Kamomili (Matricaria chamomilla) është një bimë barishtore njëvjeçare me një histori të pasur. Kamomili është përdorur si ilaç bimor për mijëra vjet, i njohur në Egjiptin e lashtë, Greqinë dhe Romën. Gjendet spontanisht thuajse kudo, në ngastra të pakultivuara, si bar i keq në parcela të kultivuara etj. Kamomili është i përhapur pothuajse në të gjithë Evropën, Azinë Qendrore, Amerikën Veriore dhe Jugore. Në vendin tonë kamomili rritet pothuaj kudo.
Bartësi i vetive shëruese të kamomilit është vaji i tij thelbësor dhe përbërësi kryesor është azuleni. Rrëshirat, substancat e hidhura, taninet dhe disa përbërës të tjerë që gjenden në lulen e kamomilit plotësojnë veprimin e vajit të tij esencial, për këtë arsye lulja ka një veprim kompleks.
Cilat janë disa nga vlerat e kamomimilit?
Ai ka veti shëruese për shumë sëmundje dhe përdorimi terapeutik i tij është shumë i lashtë (me shekuj). Ai është një ilaç që sugjerohet nga mjekësia popullore, por edhe mjekësia shkencore. Ai ka avantazhin e madh sepse nuk është helmues dhe nuk është aspak i dëmshëm dhe përdoret si mjet terapeutik edhe jashtë dhe brenda organizmit/trupit.
Gjithashtu, ai ka veti antinflamatore. Kamomili përdoret për trajtimin e djegieve të ndryshme, plagëve, ulcerave, për klizmë. Përdoret edhe për shpëlarjen e organeve gjenitale, syve, hundës, veshëve, gojës.
Në kozmetikë kamomili përdoret për larjen e kokës me çaj të fortë kamomili për të ndihmuar rrënjën e flokëve të sëmura. Përveç kësaj, flokët bëhen të butë dhe me shkëlqim.
Si qetësues, jepet përmes gojës në formën e çajit, veçanërisht për fëmijët e vegjël dhe foshnjat kundër dhimbjeve dhe ngërçeve të stomakut.
Cilat janë kërkesat e kamomilit ndaj faktorëve të mjedisit?
Kërkesat për temperaturën
Kamomili është një bimë me kërkesa të moderuara të temperaturës. Për nxitjen e mbirjes dhe mbirjen është e mjaftueshme një temperaturë prej rreth 6°C. Në fazat e hershme, derisa bimët janë të vogla, ngricat mund çojnë në ngrirje dhe të dëmtojnë bimën, por në fazën e formimit të rozetës mund të përballojë -30°C pa dëmtime të mëdha. Temperaturat optimale, për rritje e zhvillim normal, janë rreth 20°C. Në kohën e lulëzimit kërkon pak më shumë temperatura, deri në 30°C.
Kërkesa për dritën
Kamomili vlerësohet si bimë dritëdashëse dhe zakonisht e gjejmë në zona të diellzuara si në fushë ashtu dhe në kodër. Kërkesat për dritë janë edhe gjatë mbirjes por kërkesa për dritë është më e lartë në periudhën nga çelja e sythave në lulëzimin e plotë. Është konstatuar se nëse bima nuk ka në dispozicion sasinë e duhur të dritës, atëherë sasia e grumbulluar e principit aktiv (prokamazulen) do të jetë e vogël.
Kërkesat për ujë
Megjithëse kamomili toleron mirë thatësirën, pas mbjelljes sipërfaqja e tokës duhet të jetë vazhdimisht e lagur në mënyrë që të mbijë dhe mbirja të jetë me numër të mjaftueshëm të bimëve. Zakonisht, një lagështi e tillë në fazën e mbirjes sigurohet nga reshjet e shiut. Gjithashtu, kërkesat e larta për uji, sidomos gjatë rritjes së bimës dhe faza e lulëzimit sigurohen nga shiu i pranverës së hershme ku shpesh sasia e reshjeve korrespondon me nevojat e bimës për ujë.
Kërkesa për tokën
Kamomili mund të kultivohet në çdo tokë në përjashtim atyre ranore dhe tejet gëlqerore. Kjo e bën kamomilin një kulturë atraktive për kultivim sidomos në toka në të cilat nuk mund të kultivohen kultura me potencial të lartë prodhues.
Kultivimi i kamomilit në toka me pH 9 – 9.2 dhe ato acide do të rezultojë me prodhim dhe vaj eterik me cilësi të dobët. Kamomili vlerësohet si mjaft tolerant në tokat e kripura, d.m.th. shfrytëzon përmbajtjen e ujit të tokave të kripura ku bimët tjera nuk e kanë këtë mundësi.
Cilat janë kërkesat e kamomilit për parabimën?
Kamomili toleron monokulturën, domethënë, mund të rritet për dy deri në tre vjet rresht në të njëjtën tokë. Rekomandohet rritja e kamomilit për disa vite në të njëjtin vend sepse mbjellja në vite të caktuara është e pasigurt, kështu që sistemi i livadhimit (krijimit të livadhit) konsiderohet si mënyra më e favorshme e rritjes. Kamomili livadhohet duke lënë lulet e mbetura, të pa vjela, të piqen pas korrjes. Pas pjekjes, lulet nuk vilen, por sipërfaqja e tokës përshkohet një ose dy herë me një lesë (trinë) të rëndë. Trina shkund farën e mbetur, e shpërndan në fushë dhe e përzien me tokën. Kur të bëhet ky proces, nëse nuk ka shira (pra procesi nuk shoqërohet me reshje), toka duhet të ujitet një ose dy herë. Në këtë mënyrë, deri në vjeshtë, kamomili i ri do të mbijë në të njëjtën fushë. Në pranverën e vitit të ardhshëm ajo sjell lule të rregullta.
Kultivarët kryesorë të kamomilit
Kamomili i kultivuar i përket popullatave pak a shumë të seleksionuara, të cilët mund të jenë diploidë ose tetraploidë.
Kultivarët diploidë karakterizohen nga kaptina më të vogla dhe prodhimtari më të ulët në krahasim me tetraploidët, por janë më të qëndrueshëm ndaj manipulimeve gjatë operacioneve të vjeljes dhe pas vjeljes, duke përftuar në fund një përqindje më të madhe lulesh të plota të kategorisë së parë. Përsa i takon vajit eterik, popullatat e kultivuara në Evropën qendrore–veriore karakterizohen nga një përmbajtje e lartë e principit kamazulen, që mund të mungojë tek ato të kultivuara në Evropën jugore.
Në grupin e kultivarëve diploidë më të përhapur janë ‘Bona’, ‘Degumill’, ‘Mandirituba’, ‘Soroksari 40’, ‘VS1’.
Kultivarët tetraploidë diferencohen nga ata diploidë nga lulet më të mëdha e më të brishta, për përmbajtjen e lartë të kamazulenit ose të bizabololit në esencë ose për një përqindje të ekuilibruar të të dy përbërësve. Në gripin e tetraploideve vlerësohen si mjaft prodhues kultivarët Bodegold’, ‘Budakalasz 2’, ‘Lutea’, ‘Mabamille’, ‘Manzana’, ‘Margaritar’, ‘Promyk’, ‘Tonia’.
Cila është teknologjia e kultivimit të kamomilit?
Kamomili mund të mbillet në pranverë ose vjeshtë prandaj, mund të konsiderohet si kulture vjeshtore dhe pranverore.
Në kushtet tona rekomandohet mbjellja në vjeshtë dhe ajo të bëhet në mes të muajit shtatorit, në mënyrë që bimët të jenë përgatitur për dimërim.
Mbjellja pranverore mund të bëhet në fillim të muajit mars, por me teknika bujqësore intensive. Praktika ka dëshmuar se rënia e rendimentit në mbjelljen pranverore mund të jetë deri në 50% krahasuar me mbjelljen vjeshtore.
Përgatitja e tokës për mbjellje
Përgatitja e tokës është një masë agroteknike shumë e rëndësishme për prodhimin e suksesshëm të kamomilit. Toka duhet të përgatitet gjatë verës deri në fundt të shtatorit, para fillimit të vjeshtës. Plugimi nuk duhet të jetë më i thellë se 25 cm, dhe pas plugimit duhet të ndërhyhet menjëherë në përgatitjen e shtratit të mbjelljes në mënyrë që toka të mos thahet, pra të ruhet lagështia në tokë.
Kur kamomili kultivohet në toka të kripura, atëherë thellësia e plugimit nuk duhet të kalojë 10-15 cm, sepse nëse plugohet në një thellësi më të madhe, kripa e natriumit e shpërlarë mund të kthehet në shtresat e sipërme të tokës, kështu që toka mund të bëhet edhe më e kripur.
Para mbjelljes bëhet përgatitja e shtratit të mbjelljes/shtratit të farës. Sipërfaqja duhet të përgatitet dhe shkrifërohet/imtësohet shumë mirë sepse fara e kamomilit është shumë e imët. Pas shkrifërimit të sipërfaqes së tokës duhet bërë rulimi me rule shumëpjesësh. Në varësi të llojit të tokës dhe strukturës së shtresës sipërfaqësore, rulimi duhet të bëhet në dy deri në tre kalime derisa të merret një sipërfaqe e sheshtë dhe e ngjeshur mirë.
Mbjellja e kamomilit
Cila është periudha më e përshtatshme e mbjelljes së kamomilit?
Në kushtet tona klimatike, periudha optimale e mbjelljes është fundi i muajit Gusht – fillimi i muajit Shtator, ndërsa në klimë të nxehtë mund të vonohet deri në Tetor – Nëntor.
Kamomili prodhon lule edhe kur ai mbillet në pranverë, prandaj, ekziston mundësia që kamomili të mbjellet edhe në pranverë, por mbjellja pranverore nuk është e garantuar. Për më tepër, në këtë rast priten të merren rendimente shumë të ulëta, sepse numri i luleve do të jetë më i vogël në krahasim me mbjelljet e vjeshtës.
Norma e farës së përdorur është 1 deri 3 kg/ha farë. Për shkak të përmasave shumë të voga të farës (pesha e 1000 farave është 0.08 – 0.1 g) ajo përpara mbjelljes përzihet me substanca inerte.
Mbjellja duhet të bëhet me “miell kamomili” në sasi që korrespondojnë në 3 – 4.5 kg/ha farë e pastër (cilësi standarde). “Mielli i kamomilit” përbëhet nga 20 – 25% farë dhe 60 – 75% disk lulor të tharë mirë që të mundësojë mbjelljen uniforme. Farat e kamomilit e humbasin fuqinë e tyre mbirëse pas 2 – 3 vjetësh, prandaj mund të përdoret edhe farë 2 – 3 vjeçare. Fara mbin në prani të dritës prandaj ajo shpërndahet në sipërfaqe të tokës, në rreshta 15 – 35 cm larg njëri–tjetrit.
Kujdes!
Fara duhet të shpërndahet në sipërfaqe. Pra, fara nuk futet në tokë, nuk mbulohet. Për këtë arsye makina mbjellëse duhet të mbahet në pozicion të ngritur.
Pas mbjelljes, duhet të kryhet një rulim dhe më pas një ujitje për të favorizuar mbirjen e farës. Ruli parandalon largimin nga era të farave të vogla sepse e ngjesh atë pas tokës.
Mbirja e kamomilit është relativisht e shpejtë (për 6 – 8 ditë). Nëse mbjellja bëhet në afatet optimale bimët e mbira do të jenë me rezistente ndaj dimrave të ftoftë dhe të thatë dhe humbjet e numrit të bimëve do të jenë të vogla në krahasim me mbjelljet e vona. Rritja fillestare është e ngadaltë, bimët më vonë dendësohen dhe rozetat e vogla formohen në gjysmën e parë të periudhës së vegjetacionit. Bima fillon të zhvillohet herët në pranverë. Ajo zhvillon shumë degëzime dhe më pas shfaqen lulet.
Plehërimi i kamomilit
Sasia e plehrave duhet llogaritur gjithmonë duke bërë bilancin e pleherimit i cilli llogaritet nisur nga nevojat/kërkesat e bimës dhe pjelloria e tokës pra sa nga këto nevoja të bimës plotësohen nga toka.
Duke u nisur nga fakti që për të prodhuar 1 t lulesa, kamomili thith nga toka 53 kg N, 85 kg K2O dhe 21 kg P2O5 , sasia e plehrave që duhet përdorur llogaritet për zëvendësimin e sasive të elementeve ushqyesve që largohen çdo vit nga parcela.
Pra, sa i përket kërkesave për lëndë ushqyese, kamomili është një bimë e thjeshtë që mund të rritet në tokë me përmbajtje mesatar të lëndëve ushqyese. Plehërimit me Azot (N) i përgjigjet me një rritje vegjetative të tepërt, gjë që mund të çojë në probleme me teknikën e vjeljes dhe mund të vonohet koha e vjeljes, prandaj nuk duhet tepruar me dozat e azotit.
Për një zhvillim të mirë të kërcellit, nevojitet kalium i përvetësueshëm (K). Raporti optimal i kaliumit me fosforin (P) duhet të jetë 1:2.
Për një prodhim të mirë e cilësorë raporti optimal i sasisë së plehrave që përdoret duhet të jetë:
40–60 kg/ha N
50–70 kg/ha P
100–140 kg/ha K
Cilat janë disa nga shërbimet dhe përkujdesjet pas mbjelljes tek kamomili?
Ujitja
Ujitja vlerësohet si masë agroteknike jo ekonomike tek kamomili, kjo e bazuar në të ardhurat që realizohen nga kjo kulturë. Kultivimi i kamomilit në kushtet tona klimatike në të shumtën e rasteve e sidomos rritja intensive e bimës në pranverë korrespondon me sasi të mjaftueshme të reshjeve të shiut.
Ujitja rekomandohet për mbirje vetëm në vite të veçanta ku lagështia e tokës është e pa mjaftueshme për të realizuar mbirjen.
Herrja ose heqja e barërave të këqija
Faza e mbirjes së kamomilit vlerësohet si shumë e ndjeshme sa i përket konkurrencës për ujë, dritë dhe ajrosje. Prandaj, sipërfaqja e mbjellë duhet të jetë e pastër nga barërat e këqija. Kur bëhet fjalë për prodhim organik ndalohet lufta kimike e barërave të këqija, prandaj plugimi i thellë dhe punimet plotësuese të tokës llogariten të jenë si masa preventive për luftimin e barërave të këqija. Harrja e barërave të këqija me dorë kërkon angazhim të fuqisë puntore dhe kjo do të rrisë kostën e prodhimit, prandaj rekomandohet që të përdoren mjete mekanike të përshtatura për kryerjen e këtij procesi.
Për shkak të konkurrencës së kamomilit me barërat e këqija, mjafton një harrje midis rreshtave vonë në vjeshtë dhe nëse nevojitet një tjetër në pranverë.
Mbrojtja nga sëmundjet dhe dëmtuesit
Sëmundjet dhe dëmtuesit që prekin bimën e kamomilit deri tani janë të pakta. Nga sëmundjet mund të veçojmë një lloj të caktuar të hirit Pernospora leptosperma i cili është regjistruar edhe në anëtarët e tjerë të familjes Compositae. Kjo sëmundje, deri tani, nuk është vërejtur në një shkallë të gjerë kështu që kontrolli i saj nuk është problem. Infeksioni ndodh para mbarimit të vegjetacionit dmth kur imuniteti i bimës ka rënë. Shenjat e sëmundjes janë shfaqja e një myku të bardhë në vjollcë dmth kur imuniteti i bimës ka rënë.
Sëmundje tjera janë Alternaria spp. që prek gjethet dhe Fusarium spp. që prek sistemin rrënjor.
Sa i përket dëmtuesve të kamomilit janë sinjalizuar disa lepidopterë si Cucullia chamomillae dhe C. artemisiae. Dëmin e shkaktojnë larvat e këtyre dëmtuesve të cilat dëmtojnë kaptinat lulore. Kundër këtyre larvave mund të përdoret me efikasitet biopesticidi Bacillus thuringensis (BT).
Midis morrave mund të veçojmë Aphis fabae, Brachycaudus helichrysi dhe B. cardui të cilët shkaktojnë dëmtime të gjetheve dhe rritjeve të reja. Kundër këtyre morrave mund të përdoren bioinsekticide si Pyrethrin dhe Rotenon, acide yndyrore ose përzierje insekticidesh të sistemit.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja e kamomilit.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Farat përmbajnë vaj esencial 0,5 – 1,6 % i cili përdoret në industrinë ushqimore dhe farmaceutike. Është përdorur si ilaç bimor për më shumë se 2000 vjet.
Lexo më shumëAronia është një superfrut i shëndetshëm, që ofron sasi jashtëzakonisht të lartë të vitaminave, mineraleve, antioksidantëve dhe fitonutricientëve të tjerë.
Lexo më shumëKorrja e aronias zakonisht bëhet në gjysmën e dytë të gushtit. Data e saktë e korrjes varet nga varieteti, kushtet e motit të vitit dhe mund të ndryshojë me dy javë.
Lexo më shumëAguliçja (latinisht Primula officinalis) është bimë barishtore shumëvjeçare që rritet e lartë 10 - 30 cm. Aguliçja është ndër lulet e para që lulëzon para ardhjes së pranverës. Emri vjen nga fjala latine “primus”, që do të thotë “i parë”. Lulëzon në periudhën prill-maj.
Lexo më shumë