Histori Suksesi – Kadri Lipa




Nga flakët te ringritja: Historia e blegtorit Kadri Lipa në Mbrostar 

Në fshatin Mbrostar, pranë Fier, jeta e Kadri Lipës është e lidhur ngushtë me blegtorinë. Për të, ferma nuk është vetëm një burim të ardhurash, por një trashëgimi familjare dhe pasioni i një jete të tërë.

Një traditë që vazhdon ndër breza

Prej vitesh, familja Lipa merret me rritjen e bagëtive. Kadriu e ka trashëguar këtë profesion nga të parët dhe me punë të palodhur ka arritur të ndërtojë një fermë të qëndrueshme. Çdo ditë e tij nis dhe mbaron mes tufës – aty ku ai gjen jo vetëm punën, por edhe qetësinë. Por rreth një vit e gjysmë më parë, një ngjarje e papritur ndryshoi gjithçka.

Zjarri që rrezikoi gjithçka

Një zjarr përfshiu stallën e tij, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe humbje në bagëti. Flakët rrezikuan të shkatërronin punën e viteve. Në ato momente kritike, ndihma erdhi nga aty ku ndoshta nuk pritej. Banorë të zonës u mobilizuan menjëherë për të shuar zjarrin. Edhe pasagjerë të një autobusi që po kalonte në rrugë ndaluan për të dhënë ndihmën e tyre. Falë reagimit të shpejtë dhe solidaritetit të tyre, dëmi në tufë nuk u bë edhe më i madh. Më vonë, kur lajmi u përhap, shumë njerëz – të njohur e të panjohur – kontribuan duke dërguar bazë ushqimore për bagëtitë dhe ndihma të tjera të nevojshme për të përballuar situatën. “Pa ta, do ta kisha pasur shumë më të vështirë të ringrihesha,” shprehet Kadriu.

Mbështetja që solli ringritjen

Në periudhën pas zjarrit, pranë tij qëndroi edhe FED invest. Institucioni jo vetëm i mbylli këstet e mbetura të financimit, por gjithashtu e rifinancoi për ndërtimin e një stalle të re, duke i dhënë mundësinë të vazhdojë aktivitetin. Një muaj më parë, gjatë një trajnimi të organizuar nga FED invest në bashkëpunim me Qendrën ABA, financuar nga Council of Europe Development Bank (CEB), ndodhi edhe takimi që do të sillte rrëfimin e tij publik. Në sallë dëgjohet emri “Kadri”. Pas një prezantimi të shkurtër, konfirmohet se ishte pikërisht blegtori i Mbrostarit që kishte kaluar përmes zjarrit dhe sfidave të mëdha. Pas përfundimit të aktivitetit, ai pranoi të japë një intervistë.

Një rrëfim me pasion

Gjatë intervistës, Kadriu flet me emocion për blegtorinë, për përkushtimin ndaj punës dhe për mbështetjen që ka marrë. Ai falënderon FED invest për besimin dhe mbështetjen konkrete financiare që i mundësoi rindërtimin e stallës. Por mbi të gjitha, ndalet te njerëzit tek ata që në momentin e zjarrit vrapuan për të ndihmuar, ata që më pas kontribuan me ushqim për bagëtitë, dhe të gjithë ata që i qëndruan pranë. “Ferma është jeta ime. Edhe kur dola nga spitali pas ndërhyrjes në zemër, mendja më rrinte te bagëtitë,” tregon ai, duke dëshmuar lidhjen e fortë me profesionin.

Simbol i forcës dhe solidaritetit

Sot, stalla e re në Mbrostar është më shumë se një objekt i rindërtuar. Ajo është simbol i ringritjes, i solidaritetit dhe i bashkëpunimit mes komunitetit dhe institucioneve financiare. Historia e Kadri Lipës është dëshmi se suksesi nuk matet vetëm me fitime, por me aftësinë për t’u ngritur pas goditjeve, me mbështetjen e njerëzve dhe me pasionin për punën. Në fund, ajo që mbetet është forca e një njeriu që nuk u dorëzua dhe e një komuniteti që nuk e la vetëm.

Data e publikimit: 16/02/2026


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: