Koha e korrjes se sorgumit është në varësi të qëllimit të kultivimit, për silazh ose për kokërr. Sorgumi për silazh korret në fazën e pjekjes së dyllit. Në këtë kohë bima ka grumbulluar më shumë lëndë të thatë, ruhet cilësia dhe mënjanohet rreziku i përmbajtjes së lartë të durinës (acid cianhidrik). Silazhi nuk e përmban këtë lëndë toksike.
Sorgumi për silazh korret kur lënda e thatë është rreth 30%. Në këtë kohë korren edhe kashta e misrit ose mbetje tjera të thata, që të vetme silazhohen me vështirësi, prandaj këto përzihen me silazhin e sorgumit. Sorgumi duke pasur më shumë lagështi, si dhe përqindje sheqeri të lartë, siguron silazh me cilësi të lartë. Sorgumet sheqerorë përmbajnë shumë pak acid cianihidrik (durinë) prandaj dhe mund të përdoret si njomishte edhe mund të korret 1-2 herë. Korrja e parë bëhet në fillim të daljes së melthit duke i prerë bimët 12-15 cm nga toka që të mos pengohet ripërtëritja. Korrja bëhet me autokombajnë ose me makina korrëse-grirëse.
Kujdes! Kur bimët janë rreth 1m të larta dhe nuk kanë nxjerrë melthin, moti i ftohtë e i thatë, plehërimi i bollshëm azotik, shtojnë përmbajtjen e acidit cianhidrik, i cili mund të helmojë bagëtinë. Për këtë arsye sorgumi pas korrjes, lihet disa orë në parcelë që të vyshket dhe të avullojë një pjesë e acidit cianihidrik. Në këto kushte, për konsum përdoret rreth 20 kg/krerë në 24 orë.
Korrja e sorgumit për kokërr
Koha e duhur për korrje është kur kokrrat bëhen të forta dhe përmbajnë më pak se 25% lagështi. Korrja mund të bëhet me krah (dorë) ose e mekanizuar. Për vjeljen me dorë, prerja me drapër, bimët priten afër nivelit të tokës. Pas kësaj ato lidhen në tufa të madhësive të përshtatshme dhe vendosen në lëmë për tharje. Pas dy deri në tre ditë hiqen melthet nga bimët dhe realizohet shirja. Në disa raste priten vetëm melthet dhe dërgohen në lëmë ku thahen në diell për 3-4 ditë dhe më pas bëhet shirja e tyre. Pas shirjes prodhimi thahet në diell për 6-7 ditë deri në 13-15% lagështi.
Korrja me kombajnë e sorgumit për kokërr bëhet kur shumica e meltheve në pjesën e mesit të tyre janë në pjekjen e plotë dhe kërcejtë kanë filluar të zverdhen. Por në kultivarët me pjekje të vona, korrja shpesh herë përkon me shirat e vjeshtës, prandaj organizohet korrja dhe shirja me shumë forca e mjete të përqendruara, që të përfundojë në një kohë rekord. Merren masa që tharja e prodhimit të bëhet sa më shpejt dhe ruajtja të bëhet në depo të ajrosura. Kur shirja realizohet me autokombajne, kokrrat marrin një pjese të lagështisë së melthit dhe të kërcellit, prandaj fara ventilohet menjëherë dhe prodhimi shtrihet në pistë me shtresa të holla 20-40cm. Për shpejtimin e tharjes, fara mund të dërgohet në tharëse.
Në rast se prodhimi kokërr do të përdoret për farë, temperatura e tharjes duhet të jetë 40°C dhe procesi nuk duhet të zgjasë më shumë se një orë. Në rast se prodhimi do të përdoret për koncentrat (konsum si tagjira), temperatura e tharjes është 60 – 90°C dhe periudha e tharjes më pak se një orë. Ruajtja e prodhimit bëhet në vende të pastra dhe të ajrosura.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cilat janë kërkesat e burxhakut për klimën (temperaturë dhe lagështirë)?
Lexo më shumëKërkesat e koçkullës për klimën dhe tokën
Lexo më shumëKërkesat e elbit për klimën dhe tokën
Lexo më shumëPër një kultivim të suksesshëm të panxharit foragjer ju rekomandojmë të mbani parasysh:
Lexo më shumë