Rrugës për në Maliq, Rexhina na tregon për Festimin, fermerin që do të takojmë, anëtar i hershëm i FED invest.
Festimin e gjejmë te magazinat e tij ku ka edhe një pjesë të makinerive dhe paisjeve bujqësore. Ai na shpjegon se për shkak të motit jo të mirë e gjejmë aty se në të kundërt do të ishte në fushë, kështu që na sugjeron që edhe bisedën ta zhvillojmë aty. Na tregon magazinat ku ruan misrin, patatet dhe qepët. Na tregon makineritë bujqësore dhe agregatet që zotëron. Nga vizita e fundit që Rexhina, si oficere kredie, kishte bërë, Festimi kishte blerë edhe një nga magazinat ngjitur.
Festimi para viteve ‘90 ka punuar si mekanizator në kooperativë. Me ndryshimin e sistemit ashtu si shumica e shqiptarëve emigroi në Greqi dhe pas disa vitesh u kthye në fshatin e tij Drithas.
- Fshati duhet ta ketë marrë emrin nga tokat e tij, të cilat janë nga më të mirat në prodhimin e drithërave. Unë fillova të mbjell misrin dhe grurin në tokat e mia. “Të merresh me bujqësi nuk është e lehtë dhe gjithmonë fitimprurëse, megjithatë mua mundi dhe puna më janë shpërblyer”, - na thotë Festimi.
- Fillova duke mbjellë vetëm tokën që mora në bazë të ligjit 7501, pas vitit 1990 dhe nga kërkesat e tregut, sot zotëroj rreth 80 ha tokë me qera, ku si produkt kryesor kam misrin, më pas vjen gruri si edhe patatet dhe qepët. Patatet që shikoni në magazinë janë vetëm 30% e prodhimit, pjesën tjetër e kam shitur që në arë. Përsa i përket qepëve të thata aktualisht kam zgjedhur një varietet që rron pak më gjatë dhe do t’i nxjerr në treg pak më vonë.
Sa i përket misrit, na thotë se nuk ka probleme me çmimin dhe se ka kontrata me pulari të ndryshme të zonës.
Kërkesa e vazhdueshme për shtimin e sasisë, mund të realizohet nëpërmjet shtimit të sipërfaqes së tokës ose rritjes së rendimentit.
Festimi na bën me dije se: si mekanizator ka njohuri të pakta në agronomi dhe specifikisht për misrin dhe për këtë arsye ka ndjekur trajnime të ndryshme në Greqi. Për fat të mirë, i biri nuk ndoqi rrugën e emigrimit por, vendosi të angazhohet në fermë dhe fillimisht ndoqi studimet në Universitetin “Fan S. Noli” – Korçë, Fakultetin e Bujqësisë për mbrojtjen e bimëve por, gjithashtu një ndihmë të madhe sot na e jep edhe abaonline.al me artikujt teknikë si dhe ekspertizën e ekspertëve dhe kjo është një ndihmë për rritjen e rendimentit.
Gjatë bisedës, na tregon se ka thyer një tabu në lidhje me shtimin e sipërfaqeve të marra me qera, si dhe“tmerrin” kur mendon fjalën borxh.
Nevoja për makineri bujqësore që do të shërbenin për mbjellje në sipërfaqet e shtuara si dhe korrektësia me bashkëfshatarët e tij dhe t’ua parapaguante qeranë e tokës për një vit, bëri t’i lindte nevoja për kredi.
“U paraqita në zyrat e FED invest në Korçë dhe takova Rexhinën. E mbyta me pyetje por edhe kjo nuk u lodh e më shpjegoi me detaje çdo gjë. U largova pa vendosur gjë dhe për një periudhë nja 20 ditë vazhdoja ta bluaja në kokën time “t’i marr apo jo këto lekë borxh, a do jem i zoti t’i laj?”. Vendosa, aplikova në FED invest për kredi SME 1 e cila u miratua. Atë kredi e shleva dhe si “më doli frika” mora edhe kredi të tjera. Për shkak edhe të moshës, tani kredinë aktive e ka djali Florjani, që dalëngadalë po merr edhe stafetën për drejtimin e fermës” - thotë Festimi.
Në fund, bisedën e përqendruam te ABA, informacioni dhe artikujt teknik të ekspertëve, demonstrimet praktike dhe interesin e shfaqur nga Festimi lidhur me rrënjëngrënësin e misrit, dëmtues i shfaqur së fundmi edhe në Shqipëri, dhe u ndamë me premtimin që sëbashku me ekspertin e Qendrës ABA, Prof. Shpend Shahini do të zhvillojmë edhe një demonstrim praktik në prag të sezonit të mbjelljes së misrit lidhur me situatën e këtij dëmtuesi dhe trajtimet efikase.
Shpërndaj në rrjetet sociale: