Qershia është e përhapur kudo në vendin tonë, por përhapjen më të madhe e ka gjetur në zonën e Peshkopisë, Përmetit, Korçës, Elbasanit, etj.
Kjo përhapje i dedikohet faktit se frutat e kësaj peme janë shumë të shijshme gjatë konsumimit dhe prodhimi i tyre fillon nga muaji maj (fruti i parë i vitit) dhe vazhdon deri në fund të qershorit (sipas varieteteve dhe zonave).
Frutat janë të pasura me karbohidrate (lëndë sheqerore), acide organike, lëndë azotike, lëndë minerale, lëndë aromatike, vitamina si dhe shumë kripëra minerale.
Frutat gjejnë një përdorim të gjerë edhe në industrinë përpunuese, si reçelra, marinada, liko, lëngje, prevede etj.
KËRKESAT PËR KLIMËN DHE TOKËN
Kërkesat për temperaturën Qershia i përshtatet mirë klimës mesdhetare. Ajo mund të kultivohet deri në lartësinë mbi 1000 m. Bima vuan shumë nëse kultivohet në toka të thata. Nëse nënshartesa është Mezhdralla, atëherë qëndrueshmëria ndaj thatësirës rritet shumë. Kur temperaturat rriten në mbi 35 gradë, qershia vuan shumë.
Në fazën e qetësisë dimërore duron temperaturat deri në - 24°C;
Sythet e fryra mund të dëmtohen nën - 5°C;
Gonxhet e zbërthyera dëmtohen në - 4°C;
Në fillimin e hapjes së petaleve ato dëmtohen ne - 3°C;
Lulet dhe frutat e sapo lidhura dëmtohen në - 2°C;
Kërkesat për tokën Qershia është bimë shumë e ndjeshme ndaj lagështirës së lartë të ajrit dhe tokës. Në përgjithësi, qershia, nuk pëlqen toka të ngjeshura, argjilore të rënda, me shumë gëlqere dhe të papërshkueshme nga uji. Kjo bimë e jep rendimentin maksimal vetëm në toka të thella, të ajrosura dhe të kulluara mirë. Për shmangien e ujit të tepërt në tokë është mirë që toka të drenazhohet. Qershia shkon mirë në toka me përbërje mekanike të mesme me përmbajtje të fraksioneve të lymit (toka argjila ranore). Qershia e duron përmbajtjen e kalciumit në tokë 7-10 %, por kjo vlerë luhatet në varësi të nënshartesave. Gjithashtu pëlqen toka me pH 6,5 - 7.
Fazat kryesore të zhvillimit Tek qershia dallohen qartë 9 faza zhvillimi të bimës (faza fenologjike):
Periudha e qetësisë dimërore;
Faza e fryrjes së sythave;
Faza e skuqjes së sythave;
Lulëzimi;
Rënia e petaleve;
Lidhja e frutave;
Fillimi i rritjes së frutave;
Faza e fillimit te pjekjes së frutave;
Pjekja e plotë.
Secila nga fazat ka dallimet e veta dhe për secilën nga këto kërkohen nivele te ndryshme kushtesh klimaterike-tokësore, si dhe specifika në nivelin e kryerjes sasiore dhe cilësore të shërbimeve agroteknike.
Varietetet kryesore të qershisë që kultivohen në vendin tonë Në botë ekzistojnë rreth 2000 lloje kultivarësh/varietetesh. Përveç origjinës të qershia janë bërë klasifikime edhe për:
për fortësinë e tulit,
për kohën e pjekjes,
për ngjyrën e frutit, etj.
Për nga fortësia e tulit, qershia ndahen ne 3 grupe:
Varietete me tul të butë, në këtë grup bëjnë kultivarët e vendit si Beliza e Zezë, Belica e Kuqe, Dolmasi, dhe nga të huajat është E hershmja e tregut.
Varietete me tul të fortë, në këtë grup bëjnë kultivarët e vendit si Çualle e Zezë, Çualle e Kuqe, Krapje e Zezë, etj. dhe nga te huajat është Napoleon.
Varietete me tul te ujshëm, etj.
Për nga hershmëria e pjekjes, qershia ndahen ne 3 grupe:
Varietete me pjekje të hershme, pjekja e frutave bëhet në gjysmën e dytë të Majit dhe në këtë grup bëjnë pjesë si; E hershmja e tregut, E hershmja e Majit, Bigaro, Moro, etj.
Varietete me pjekje të mesme, pjekja e frutave bëhet në gjysmën e parë të Qershorit dhe në këtë grup bëjnë pjesë si; Dureno nero, Vignjolo, etj.
Varietete me pjekje të vonë, pjekja e frutave bëhet në gjysmën e dytë të Qershorit dhe në këtë grup bëjnë pjesë si; E bukura e Pistonjës, Turka, Bigareum Napoleon, etj.
Përshkrimi i kultivarëve kryesorë të qershisë
E hershmja e tregut (Precose del marcato)
Origjina: Itali
Pema: ka rritje mesatare të fuqishme, hyn shpejt në prodhim dhe është prodhimtare.
Fruti: i vogël, sferik i shtypur, me ngjyrë të kuqe dhe tul të kuq e të lëngshëm.
Koha e pjekjes: 10 ditëshi i parë i Majit.
Përdorimi: për konsum të freskët dhe përpunim.
Pjalmues të këtij kultivari janë: Napoleon, Polumina, Lustrina, Bondi etj.
Karakteristika të tjera: preket nga ngricat e hershme të pranverës.
E hershmja e Majit (Precoce di Magio)
Origjina: Itali
Pema: mesatarisht të fuqishme dhe me prodhim mesatar.
Fruti: i vogël, në formë zemre, me ngjyrë të kuqe dhe tul të kuq e të lëngshëm.
Koha e pjekjes: 15 Maji.
Përdorimi: për konsum të freskët dhe prodhim lëngjesh.
Pjalmues të këtij kultivari janë: Napoleon, Polumina, lustrina, Bondi etj.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për hershmërinë e pjekjes por frutat nuk i rezistojnë shumë transportit dhe ruajtjes.
Bigarreau H. Burlat
Pema: mesatarisht e zhvilluar dhe me prodhim të rregullt.
Fruti: i madh, me ngjyrë të kuqe të zëzë dhe tul të kuq e të lëngshëm.
Koha e pjekjes: 15 Maji.
Përdorimi: për konsum të freskët dhe përpunim
Pjalmues të këtij kultivari janë: Marmotte, Van, Lambert etj.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për hershmërinë e pjekjes dhe frutat që i rezistojnë shumë transportit dhe ruajtjes.
Bigarreau Morreau (Librazhdi)
Pema: mesatarisht e fuqishme dhe me prodhim mesatar.
Fruti: i madh, në formë zemre, me ngjyrë të kuqe deri në të zezë dhe tul të kuq e të fortë e të lëngshëm që nuk shqitet nga bërthama.
Koha e pjekjes: 15 Maji.
Përdorimi: për konsum të freskët.
Veçori biologjike: pjalmues të këtij kultivari janë: Van, B.S.hardy Giant, Marmotte.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për hershmërinë e pjekjes dhe frutat që i rezistojnë transportit dhe ruajtjes.
Durone Nero
Origjina: Italia.
Pema: truplartë me lulëzim të vonë dhe me prodhim mesatar.
Fruti: i madh, i rrumbullakët, me ngjyrë të kuqe të errët dhe tul të kuq, të fortë e të lëngshëm.
Koha e pjekjes: fundi i majit.
Përdorimi: për konsum të freskët dhe prodhim lëngjesh.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për cilësi të frutave dhe i rezistojnë transportit dhe ruajtjes.
Veçori biologjike: pjalmues të këtij kultivari janë: Moreau, Durone Nero.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për fruta me cilësi dhe prodhim të lartë.
Schattenmorelle
Origjina: Gjermania.
Pema: me zhvillim mesatar, me lulëzim të vonë dhe prodhim të lartë.
Fruti: mesatar, në formë zemre, me ngjyrë të kuqe të zezë dhe tul të kuq, të lëngshëm e të athët.
Koha e pjekjes: fillimi i qershorit.
Përdorimi: prodhim marmalate dhe lëngjesh.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për cilësi të frutave.
Stella
Origjina: Kanada (hibrid Lambert x John).
Pema: truplartë me prodhim të mirë.
Fruti: i madh, në formë zemre, me ngjyrë të kuqe të errët dhe tul të kuq të fortë.
Koha e pjekjes: 10 ditshi i parë i qershorit.
Përdorimi: për konsum të freskët dhe prodhim lëngjesh.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për cilësi të frutave.
Është kultivar autofertil (nuk ka nevojë për pjalmues).
Summit
Origjina: Kanada (hibrid Van x Sam).
Pema: e fuqishme, me lulëzim të rregullt dhe prodhim të lartë.
Fruti: shumë i madh (14gr), me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe tul të kuq të fortë e të lëngshëm.
Koha e pjekjes: fillimi i qershorit.
Përdorimi: për konsum të freskët dhe prodhim lëngjesh.
Sunburst
Origjina: Kanada (hibrid Van x Stella)
Pema: mesatarisht e zhvilluar, me lulëzim të vonë dhe prodhimtari të lartë.
Fruti: shumë i madh (13gr), i rrumbullakët, me ngjyrë të kuqe të errët dhe tul të kuq e të fortë.
Koha e pjekjes: fillimi i qershorit.
Përdorimi: për konsum të freskët dhe përpunim industrial.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për cilësi të frutave.
Veçori biologjike: është kultivar autofertil.
Vittoria
Origjina: Verona, Itali.
Pema: e zhvilluar me prodhim të lartë.
Fruti: mesatarisht i madh, i rrumbullakët, me ngjyrë të kuqe të errët dhe tul të kuq e të fortë.
Koha e pjekjes: 10 ditshi i dytë i qershorit
Përdorimi: për konsum të freskët dhe përpunim industrial.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për cilësi të frutave dhe mund të vilet i mekanizuar.
Është kultivar autosteril dhe pjalmohet me kultivar Burlat.
Van
Origjina: Kanada.
Pema: e zhvilluar dhe prodhimtari të lartë.
Fruti: i madh, oval, me ngjyrë të kuqe dhe tul të kuq, të fortë dhe të ëmbël.
Koha e pjekjes: fillimi i qershorit.
Përdorimi: për konsum të freskët dhe përpunim industrial.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për cilësi të frutave.
Pjalmohet me kultivarët: Bing, B.S.H Giant dhe Napoleon.
Hedelfingen (Odria)
Pema: e zhvilluar dhe prodhimtari të lartë.
Fruti: i madh, në formë zemre, me ngjyrë të kuqe dhe tul të kuq, të fortë, të ëmbël lehtësisht të athët dhe shumë i shijshëm.
Koha e pjekjes: pas 10 Qershorit.
Përdorimi: për konsum të freskët dhe përpunim industrial.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për cilësi të frutave dhe qëndrueshmëri në transport-ruajtje.
Pjalmohet me kultivarët Burlat dhe Napoleon.
Napoleon (Dibra)
Pema: mesatarisht e zhvilluar dhe prodhimtari të lartë.
Fruti: i madh, në formë zemre me majë të rrumbullakët, me ngjyrë trëndafili me nuancë të kuqe. Tuli është i verdhë i hapur, i fortë, të ëmbël lehtësisht të athët dhe shumë i shijshëm.
Koha e pjekjes: pas 15 Qershorit.
Përdorimi: për konsum të freskët dhe përpunim industrial.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për cilësi të frutave dhe qëndrueshmëri në transport-ruajtje.
Pjalmohet me kultivarët Bella di Barbandi dhe Van.
Belice e zezë
Pema: e zhvilluar dhe prodhimtari të lartë.
Fruti: i madh, në formë zemre me majë të rrumbullakët, me ngjyrë të zezë. Tuli është i ëmbël, i lëngshëm dhe shumë i shijshëm.
Koha e pjekjes: 10 Qershori.
Përdorimi: për konsum të freskët dhe përpunim industrial.
Karakteristika të tjera: vlerësohet për cilësi të frutave.
Dollmas
Origjina: kultivar autentik Elbasanas.
Pema: mesatarisht e zhvilluar dhe prodhimtari të lartë.
Fruti: i madh, me ngjyrë të kuqe me nuanca të verdha. Tuli është i fortë, i ëmbël, i lëngshëm dhe shumë i shijshëm.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Distancat e mbjelljes tek qershia