështu që nuk ka problem në përdorimin në gatim;
- Ndihmon në uljen e tensionit, zgjerimin e venave dhe arterieve dhe hollon gjakun. Hithra ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e një zemre të shëndetshme e nëse përdoret rregullisht, parandalon sëmundjet e zemrës;
- Ndihmon tretjen dhe largon parazitët në zorrë;
- Përmban shumë minerale, prandaj janë shumë të ushqyeshme për eshtrat;
- Ndihmon edhe në parandalimin e kancerit të prostatës.
- Nëse jeni duke përdorur hollues gjaku apo nëse keni tension të ulët, mund t’i përdorni me sasi të vogla hithrat.
- Nëse keni tensionin e lartë, keni yndyra në gjak apo varice këshillohen të përdoren rregullisht.
- Këshillohen të përdoren për të luftuar osteoporozën dhe reumatizmin. Hithrat ndihmojnë në largimin e dhimbjes së kyçeve dhe eshtrave.
Kërkesat e hithrës ndaj faktorëve të mjedisit
Farat e hithrës mbijnë në temperatura nga 15°C – 20°C. Hithra nuk ka kërkesë të veçantë për dritën dhe mund të rritet edhe në hije të pjesshme duke dhënë rendimente të kënaqshme. Ajo rritet e egër në vende të ndryshme të braktisura, përgjatë rrugëve, në oborre të braktisura dhe livadhe gjysmë-hije.
Hithrës i përshtatet toka e lagur, e kulluar mirë, me veti të mira fizike. Megjithëse shkon në të gjitha llojet e tokës por ajo preferon tokat e pasura me humus.
Nisur nga sa u përshkrua më lart, hithra vlerësohet si një bimë mjaft e fuqishme dhe tolerante ndaj kushteve të kultivimit.
Megjithëse shumë tolerante ndaj kushteve të mjedisit dhe tokës, kur ajo rritet e kultivuar, përzgjedhja e tokave humusore me veti të mira fiziko-kimike, sigurimi i burimit të ujit për ujitje dhe sigurimi i lëndëve/elementeve ushqyese të balancuara sipas kërkesave të saj, ndikon në arritjen e rendimenteve të larta dhe me cilësi.
Kultivarët e hithrës
Në botë janë të njohura disa lloje hithrash me veti të mira prodhimi. Tek ne njihet vetëm një kultivar hithre, e ashtuquajtura hithër shtëpiake, kurse kultivarët tjerë nuk janë të njohura në vendin tonë, prandaj nuk mbillen dhe as nuk përdoren.
Gjithashtu, ekzistojnë disa lloje të hithrave dekorative që rriten si bimë zbukuruese, si lule kopshtesh dhe në vazo, siç janë: Grand via, Chilli peper, Kiwi, Rodeo drive, Pineapple splash, Honey crisp, Dipt in wine, Ange, Watermelon.
Kultivari që përdoret në vendin tonë, apo i ashtuquajturi hithra shtëpiake, përmban veti shumë të mira farmaceutike, ushqyese dhe agroteknike. Ky kultivarë toleron mirë temperaturat e ulëta dhe jep rendimente të larta. Është vërtetuar që përveç tokave të pasura, ky lloj mund të rritet edhe në toka më të varfra.
Cilat janë kërkesat e hithrës për parabimën?
Hithra është kulturë shumëvjeçare dhe mund të qëndrojë në një parcelë 2 – 3 vite. Hithra edhe pse vlerësohet si një bimë mjaft e fuqishme, nuk e duron monokulturën, prandaj mund të kthehet në të njëjtën parcelë të paktën pas 2-3 viteve gjatë të cilave janë mbjellë kultura të tjera. Në përgjithësi, parabimë më të mira janë drithërat dimërore, leguminozet për kokërr, perimet e ndryshme, bimët zhardhokore dhe bimët foragjere (jonxha, përzierjet foragjere etj.), të cilat lirojnë tokën shpejt dhe japin mundësi për përgatitjen në kohë të tokës dhe për mbjellje në afat të farës ose fidanit.
Cila është teknologjia e kultivimit të hithrës?
Praktikat e kultivimit të hithit njohin mënyra të ndryshme të mbjelljes. Ajo mund të mbillet në pranverë ose vjeshtë. Shumimi mund të bëhet:
Secila metodë e kultivimit ka përparësitë dhe mangësitë e veta gjatë kultivimit të hithit.
Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë
Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë është metodë mjaft e vjetër e kultivimit të bimëve mjekësore dhe aromatike. Fara duhet të jetë e cilësisë dhe me aftësi të lartë mbirëse.
Hithra mund të mbillet në dy periudha kohore:
- në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit dhe quhet mbjellje vjeshtore;
- në pranverë.
Në të dyja rastet sasia ose norma e farës duhet të jetë 3 - 4 kg/ha dhe thellësia e mbjelljes të jetë 1-2 cm. Distancat orientuese të mbjelljes janë 60 – 70 x 30 cm. Distancat e bimëve në rresht rregullohen me rrallim apo herrje të bimëve të mbira në distanca rreth 30 cm.
Mbjellja duhet të bëhet me makina mbjellëse pneumatike me precizitet të lartë me qëllim kursimin e farës dhe fuqisë punëtore për rrallimin e bimëve në rresht. Toka për mbjellje duhet të jetë e përgatitur mirë me qëllim që thellësia e mbjelljes së farës pak a shumë të jetë e njëjte. Pas mbjelljes së farës rekomandohet një rulim i lehtë për ngjeshjen e tokës për të siguruar një kontakt sa më të mirë të farës me tokën.
Fara e mbjellë në vjeshtë do ta fillojë mbirjen në pranverën e hershme, kurse në mbjelljet e pranverës mbirja fillon rreth 14 - 21 ditë pas mbjelljes, ka raste edhe më gjatë, kjo në varësi nga kushtet klimatike që mbizotërojnë në fazën e mbirjes. Nga kjo që u përshkrua me lart, mbjellja e drejtpërdrejtë me farë konsiderohet një sfidë dhe kjo metodë e kultivimit në vete përmban rrezikun e konkurrencës së bimës së kultivuar me barërat e këqija.
Mbirja e farës së hithrës pas mbjelljes është e ngadalshme dhe po aq e ngadalshme është rritja fillestare ku kjo karakteristikë e bën bimën e hithrës jo konkurruese dhe të brishtë në fazat e para.
Kjo mënyrë e mbjelljes mund të zbatohet në rast se ekziston fuqi punëtore e mjaftueshme për herrje, sidomos në vitin e parë të kultivimit.
Mbjellja me fidanë
Shumimi i bimëve me fidanë ka dëshmuar të jetë më i suksesshëm dhe më i sigurt krahasuar me mbjellje të drejtpërdrejtë me farë. Më i garantuar për zënie do të ishte adoptimi i kultivimit me fidanë. Mbjellja me fidanë ka përparësi ndaj mbjelljes së drejtpërdrejtë me farë sepse shmanget rreziku konkurrencës dhe sigurohet një zënie e plotë. Bimët e përftuara në fidanishte, trapiantohen më pas në fushë, pas 7 – 8 javësh nga mbjellja e farës.
Fidanët mund të prodhohen në dy periudha kohore, kjo varet se kur se kur planifikohet trapiantimi në fushë të hapur. Mbjellja e fidanëve në fushë mund të bëhet në pranverë ose në vjeshtë. Sasia e fidanëve që nevojiten për 1 ha mund të prodhohet nga një sipërfaqe 250 – 300 m2 me përdorimin e 0.3 - 0.5 kg farë. Në literatura hasim edhe përshkrimin e prodhimit të fidanëve në shtretër të ftoftë, e ashtuquajtura prodhim i fidanëve me rrënjë të zhveshura, por kjo metodë në prodhimtarinë e bimëve mjekësore dhe aromatike është pak e aplikueshme dhe kohët e fundit nuk po gjen zbatim të gjerë në praktikat bujqësore.
E meta e kësaj teknologjie qëndron në atë se:
Duke u bazuar në shumë kërkime dhe studime që janë bërë në teknologjinë e prodhimit të fidanëve rekomandohet prodhimi në kaseta apo rrënjë veshura. Një rekomandim i tillë mbështet në avantazhet që ka prodhimi i fidanëve në kaseta:
• Eliminohet “kriza e zënies”;
• Prodhimi i fidanëve realizohet në një kohë më të shkurtër;
• Bimët janë më uniforme;
• Zvogëlohet mundësia e prekjes nga sëmundjet;
• Kostoja e prodhimit të fidanëve është më e vogël.
Mbjellja në kaseta zakonisht bëhet në komposto organike të certifikuara nga kompanitë prodhuese.
Sa i përket zgjedhjes së kasetave ato bëhen nga lloji i bimës dhe nga përvoja e kultivuesit. Hithra zakonisht mbillet në kaseta ku vrimat e tyre kane një vëllim nga 32 – 44 ml ose siç njihen nga prodhuesit kaseta me 84 – 104 vrima. Mbjellja e farave të hithit për nevoja të kultivuesit zakonisht bëhet me dorë kurse në fidanishte komerciale bëhet me makina mbjellëse speciale mirëpo për këtë mbjellje duhet përdorur fara të kalibruara.
Thellësia e mbjelljes së farës në kaseta sillet 0.5-1 cm ku pas mbjelljes fara mbulohet me substrat ose vermikulit.
Menjëherë pas mbjelljes bëhet ujitje me një sasi të mjaftueshme uji për të siguruar lagien e plotë të substratit në 1- 2 cm. Pak orë më vonë bëhet një ujitje tjetër me doza më të larta për të mundësuar lagien e plotë të gjithë substratit. Pas këtij momenti, në asnjë rast, nuk duhet të lejohet tharja e sipërfaqes së kompostos deri në mbirjen e plotë të farave. Kasetat e mbjella dhe të ujitura vendosen në fidanishte në mjedise të mbrojtura (serra) deri në përfundim të fazës së fidanit. Fidanishtet komerciale posedojnë edhe dhomat mbirëse ku mbahet temperatura optimale 20-25o C dhe lagështi relative deri 95% për një periudhe kohore 14 - 21 dite, derisa të fillojë inicimi i mbirjes, ku nga ai moment kasetat vendosen në serra për rritje dhe zhvillim të fidanëve.
Pas mbirjes së hithrës, nëse në vrima të kasetave kanë mbirë më shumë se një bimë, bëhet herrja e tyre me qëllim të largimit të konkurrencës në mes të bimëve dhe lihen vetëm një bimë për vrime të kasetës.
Një fidan rrënjë veshur, apo i prodhuar në kaseta, duhet të jetë i zhvilluar mirë dhe të jetë sa më uniform, gjë që varet nga kushtet e kultivimit dhe menaxhimi i mirë i fidanishtes gjatë prodhimit të fidanit. Para se fidani i hithrës të jetë i gatshëm për trapiantim duhet kalitur me qëllim që t’i përshtatet kushteve të ambientit të jashtëm ku ai do të vendoset. Kalitja e fidanit para se bima të trapiantohet bëhet për arsye që lidhja e bimës së trapiantuar me tokën të jetë sa më e shpejtë dhe pa strese të zënies.
Mbjellja me rizoma/stolone
Rizomat/stolonet për ngritjen e parcelave të reja me hithra merren nga bimët mëmë dyvjeçare. Përmbajtja e lagështisë së stoloneve për mbjella duhet të jetë afërsisht 80%. Stolonet e nxjerra nga bimët mëmë duhet të pastrohen nga pjesët e dëmtuara apo të kalbura dhe të bëhet prerja e tyre në copa.
Për mbjelljen e 1 ha me hithra nevojiten rreth 1 – 1.5 t material mbjellës apo stolone.
Nxjerrja nga toka e stolonove mund të bëhet me një plug skarifikues ose makinë për vjeljen e patates, e pajisur me një zinxhir vibrues. Stolonet duhet të transportohen menjëherë në vendin e trapiantimit ose të paketohen nëse do të mbahen përkohësisht në ruajtje. Pastrimi i dherave mund të realizohet me sita vibruese. Gjatësia e stoloneve nuk duhet të jetë më e shkurtër se 15 cm (të paktën tre nyja) sepse stolonet më të shkurtra shpesh bëjnë që të ketë mungesë bimësh të mbira e për pasojë parcela me dendësi jo uniforme.
Përgatitja e tokës për mbjellje
Përgatitja e tokës është një masë agroteknike shumë e rëndësishme për prodhimin e suksesshëm të hithrës. Meqenëse hithra është kulturë shumëvjeçare, këshillohet që gjatë punimit dhe përgatitjes së tokës të eliminohen barërat e këqija. Nëse mbjellja planifikohet të bëhet në vjeshtë, atëherë menjëherë pas korrjes së parë kulturës (para bimës) bëhet plugimi i thellë ku paraprakisht shpërndahen 30 – 40 t/ha pleh stalle të dekompozuar mirë. Punimet plotësuese duhet të pasojnë sipas nevojës me nivelim, trinim mbjellje dhe një rulim i lehtë. Këto do të ishin masat agroteknike që i paraprijnë një mbjelljeje vjeshtore të hithrës.
Nëse mbjellja planifikohet te bëhet në pranverë, punim i thellë 30 cm mbetet me brazda të hapura gjatë dimrit dhe pastaj punimi plotësues dhe përgatitja e tokës për mbjellje bëhet herët në pranverë. Në varësi nga struktura e tokës apo edhe nga cilësia e punimit kryesor, punimet plotësuese realizohen me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të tokës për trapiantim të fidanëve apo mbjelljes me farë. Për gatitja e tokës për mbjellje bëhet me anë të nivelimit, frezimit, diskimit apo edhe rulimit. Se cili do të përdoret nga këto procese vlerësohet nga momenti i përgatitjes së tokës ku një vlerësim të tillë e bën vetë kultivuesi.
Gjatë përgatitjes së tokës duhet pasur kujdes që të shmangni formimin e pellgjeve ujore sepse hithra, si dhe shumë bimë të tjera, është shumë e ndjeshme ndaj lagështirës së tepërt në tokë dhe në raste të tilla kalbëzimi i sistemi rrënjor dhe tharja e bimëve të mbira apo të trapiantuar do të jetë i paevitueshëm.
Plehrat dhe plehërimi i hithrës
Plehrat e përdorur në prodhimin e hithrës në përgjithësi i referohen prodhimit organik. Duhet pasur parasysh se hithra është kërkuese për azot, me afro 150 kg/ha, e ndarë sipas vjeljeve brenda vitit (afro 50 kg/ha pas çdo vjelje). Për sa i takon fosforit dhe potasit nevojitet një furnizim prej 50 kg/ha P2O5 dhe 180 - 200 kg/ha K2O në periudhën e mbjelljes por që mund të shpërndahet edhe kjo gjatë sezonit, duke pasur parasysh ciklin vjetor të gjatë. Duke u bazuar në kërkesat e lartpërmendura për elementë ushqyes të hithrës rekomandohet që gjatë punimit kryesor të shpërndahen 30 – 40 t/ha pleh stalle të dekompozuar mire. Sasitë e mësipërme duhet të korrigjohen në varësi të gjendjes së lëndëve ushqyese në tokë të cilat rezultojnë nga analizat laboratorike. Plehërimet shtesë jepen mes reshtave duke i futur në tokë përmes kultivatorëve që përdoren për frezime në mes rreshtave. Plehërimi i mirë zgjat edhe jetëgjatësinë ekonomike të parcelës me hithër, për më tepër që është një kultivim shumëvjeçar. Ushqimi me lëndë organike është i rëndësishëm për një kulturë 2 -3 vjeçare, siç është hithra, për më tepër kur bëhet fjalë për një prodhimin organik. Ndër plehrat organike rekomandohet e mund të përdoren plehu i stallës i mirë dekompozuar (400 – 500 kv/ha), hiri i drurit (600 – 800 kg/ha), vermi komposti (produkt i krimbave të tokës), komposto e përgatitur nga mbeturina të ndryshme bimore si dhe plehërimi i gjelbër.
Kujdes!
Plehu i shpendëve nuk rekomandohet të përdoret si i freskët dhe është rreptësisht i ndaluar. Ai më parë duhet t’i nënshtrohet procesit të kompostimit.
Nga të gjithë plehrat organikë, plehu i shpendëve, është më i pasuri. Ai përmban tri herë më shumë azot dhe potas dhe rreth katër herë më shumë fosfor sesa plehu i stallës. Tregu i inputeve bujqësore ofron edhe pleh të shpendëve të përpunuar dhe të piletuar për nevoja të bujqësisë organike i shoqëruar me përbërje dhe certifikatë ku dëshmohet siguria e përdorimit. Rekomandohet në dozën 1– 1.5 ton/ha.
Mbjellja apo trapiantimi i hithrës
Trapiantimi i fidanëve të hithrës në fushën e përgatitur mund të bëhet me makina të adaptuara për mbjelljen e fidanëve të perimeve, duke i fiksuar distancat e mbjelljes, si dhe mbjellja me fuqi punëtore me dorë duke hapur vrima dhe mbjellë fidanin. Mbjellja e mekanizuar është më e shpejtë dhe më e sigurt sa i përket dëmtimeve të fidanëve.
Menjëherë pas mbjelljes është e domosdoshme të bëhet ujitja, me qëllim që të sigurohet nja kontakt sa më i mirë i sistemit rrënjor me tokën për të siguruar një zënie sa më të lartë.
Sipas mundësive konkrete, sa i përket ujitjes, instalimi i sistemit pikë-pikë për secilin rresht të mbjellë e lehtëson ujitjen si masë agroteknike dhe e bën atë më të efektshëm.
Cila është kohë e trapiantimit dhe distancat e mbjelljes?
Sa i përket kohës së trapiantimit ajo mund të bëhet në vjeshtë dhe në pranverë, varësisht nga përgatitjet dhe kushtet e kultivimit.
Distancat e mbjelljes luhaten në funksion të gjerësisë së punimit të makinave bujqësore dhe kushteve klimatike. Distancat e këshilluara për mbjellje janë 60 - 70 x 25 - 30 cm. Dendësia e mbjelljes luhatet në rreth 5 – 7 bimë/m2.
Mbjellja me rizoma apo stolone kërkon gjithashtu një tokë të përgatitur mirë si dhe stolone të përgatitura paraprakisht për mbjellje. Për mbjellje të stoloneve të hithrës hapen brazda për secilin rresht në thellësi rreth 15 cm me motokultivator, ku shtrihen stolonet në distanca të lartpërmendura (60-70 x 25-30 cm) dhe mbulohen menjëherë për të mos ardhur deri te dehidrimi i stoloneve dhe humbja e aftësisë për të mbirë të tyre. Në rastin e mbjelljes me stolone, ujitja bëhet me një gyp (zorrë uji) për të vënë kontaktin e stoloneve me tokën derisa të fillojë mbirja dhe të diferencohen rendet dhe pastaj instalohet sistemi pikë-pikë për të vazhduar ujitjen gjatë vegjetacionit.
Cilat janë shërbimet dhe përkujdesja që i bëhet hithrës pas mbjelljes?
Shërbimet intensive fillojnë menjëherë pas mbjelljes apo trapiantimit që në vitin e parë. Rëndësi i kushtohet mbajtjes në gjendje të shkrifët të tokës dhe luftimit të barërave të këqija. Është shumë e rëndësishme që ngastra e mbjellë me hithër të jetë e pastër nga barërat e këqija pasi që ato janë konkurrente në të ushqyerit e bimës. Pastrimi nga barërat e këqija realizohet me kultivimeve me motokultivator si dhe në mënyrë mekanike (me dorë).
Në vitet në vazhdim, shërbimet fokusohen kryesisht në mbajtjen pastër të ngastrës nga barërat e këqija si dhe në përdorimin e dozave të ulëta të plehrave organike kryesish gjatë kultivimit mes rreshtave në vjeshtë.
Në kushtet kur sigurohet ujitja, është mirë që ajo të realizohet kur bima ka nevojë dhe kërkesa për ujë. Në këtë mënyrë sigurojmë daljen më të shpejtë të sythave vegjetative pas vjeljes dhe sigurojmë një aktivitet fiziologjik të bimës gjatë periudhës së nxehtë e të thatë të verës. Ujitjet me sistemin pikë–pikë i ofrojnë bimës sasi të ujit më të balancuar dhe kështu shfrytëzimi i ujit bëhet sa më racional në krahasim me metodat tjera që përdoren në ujitjen e bimëve.
Cilat janë sëmundjet dhe dëmtuesit e hithrës?
Hithra është një bimë shumë e shëndetshme dhe rezistente ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Gjithashtu, një bimë e ujitur ose e spërkatur me një përgatitje hithre bëhet rezistencë ndaj insekteve të tjerë që mund të sulmojnë atë bimë.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja e Hithrës.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cilat janë sëmundjet, simptomat dhe masat e kontrollit?
Lexo më shumëKur është koha e korrjes së rozmarinës?
Lexo më shumëCilat janë kërkesat e trumzës ndaj faktorëve të mjedisit?
Lexo më shumëVjelja bëhet me dorë ose me makineri korrëse e cila e realizon prerjen e bimës në mënyrë që të mos komprometojë cilësinë e saj. Në përgjithësi, vjelja kryhet në lartësinë 5-8 cm mbi sipërfaqen e tokës.
Lexo më shumë