Udhëtojmë drejt fshatit Mashan në Gramsh. Takohemi me Z. Tafil Lumshi, fermerin shembullor të zonës. "Bashkëpunimin me FED invest e kam nisur shumë herët, qysh në 1996. Kam qenë një nga të parët kredimarrës në zonë, madje edhe kam vepruar si Kryetar Bordi në SHKK-të e para", tregon Z. Tafil plot emocion.
![]() | Me profesion mjek veteriner, Z. Tafil është njohës shumë i mirë i zonës. Me shumë pasion tregon për zhvillimin e bujqësisë në dy kohët, para dhe pas viteve 1990, kulturat bujqësore dhe trendin për të ardhmen. E teksa ecnim për në arat e Z. Tafil, jemi mrekulluar nga vendndodhja piktoreske e fshatit, shtëpitë e rindërtuara bukur dhe bimësinë e pafund. Z. Tafil tregon se fshati kishte rreth 130 familje. Kryesisht po investohej vrullshëm në bujqësi, duke parë kërkesën e lartë në treg për produkte organike. |
Edhe pse me profesion mjek veteriner, Z. Tafil mbarështonte gjedh vetëm për konsum vetjak. Pasioni i tij i vërtetë është bujqesia, ku i kushtonte dhe gjithë kohën e lirë. Teksa vizituam arat e Z. Tafil, ishte lehtësisht e dallueshme puna kolosale dhe me shumë estetikë.
![]() | ![]() | ![]() |
Tre kulturat kryesore të z. Tafil ishin Livando, Ullishtja dhe Vreshtaria. "Jam një ndër të parët që kam kultivuar Livandon në zonën tonë. Rrushi është i varietetit për tu përpunuar dhe rakinë e nxjerr vetë. E tregtoj në lokale dhe restorante. Pandemia ka ndikuar disi në tregtimin e rakisë, pasi nuk ka pasur dasma të shumta këtë periudhë. Ullirin e tregtoj për konsum në tavolinë dhe pjesën tjetër për përpunim për vaj ulliri. Të gjitha shërbimet agro-teknike i realizoj vetë. Kurse, gjatë sezonit të vjeljes me ndihmojnë edhe punonjës sezonalë", tregon modestisht z. Tafil.
E ndërsa na shpjegonte imtësisht, punët e sezonit për vreshtin apo ullishten mund të themi se Z. Tafil ishte bërë një agronom autodidakt.
I urojmë Z. Tafil shumë suksese në punën e tij fisnike si mjek veteriner dhe përgëzime për realizimin e pasionit të tij për zhvillimin e një aktiviteti të mirëfilltë agro-biznesi.
Shpërndaj në rrjetet sociale: