TEKNOLOGJIA E NGRITJES SË PEMTORES SË PJESHKËS




Ngritja e pemëtoreve të reja është një investim me vlera të mëdha dhe gabimi më i vogël në fillim është me kosto të lartë dhe i pa korrigjueshëm më vonë. Si në gjithë pemëtoret puna fillon me sistemimin sipërfaqësor dhe disiplinimin e ujërave. Sipas pjerrësisë e relievit të tokës masat që merren për sistemin sipërfaqësorë janë:

  • Në toka fushore, thjeshtë bëni nivelimin sipërfaqësor dhe mbjellja mund të bëhet në vllaja (ngritjen e dheut);
  • Në toka me pjerrësi 10 – 25% bëni sistemin e tokës me tarraca me ulje graduale;
  • Në toka me pjerrësi 25  – 55% bëni tarracimin e tokës, prita me mure guri të thatë, ndërtoni mezhda dheu, gardhe druri. Këto do të mbrojnë tokën nga erozioni.

Disiplinimi i ujërave: Pema e pjeshkës është shumë e ndjeshme ndaj tepricës së lagështirës në tokë. Prandaj merrni masa për disiplinimin dhe sistemimin e ujërave sipërfaqësore e ato nëntokësore. Kontrolloni e sistemoni rrjetin e kanaleve kullues për të larguar ujërat e tepërta të reshjeve dhe uljen e nivelit të ujërave nëntokësore në thellësinë më poshtë se 1.5 m.

Punimi i tokës dhe plehërimi bazë tek pjeshka
Punimi qilizmë bëhet në thellësinë 70-120 cm. Koha më e mirë e punimit qilizmë të tokës është stina e verës (muajt korrik e gusht). Kur planifikoni të mbillni një pemëtore me nënshartesa vegjetative nuk këshillohet të bëhen punime të thella (sepse ato nuk zhvillojnë sistem rrënjor  më shumë se 50 cm thellësi).
Plehërimi bazë: Në plehërim rekomandohen të hidhen: 500 - 600 kv/ha pleh organik, 40 - 60 kg/ha lëndë aktive P2O5, dhe 80 - 150 kg/ha lëndë aktive K2O kryesisht në formën e sulfatit te potasit. Përdor sulfatin e hekurit në tokat gëlqerore që janë të varfra në hekur. 

Distancat e mbjelljes tek pjeshka
Varen kryesisht nga forma e mbajtjes së kurorës, pjelloria, relievi i tokës  dhe mundësia e ujitjes. 

Format e kultivimitDistancat e mbjelljes (m)Numri i bimëve/ha
Distanca midis rreshtaveDistanca midis bimëve
Forma kupore5,53,5519
Palmetë/Kordon4,53,5635
Piramidale me kate4,54,5488

Cilësia e fidanit, përgatitja e tij  për mbjellje dhe mbjellja.
Cilësia e fidanit: Mundësisht siguroni fidan të cilësisë së parë. Ai duhet të plotësoi këto kritere:

  • Fidani të jetë me nënshartesë vegjetative të njohur
  • Lartësia e fidanit të jetë mbi 120 cm
  • Trashësia, 5 cm mbi pikën e shartimit, të jetë 18 mm
  • Sistemi rrënjor të jetë xhufkor dhe me zhvillim të mirë
  • Gjatësia e copës së nënshartesës të jetë 30-40 cm i gjatë
  • Fidani të jetë i drejtë dhe kurorë të pa formuar
  • Fidani të jetë i pa prerë (pincuar) në majë
  • Të jetë i pajisur me certifikatën fito sanitare

Në etiketë vendosen: lloji, kultivari, nënshartesa, kategoria, sasia e fidanëve në tufë, emri i prodhuesit, standardi, etj.

Përgatitja e fidanit për mbjellje dhe mbjellja: Sistemi rrënjor shkurtohet deri në 25 cm gjatësi. Fidanët futen në ujë të rrjedhshëm, një ditë para mbjelljes, për 15-20 orë me qëllim që ato të marrin sasinë e ujit që kanë humbur gjatë kohës së ruajtjes/shtratifikimit, apo transportit të tyre. Trupi dhe rrënjët e fidanit, para mbjelljes, është mirë të dezinfektohen me lëng bordolez 1%.
Pika e shartimit vendoset rreth 15 cm mbi sipërfaqen e tokës. Ngjisheni fidanin me tokën që të krijohet një kontakt sa më i mirë i rrënjës me dheun për të siguruar një zënie sa më të lartë. Vendosni një mbështetëse/hu për të mbajtur sa më drejtë pemën. Vendoseni fidanin në thellësinë që ka qenë në fidanishte dhe pikat e shartimit të fidanëve të jenë në një lartësi (siguron uniformitetin e pemëtores tuaj). Koha më e përshtatshme për mbjellje janë muajt nëntor- dhjetor kur bima është në qetësinë dimërore.

Kujdes! Në rastet kur përdoren plehra organike e kimike gjatë mbjelljes sigurohu që sistemi rrënjor të mos kontaktojë direkt me plehrat sepse kontakti i tyre me rrënjën rrezikon tharjen e fidanit.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Format e kultivimit tek pjeshka

Data e publikimit: 17/07/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VARIETETET AUTOKTONE TË SPECIT

Keni interes të njiheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre? Kërkoni të njiheni me vlerat dhe rëndësinë e tyre për tregun rajonal?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË QIQRËS

Cilat janë vlerat e qiqrës?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ROZMARINËS

Cilat janë sëmundjet, simptomat dhe masat e kontrollit?

Lexo më shumë

VARIETETET AUTOKTONE TË DOMATES

Jeni të interesuar të njheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre?

Lexo më shumë