Histori Suksesi – ORGEST MAMO




Orgestin e takojmë në serat e tij, të ngarkuar me punë, pasi ishte në procesin e vjeljes së domates megjithatë, gjen pak kohë për ne.

 “Punën me ndërtimin e serës së parë e kam nisur në 2016 pasi u ktheva nga emigracioni. Më duheshin 1 milionë lekë nga të cilat 500 mijë i mora borxh në fshat dhe pjesën tjetër më erdhi në ndihmë FED invest me kredi. Familja ishin të gjithë skeptikë megjithatë, unë jam tip që një herë që marr vendim nuk kthehem pas. Prodhimi i parë në serë ishin domate. 

Në fund të sezonit nxorra aq lekë sa të paguaja këstin e kredisë të cilin e kisha fleksibël për ta paguar në vjeljen dhe shitjen e prodhimit. Dështimi erdhi për shkak të mosdijes dhe mos pasjes së një eksperience në bujqësi, pasi unë kam punuar dhe vazhdoj ta ushtroj profesionin e saldatorit. 

Familja më këshilloi ta lija këtë punë se do të humbisja gjithçka. Ishte përgjegjësi e madhe megjithatë unë vendosa të vazhdoj. U interesova, pyeta, pashë dhe në fund vendosa të mbillja një varietet domateje e cila rezistonte më gjatë për transport dhe kërkohej nga tregu rus. Nga kjo arrita të siguroj të ardhura që të mbyllja si borxhin ashtu edhe kredinë dhe të më ngelej fare pak lekë mënjanë. 

Në fund të ditës fitova 2 dynym serë dhe “theva” tabunë e familjarëve. Në punë e sipër më doli një okazion për të blerë një serë tjetër. Sërish mu gjend FED investi me kredi dhe nga bashkëpunimi me këtë institucion, sot kam 6 dynym sera. Për çdo okazion që do të më dalë di se ku duhet të trokas sepse kam synim të kem 1 hektarë serë”.

Lidhur me platformën ABA Online dhe informacionin e ofruar nga ekspertët tanë ai na thotë që i ka ndjekur këshillat dhe kryesisht bën “luftë” parandaluese ndaj sëmundjeve por, nuk përjashtohet rasti kur duhet të përdoren edhe pesticide por, sic na thotë: “me karar, sipas përshkrimit në etiketë”. 

Për merak na tregon edhe produktet kryesore që përdor.

Ndahemi me këtë fermer, edhe pse ai me humor nuk do ta quaj veten të tillë, të suksesshëm, pasi mbërrin një furgon nga një grumbullues i zonës me arka të tjera për domate.

Data e publikimit: 29/11/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: