SHËRBIMET AGROTEKNIKE TEK SHEGA




Në këtë bimë, si edhe pemët e tjera frutore, kryhen një sërë shërbimesh agroteknike. Kryerja në kohë e cilësi e tyre do të garantojnë një pemishte të shëndetshme, futjen e shpejtë në prodhim, rritjen e jetëgjatësisë, periudhës prodhuese dhe mbi të gjitha sigurohet prodhim i lartë e cilësor.

Ndër shërbimet kryesore janë: punimi i tokës, plehërimi, ujitja, krasitja si dhe mbrojtja nga sëmundjet dhe dëmtuesit.

Sistemet e mbajtjes së tokës

  • Mbajtja e tokës tapet: Konsiston në mbajtjen e tokës në midis rreshta të mbuluar me barë i cili mbahet i shkurtër me kositje të herë pas hershme. Kositja mund të kryhet me krah ose mjete mekanike. Toka rreth trungut mbahet e pastër nga barërat e këqija (me herbicide ose punime).
  • Mbajtja e tokës ugar: Shumë kultivues preferojnë të mbajnë tokën ugar me anë të kultivimeve apo punimeve. Zakonisht punimet nuk bëhen të thella, sepse sistemi rrënjor i shegës nuk shtrihet në thellësi, kështu që punimet e thella dëmtojnë atë.
  • Mbjellja e kulturave ndërmjetëse: Zakonisht mbillen bimë bishtajore dimërore dhe tërfil, të cilat mbrojnë tokën nga erozioni. Gjithashtu ato mund të përdoren edhe si ushqim për blegtorinë ose si plehërim i gjelbër. Në rastet kur bishtajoret përdoren për plehërim të gjelbër, me kultivime apo punime bëhet copëtimi dhe përmbysja e tyre në kohën e lulëzimit.

Plehërimi i bimëve 
Në plehërimin e bimëve përdoret plehërimi kimik dhe ai organik. 

Për plehërimin kimik sasitë e rekomanduar të plehrave janë:

  • Për azotin 2 - 3 kv/ha në vit
  • Për potasin 1 - 2 kv/ha (në formën e sulfatit të potasit)
  • Për fosforin 0.5 - 1 kv/ha
  • Azoti aplikohet duke filluar në fillim të vegjetacionit dhe vazhdon gjatë gjithë periudhës me  ujitet e bimë deri në dy javë para vjeljes.

Tek kultivarët e hershëm bëhet plehërim azotik edhe pas vjeljes së prodhimit.

Këshillë: Plehërimi azotik duhet të jetë i kujdesëm, sepse teprimi me plehra azotike vonon pjekjen dhe ulin intensitetin e ngjyrës.

  • Potasi përdoret gjatë sezonit të ujitjes.
  • Kur fosfori përdoret si acid fosforik, ai aplikohet në dy duar. Dora e parë e fosforit hidhet në fillim të vegjetacionit dhe e dyta në fund të vegjetacionit. Plehërimi i fundit me acid fosforik përdoret për të pastruar sprucatorët e ujitjes.
  • Kur përdoren plehra komplekse ato hidhen në afatet e plehërimit azotik.

Plehërimi organik: Plehërimi organik është shumë i rëndësishëm për shegën. Vitin e parë përdoren 5 - 10 kg për bimë. Sasia e plehut shtohet çdo vit dhe kur shega hyn në prodhim të plotë sasi e plehut organik për çdo rrënjë është 40 - 45 kg. Plehu organik hidhet gjatë muajve nëntor – dhjetor.

Ujitja: Shega është bimë rezistente ndaj thatësirës. Ujitjet e tepërta e dëmtojnë këtë bimë dhe 600 mm reshje në vit janë të mjaftueshme për rritje, zhvillim e prodhim normal. Në sezone të thatë e të shoqëruara me temperature të larta ujitja është e domosdoshme.

Krasitja: Konsiston kryesisht në prerjen e degëve të tepërta dhe në formimin e një kurore jo shumë të dendur.

  • Shega është bimë që rritet në formë shkurreje dhe që ka tendencë të formojë shumë fundakë, të cilët dalin nga pjesa nëntokësore apo mbitokësore e trungut.
  • Me metodën tradicionale të kultivimit, në formë shkurreje, shegës i lihen 3 – 4 trungje kryesorë dhe këtyre u jepet forma e hapur kupore që të depërtojë sa më shumë dritë.
  • Në formën kupore të zakonshme, degët skeletore nuk duhet të dalin nga sytha fqinjë, për të siguruar hapësira sa më të mëdha ndërmjet degëve, sepse shega kërkon shumë dritë.
Mbajtja e shegës në  formë shkurreje
Mbajtje e shegës me një  trung me 3-4 degë  skeletore

Krasitja e shegës konsiston në largimin e thithakëve, rrallimin brenda kurorës, largimi i degëve të thara, të thyera dhe ekuilibrimi i degëve skeletore me anë të shkurtimit të vazhdueshëm.

 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Mbrojtjen nga sëmundjet dhe dëmtuesit tek Shega.

Data e publikimit: 25/04/2023


Lini një koment


Komente të mëparshme
Nje nga problemet e cfaqura kete vit eshte edhe kalbezimi i qafes. Nje prej agjenteve patogen eshte Fitoftora e qafes , por dyshohet de nje parazit kepurdhor me demtim te ngjashem ,i cili po kthehet ne problematik ne Turqi dhe Itali eshte edhe Coniella Granati. Perdorimi i OPTIX R DISPERSS ka rezultuar i sukseseshem

-Aleksander Kolaci


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË QIQRËS

Cilat janë vlerat e qiqrës?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ROZMARINËS

Cilat janë sëmundjet, simptomat dhe masat e kontrollit?

Lexo më shumë

VARIETETET AUTOKTONE TË DOMATES

Jeni të interesuar të njheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre?

Lexo më shumë

ÇFARË ËSHTË KOMPOSTIMI DHE VLERAT E TIJ

Keni hasur në vështirësi për depozitimin e bimëve pasi është vjelur produkti në sera? Ju shqetëson prania e jashtëqitjeve të kafshëve të fermës të papërpunuara?

Lexo më shumë