VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I ENDIVIES




Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Kultivarët e endivies më të përshtatshëm për kultivim tek ne janë:

  • Për endivien kaçurrele(Cichorium indivia L.var; Crispum)
  1. Për prodhim pranveror: “Boldie”, “castello”, “Frida”, “Voodie”, etj.
  2. Për prodhim veror dhe veror-vjeshtor: “Couquetle”, “Corso”, etj.
  3. Për prodhim vjeshtor-dimëror: “Foxie”, “Artica”, “Frisan”, etj.
  • Për endivien skariolë (Cichorium indivia L, var; Latifolium)
  1. Për prodhim pranveror: “Malan”, “Leslie”, etj.
  2. Për prodhim veror dhe veror-vjeshtor: “Trudie”, “Samoa”, “Malan”, etj.
  3. Për prodhim vjeshtor-dimëror: “Ascolana”, “Solera”, “Maral” etj.

REKOMANDIM! FERMERI QË VENDOS TË MBJELLË ENDIVIE, DUHET TË KETË PARASYSH KËTO VEÇORI TË SAJ:

  • Në tokat që mbajnë lagështi, kryesisht gjatë periudhës së dimrit, mund të lindin probleme të asfiksimit të sistemit rrënjor, prandaj këshillohet një sistemim i mirë i tokës dhe kullim i përsosur i saj.
  • Qëndrueshmëria ndaj kripës, në radhë të parë varet nga kultivarët. Ka kultivarë tolerantë ndaj përmbajtjes së kriprave në tokë.

Cila është Teknologjia e Kultivimit të Endivies?

Endivet, kultivohen me fidanë të parapërgatitur të cilët përgatiten në vllaja tradicionale ose në tava polisteroli. Në vllajat tradicionale, me gjerësi 1-1.2 m dhe gjatësi sipas kushteve, të plehëruar bollshëm me pleh organik të kalbur mirë, mbjellja bëhet duke përdorur 1-2 g/(nga çdo m² farishte sigurohen 600-700 fidanë të shëndetshëm). Për një dynym endivie në fushë, është e nevojshme përgatitja e 25-30 farishte. Sasia e farës së nevojshme është rreth 30-40 gram me fuqi dhe energji të lartë mbirëse. Në varësi të periudhës së përgatitjes, koha e nevojshme për përgatitjen e fidanëve, është 25-30 ditë, në pranverë-verë dhe 35-45 ditë, në stinën e dimrit. Fidanët janë të gatshëm për t’u mbjellë në fushë, kur të kenë formuar 4-5 gjethe të vërteta. Fidanë më të shëndetshëm, uniformë dhe që nuk bëjnë firo gjatë mbjelljes, në vendin e përhershëm, merren kur prodhohen në tava polisteroli me 240-300 fole

Cilët afatembjelljeje rekomandohen në fushë?

  • Në zonën e ngrohtë, për prodhim gjithëvjetor, mbjelljet e endivies bëhen në disa duar.
  • Në zonën e ftohtë mund të prodhohet në periudhën pranverë-verë dhe verë-vjeshtë.

Sa duhet të jenë distancat e mbjelljes?

Largësitë e mbjelljes në fushë të endivies, ndryshojnë në varësi të kultivarëve, periudhës së mbjelljes dhe asaj të vjeljes nga 30-40 cm, midis rreshtave dhe 20-30 cm brenda rreshtit, me dendësi (8.3-16.7 bimë/). Mbjellja e fidanëve kryhet me dorë në sipërfaqe të vogla ose me makinë mbjellëse fidanash.  Në varësi të tipit të tokës dhe gjendjes së saj, 1-2 ditë para mbjelljes, bëhet paraujitja e ngastës gjë e cila rrit koefiçientin e zënies së fidanëve. Mbjellja e fidanëve është mirë të bëhet herët në mëngjes ose pasdite vonë në orët më pak të nxehta të ditës. Menjëherë pas mbjelljes kryhet përsëri ujitja, për të siguruar zënie sa më të mira të fidanëve.

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për endivien në fushë ?

Shërbimet agroteknike më të rëndësishme për endivien janë: 

  • Plehërimi i bimëve.
  • Ujitjet sipas nevojave. Endivia gjatë gjithë periudhës së kultivimit, kërkon lagështi të njëjtë në tokë. Në fazat e para të periudhës bimore nevojat për ujë janë më të pakta, më tej kërkesat janë më të mëdha. Më të mira e cilësore janë ujitjet në formë shiu, të cilat krijojnë mikroklimë më të përshtatshme për rritjen dhe zhvillimin e bimëve. Gjatë ujitjeve tregohet kujdes, që në ngastër të mos krijohen pellgje e vatra ujëmbajtëse, ndërsa gjatë vjeshtës dhe dimrit kujdesi tregohet për mbajtjen në gadishmëri të sistemit të kullimit.
  • Mbajtja e tokës të shkrifëruar, në mënyrë që të sigurohet ajrim i plotë i saj për zhvillimin normal të sistemit rrënjor dhe për përvetësim sa më të mirë të lëndëve ushqyese. Një masë e tillë është e domosdoshme për të shmangur mundësitë e prekjes së bimëve nga sëmundjet që prekin sistemin rrënjor. Shkrifërimi realizohet me prashitje dhe kultivime të mekanizuara. Një veprim i tillë ndikon edhe në luftën kundër barërave të këqija, të cilat në raste infeksionesh të rënda dëmtojnë rëndë kulturën e endivies.
  • Mulçërimi i tokës me fletë plastike po jep rezultate të mira për prodhimin dhe cilësinë e endivies.
  • Luftimi i barërave të këqija, i sëmundjeve dhe dëmtuesve

CILAT JANË SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E ENDIVIES NË FUSHË TË HAPUR?

Në kushte të përshtatshme kultivimi, endiviet nuk preken nga sëmundjet dëmprurëse. Por ato mund të dëmtohen nga dëmtues.

Pse përbëjnë problem sëmundjet dhe dëmtuesit?

  • Shkaktojnë ulje të ndjeshme të prodhimit;
  • Ulet vlera tregtare;
  • Ulen të ardhurat për njësi prodhimi.

Parandalimi i sëmundjeve dhe dëmtuesve të endivies 

Për të shmangur shfaqjen e sëmundjeve dhe dëmtuesve, si dhe për të pasur prodhim sa më pastër të endivieve duke eliminuar ose minimizuar përdorimin e preparateve kimike, rekomandohen masat e mëposhtme parandaluese:

  1. Zbatoni teknika të mira kultivimi, ushqim të balancuar, heqjen e barërave të këqija.
  2. Kontrolloni sëmundjet e shfaqura në kohën e duhur dhe hiqni bimët e dëmtuara për të shmangur infektimin e bimëve të tjera.
  3. Zbatoni qarkullimin bujqësor.
  4. Zgjidhni varietete rezistente ndaj sëmundjeve për mbjellje.
  5. Rrallimi i bimëve, në mënyrë që bimët të mos hijezojnë njëra-tjetrën.
  6. Për sa i përket luftës kimike duhet të bëhet me kujdes dhe të ngelet si masa e fundit në radhë.

VJELJA, DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË ENDIVIES 

Endiviet janë të gatshme për t’u vjelë, në varësi të periudhës dhe mjedisit të kultivimit, 40-60 ditë pas mbjelljes së fidanëve në vendin e përhershëm. Vjelja e endivieve është e njëjtë sikurse e sallatës. Roseta vilet kur masa gjethore ka arritur madhësinë e përshtatshme dhe karakteristikat e kultivarit. Vjelja bëhet e njëhershme, duke prerë kërcellin nën rozetën gjethore. Për sa i përket ruajtjes së prodhimit pas vjeljes duhet të nënvizohet se endivia dallohet për intensitet të lartë të frymëmarrjes, e për rrjedhojë dëmtim të shpejtë, por më pak se sallata. Për këtë arsye periudha e ruajtjes është e shkurtër, 2-3 ditë. Endivia kaçurrele, e konfeksionuar në qese plastike me vrimëzime mikroskopike, në kushte frigoriferike me lagështi ajrore, ruhet mirë për rreth 20 ditë dhe ajo skariolë për më shumë se një muaj.

 

Data e publikimit: 21/01/2026


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: