Teknologjia e kultivimit të arrës




Arra si kulturë pemëtarie është me një rëndësi të shumëfishtë. Ajo shquhet për:

  • Vlerat e larta ushqimore;
  • Gjen përdorim në industrinë ushqimore;
  • Përdoret në industrinë e përpunimi të drurit;
  • Përdoret në industrinë kimike kryesisht të ngjyrave;
  • Mund të kultivohet në toka jo shumë të përshtatshme për bimë të tjera bujqësore;
  • Kultivimi i saj në zona kodrinore e malore ndikon në mbrojtjen e tokës nga erozioni;
  • Gjithashtu jetëgjatësia, prodhimi dhe çmimi i shitjes e bëjnë një bimë me leverdi të madhe ekonomike.

KËRKESAT PËR KLIMËN DHE TOKËN TEK ARRA

Kërkesat për klimën: Klima tek arra është faktori përcaktues dhe më i rëndësishëm për të pasur rritje dhe frutifikim të kënaqshëm. Shpesh vendi i mbjelljes ka rëndësi të veçantë, pasi edhe në vende të vogla ndryshimet klimatike mund të rezultojnë të mëdha. Këto kushte klimatike lokale përfshijnë: rrymat e ajrit, xhepa me ngrica, pjerrësitë dhe zonat të mbrojtura nga erërat etj. Të gjitha këto referohen si elementë të mikroklimës dhe duhen marrë në konsideratë në zgjedhjen e vendit të mbjelljes. Megjithatë, për kultivimin e arrës, gjithmonë sipërfaqja e zgjedhur duhet të jetë e kushtëzuar nga:

  • temperaturat e ulëta të dimrit,
  • zgjatja e periudhës vegjetative,
  • mesatarja e temperaturave gjatë vegjetacionit,
  • thatësira  merr një rëndësi të veçantë gjatë periudhës së vegjetacionit.

Kërkesat për temperaturën
Temperatura si element i rëndësishëm meteorologjik ka ndikim mbi bimët gjatë gjithë vitit.

  • Kushtet optimale për rritje dhe prodhim të kënaqshëm janë zonat me temperaturë mesatare vjetore 8-10°C, me verëra të ngrohta me temperaturë mesatare jo më të larta se 20-22°C, me dimra të butë, temperaturat mesatare të muaj jo më të ulëta se -10°C deri në -3°C.
  • Arra gjatë periudhës së dimrit (qetësia dimërore) duron -20 deri -24°C pa pësuar asnjë dëmtim serioz.
  • Rezistenca ndaj temperaturave të ulëta bie mbas fillimit të vegjetacionit dhe temperaturat nën 0°C bëhen të dëmshme.
  • Temperaturat deri në -2°C dhe për një kohëzgjatje shumë të shkurtër në kohën e lulëzimit shkatërrojnë plotësisht jo vetëm lulet femërore dhe mashkullore, por edhe lastarët e rinj.
  • Ulja e temperature në vjeshtën e hershme shkakton dëmtime të ndjeshme. Temperaturat prej - 2°C në muajin nëntor mund të dëmtojnë 10% të sythave, por nëse temperaturat e ulëta zbresin në - 12°C dëmtimet shkojnë në nivelin e 90%.
  • Temperaturat e larta mbi 35°C të shoqëruara me thatësirë shkaktojnë djegie të bisqeve dhe sidomos të frutave. 
  • Temperature optimale në periudhën e lulëzimit variojnë 15-20°C.

Kërkesat për ndriçim (dritë) dhe ujë

  • Ndriçimi: Arra duhet të mbillet në vende të ndriçuar, në zona ku sasia e reshjeve është e mjaftueshme ose ku rezervat ujore janë të bollshme.
  • Periudha nga muaj maj deri në muajin shtator me ndriçim diellor më pak se 1000 orë  ndikojnë negativisht në formimin e gujadës.
  • Kërkon kundër drejtim perëndimor dhe veriperëndimor.
  • Për sa i përket lartësisë së kultivimit (lartësisë mbi nivelin e detit), arra kultivohet shumë mirë në kodra me lartësi maksimale jo më shumë se 350-450m mbi nivelin e deti. Në lartësi më të mëdha bima rritet normalisht, por cilësia e frutave dhe prodhimi janë më të ulëta.
  • Lagështia: Zonat me mbi 700 mm reshje janë të favorshme për kultivimin e arrës. Lagështia relative e ajrit ka një ndikim të rëndësishëm gjatë periudhës së lulëzimit dhe fekondimit. Gjatë kësaj periudhe lagështia relative optimale duhet të jetë në kufijtë 60-70%.
  • Ujërat freatike (nëntokësore) duhet të jenë në thellësi mbi 2 m, pasi prania e tyre në thellësi më të vogël mund të shkaktojë asfiksimin e rrënjëve, tharjen e degëve e deri në tharjen totale të bimës.

Kërkesat për tokën: Arra zhvillohet në tokë të ndryshme: nëpër ledhe, mezhda, buzë përrenjve dhe lugina. 

  • Arra  preferon toka të thella, të freskëta, të pasura e të përshkueshme dhe është shumë e ndjeshme ndaj tokave të ngjeshura apo toka shumë të thata.
  • Më të përshtatshme janë tokat me përbërje subargjilore të mesme, aluvionale dhe argjilo-ranore të thella, të përshkueshme, të kulluar dhe me pH 5-5.8.
  • Arra kërkon toka të pasura me kripëra të kalciumit, sepse ai është element i domosdoshëm në formimin e gujadës, si dhe tokat e pasura me elementin fosfor, i cili është i domosdoshëm në formimin e thelbit.
  • Tokat që përmbajnë më shumë se 20% gëlqere aktive nuk janë të përshtatshme, pasi ajo bllokon hekurin, shkakton klorozë dhe trondit bimën.
  • Arra është shumë e ndjeshme ndaj kripëzimit të tokës, ku edhe në toka me përmbajtje shumë të lehtë të kripërave (në vlera të kripërave deri 0,15% të solucionit tokësor) prodhimi ulet ndjeshëm. 
  • Arra duron më mirë thatësirën e madhe se sa lagështinë e tepërt.

Për një prodhimtari të suksesshme nevojitet që gjatë analizave të tokës të bëhen edhe analizat fizike të saj. Me këto analiza vërtetohet se në çfarë prezence është argjila, gurët si dhe humusi. Për një zhvillim normal të kulturës së arrës argjila duhet të jetë 45-55% , rëra deri 25%, gurët deri 10%, kurse humusi mund të jetë 2-3%.

Cilat janë operacionet e punës që duhet të kihen parasysh në ngritjen e blloqeve me arra?

  • Pastrimi dhe sistemimi i parcelës
  • Analizat fiziko-kimike të tokës për pjellorinë (elementet ushqyes makro dhe mikro elementet), lëndën organike, pH, gëlqeren;
  • Gjatë procesit të plugimit, i cili realizohet disa muaj para mbjelljes,kryhet edhe shpërndarja e plehut organik dhe mineral;
  • Plehërimi organik bëhet në dozën 400-500 kv/ha. Ai ka një efekt pozitiv në teksturë, reaksionin kimik, përmirëson strukturën e tokës, tretshmërinë e elementëve kimik dhe lehtëson asimilimin e tyre nga sistemi rrënjor;
  • Plehërimi kimik varet shumë nga analizat kimike të tokës. Në toka mesatarisht të pasura rekomandohet të hidhen 10 kv/ha superfosfat dhe 4 kv/ha sulfat potasi. Në rastet kur mbjellja kryhet me gropa do të shtojmë 300 g/rrënjë pleh kimik kompleks me veprim të ngadaltë dhe 25-30 kg/rrënjë pleh organik. Këto plehra hidhen dhe përzihen me një shtresë dheu në fund të gropës (20-30 cm poshtë sistemit rrënjor);
  • Mbjellja realizohet me gropa dhe pika e shartimit vendoset rreth 10-15 cm mbi sipërfaqen e tokës;
  • Në toka të pluguara paraprakisht qilizmë gropa hapet në thellësi që lejon një shtrirje normale të rrënjëve, me përmasa 60x60x60 cm, kurse në toka të ngjeshura dhe ku nuk është kryer punimi qilizmë gropat hapen me përmasa 1x1x1 m;
  • Gjatë kohës që bëhet përgatitja për mbjellje fidanët duhet të ruhen në vende të mbrojtura dhe me hije;
  • Para mbjelljes kryhet krasitja e rrënjëve të dëmtuara apo atyre që janë të gjata dhe qëndrojnë të përthyera në gropë. Gjithashtu bëhet dezinfektimi dhe zhytja në solucion bajgë + argjilë;
  • Gjatë mbjelljes bëhet ngjeshja e mirë e tokës për të siguruar një kontakt sa më të mirë të tokës me sistemin rrënjor dhe të mos mbesin xhepa ajri. Kur toka është shumë e thatë fidani ujitet me 10-15 litra ujë për të siguruar kontaktin e rrënjëve më tokën dhe eliminuar xhepat e ajrit;
  • Për të mënjanuar djegien e trungut nga dielli bëhet lyerja e tyre me sherbet gëlqereje.
  • Bëhet kontrolli i bimëve mbas rënies së dheut (korrigjimi i mbjelljes) duke i tërhequr lart kur ato janë mbjellë thellë;
  • Vendoset huri mbështetës rreth 2 m i lartë dhe 20-25 cm larg bimës në drejtim të erërave kryesore.

Cilat janë distancat e mbjelljes tek arra? Distancat e mbjelljes janë të kushtëzuara nga: 

  • nga kultivari;
  • pjelloria e tokës;
  • agroteknika e përdorur.

Në blloqet e ngritura me kultivarë me frutifikim të majës distancat e mbjelljes janë 10 x 10 m, 8 x 10 ose 10 x 12, ku numri i bimëve për ha është rreth 100 rrënjë (kjo në varësi të pjellorisë së tokës dhe agroteknikës së përdorur). Këto blloqe hyjnë në prodhim pas 10-15 vitesh. Në blloqet e ngritura me kultivarë me frutifikm anësor distanca midis bimëve variojnë 7 x 3 m deri 6 x 4 m me 400-500 bimë/ha. Shfrytëzimi ekonomik i këtyre blloqeve nuk zgjat më shumë se 45 vjet.

Format e kultivimit (kurorës) tek arra
Format e kurorës luajnë një rol të rëndësishëm në ndriçimin diellor që depërton në kurorën e bimës. Ndriçimi diellor është një faktor i rëndësishëm që ndikon në rritjen e lastarëve, formimin e luleve, mbajtjen e frutave, zhvillimin e frutit dhe cilësinë e thelbit. Ndriçimi diellor është burimi kryesor i energjisë për kryerjen e procesit të fotosintezës, e cila zhvillon aktivitetin e saj normal midis temperaturave 15-30°C dhe me zvogëlim drastik të aktivitetit nën 5°C dhe mbi 35°C. 

Depërtimi i rrezeve të diellit në brendësi të kurorës varet shumë edhe nga përmasat e bimës e cila nuk duhet të kalojë 80% të gjerësisë së rreshtit. Ndër format kryesore të kultivimit përmendim format: Kupore dhe Me udhëheqës qendrorë:

1. Forma kuporeËshtë një formë krasitje e ndërtuar me disa degë skeletore të bimës. Kur gjatësia e fidanit arrin në 130-150 cm nga toka, gjatë periudhës vegjetative, zgjidhen tre lastarë që kanë një kënd me rrafshin horizontal 40 - 45° dhe ndërmjet tyre një kënd 120°.

  • vitin e ardhshëm këto lastarë do të shkurtohen për të provokuar zhvillimin e degëve të dyta skeletore. Në përgjithësi,rekomandohet që të minimizohet sa të jetë e mundur ndërhyrja me prerjet, por degët e tepërta të zhvilluara në pozicione të padëshirueshme të kurorës dhe thikat duhet të hiqentë mos konkurrojnë lastarët e zgjedhur për formimin e kurorës.
  • Duke vepruar në këtë mënyrë kurora do të formohet pas 4 – 5 vjetësh. Në vitet në vazhdim forma kupore do të tentojë të bëhet në formë sferike ose globi për shkak të vështirësive për të mbajtur të pastër qendrën e kurorës.

2. Forma me udhëheqës qendrorQëllimi i kësaj  forme është krijimi i një peme me strukturë të fuqishme, e aftë të mbajë prodhim të bollshëm apo të përballojë strese të ndryshme. Vetë arra ka tendencë rritje natyrale të kurorës me lider. Kjo formë është një nga më efikaset për sa i përket dritësimit shumë të mirë dhe prodhimit të lartë. Mbështetësit e kësaj forme sqarojnë se nevojiten më pak gjethe për të ushqyer frutin dhe më shumë fruta mund të prodhohen për lastarë.

Forma e kurorës me udhëheqës qendror krijon pak hijezim, pasi rrezet e diellit depërtojnë deri në bazën e kurorës. Me këtë formë kurore bima e arrës ka aftësi më të larta prodhuese në krahasim me bimët me formë kurore me shumë udhëheqës.

Anët negative të kësaj forme janë:

  • Bima kërkon ndërhyrje të rënda, gjatë aplikimit të së cilës bëhen më shumë gabime;
  • Rreziku i djegies së frutave nga dielli është më i lartë.

Anët pozitive janë:

  • Bimët kanë prodhim më të madh;
  • Prodhojnë për një periudhë më të gjatë;
  • Janë shumë të përshtatshme për vjelje mekanike.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për shërbimet agroteknike tek arra



Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

KOSITJA DHE MANIPULIMI I JONXHËS

Çfarë duhet të mbani parasysh gjatë kositjes?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË JONXHËS

Para se të filloni kultivimin e jonxhës, ju rekomandojmë të mbani parasysh se...

Lexo më shumë

RËNDËSIA E JONXHËS SI USHQIM PËR BLEGTORINË

A e dini se nga përmbysja e një hektari jonxhë ju i keni siguruar tokës rreth 120 kv lëndë organike?

Lexo më shumë

Kontrolli i sëmundjeve kryesore në agrume

Sëmundjet e agrumeve shkaktojnë dëme të konsiderueshme si në aspektin sasior ashtu dhe në aspektin cilësor.

Lexo më shumë