KONTROLLI I MIZËS SË ULLIRIT NËPËRMJET GRACKAVE EKOLOGJIKE (ECO-TRAPEVE).




Tendenca gjithnjë në rritje në sistemin agro-ushqimor është orientuar ndaj prodhimeve bujqësore më cilësore për t'ju përgjigjur më mirë kërkesave të tregut që kërkon prodhime të garantuara.

Pse duhet mbrojtur fruti nga miza e ullirit?

  • Humbet prodhimin si rezultat i rrëzimit të parakohshëm të kokrrave;
  • Dëmtohet tuli i frutit nga larvat;
  • Prishet cilësiae vajit shkaktuar nga rritja e aciditetit;
  • Humbet  cilësia e ullirit për tavolinë.

Miza e ullirit përbën dëmtuesin më të rrezikshëm të kësaj kulture.

Insekti i rritur është një mizë me gjatësi 4 -5 mm, ka një palë krah dhe përgjithësisht është ngjyrë mjalti. Koka ështe me ngjyrë të verdhë në të cilën evidentohet shumë qartë sytë në ngjyrë të gjelbërt në blu. Krahët janë transparent me njollë ngjyrë kafe në pjesën apikale, pjesa e barkut ka ngjyrë gështenjë të hapur.Femrat diferencohen nga mashkulli nga ovopozitori dhe për dimensione më të mëdha në pjesën e barkut.

Veza ka formë cilindrike të zgjatur me gjatësi zakonisht 1mm. Ajo vendoset kryesisht nën lekurën e frutit në një thellësi 1-3 mm. Vezëtvendosen zakonisht tek ullinjtë që kanë arritur një peshë 0.5-0.8 gr në vartësi të kultivarit.

Larvat, pa këmbë dhe me ngjyrë të bardhë të turbullt kalojnë tre stade përpara se të pupëzojnë. Stadi larvar zgjat rreth dy javë në vartësi të temperaturës. Koka është pothuajse e padukshme dhe dallohen vetëm mandipulat e transformuara, të cilat larva i përdor për ngrënien e tulit të frutit dhe për të lëvizur.

Pupa është eliptike me gjatësi 4-5 mm dhe me ngjyrë kafe të errët. Në fillim ka ngjyrë të verdhë.

Si është ecuria biologjike e mizës së ullirit për kushtet e vendit tonë?

  • Plotëson 3-4 brezni në vit;
  • Organi i prekjes është fruti;
  • Aktiviteti i vendosjes së vezëve fillon nga mesi i qershorit duke vazhduar deri në korrik;
  • Si rezultat i temperaturave të larta gjatë muajit korrik-gusht pëson frenim;
  • Rifillon vendosjen e vezëve në dhjetëditëshin e tretë të muajit gusht dhe vazhdon gjatë muajve shtator-tetor dhe në ditët e para të nëntorit;
  • Jetëgjatësia e insektit të rritur i kalon 6 muajt;
  • Periudha e vezëvendosjes varion nga 25-100 ditë duke patur shpeshherë periudha ndërprerje 5-6 muaj;
  • Insekti i rritur vendos disa qindra vezë;
  • Periudha e inkubacionit të vezëve varion nga 2-4 ditë në verë dhe 10-16 ditë në dimër;
  • Stadi i pupës zgjat nga 10-14 ditë në temperatura 25°C deri në tre muaj kur temperaturat zbresin nën kufirin e zhvillimit (7°C);
  • Kushtet klimatike luajnë një rol përcaktues në rregullimin e numrit të breznive. Normalisht çdo brezni zgjat 25-30 ditë;
  • Në vite të veçanta mund të zhvillohen edhe 4-5 brezni në vit;
  • Miza e ullirit dimëron si insekt i rritur ose si pupë në tokë.

Çfarë organi të bimës dëmton miza e ullirit?

  • Miza ullirit dëmton direkt frutin e ullirit.

Dëmtimi frutave nga miza e ullirit

  • Dëmi direkt konsiston në uljen e prodhimit.
  • Larvat përveç se ushqehen me tulin e frutit shkaktojnë dhe rënien parakohshme të tij.
  • Krahas dëmit direkt kemi dhe dëmin indirekt që shkakton ndryshime cilësore që ndodhin në vajin e ullirit.
  • Cilësia e vajit të ullirit ulet si pasojë e rritjes së aciditetit.
  • Aciditeti është pasojë e ndotjeve mikrobike që zhvillohen nga dëmet e shkaktuara të mizës së ullirit në tul.

Cikli jetësor i mizës së ullirit

Përse duhet monitoruar miza e ullirit?

Është baza kryesore për të patur një mbrojtje efektive për kontrollin e mizës së ullirit

  • monitorimi i dëmtuesit 
  • vlerësimi i dendësisë së tij.

Kufiri i ndërhyrjes përcaktohet me anë të monitorimit  të popullatës së mizës së ullirit duke kapur insektet e rritura me anë të kurtheve kromotropike, me ferromone seksuale me substancë amoniakale si dhe duke bërë kampionimin e frutave të ullirit për të parë gjendjen e infeksionit.

Kampionimi i frutave të ullirit konsiston në marrjen e një kampioni përfaqësues prej 100 frutave çdo javë të mbledhura në 10-20 pemë/ha, duke grumbulluar 5-10 kokrra ulliri/pemë. Në kuadrin e një mbrojtje të integruar për të ndjekur më mirë evolucionin e biologjisë së insektit, kampionimet duhet të fillojnë në gjysmën e dytë të korrikut dhe të vazhdojnë me intervale javore deri në fund të vjeshtës.

Monitorimi i insekteve të rritur mund të bëhet nëpërmjet kurtheve të tipeve të ndryshme:

  • Kurthe kromotropike (ngjyrë të verdhë), në të cilën janë të vendosura së bashku ferromone seksuale + me proteina të hidrolizuara-+ kripërat e amonit. Kurthet janë të lyera me një ngjitës dhe janë në gjendje të kapin insektet e rritur meshkuj dhe femra.

Kurthe me ferromon seksual

  • Kurthe të pajisura vetëm me ferromone (me ngjyrë të çelur).

Zakonisht përdoret ferromoni Spiroketal dhe format e tyre janë në përgjithësi formë rombi ku pjesa e poshtme e tij është lyer me substancën ngjitëse.

Kurth me ferromon për monitorimin e mizës së ullirit

Koha e monitorimit

Monitorimi fillon në fund të muajit qershor duke vendosur 2-3 kurthe/ha. Përdorimi i kurtheve deri tani nuk lejon që të përcaktohet një korrelacion i numrit të insekteve të rritura të kapura dhe i shkallës së infeksionit në frutin e ullirit. 

Kampionimi i frutave

Kampioni i zgjedhur ekzaminohet me anë të lenteve zmadhuese ose stereomikroskopin për të vlerësuar infeksionin aktiv, i cili paraqet shumën e vezëve dhe të larvave të gjalla (larvat e moshës  I, II dhe III) në 100 kokrra ulliri të ekzaminuara. Në infeksionin total përfshihen edhe numri i pupave dhe vrimave të daljes. Për përcaktimin e kufirit të ndërhyrjes merret në konsideratë vetëm infeksioni aktiv.

Kufijtë e ndërhyrjes janë:

  • për ullinjtë për tavolinë, kur vërehet prezenca e shpimeve të para.
  • për ullinjtë për vaj10-15 % të infeksionit aktiv (vezë,larvë) në varësi të varieteteve.

Intensiteti i infeksioneve të mizës së ullirit në kultivarë dhe mjedise të ndryshëm është i sfazuar në kohë. 

Përse duhet përdorur teknika tërhiq e vrit për kontrollin e mizës së ullirit (Atract and Kill)?

Vitet e fundit në mjaft vende që kultivojnë ullirin ka filluar të përdoret një teknikë e re për kontrollin e mizës ullirit duke realizuar kapjet masive të këtij dëmtuesi. Qëllimi i kësaj metode është të eliminojë insektet e rritura të mizës dhe kryesisht femrat duke reduktuar në këtë mënyrë vendosjen e vezëve dhe duke parandaluar  infeksionet

Metoda konsiston në vendosjen në ullishte, të grackave të cilat përmbajnë insecticide. Këto gracka janë të përbëra nga një qese me madhësi 15x20 cm të mbushura me karbonat amoni (ushqyes tërheqës për mizën e ullirit) si dhe të pajisura me një kapsulë e cili përmban ferromon seksual për tërheqjen e dëmtuesit. Mizat e tërhequra në këtë mënyrë bien në kontakt me insekticidin  dhe ngordhin. Në ullinjtë me kurorë jo të madhe rekomandohet të bëhet vendosja e grackave (Eco-Trap) 1 për çdo 2 pemë duke ulur në mënyrë të ndjeshme edhe koston e përdorimit të tyre. Në pemë ulliri me kurorë të madhe rekomandohet 1 qese Eko-Trap/pemë.

Kjo metodë kontrolli është e përshtatshme për ruajtjen e mjedisit dhe rekomandohet të përdoret kryesisht në ullishtet të cilat do të drejtohen nga bujqësia biologjike.

Dinamika e popullatës së mizës së ullirit dhe agresiviteti i saj është në korelacion të ngushtë me faktorët:

  • klimatike;
  • temperaturë;
  • lagështi.

Kështu që gjatë muajit qershor dhe korrik në kushtet e vendit tonë temperaturat janë të larta dhe ndikojnë në frenimin e dinamikës së dëmtuesit. Temperaturat më të larta se 32°C shkaktojnë një mortalitet të konsiderueshëm të larvave, një ndërprerje të aktivitetit riprodhues të insekteve të rritura si dhe zhvillimit të vezës.

Vëmendje të veçantë duhet ti kushtohet duke filluar që nga ditët e para të muajit gusht e në vazhdimësi.

Kur dhe si duhet të instalohen grackat ekologjike (kurthet Eco-Trap)?

Qeset Eco-Trap duhet të vendosen në mesin e kurorës  së ullirit në një lartësi rreth 2 metra. Është mirë që ato të vendosen  në hije, në anën jug - perëndimore të ullirit duke evituar rënien direkt të rrezeve të diellit. 

Kurthet nuk duhet të jenë në kontakt me degëzat, gjethet ose frutat e ullirit.

Me qëllim që të realizohet një shpërndarje optimale e substancave tërheqëse, në fazën e instalimit të kurtheve në fushë, është e nevojshme që me anë të një teli ose gjilpëre të bëhet një vrimë e vogël me diametër 1mm në kapsulën me ferromon (pa e shpuar kapsulën në të dy anët). Dy vrima hapen gjithashtu në pjesën e sipërme të qeskave të mbushura me kripën e amonit duke i shpuar ato në të dy anët. Në varësi të kushteve klimatike efekti i Eco-Trap zgjat rreth 2-3 muaj.

Koha më e përshtshme është fundi i gushtit deri në ditët e para të shtatorit.

Kujdes:

  • Të hapen dy vrima në pjesën e sipërme të qeskës në të dyja anët
  • Mos harroni të shponi me një tel të hollë kapsulën e ferrominit në njërën anë.

Cilat janë alternativat e tjera për kontrollin e mizës së ullirit?

BIOCEBO

Përdorimi:

Përdoret për kontrollin e mizës së ullirit me spërkatje, me 1.5 lit preparat/100 lit ujë.

Trajtojmë pjesën jugore të kurorës ndërsa në pemtore të mëdha trajtojmë në formë bandash 25 metër të gjëra, çdo 100 metër.

DAKOFAKA

Përdorimi:

Përdoret për kontrollin e mizës së ullirit. Gracka vendoset në pjesën e mesme dhe të brendshme të kurorës, duke evituar ekspozimin e drejpërdrejtë me rrezet e diellit, me gjethet dhe degët. Për të aktivizuar grackën duhen shpuar 2 pikat e shënjuar me X, duke përdorur një tel.

Në ullishtet uniforme, me bimë me densitet të rregullt dhe me kurorë mesatare, përdoren 130 gracka/ha.

Në ullishte jo uniforme, me bimë me densitet të ulët dhe me kurorë të madhe, përdoren 180 gracka/ha.

Kurthet vendosen 5-10 ditë para forcimit të bërthamës (zakonisht nga mesi i muajit Qershor).

Ndërhyrjet suplimentare në ullishte

  • Të aplikohen vjeljet e hershme për të shmangur nga infeksionet e vona të mizës së ullirit.
  • Të përpunohen ullinjtë brenda një periudhe sa më të shkurtër pas vjeljes.
  • Preferohet mbajtja e ullishtes me bimë bashkëshoqëruese mes rreshtave për të favorizuar biocenozën e insekteve të dobishëm.
  • Të elimininohen të gjitha praktikat agronomike të cilat shkaktojnë çrregullime lidhur me ujin, plehërimet e tepërta azotike si dhe krasitjet jo të rregullta.

 

Data e publikimit: 18/09/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

CILA ËSHTË ECURIA BIOLOGJIKE E TENJËS SË AGRUMEVE?

Tenja minuese e agrumeve ka katër faza të jetës: veza, larva, pupa dhe insekti i rritur

Lexo më shumë

ÇFARË ORGANI TË BIMËS DËMTON DHE SI DËMTON?

Ky dëmtues prek dhe frutin duke shkaktuar dëme si nga ana estetike por edhe nga ajo cilësore. 

Lexo më shumë