Bimët zbukuruese preken nga një gamë e gjërë sëmundjesh të cilat ndikojnë jo vetëm në aktivitetin jetësor të tyre por dhe në prishjen e bukurisë së tyre. Mbrojtja nga sëmundjet është e një rëndësie të veçantë për faktin se ato janë në ambjente publike, ku kërkohet një kujdes i shtuar për përdorimin e PMB-ve.
Cilat janë sëmundjet kryesore që prekin trëndafilin dhe menaxhimi i tyre?
Hiri i trëndafilit
Shkaktari: Podosphaera pannosa
Është ndër sëmundjet më të rrezikshme të trëndafilit si në sera ashtu dhe në fushë të hapur, si në klimë të thatë ashtu dhe të lagët.
Simptomat
Simptomat shfaqen në gjithë pjesët ajrore të bimës, të cilat mbulohen me një shtresë të bardhë hiri që është miceli i kërpudhës.
Gjethet e reja të prekura rëndë mund të bijnë para kohe, ndërkohë që në pjesët e nekrotizuara mund të gjenden trupat frutore të patogjenit (Kleistotecet).
Patogjeni prek edhe degët e filizat e rinj duke çuar në dobësimin e tyre.
Prekjet e sythave çojnë në deformim të filizave të rinj apo dështim të lidhjes së luleve.
Gonxhet e luleve preken si para dhe pas çeljes së tyre.
Favorizohet nga lagështia e lartë ajrore.
Menaxhimi
Kontrolli i ujitjeve, kontrolli i lagështisë ajrore nëse është e mundur.
Prerja dhe eleminimi i pjesëve të infektuara dhe të mbeturinave bimore.
Fungicidet që përdoret, Kresoxim-methyl, azoxystrobin, pyrimethanil, pyraclostrobin, etj.
Vrugu i trëndafilit
Shkaktari:Peronospora sparsa
Simptomat
Shkakton njolla të parregullta në gjethe, pak a shumë të mëdha, në ngjyrë fillimisht gështenjë në vjollcë më pas e errët me konsistencë të thatë në qendër.
Patogjeni mund të prekë të gjithë organet ajrore të bimës.
Patogjeni dimëron në mbeturina bimore.
Menaxhimi
Eliminimi i organeve të prekura;
Mbajtja e serës në parametra optimal të temperaturës dhe lagështisë;
Përdorimi i kultivarëve rezistent.
Trajtime me fungicide: Fungicide me bazë bakri, metalaxyl, metalaxyl+folpet, metalaxyl+oxidclorur bakri, etj.
Kalbëzimi gri i trëndafilit
Shkaktari: Botrytis cinerea
Simptomat
Sëmundja shfaqet në të gjithë organet ajrore dhe në çdo stad zhvillimi.
Boçet e luleve, mbeten të mbyllura dhe mbulohen nga një shtresë myku me ngjyrë gri deri në tharje.
Prekja në gjethe është e rrallë dhe vihet re zakonisht në periudha me shumë lagështi dhe reshje.
Pjesa e faqes së gjethes së prekur, lokalizuar në anë, merr një ngjyrë klorotike që nekrotizohen e më pas nxihet.
Menaxhimi.
Në kultivimet në sera masat që merren janë:
Evitimi i ujitjeve të shpeshta dhe të zgjatura,
Evitimi i disekuilibrave ushqimore,
Evitimi i mbjelljeve të dendura,
Ajrimi i kujdesshëm i serës për të mos patur nivel të lartë të lagështisë relative.
Në kultivimin e trëndafilit në ambiente të hapura nuk rekomandohen ndërhyrje sa kohë që kushtet e mjedisit nuk favorizojnë sëmundjen.
Në rastet e nevojshme kur duhet të ndërhyhet mund të përdoret Boscalid+ kresoxim- methyl, Boscalid+ pyrclostrobin, captan, etj.
Njollosja e zezë e trëndafilit
Shkaktari: Diplocarpon rosa
Simptomat
Shenjat e kësaj sëmundje shfaqen zakonisht gjatë muajve të verës dhe vjeshtës; mbi gjethe në formë njollash lehtësisht të rrumbullakta, fillimisht të izoluara, që më pas bashkohen.
Ato kanë një ngjyrë që varion nga kafe e zezë në violetë.
Mbi sipërfaqen e këtyre njollave mund të shihen veç të tjerave kordone të errët pak të ngritur që zgjaten nga qendra në periferi.
Zona e prekur fillon të duket fillimisht mbi faqen e sipërme dhe në fazë më të avancuar edhe në faqen e poshtme.
Në rastet e prekjeve të rënda bimët mund të pësojnë defolim gjethesh para kohe duke çuar në një dobësim të bimës në përgjithësi.
Menaxhimi
Mbledhja dhe shkatërrimi në vjeshtë i gjetheve të prekura për të ulur inokulin.
Në ambjente të mbrojtura evitohet lagështia e lartë relative për një kohë të gjatë.
Në varietetet më të ndjeshme është e nevojshme ndërhyrja kimike pas shfaqjes së njollave me fungicide si ato me bazë bakri, dithianon,dodina, Boscalid+ pyraclostrobin etj.
Trajtimet përsëriten çdo 7-10 ditë deri sa kushtet bëhen të pafavorshme për zhvillimin e sëmundjes.
Ndryshku i trëndafilit
Shkaktari: Phragmidium mucronatum
Simptomat dhe biologjia
Zhvillon të gjithë ciklin në trëndafil.
Në pranvere mbi indet e njomë, filizat e rinj apo gjethet e reja zhvillohen pustula të vogla të parregullta me ngjyrë portokalli (ecidet) që mund të deformojnë organet e prekura.
Ecidosporet përhapen nga era dhe mbijnë përmes gojzave.
Në fund të verës, fillim të vjeshtës formohen pustula të vogla në ngjyrë të errët, teleutosporet.
Teleutosporet janë forma dimëruese që mbijnë në pranverën e ardhshme duke formuar bazidiospore që infektojnë sythat duke nisur një cikël të ri.
Dimëron edhe me micel në lekurën e degëve të prekura.
Shumica e kultivarëve të trëndafilit janë të ndjeshëm ndaj ndryshkut.
Menaxhimi
Prerja, heqja dhe eliminimi i organeve të prekura;
Përdorimi i fungicideve si, imazalil, Tebucunazole, azoxystrobin, propiconazole, etj.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë Cilat janë sëmundjet kryesore që prekin karafilat?