Teknologjia e kultivimit të nenexhikut në fushë të hapur




Nenexhiku është bimë perimore me origjinë nga Azia qendrore e perëndimore dhe bregu jugor i Mesdheut e njohur dhe e përdorur që në lashtësi nga grekët, egjyptianët dhe romakët. Në Mesjetë u kultivua edhe në Europën juglindore e qendrore. Në vendin tonë, forma natyrale, njihet gjerësisht.

Përse nenexhiku meriton të përhapet më shumë në vendin tonë? Kjo sepse: 

  • Kjo bimë ka vlera ushqimore dhe përdorim të gjithanshëm në guzhinë.
  • Gjethet e nenexhikut mund të përdoren si erëza në supa, çaj e gjellë të ndryshme.

Çaji i nenexhikut;

  • Qetëson çrregullimet në stomak.
  • Përmirëson tretjen.
  • Trajton problemet me erën e keqe të gojës.
  • Lufton të ftohtin dhe gripin.
  • Largon ethet.
  • Përmirëson përqëndrimin dhe vetëdijen.
  • Parandalon të vjellat.
  • Redukton stresin.
  • Promovon lëkurë dhe flokë të shëndetshëm.

Cilat janë kërkesat e nenexhikut për klimën, tokën dhe parabimën?
Nenexhiku, sipas zonave njihet edhe me emrin mendërza, është bimë e klimës së ngrohtë. U duron mirë temperaturave relativisht të ulëta.

  • Temperatura më e ulët për mbirje të farës është 5-7°C
  •  Temperatura e përshtatshme është 20-24°C.
  • Temperatura më e ulët për rritjen është 4-5°C.
  • Temperatura e përshtatshme për rritjen është 20-26°C.
  • Për pak kohë mund t’u durojë edhe temperaturave të ulëta deri në minus 10°C

Kujtesë për kultivuesit e nenexhikut!
Temperaturat e larta (mbi 25°C) e të vazhdueshme shkaktojnë paksim të masës bimore, gjethet mbeten të vogla, të pazhvilluara, të ashpra, bimët bien në lulëzim të parakohshëm, duke dëmtuar rëndë prodhimin.

Në cilat toka shkon më mirë nenexhiku?
Nenexhiku mund të kultivohet në të gjitha tipet e tokave. Pëlqen toka mesatarisht të lehta, të thella e të freskëta të kulluara mirë, dhe të pasura me lëndë organike e me pH 6-7. Preferohen ngastra me ndriçim jo të lartë.

Cilët nga parabimët i përshtaten më shumë nenexhikut? 
Mund të mbillet pas çfarëdo parabime e sidomos pas atyre që kanë pasur plehërim të bollshëm organik. Nenexhiku nuk dallohet për kërkesa të larta në lëndë ushqyese. Plehërimi këshillohet të bëhet në përputhje me karakteristikat bimore të kultivarëve, tipin e tokës, mënyrën e kultivimit, dendësinë e mbjelljes etj.

Punimi i tokës
Përgatitja e mirë e tokës është e rëndësishme për të garantuar mbirje të mira, rritje dhe zhvillim normal të bimëve. Punimi i parë bëhet i thellë, rreth 30-40cm. Për një përgatitje të mirë të tokës kryhen dhe punime të tjera si diskime e frezime, deri sa toka të vijë në gjendje të mirë për mbjellje. Punimet e tjera synojnë të krijojnë një shtrat të shkrifët për mbirjen dhe zhvillimin normal të bimëve dhe luftimin e barërave të këqija.

Kanalet kulluese dhe vaditëse
Pas punimit dhe frezimit të sipërfaqes së tokës, është e domosdoshme të përgatitet i gjithë sistemi i kanaleve kulluese dhe vaditëse

Plehërimi i tokës
Në praktikën e plehërimit të nenexhikut këshillohet përdorimi i plehut organik të kalbur mirë në dozën 30 kv/dyn, i cili përmbyset gjatë përgatitjes së tokës së bashku me 12-14 kg/dyn  P2O5dhe 10-15 kg/dyn K2O. Plehu azotik hidhet gjatë periudhës bimore 2-3 duar me rreth 10-15 kg/dyn. (N).

Sasia dhe raporti i plehërimit 
Si përcaktohet sasia e plehrave që duhen përdorur tek nenexhiku? 
Kërkesat ndaj elementëve ushqyes nuk janë shumë të larta. Për çdo 100 kg prodhim bimët tërheqin nga toka  azot (N) 0.6 kg; fosfor (P2O5)  0.3 kg; potas (K2O) 0.6 kg, me një raport midis tyre 1:0.5:1. Për një prodhim prej 25-30 kv/dynym, kërkon azot (N) 18 kg/dyn; fosfor (P2O5)  9 kg/dyn; potas (K2O) 18 kg/dyn.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi Varietetet, mbjellja dhe kultivimi i nenexhikut. 

Data e publikimit: 12/05/2022


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

Teknologjia e kultivimit të kungujve të dimrit në fushë të hapur

Cilat janë kërkesat e kungujve të dimrit për klimën, tokën dhe parabimën?

Lexo më shumë

Teknologjia e kultivimit të Rrepës në fushë të hapur

Përse rrepa meriton të  përhapet më shumë  në vendin tonë?

Lexo më shumë

Si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e majdanozit?

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I NENËS

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë