RIPARIMI I SISTEMIT TË MBËSHTETJES, LIDHJA, LARGIMI I PJESËVE TË PRERA DHE SPËRKATJA DIMËRORE TEK HARDHIA




Riparimi i sistemit të mbështetjes
Sistemi mbështetës duhet të sigurojë zgjidhjen e këtyre detyrave:

  • Të mbajë dhe të ruajë pozicionin e caktuar  dhe elementeve të prodhimit në hapësirë nga vit në vit.
  • Të sigurojë një shpërndarje uniforme të krahëve dhe sharmendave të prodhimit në hapësirë, duke i dhënë kështu mundësinë hardhisë të shfrytëzojë më mirë dritën, ajrin dhe ngrohtësinë.
  • Të lehtësojë kryerjen e shërbimeve agroteknike dhe fitosanitare në vreshta.
  • Të mbrojë masën vegjetative dhe prodhimin nga dëmtimet dhe prishja prej lagështisë, mjeteve etj.

Menjëherë pas krasitjes bëhet:

  • tendosja e telave mbështetës
  • lidhja e zëvendësimi i telave të këputura
  • drejtimi e shtrëngim i shtyllave si dhe zëvendësim i tyre në rast se ka të dëmtuar.

Lidhja e hardhive
Ç’kuptojmë me lidhje të thatë tek hardhia dhe pse ka rëndësi ajo?
Zakonisht me lidhjen e thatë kuptojmë lidhjen e sharmendave të prodhimit pas telit mbështetës. Lidhja e thatë tek hardhia merr rëndësi sepse me anë të saj sigurohet:

  • Rritje e rregullt e të gjitha pjesëve të hardhisë;
  • Ruhen format e caktuar të mbajtjes së hardhisë;
  • U jepet mundësi lastarëve të rinj dhe të prodhimit të shpërndahen më uniformisht mbi sistemin mbështetës;
  • Arrihet të mënjanohet në një shkallë të dukshme efekti i dëmshëm i polaritetit (zhvillimi në majë dhe zhveshja e bazës së hardhisë).

Kur realizohet lidhja dhe cilat janë mënyrat e lidhjes së thatë tek hardhia?
Pas krasitjes menjëherë bëhet shtrirja dhe lidhja e sharmendave pas telit mbështetës. Ky proces mund të vazhdoi  deri kur hardhitë nuk kanë hyrë akoma në vegjetacion. Mënyra e lidhjes ka rëndësi të madhe praktike sepse ajo ndikon në zhvillimin e masës vegjetative dhe sasinë e prodhimit të ardhshëm.

  • Lidhja e sharmendave në pozicionin vertikal bëhet shkak për çeljen dhe zhvillimin e lastarëve të sythave të majës në dëm të sythave të pjesës së poshtme të sharmendës.
  • Lidhja e sharmendave në formë harku nxit zhvillimin më të mirë të lastarëve që dalin nga sythat nën pikën e përkuljes së sharmendës.
  • Lidhja e sharmendave shtirë (horizontal) në telin e spalierës jep rritje uniforme dhe sasi më të madhe lastarësh.

Largimi i pjesëve të prera nga vreshti
Degët e prera gjatë krasitjes grumbullohen, digjen ose dekompozohen në gropa të përgatitura për këtë qëllim. Zakonisht për kryerjen e shpejtë të procesit të dekompozimit shtohen edhe plehra mineral si superfosfat ose ure. Pas dekompozimit ato përdoren si pleh organik për të plehëruar vreshtin. Në rastet kur disponohen makineri të posaçme për copëtimin e tyre ato mund të grihen. Largimi i degëve të prera nuk duhet nënvleftësuar, sepse mbeturinat e degëve të prera bëhen burim infeksioni i sëmundjeve e dëmtuesve të hardhisë gjatë vegjetacionit të ri.

Spërkatja dimërore 
Krasitja shkakton “plagë” tek hardhia, të cilat lehtësojnë infektimin nëpërmjet depërtimit të baktereve dhe viruseve të dëmshme. Prandaj, menjëherë pas  krasitjes duhet të spërkatet me preparate me bazë bakri në përqendrimin 2 – 3 % dhe vajra mineralë për të zvogëluar mundësinë e përhapjes së këtyre sëmundjeve. Spërkatja dimërore nuk duhet nënvleftësuar sepse është e një rëndësie vendimtare për  parandalimin dhe mbrojtjen e hardhisë nga sëmundjet dhe dëmtuesit që mund ta prekin atë gjatë vegjetacionit. 

Këshillë: Për rritjen e efikasitetit të preparateve kimike përgatiteni në përqendrimin e  duhur preparatin kimik që do të përdorësh. Përdorni mjete që bëjnë një pulverizim sa më të mirë të solucionit dhe bëni mbulim sa më të mirë të bimës me solucionin spërkatës. Kryejeni spërkatjen në kushte të mira atmosferike, pa erë, jo në shi dhe në temperatura  mbi 5°C.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Pasurimi i tokës me elementë ushqyes

Data e publikimit: 26/09/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË QIQRËS

Cilat janë vlerat e qiqrës?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ROZMARINËS

Cilat janë sëmundjet, simptomat dhe masat e kontrollit?

Lexo më shumë

VARIETETET AUTOKTONE TË DOMATES

Jeni të interesuar të njheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre?

Lexo më shumë

ÇFARË ËSHTË KOMPOSTIMI DHE VLERAT E TIJ

Keni hasur në vështirësi për depozitimin e bimëve pasi është vjelur produkti në sera? Ju shqetëson prania e jashtëqitjeve të kafshëve të fermës të papërpunuara?

Lexo më shumë