REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.
Ciani (Centaurea cyanus) është një bimë barishtore një vjeçare. Tek ne njihet si kokoçeli, lule ciani ose gjerësisht si lulekine. Bima rritet në 40-90 cm gjatësi, me kërcell të degëzuar me ngjyrë gri-jeshile. Lulet janë zakonisht në ngjyrë blu intensive dhe të vendosura në lulëri të quajtura kaptina.
Ka një gamë të gjerë të shtrirjes dhe e gjejmë nga Ishujt Britanikë, në Evropën Jugore, në Afrikën Perëndimore si dhe në Amerikën dhe Siberinë Jugore.
Ciani gjendet në natyrë si një bimë e barërave të këqija, më shpesh në grurë, thekër dhe tërshërë, në lartësi mbi 500 m mbi nivelin e detit.
Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Të ngrënshme janë gjithashtu edhe filizat sëbashku me lulkat e vogla të cilat shoqërohen me perime ose si zbukurim pjate. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.
Lulet e cianit ose lulekina janë përdorur tradicionalisht për kura të ndryshme mjekësore si të mos tretjes, ç'rregullimeve të veshkave, fshikëzës dhe mëlçisë. Lulekina përdoret edhe për larjen dhe pastrimin e plagëve. Ajo trajton gjithashtu sëmundje të ndryshme të gojës dhe konstipacionit. Lule ciani ndihmon në trajtimin e infeksioneve të ndryshme si dhe trajtimin e infeksioneve të syve.
Lulja e cianit ka antioksidantë dhe veti antibakteriale që e bëjnë atë të jetë efektive ndaj lëkurës së irrituar dhe inflamacionit. Lulja e cianit përdoret edhe në produktet e flokëve.
Petalet e luleve lëshojnë një ngjyrë të errët blu që përdoret për të ngjyrosur pëlhurat. Ato përdoren edhe në formën e tyre të thatë për dekorime të ndryshme. Vajrat e nxjerrë nga lule ciani përdoren për kujdesin e lëkurës. Vajrat kanë vlera anti-inflamatore për të qetësuar lëkurën.
Cilat janë kërkesat e cianit ndaj faktorëve të mjedisit?
Kërkesat për temperaturën
Konsiderohet si bimë tolerante ndaj faktorëve klimatikë, prandaj shkon mirë në toka disi të thata. Ajo mund të kultivohet në zona ku temperatura mesatare e qershorit, korrikut e gushtit është ndërmjet 17 dhe 20°C, në parcela të hapura dhe të diellzuara. Mund të kultivohet edhe në zona kodrinore me një ekspozim të mirë.
Kërkesat për dritën
Ciani vlerësohet si bimë dritëdashëse dhe zakonisht tokat për kultivim të cianit duhet t’i zgjedhim në zona të diellzuara. Kërkesat për dritë janë gjatë gjithë fazave të rritjes dhe zhvillimit të bimës duke filluar nga faza e pas mbirjes e deri në përfundim të vegjetacionit.
Kërkesat për ujë (lagështirë)
Ciani nuk vlerësohet si bimë me kërkesa të larta ndaj lagështisë, prandaj, shpesh kultivohet në toka ku nuk ka mundësi ujitje. Kërkesat më të larta për ujë janë në fazën e mbirjes dhe trapiantimt (ndërrimit). Mungesa e ujit në fazën e mbirjes, ku mungesa e tij ndikon drejtpërdrejtë në përqindjen e mbirjes, në rritje e zhvillim si dhe në cilësinë e fidanit të prodhuar.
Kërkesat për tokën
Megjithëse bima e cianit nuk ka ndonjë kërkesë specifike sa i përket tokës, krijimi i kushteve të mira të kultivimit ofron një cilësi dhe rendimet të mirë nga bima e kultivuar. Tokat e rënda argjilore që njihen për veti jo të mira fizike nuk janë të rekomandueshme për kultivimin e cianit. Bima e cianit mund të rritet në toka me përmbajtje jo të mirë të lëndëve ushqyese, por për qëllime kultivimi komercial kërkohen toka me nivele mesatare dhe të larta lëndësh ushqyese. Gjithashtu, duhen përzgjedhur toka që ngrohen lehtë dhe janë të shkrifëta, humusore gjysmëranore. Tokat duhet të kenë ajrim dhe kullim të mirë, me një shkallë të mjaftueshme lagështie, por jo me lagështirë tejet të lartë, pasi bima e cianit është shumë e ndjeshme ndaj lagështirës së tepërt në tokë. Reaksioni i tokës për kultivim të cianit është nga ai i lehtë acidik deri te ai neutral. Nuk duron reaksion bazik prandaj nuk këshillohet të kultivohet në toka me pehash bazik. Nëse detyrohemi të kultivojmë në toka të tilla është e rekomandueshme përmirësimi i reaksionit të tokës.
Kultivarët
Në tregun e farave të bimëve mjekuese dhe aromatike cianin mundemi ta gjejmë me një laramani kultivarësh me ngjyra dhe karakteristika të ndryshme. Në zgjedhjen e kultivarëve duhet bërë kujdes të zgjidhen llojet me lule të plota, që përdoren edhe për zbukurim sepse rendimenti dhe cilësia e lules janë më të larta. Shoqëria tregtare angleze ka promovuar dhe komercializuar veç cianit të egër edhe kultivarët: Black Ball’, ‘Blue Boy Pinkie’ dhe ‘Red Boy’ si dhe një ‘Special Mixed’ që arrijnë lartësinë 1 metër.
Kërkesat për parabimën
Ciani nuk është përzgjedhëse e parabimës por, nuk e duron monokulturën. Ciani mund të kthehet në të njëjtën parcelë të paktën pas 4-5 viteve gjatë të cilave janë mbjellë kultura të tjera. Në përgjithësi, parabimë më të mira janë drithërat dimërore, leguminozet për kokërr, kulturat prashitëse dhe bimët foragjere (jonxha, barërat e përzier etj.), të cilat lirojnë tokën shpejt dhe japin mundësi për përgatitjen e tokës dhe për mbjellje në afat të farës ose fidanit.
Teknologjia e kultivimit të cianit
Bima e cianit mund të mbillet:
Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë
Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë konsiderohet si një metodë efikase e kultivimit që praktikohet në shumë vende të botës ku kultivohet ciani. Fara duhet të jetë cilësore dhe me aftësi të lartë mbirëse. Norma e farës që përdoret duhet të jetë 3-4 kg/ha. Toka për mbjellje duhet të jetë e përgatitur mirë me qëllim që thellësia e mbjelljes së farës të jetë uniforme 1-2 cm.
Në fushë të hapur, mbjellja e farës së cianit zakonisht bëhet në fund të marsit deri në fillim të prillit dhe mbirja mund të zgjasë 3-4 javë, në varësi nga kushtet klimatike që do të mbizotërojnë në ketë periudhë kohore. Kur bima ka zhvilluar 3-5 gjethe, është i nevojshëm rrallimi apo herrja e tyre për krijimin e distancave të nevojshme të bimëve në rresht.
Hapësira e zakonshme midis bimëve në rresht është 30 cm. Hapësira midis rreshtave duhet të jetë 60 – 70 cm, për të mundësuar përdorimin e motokultivatorëve por edhe zhvillimin e mirë të kaptinave lulore dhe shmangien e konkurrencës midis bimëve. Dendësia përfundimtare nuk duhet të jetë më e madhe se 5–6 bimë/m2, ndryshe kaptinat lulore që përftohen rezultojnë shumë të vogla, e për pasojë merren rendimente jo të kënaqshme.
Mbjellja me fidanë të prodhuara nga fara
Kultivuesit e cianit është mirë që të ketë njohuri bazike rreth prodhimit të fidanit si dhe rëndësinë dhe përparësitë e mbjelljes se cianit përmes fidanit.
Praktika ka treguar se mbjellja me fidanë është më i suksesshëm dhe më i sigurt krahasuar me mbjellje të drejtpërdrejtë me farë. Deri vonë është menduar që mbjellja me fidan ka kosto më të lartë ose rrit koston e prodhimit. Por, praktika ka dëshmuar se më nuk qëndron një dëshmi e tillë. Duke krahasuar koston e mirëmbajtjes së bimëve, pas mbirjes me mbjellje të drejtpërdrejtë me farë, herrja e barërave të këqija ka një kosto shumë të madhe që shpesh tejkalon koston e prodhimit të fidanëve. Bimët e përftuara në fidanishte (afro 500 bimë/m2) trapiantohen në fushë, pas 4– 5 javësh nga mbjellja e farës.
Fidanët mund të prodhohen në periudha të ndryshme kohore në varësi se kur planifikohet trapiantimi në fushë të hapur. Mbjellja apo trapiantimi i fidanëve në fushë mund të bëhet në pranverë nga fundi i prillit dhe fillimi i majit, kurse fillimi i prodhimit të fidanit d.m.th. mbjellja e farës në kaseta, fillon nga fundi i muajit mars.
Në literatura të ndryshme hasim edhe përshkrimin e prodhimit të fidanëve në shtretër apo e ashtuquajtura prodhim i fidanëve me rrënjë të zhveshur. Një metodë e tillë e prodhimit të fidanëve njihet si praktikë tradicionale dhe nuk gjen zbatim të gjerë në praktikat bujqësore.
E meta e kësaj teknologjie qëndron ne atë se:
Duke u bazuar në shumë kërkime shkencore dhe studime që janë bërë në teknologjinë e prodhimit të fidanëve, rekomandohet prodhimi i fidanëve në kaseta.
Një rekomandim i tillë mbështet në avantazhet që ka prodhimi i fidanëve në kaseta:
Mbjellja në kaseta zakonisht bëhet në komposto organike të certifikuara nga kompanitë prodhuese. Një komposto apo substrat i tillë ka të gjitha karakteristikat si në aspektin higjenik, i pastër nga farat e barërave të këqija, sëmundjet e po ashtu edhe nga aspekti kimik dhe fizik që bimës i nevojiten në fazat e para të jetës së saj.
Ciani zakonisht mbillet në kaseta ku vrimat e tyre kanë një vëllim nga 32 – 44 ml ose siç njihen nga prodhuesit kaseta me 84 – 104 vrima.
Kultivuesit me përvojë mund të përdorin kaseta me vëllime më të vogla duke pasur parasysh që mos të dëmtojmë rritjen dhe zhvillimin të sistemit rrënjorë.
Mbjellja e farave të cianit për nevoja të kultivuesit zakonisht bëhet me dorë kurse në fidanishte komerciale bëhet me makina mbjellëse speciale. Fara për mbjellje mund të përzgjidhet nga bimët cilësore nga parcela e certifikuar ose nga furnizuesit me inpute bujqësore.
Thellësia e mbjelljes së farës në kaseta duhet të jetë 1-1.5 cm. Menjëherë pas mbjelljes bëhet ujitje me një sasi të mjaftueshme uji për të siguruar lagien e plotë të substratit në thellësi 1 – 2 cm. Pak orë më vonë bëhet një ujitje tjetër me doza më të larta për të mundësuar lagien e plotë të gjithë substratit. Pas këtij momenti, në asnjë rast nuk duhet të lejohet tharja e sipërfaqes së kompostos, deri në mbirjen e plotë të farave.
Kasetat e mbjella dhe të ujitura vendosen në fidanishte në mjedise të mbrojtura (serra) deri në përfundim të fazës së fidanit.
Fidanishtet komerciale posedojnë edhe dhomat mbirëse ku mbahet temperatura optimale 20-26°C dhe lagështi relative deri 95% për një periudhe kohore 5-7 ditë derisa të fillojë procesi i mbirjes, nga ky moment kasetat largohen nga dhoma mbirëse dhe vendosen në serra për rritje dhe zhvillim të fidanëve.
Pas mbirjes së cianit, nëse në vrima të kasetave janë mbirë më shumë se një bimë, bëhet herrja e tyre me qëllim të largimit të konkurrencës në mes bimëve dhe lihen vetëm një bimë për vrimë të kasetës. Një fidan i prodhuar në kaseta duhet të jetë i zhvilluar mirë dhe të jetë sa më uniform, kjo varet nga kushtet e kultivimit dhe menaxhimi i mirë i fidanishtes gjatë prodhimit të fidanit.
Para se fidani i cianit të jetë i gatshëm për trapiantim duhet kalitur me qëllim që t’i përshtatet kushteve të ambientit të jashtëm. Kalitja e fidanit, para se bima të trapiantohet, ndihmon në lidhjen më të shpejtë të fidanit me tokën dhe pa strese të zënies krahasuar me një fidan të pa kalitur apo të prodhuar në shtretër apo të ashtuquajtur rrënjë zhveshura.
Përgatitja e tokës për mbjellje
Përgatitja e tokës për mbjellje është një masë agroteknike shumë e rëndësishme për prodhimin e suksesshëm të cianit. Koha e përgatitjes së tokës varet nga parabima se kur e liron sipërfaqen e tokës, nga koha e mbjelljes së kulturës si dhe nga kushtet klimatike, reshjet që na e mundësojnë punimin e parë (kryesor) apo punimin e dytë. Nëse parabima ka qenë drithëra punimit të thellë i paraprin një punim i cekët menjëherë pas korrjes së para bimës. Punim i cekët bëhet me qëllim përmbysjen e lëndës organike dhe farërat e barërave të këqija. Nëse pas punimit të cekët 10-15 cm kemi reshje shiu ose mundësi ujitje, farat e barërave të këqija do të mbijnë dhe pas punimit të thellë ato do të përmbysen dhe numri i bimëve të këqija njëvjeçare do të zvogëlohet dukshëm dhe toka po ashtu do pasurohet me lëndë organike si rezultat i përmbysjes së masës së gjelbër të mbirë pas punimit të cekët. Kjo mase agroteknike, para punimit të thellë, konsiderohet edhe si plehërim i gjelbër dhe luftim mekanik i barërave të këqija.
Meqenëse, mbjellja apo trapiantimi i cianit bëhet në pranverore, punimi i vjeshtës bëhet në thellësi 30-50 cm. Punimet plotësuese dhe përgatitja e tokës për mbjellje bëhet herët në pranverë.
Gjatë punimit vjeshtor apo edhe punimeve plotësuese duhet siguruar këto sasi të elementevë ushqyese: 60 kg/ha N, 50 kg/ ha P205 dhe 100 kg/ha K20 dhe kjo sasi sigurohet duke përdorur 25-30 t/ha pleh stalle të dekompozuar mirë.
Në varësi nga struktura e tokës apo edhe nga cilësia e punimit të vjeshtës, punimet plotësuese realizohen me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të tokës për trapiantim të fidanëve apo mbjelljes direkt me farë.
Përgatitja e tokës për mbjellje realizohet me anë të nivelimeve, frezimeve ose diskimeve. Gjatë përgatitjes duhet pasur kujdes që të shmangim sa të jetë e mundur formimin e pellgjeve ujore, sepse ciani është shumë i ndjeshëm dhe në raste të tilla kalbëzimi i sistemi rrënjorë do të jetë i pa evitueshëm dhe do të kemi humbje të një numri të madh të bimëve. Një rrezik i tillë mund të evitohet duke përdorur nivelues të tokës gjatë përgatitjes së tokës për mbjellje.
Mbjellja apo trapiantimi i cianit
Mbjellja drejtpërdrejtë me farë zakonisht bëhet në mënyrë të mekanizuar me makina mbjellëse të përshtatura për kulturën e cianit. Zakonisht përdoren makina mbjellëse pneumatike apo makina mbjellëse me precizion të lartë.
Trapiantimi i fidanëve të cianit në fushën e përgatitur mund të bëhet me makina të adaptuara për mbjelljen e fidanëve të perimeve duke i fiksuar distancat e mbjelljes si dhe mbjellja me fuqi punëtore me kunja duke hapur vrima dhe mbjelljen e fidanit.
Mbjellja e mekanizuar është më e shpejtë dhe më e sigurt sa i përket dëmtimeve të fidanëve. Menjëherë pas mbjelljes është e domosdoshme ujitja me qëllim që sistemi rrënjor të ketë një kontakt sa më të mirë me tokën.
Distancat e mbjelljes luhaten në funksion të gjerësisë së punimit të makinave bujqësore dhe kushteve klimatike. Edhe në këtë rast distancat e mbjelljes të këshilluara janë 60 - 70 x 30 cm (60,000 bimë/ha) ose 5 – 6 bimë/m2.
Shërbimet dhe përkujdesja pas mbjelljes
Në varësi nga mënyra e mbjelljes së cianit pasojnë edhe shërbimet agroteknike. Rëndësi i kushtohet mbajtjes në gjendje të shkrifët të tokës, luftimit të barërave të këqija, ujitjes, etj. Është shumë e rëndësishme që ngastra e mbjellë me cian të jetë e pastër nga barërat e këqija pasi ato janë jo vetëm konkurrente në të ushqyerit e bimës por edhe krijojnë hijëzime që janë shumë të dëmshme në rritjen dhe zhvillimin e mirë të cianit.
Pastrimi nga barërat e këqija realizohet me kultivime me moto kultivator edhe në mënyrë mekanike (me dorë).
Në kushtet kur sigurohet ujitja sidomos sistemi pikë - pikë, është mirë që ajo të realizohet sipas nevojës së bimës për ujë, ku sasia e ujit të harmonizohet me fazat e zhvillimit dhe kushtet e kultivimit. Kohëzgjatja e ciklit biologjik të cianit është afro 80 – 120 ditë, në varësi nga lloji i kultivarëve të përzgjedhur për kultivim, ku gjatë kësaj periudhe duhet pasur kujdes që bima të prodhojë sa më shumë mase lulore sepse kjo masë vlerësohet si prodhim për çfarë kultivohet ciani.
Ujitja dhe të ushqyerit plotësues të bimëve duhet të jetë në mënyrë të kontrolluar duke mos nxitur një masë të madhe vegjetative në dëm të prodhimit lulorë. Prandaj masat e përmendura duhet të ndikojnë në balancën në mes masës vegjetative dhe asaj gjenerative (luleve). Një kujdes i veçantë duhet kushtuar që në sipërfaqet e mbjella në cian mos të krijohen pellgje sepse bima është e ndjeshme dhe mund të çojë deri në shkatërrimin total të parcelës së mbjellë. Në raste të tilla, kur bëjmë ujitje, paraprakisht duhet të hapen kanale (vija) kulluese me qëllim sigurimin e një kullumi sa më të mirë të tokës.
Sëmundjet dhe dëmtuesit e cianit
Ciani mund të preket nga sëmundje dhe dëmtues të ndryshëm të cilat ndikojnë në prodhimin dhe cilësisnë e prodhimit. Masat për luftimin e tyre mund të jenë agroteknike, fizike,biologjike dhe kimike.
Ndër metodat agroteknike, rëndësi të madhe ka zgjedhja e drejtë e parabimës pasi shumë dëmtues dhe sëmundje janë të përshtatur ndaj kulturave, që i përkasin të njëjtës familje.
Metoda fizike konsiston në heqjen (eliminimin) në kohë nga të mbjellat e bimëve të sëmura ose të prekura nga dëmtuesit dhe djegia e tyre parandalon infektimin e bimëve të tjera. Për këtë është e nevojshme të bëhet vrojtimi i rregullt për pastërtinë e të mbjellave dhe, njëkohësisht, të eliminohen barërat e këqija sepse zakonisht ato shërbejnë si burim për ushqim dhe si vend për dimërimin e shumë llojeve të dëmtuesve dhe shkaktarëve të sëmundjeve.
Metoda biologjike bazohet në krijimin e qëllimshëm të bashkëvepruesve kundërshtarë dhe konkurrues midis dëmtuesve të bimëve, nga njëra anë, dhe armiqve natyralë të tyre - parazitëve dhe insekteve, nga ana tjetër.
Sëmundjet më të përhapura te ciani i kultivuar janë: kalbëzimi rrënjor (Rhizoctonia crocorum), fuzarioza (Fusarium oxysporum ose Vertilicum alboatrum), sëmundjet e gjetheve, hiri (Sphaerotheca fuliginea) dhe Alternaria.
Ciani mund të preket nga morrat (Aphis fabae) dhe Plodia interpunctella si parazit gjatë magazinimit. Për luftimin e drejtpërdrejtë mund të përdoren bioinsekticide si Pyrethrin dhe azadiraktina dhe acide yndyrore (përbërje sapuni) ose përzierje insekticidesh. Këto produkte përdoren përpara se të shfaqen deformimet në lastarë ose gjethe. Kundër larvave mund të përdoren me efektivitet biopreparatet Bt.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja e luleve të cianit.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Aronia është një superfrut i shëndetshëm, që ofron sasi jashtëzakonisht të lartë të vitaminave, mineraleve, antioksidantëve dhe fitonutricientëve të tjerë.
Lexo më shumëKorrja e aronias zakonisht bëhet në gjysmën e dytë të gushtit. Data e saktë e korrjes varet nga varieteti, kushtet e motit të vitit dhe mund të ndryshojë me dy javë.
Lexo më shumëAguliçja (latinisht Primula officinalis) është bimë barishtore shumëvjeçare që rritet e lartë 10 - 30 cm. Aguliçja është ndër lulet e para që lulëzon para ardhjes së pranverës. Emri vjen nga fjala latine “primus”, që do të thotë “i parë”. Lulëzon në periudhën prill-maj.
Lexo më shumëCilësia e prodhimit varet kryesisht nga kushtet e tharjes. Në asnjë rast tharja nuk mund të bëhet në dritë të madhe apo në diell.
Lexo më shumë
desl4z
-Hello World! https://racetrack.top/go/hezwgobsmq5dinbw?hs=2a5fe0b8045bc0a300291ac752d11bec&