AGROTEKNIKA E KULTIVIMIT TË FASULES




Vendi në qarkullimin bujqësor

Fasulja është bimë përmirësuese e pjellorisë së tokës. Ajo lë në tokë sasi të konsiderueshme mbeturinash bimore (me përbërje 40 – 50 kg/ha azot organik), lehtësisht të dekompozueshme dhe me raport të mirë C/N. Si bimë prashitëse dhe me cikël bimor të shkurtër e lë tokën të pastër nga barishtet e këqija dhe e liron shpejt atë. Prandaj kjo konsiderohet si parabimë ideale për të gjitha bimët e tjera që mbillen pas saj

Vetë fasulja nuk ka kërkesa të veçanta ndaj parabimës, mjafton që toka të mos jetë e infektuar nga barërat e këqija dhe nga sëmundjet e dëmtuesit.

Si kulturë bazë rezultatet më të mira i jep kur qarkullon pas grurit. Për shaka të ndjeshmërisë së saj ndaj një numri parazitësh kërpudhor të tokës (rhizoctonia, fuzarium), është mirë të evitohet kthimi i saj në të njëjtën tokë për një periudhë të paktën 3 – 4 vjet dhe për të njëjtën arsye nuk duhet të mbillet pas bimëve që preken nga sëmundje të ngjashme si patatja, spinaqi, bizelja etj.

Punimi dhe përgatitja e tokës për mbjellje

Përgatitja e tokës për mbjelljen e fasules kushtëzohet nga disa faktorë si:  parabima, tipi i tokës, kushtet klimatike, shkalla e infeksionit nga barishtet e këqija etj. Në rastet e mbjelljes së saj si kulturë bazë ( jo në bashkëshoqërim me misër) ndiqet mënyra tradicionale e punimit, d.m.th kryhet një plugim në thellësinë 36 – 40 cm në verë. Pplugimi i thellë kryhet në ato raste kur parabima është grurë dhe infeksioni nga barishtet e këqija është i lartë. Kur parabima është një bimë prashitëse, veçanërisht misri, plugimi bazë i tokës bëhet gjatë periudhës vjeshtë dimër. Kur kushtet klimatike dhe tipi i tokës nuk lejojnë plugime të hershme atëherë plugimi bëhet në pranverë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Vëmendje! Në të gjitha rastet sistemi kullues duhet të mbahet në gatishmëri për të larguar ujërat e tepërta  dhe për kryerjen e punimeve plotësuese (përgatitore) para mbjelljes dhe vetë mbjelljen me cilësi dhe në afate optimale. 

Në varësi të gjendjes së tokës, në pranverë, mund të bëhet edhe një plugim i dytë, për të siguruar nivelim të mirë të tokës, për të përmbysur plehrat, për të prishur barërat e këqija të sapo mbira dhe për të lehtësuar mbjelljen dhe procese të tjera, veçanërisht ujitjen.

Për shkak të karakteristikave të sistemit rrënjor të fasules dhe delikatesës së saj gjatë mbirjes, nëpërmjet punimeve sipërfaqësore si diskime, frezime etj., synohet krijimi i një shtrati të përshtatshëm për mbirjen, rritjen dhe zhvillimin optimal të bimës gjatë gjithë periudhës. 

Në rastin e mbjelljes së fasules si kulturë e dytë, çështja më thelbësore nuk është përgatitja e tokës, por shpejtësia e mbjelljes për të fituar kohë. Për këtë qëllimtë gjitha punimet përgatitore bëhen zinxhir, për të ruajtur lagështirën dhe për të mbjellë shpejt. Mbjelljet si kulturë e dytë (hamullore) mund të bëhen edhe duke përdorur  punimin minimal, ose punim zero dhe mbjellje me makina të posaçme.

Plehërimi i fasules

Fasulja është bimë që shfrytëzon me efektivitet të lartë pjellorinë e tokës. Nuk ka aftësi të shfrytëzojë lëndët organike të pa dekompozuara (kalbura), përkundrazi, lëndët organike të padekompozuara shfaqin probleme gjatë mbirjes, sidomos në rritjen e përqindjes së bimëve të prekura nga kalbëzimi. Për këtë arsye rekomandojmë plehërimin e parabimës me plehra organike sidomos kur toka është e varfër me elementë ushqyes. Në plehërimin direkt, me plehra organike,  mund të përdoren vetëm plehra organike plotësisht të dekompozuara. 

Për shkak të periudhës bimore relativisht të shkurtër të fasules, përdorimi i plehrave kimike me kritere të drejta përbën një bazë të fuqishme për rritjen e prodhim të saj dhe të qëndrueshmërisë ndaj sëmundjeve të ndryshme që prekin bimën.

Megjithëse është bimë bishtajore, ajo plotëson vetëm një pjesë të nevojave të saj për azot nga aktiviteti azot fiksues i baktereve Rhizobium phaseoli.  Aktiviteti i këtyre mikroorganizmave varet nga pjelloria dhe tipi i tokës, nga vlera e pH dhe kushtet klimatike. Studimet e kryera tregojnë se në toka të pasura dhe tipike për fasulen duhet të përdoren 40 – 50 kg/ha azot, kurse në tokat e bardha dhe të varfëra mund të rritet doza deri 80 kg/ha. Nga ana tjetër, kur fasulja kultivohet pas grurit (bimë azotofile), përdoret sasi më e madhe e plehrave azotike se në rastet e mbjelljes së saj pas bimëve prashitëse. Plehrat azotike, në përgjithësi, përdoren  gjatë fazës së parë të zhvillimit të bimës (në fazën e 2 – 3 gjethe, atëherë kur akoma nuk ka filluar aktiviteti i baktereve azotofiksuese). Theksojmë, se si në të gjitha bimët bishtajore, edhe në fasule, duhet të shmanget përdorimi i dozave të larta të plehrave azotike, sepse ato mund të provokojnë vegjetacion intensiv (të bujshëm) dhe të rrisin ndjeshmërinë e bimës ndaj sëmundjeve.

Plehërimi në fasule duhet të përqendrohet te plehrat fosfatike dhe potasike (në rast se ky element, potasi, ndodhet në sasi të pakët në tokë). Në përgjithësi tek fasulja përdoret një sasi 60 – 70 kg/ha P2O5, kjo varet jo vetëm nga përmbajtja e këtij elementi në tokë si dhe  rendimenti i planifikuar. Kur kërkohet të merren rendimenti mbi 20 kv/ha, sasia e plehrave fosforike që përdoren rritet 80 – 100 kg/ha P2O5.

Kur fasulja mbillet në toka argjilore që janë të pasura me potas nuk lind nevoja e përdorimit të këtyre plehrave, por në toka ranore shpesh mungesa e potasit bëhet faktor kufizues për prodhimin. Prandaj, në toka të tilla, duhet të përdoret nja sasi prej 50 – 100 kg/ha K2O.

Plehrat fosforike dhe ato potasike përmbysen në plugimin e fundit ose përpara diskut të fundit. Kur sasia e plehrave që përdoret është maksimale rekomandojmë që 2/3  e sasisë së planifikuar të përdoret para plugimit të tokës dhe 1/3 e tyre të shpërndahet para diskimit të fundit ose në bashkëshoqërim me mbjelljen. 

Në disa toka, sidomos në ato me tendencë acide, ndikim pozitiv ka përdorimi i mikroelementeve të ndryshëm, veçanërisht i molibdenit. Trajtimi i farës së fasules ose spërkatja e gjetheve të saj me molibden (100 gram për 50 kg farë dhe 100 gram/ha trajtim gjethor) ka dhënë shtesë në rendiment dhe në përmbajtjen e proteinës në kokërr. Përveç molibdenit, të rëndësishëm janë edhe Zn, Mn, B, Fe etj.

Mbjellja e fasules

Prodhimi i fasules në vendin tonë realizohet nëpërmjet mbjelljes së saj si:

  • Kulturë e veçantë (e cila përbën edhe mënyrën kryesore të mbjelljes);
  • Në bashkëshoqërim me bimë të tjera (kryesisht me misrin);
  • Kulturë e dytë (pas të lashtave).

Në varësi të veçorive që paraqet secila prej këtyre mënyrave të kultivimit, e rëndësishme është zgjedhja e kultivarëve të përshtatshëm, për të shfrytëzuar në maksimum resurset e mjedisit në të cilin rritet bima.  Në mbjelljet e fasules si kulturë e dytë  ose siç njihet mbjellja hamullore, zgjidhen kultivarë me cikël të shkurtër bimor, me pjekje të hershme, me qëllim që të vilet pa u dëmtuar nga kushtet e vështira të motit (lagështia e tepërt) që fillojnë në vjeshtë. 

Në mbjelljet e bashkëshoqëruara me misër kultivarë më të mirë konsiderohen ato që janë gjysmë të ngjitës. 

Afati i mbjelljes së fasules

Afati më i përshtatshëm i mbjelljes së fasules përcaktohet nga kushtet e mëposhtme:

  • Temperatura e tokës;
  • Probabiliteti i reshjeve të furishme (të cilat mund të formojnë kore dhe të pengojnë mbirjen normale të bimës);
  • Probabiliteti i temperaturave të larta në fazat kritike të bimës (të cilat shkaktojnë rënien masive të luleve);
  • Gjatësia e sezonit të rritjes ose periudha vegjetative (temperaturat e larta gjatë lulëzimit, reshjet gjatë vjeljes dhe ngricat në fazat e para, duhen eliminuar).

Për zonën mesdhetare fushore, këto kushte plotësohen kur mbjellja bëhet në periudhën 20 mars deri me 15 prill, kurse në zonat e tjera të vendit në mbjelljet e 15 prill – 5 maj. Në këtë kohë temperatura e tokës në thellësinë 10 cm jo vetëm që është stabilizuar, por ka edhe tendencë të rritet, ka kaluar rreziku i ngricave. Me mbjelljen në këto afate bimët shfrytëzojnë në dobi të tyre temperaturat dhe reshjet e muajve maj – qershor, vlerat e të cilave janë në kufijtë optimalë të kërkesave biologjike të fasules. Në mbjelljet në e afatet e mësipërme periudha e lulëzimit në masë dhe lidhja e bishtajave (periudha kritike për bimën) ndodh përpara se të rriten temperaturat,  përpara se të ulet lagështia relative e ajrit (25 maj – 10 qershor) dhe në këtë mënyrë bimët lidhin më shumë bishtaja dhe japin më tepër prodhim, gjë që nuk mund të arrihet jashtë këtyre afateve të mbjelljes. 

Afati i mbjelljes së fasules në bashkëshoqërim me misrin lidhet ngushtë me afatin e mbjelljes së vetë misrit. Në zonën e ngrohtë të vendit mbjellja bëhet gjatë muajit prill, kurse në zonat e ftohta deri në 15 ditshin e parë të muajit maj.

Mbjellja e fasules si kulturë e dytë

 duhet bërë në periudhë të tillë që fazat kritike të saj (lulëzimi dhe lidhja e bishtajave) të bien në fund të muajit gusht, kur temperaturat fillojnë e bien  dhe të përputhen më shumë me kërkesat biologjike të bimës. Mbështetur në këtë fakt, 

afati më i mirë i mbjelljes së fasules si kulturë e dytë është 10 – 20 korrik.

 Në mbjellje në afate më të hershme bimët vuajnë nga temperaturat e larta që përkojnë në fazën e lulëzimit, kurse mbjellja në afate të mëvonshme bën që pjekja e prodhimit të vonohet dhe vjelja e tij të bëhet në kushte të një lagështie  më të madhe me pasojë humbjen e prodhimit dhe kalbjen e tij.

Mënyra e mbjelljes dhe numri i bimëve për njësi të sipërfaqes

Mbjellja e fasules bëhet kryesisht e mekanizuar me makina mbjellëse të të lashtave dhe të misrit të thjeshta ose të precizionit. Mbjellja bëhet me rreshta me gjerësi 50 – 60 cm. Distanca midis rreshtave varet nga pjelloria e tokës, shkalla e mekanizimit (përdorimi i kultivatorëve, mekanizimi i vjelljes), tipi i kultivarit (i kufizuar, gjysmë i kufizuar dhe i pa kufizuar) dhe afati i mbjelljes. Në kultivarët me rritje të pakufizuar (ngjitës) distanca midis rreshtave është më e madhe se në fasulen e shkurtër të cilat janë të tipit të kufizuar.

Në fasule, ashtu si në gjithë bimët, sigurimi i numrit optimal të bimëve përbën faktorin kryesor për marrjen e rendimenteve të larta në këtë bimë. Në kultivarët e tipit biologjik gjysmë të kufizuar, që janë më të përhapur në prodhim në vendin tonë studimet kanë treguar se numri më i përshtatshëm i bimëve është  300 – 350 mijë bimë/ha, në kultivarët e tipit biologjik të kufizuar duhet të sigurohen 350 – 450 mijë bimë/ha.

Në tokat me pjellori të ulët, aftësia kompensuese e bimës është e vogël, prandaj numri i bimëve duhet të rritet nëpërmjet zvogëlimit të distancës midis rreshtave, në mbjelljet e vonshme dhe kulturë e dytë gjithashtu duhet të sigurohet numër më i lartë bimësh/ha.

Cila është norma e farës për mbjellje tek fasulja?

Sigurimi i numrit të bimëve është i lidhur ngushtë me normën e farës dhe treguesit cilësor të saj si fuqia mbirëse, pastërtia mekanike, pesha e 1000 kokrrave etj. Në kultivarët e fasules me peshë të lartë të 1000 kokrrave (mbi 400 gr) përdoret një normë fare deri 160 kg/ha, kurse në  kultivarët me peshë të 1000 kokrrave rreth 300 gr rekomandohet një sasi fare prej 120 – 140 kg/ha. Këto norma fare sigurojnënumrin e nevojshëm të bimëve për njësi të sipërfaqes.

Thellësia e mbjelljes

Fasulja e zakonshme ka mbirje epigea (që nxjerrë kotiledonet mbi tokë) dhe  ka farë relativisht të madhe. Këto e vështirësojnë daljen e bimëzave të reja mbi sipërfaqe, sidomos në toka të ngjeshura dhe që formojnë kore. Prandaj, thellësia e mbjelljes së saj ka rëndësi për të siguruar mbirje të rregullta dhe të plota.

Në toka me përbërje mekanike të mesme thellësia e mbjelljes është 4 – 6 cm, kurse në tokë të lehta e ranore ajo mund të arrijë 6 – 8 cm. Në mbjelljet e hershme dhe në një tokë të përgatitur mirë dhe me përmbajtje optimale të lagështirës mbjellja mund të bëhet më cekët. Fasulja kërkon tokë pa plisa, sepse prania e tyre jo vetëm që pengon mbirjen normale, por në kushte të tilla lagështia largohet më shpejt, toka thahet dhe si rezultat i avullimit kemi edhe një farë ulje të temperaturës gjë që nuk është e pëlqyeshme nga farat në mbirje e sipër.

Shërbimet gjatë vegjetacionit tek fasulja

Menjëherë pas mbjelljes, vëmendja kryesore përqendrohet në sigurimin e kushteve të përshtatshme që realizojnë mbirje të plotë dhe të shpejtë, kur këto për arsye të ndryshme nuk garantohen. Prandaj, disa nga përkujdesjet janë fakultative si ujitja për mbirjethyerja e kores së tokës dhe zëvendësimi i bimëve që mungojnë.

  • Ujitja për mbirje bëhet në ato raste kur në tokë nuk kemi lagështinë e mjaftueshme për të siguruar mbirjen  e farës. Normat e ujit duhet të jenë  të reduktuara dhe mundësisht të bëhet ujitja në formë shiu.
  • Thyerja e kores së tokës kryhet për të ndihmuar mbirjen. Kur pas mbjelljes bien shira të shoqëruara me erëra të forta toka thahet dhe formon kore. Në këtë rast  për të ndihmuar daljen e bimëzave të reja rekomandojmë të  bëhet prishja/thyerja e kores nëpërmjet përdorimit të lesave zik – zak ose shatave rrotullues. Ndërhyrja të bëhet gjithmonë në drejtim perpendikular (pingul) me mbjelljen. Kur një pjesë e bimëve kanë dalë mbi tokë dhe rreshtash dallohen mirë bëhet capitja për të ndihmuar mbirjen si dhe  për të ajrosur dhe ngrohur tokën. Gjithashtu një rulim menjëherë pas mbirjes, konsiderohet në përgjithësi shumë efikas në shpejtimin e mbirjes së farës.
  • Zëvendësimi i bimëve që mungojnë. Pas mbirjes së plotë, bëhet një vlerësim i përafërt lidhur me numrin e bimëve që kemi siguruar. Në qoftë se vihen re boshllëqe, bimët janë të rralla, merren masa të menjëhershme për plotësimin e numrit të tyre në kufij të pranueshëm. Zëvendësimi i bimëve që mungojnë kryhet menjëherë dhe  në kohë sa më të shkurtër sepse vonesa sjell zhvillim jo uniform të bimëve në ngastër me pasoja të tilla negative si pjekja e diferencuar dhe vështirësi në vjeljen e prodhimit. 

Në kultivimin e fasules shumë të rëndësishme janë masa të tilla agroteknike si: kultivimi e prashitjet, plehërimi plotësues, ujitja, luftimi i barishteve të këqija dhe luftimi i sëmundjeve dhe dëmtuesve. 

Realizimi në kohë dhe cilësi i këtyre masave  kanë ndikim pozitiv në rendimentin e realizuar.

  • Kultivimi e prashitjet bëhen duke filluar që në fazat e para të rritjes së bimëve. Synimin kryesor  i kultivimit dhe prashitjes është  luftimin i barishteve të këqija, shkrifërimin dhe ajrimin e tokës dhe ruajtjen e lagështirës së saj.

Kultivim prashitja e parë në thellësinë 8 cm, zakonisht bëhet kur bima ka arritur lartësinë 10 – 15 cm. Vonesa e kryerjes së saj jashtë këtij afati, sidomos kur nuk janë përdorur herbicide kundër barishteve të këqija, përkeqëson regjimin ujor, ajror dhe termik në tokë, rrit infeksionin nga barishtet e këqija dhe për shkak zhvillimin e ngadalshëm të bimësisë në fazat e para. Në varësi të gjendjes konkrete (infeksioni nga barishtet e këqija) mund të bëhen dhe kultivim prashitje të tjera në çdo 12 – 15 ditë, deri në momente kur distanca midis rreshtave pothuajse mbulohet nga vegjetacioni dhe bima fillon të lulëzojë. Kjo masë është e domosdodhme dhe efektive në rast të infeksionit të lartë nga barishtet e këqija. Kur infeksioni është i ulët, për shkak të ciklit bimor të shkurtër të fasules, ndërhyrjet është mirë të jenë sa më të pakta, sepse zhvillimi i sistemit rrënjor bëhet më i fuqishëm në thellësi dhe gjerësi dhe bima shfrytëzon më mirë rezervat e tokës duke kursyer në këtë mënyrë ujin, veçanërisht në fazat e para, kur nevojat e bimës nuk janë të mëdha. Krahas kultivim prashitjes së parë, 15 – 20 pas mbirjes (2 – 3 gjethe) bëhet plehërimi plotësues me plehra azotike duke e shpërndarë atë me dorë ose me kultivatorë plehërues në thellësinë 8 – 10 cm.

Në kultivim prashitjen e fundit, në parcelat me pjerrësi natyrore dhe atje ku do të kryhet ujitja me rrjedhje të lirë, në çdo dy rreshta, bëhet hapja e brazdave për ujitje.

  • Ujitja është një nga përkujdesjet kryesore në bimën e fasules. Gjatë periudhës bimore nevojat e saj arrijnë në 3000 - 3600 m3/ha, kurse vetëm gjatë periudhës riprodhuese këto nevoja janë 2200m3/ha. Në mjaft zona me reshje periodike ose zona të freskëta, kur në fazat kryesore të zhvillimit të bimës dhe  në periudhat kritike të saj bien 25- 30 mm shi, kultivarët e hershëm të fasules mund të realizojnë pjekjen e farës edhe pa ujitje. Në kushtet e vendit tonë, me verë të nxehtë dhe mungesë reshjesh, ujitja është e domosdoshme, sidomos për kultivarët me pjekje të mesme e të gjatë dhe në mbjelljet e vonuara. Gjatë vegjetacionit bëhen disa ujitje  (1 – 3 ujitje). Kjo, në varësi të tipit dhe thellësisë së tokës, përmbajtjes së lëndëve organike, kushteve klimatike etj. Fazat më kritike dhe që kërkojnë ndërhyrje me ujitje janë  fillimi i lulëzimit, lidhja e bishtajeve dhe ka raste edhe gjatë mbushjes së kokrrës (në varësi të kushteve klimatike dhe lagështirës në tokë).

Mënyra më e mirë e ujitjes së fasules është ajo me shi hedhje dhe që kryhet gjatë natës dhe në orët e para të ditës. Kjo ndikon pozitivisht në sigurimin e një niveli të kapacitetit ujëmbajtës rreth 70% dhe mbi të gjitha përmirëson lagështirën ajrore e cila, për një prodhim normal, duhet të jetë 75 – 80%. Në toka të sistemuara mirë, ujitja mund të bëhet edhe me rrëshqitje duke e futur ujin nëpër brazdat e përgatitura, por duke treguar kujdes që uji të shkojë me infiltrim në rrënjët e bimëve. Në rastet kur ujitja bëhet me rrjedhje të lirë, menjëherë, pas ujitjes duhen të merren masa për të kulluar parcelat, të mos lihen vatra uji sepse fasulja është shumë e ndjeshme ndaj tepricës së ujit dhe mund të thahet brenda disa orëve.

Në ujitjen e fasules përdoren norma të ulëta uji, për të mënjanuar jo vetëm konsumin e tepërt të tij, por dhe dëmet që mund t’i shkaktojë bimës teprica e ujit.

Luftimi i barishteve të këqija 

Barërat e këqija që infektojnë fasulen janë ato që infektojnë dhe bimët tjera prashitëse të cilat zhvillohen gjatë periudhës pranverë – verë. Për luftimin e tyre përdoren të gjitha mënyrat e mundshme si masat agroteknike nëpërmjet plugimeve të thella gjatë verës, prashitjes etj. ashtu dhe masat kimike, duke përdorur preparate kimike të ndryshme në faza të caktuar të zhvillimit të bimës. 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Luftimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve të fasules.

Data e publikimit: 27/09/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË QIQRËS

Cilat janë vlerat e qiqrës?

Lexo më shumë

VJELJA E QIQRËS

Mënyra më e zakonshme e vjeljes së tyre është të presësh që gjethet të thahen dhe të nxihen, pastaj të shkulni të gjithë bimën.

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË THJERRËZËS

Thjerrëza kultivohet kryesisht për kokrrat e saj, të cilat janë të shijshme dhe të përvetësueshme nga organizmi i njeriut.

Lexo më shumë

VJELJA, PËRPUNIMI DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË THJERRËZËS

Vjelja para kohe ul ndjeshëm cilësinë e prodhimit, kurse vjelja me vonesë çon në humbjen e tij, për shkak të hapjes së bishtajave dhe rënies së farës.

Lexo më shumë