Menaxhimi i integruar i kromës së mollës (Venturia inaequalis).




Kroma është sëmundje shumë e përhapur në të gjitha vendet ku kultivohet molla. Intensiteti i sëmundjes varet nga kushtet atmosferike që mbizotërojnë gjatë vegjetacionit. 

Sëmundje e rrezikshme në vende me pranvera dhe vera të freskëta dhe me lagështi. 

Në vende me klimë të nxehtë dhe të thatë shfaqet më lehtë.

Cilat janë shenjat dalluese (simptomat) të kromës së mollës? 

Patogjeni ndikon në cilësinë dhe madhësinë e frutave, krahas kësaj edhe në kohëzgjatjen e ruajtjes së tyre, dhe dëmi mund të arrijë deri në 70%. 

Infektimi zvogëlon sipërfaqen asimiluese, shkakton rënien e gjetheve dhe të frutave e njëherësh pengohet formimi i sythave frutorë për vitin e ardhshëm. 

Sëmundja shfaqet në gjethe, në lule, në fruta dhe në lastarët e mollës. 

Në anën e poshtëme të gjethes, formohen njolla, të rrumbullakta, në fillim me ngjyrë gri e më vonë me ngjyrë ulliri, me madhësi 2-6 mm. Njollat në fazat e mëvonshme zhduken, por indi i infektuar mbetet i fryrë dhe ka ngjyrë të errët. Gjethet e infektuara rëndë bien në tokë. Më vonë njollat shfaqen në faqen e sipërme të gjethes. Gjatë rritjes intensive gjethet deformohen, bllokohet rritja dhe më në fund, bien në tokë. Kërpudha vendoset menjëherë nën shtresën e kutikulës dhe nuk futet thellë në indin e gjethes.

Infektimi i luleve fillon që nga momenti i daljes së tyre nga sythat, me shenjat në petale dhe në bishtin e lules në formë të njollave shumë të imëta, që gati nuk duken.

Nga veprimi i patogjenit lulet vyshken, thahen dhe bien në tokë. Në disa raste, kur pema formon numër të madh lulesh, kërpudha është e dobishme, sepse ndihmon rrallimin e luleve.

Frutat preken në të gjitha stadet e zhvillimit. Infeksionet e para shfaqen në frutat e porsaformuara si njolla me ngjyrë të errët, ku shkaktohet vyshkja e indit të dëmtuar dhe rënia e tyre. Në fazën e mëvonshme shfaqen simptoma në formë të njollave gati të rrumbullakëta, (e ngjashme me ato të gjetheve, por janë pak më të mëdha 5-12 mm) në fillim me një shtresë kadifeje, me ngjyrë të gjelbërt ulliri, më vonë ngjyra ndryshon në më të errët dhe formohen njolla apo plagë të kromës. Nën njolla, shfaqet një shtresë e tapës si reagim aktiv mbrojtës që pengon rritjen dhe përhapjen e patogjenit në pjesët e brendshme të frutit.  Indi i prekur nuk rritet, por pjesa e shëndoshë vazhdon rritjen normale. Pikërisht për këtë fruti deformohet apo shfaqen çarje ku mund të depërtojnë kërpudhat e tjera shkaktare të kalbëzimit. 

Kroma rrallë herë infekton lastarët e mollës ku shkaktohen njolla të kromës me plasaritje të vogla në lëvore, që janë vend strehim për dimërimin e micelit të patogjenit.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Ecuria biologjike e sëmundjes?

Data e publikimit: 03/10/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: