Teknologjia e kultivimit të shalqirit dhe bostanoreve të tjera në tunele të përkohshëm




Tunelet e përkohshëm janë mjeti më i përshtatshëm për prodhimin e hershëm të shalqirit dhe të bostanoreve të tjera si pjepri, kungulli, etj. 

Çfarë përfiton fermeri me këtë mënyrë kultivimi të bostanoreve?
Përkundrejt një investimi relativisht të vogël, tunelet e përkohshëm mundësojnë:

  • Fillimin e vjeljes rreth dy javë më herët
  • Rendiment të kënaqshëm dhe të ardhura më të larta krahasur me prodhimin e zakonshëm në fushë të hapur.

Prodhimi i shalqirit në tunelet e përkohshëm realizohet nëpërmjet etapave që përshkruhen më poshtë:

Si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e fidanëve të shalqirit? 

  • Zhvillimi i sistemit rrënjor të shalqirit pengohet nga shtresat e kompaktësuara që mund të formohen në thellësi të tokës. Për këtë arësye, bëni punime të thella të tokës.
  • Pas punimeve përgatitore të tokës, bëhet piketimi i gropave në distancat 1.2 x 0.8 m. Më pas bëhet përgatitja e oxhaqeve nëpër piketat e vëna duke hedhur për çdo oxhak rreth 2 lopata pleh organik të kalbur mirë (rreth 1.8 - 2.5 kg).
  • Për çdo oxhak duhet të hidhen edhe 25-30 gr DAP (ose plehëra të tjera ekuivalente) dhe diazinon rreth 4 - 5 gr ose Pison me lëndë aktive chlorpyriphos, me qëllim që të luftohen krimbat tel ose dëmtues të tjerë. Këto përzihen mirë me dheun dhe lihen kështu për 3 - 5 ditë me qëllim që të ngrohen.
  • Më pas bëhet piketimi dhe vendosja e harqeve për të vendosur mbulesat plastike. Harqet e përdorura mund të jenë plastike ose druri, më gjatësi 1.5 - 2 m dhe me diametër 2.5 - 3.5cm.
  • Harqet vendosen në çdo 1-1.3 m largësi duke i lidhur mirë me tel ose material tjetër lidhës me qëllim që të mos lëvizin pas vendosjes së mbulesës plastike.
  • Pas përgatitjes së gropave dhe vendosjes së harqeve, vendoset tubi i ujitjes me pika dhe polietileni i zi i mulçërimit, i cili fiksohet sa më mirë në tokë, duke i hedhur dhè anash.
  • Në drejtim të oxhaqeve hapen vrimat dhe vendosen kubikët me fidanat e zhvilluara mirë. Vendosja e kubikut në oxhak bëhet pasi bimët të jenë të trajtuara me ridomil 0.2% ose ndonjë preparat tjetër.
  • Kubiku vendoset duke lënë pa mbuluar me dhe pjesën e sipërme në lartësinë 1.5 - 2 cm mbi sipërfaqen e tokës. Për çdo oxhak duhet të vendosen dy bimë. Pastaj bëhet ujitja rreth 2 litra për oxhak, me qëllim që rrënjët e bimëve të lidhen mirë dhe pa humbur kohë me tokën. Në varësi të pjerrësisë së terrenit dhe të orientimit gjeografik të parcelës ndërtoni vllajat e ngritura, 15-20 cm të larta dhe 0.6-0.8 m të gjëra. Vllajat ndërtohen 2.5-3 m larg njëra tjetrës.
  • Përgjatë vllajave në qendër të tyre shtrihen tubat e sistemit të ujitjes me pika dhe më pas mbulohen me polietilen me ngjyrë të errët, duke e tendosur mirë dhe mbuluar në të dy anët me dhè.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi mbjelljen e fidanëve dhe përkujdesjen ndaj bimëve të shalqirit në tunel 

Data e publikimit: 14/07/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

Variatetet Autoktone të Bamjes, Mashurkës dhe Sallatës

Mësoni rreth variateteve autoktone të Bamjes, Mashurkës dhe Sallatës

Lexo më shumë

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I ENDIVIES

Cila është Teknologjia e Kultivimit të Endivies?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË GUAVAS

Guava ka përdorime të shumta falë profilit të saj ushqyes, shijes dhe vlerës së saj në mjekësinë tradicionale.

Lexo më shumë

Varietetet Autoktone të Preshit dhe Hudhrës

Dëshironi një informacion të shkurtër për kultivimin e kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri?

Lexo më shumë