VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I QEPËS




                                                                           REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Në lidhje me strukturën varietore në Shqipëri ka shumë ekoitipe, të cilët përdoren për prodhim qepësh të thata dhe të njoma. Më të përmendurat për prodhimin e qepës së thatë janë: Qepa e Mirasit; Qepa e Kuqe e Dishnicës; Qepa e Benjës; Qepa e Rehovës; Qepa e Linit; Qepa e Peshkopisë; Qepa e Drishtit; si dhe hibridë të huaja të cilat duhen testuar. Më të përmendurat për prodhimin e qepës së njomë janë: Pjata e Majit, Sukthi, etj. Edhe për këtë destinacion kanë hyrë kultivarë të huaj.

REKOMANDIM! FERMERI QË VENDOS TË MBJELLË QEPË, DUHET TË KETË PARASYSH:

  • Mbjellja e qepës me fidanë ka përparësi ndaj mbjelljes me qepujkë, mbasi shkurtohet periudha bimore, një vit.
  • Kur qepujkat janë më të mëdha se ato me 1,5-2,5 cm diametër dhe të ruajtura në temperatura të larta, atëherë qepujkat nxjerrin më shumë karabusha.

Si bëhet përgatitja e qepujkës e gatshme për mbjellje?

  • Kjo metodë krijon mundësinë e kultivimit të qepës edhe në kushtet e ujitjes së kufizuar ose pa ujë. Qepët e prodhuara në këto kushte janë më të qëndrueshme në ruajtje mbasi prekjet nga vrugu janë më të ulëta.
  • Para se të fillojë mbjellja e farës fillimisht bëhet ndarja e tokës me vllaja 1.2 m të gjëra dhe 4.5 m të gjata sipas sipërfaqes së tokës.
  • Vllajat ndahen me rrugë të thelluara, të cilat shërbejnë dhe për ujitje, me gjerësi 30-40 cm.
  • Në plehërimin bazë përdoret dhe një sasi plehrash kimike, si rreth 30 gr/m² superfosfat dhe rreth 20 gr/m² sulfat potasi.
  • Para se të fillojë mbjellja e farës toka nivelohet mirë me qëllim që, fara të bjerë në një thellësi të njëjtë dhe mbirja do të jetë e njëhershme dhe e njëjtë.
  • Fara duhet të shpërndahet në mënyrë të njëjtë të baraslarguar nga njëra-tjetra. Për prodhimin e qepujkës, fara duhet të mbillet në periudhën 15 shkurt-15 mars për zonën e ngrohtë, ndërsa për zonën e ftohtë rreth mesit të marsit deri në mesin e prillit. Në këto afate qepujka bëhet e gatshme në muajt korrik dhe gusht. Në vitin e ardhshëm qepujka duhet të mbillet në periudhën 15 shkurt – 15 mars dhe qepa e thatë merret në muajt korrik dhe gusht.

Përdoret 8-10 gr/m2 farë. Mbas hedhjes së farës ajo mbulohet me një shtresë dherishte të situr mirë me përqindje të lartë plehu organik të kalbur mirë dhe të imët në trashësinë rreth 1-1.5 cm. Më i miri në këtë rast është plehu i bagëtive të imëta. Mbas mbulimit me shtresën e plehut, bëhet ngjeshja e lehtë dhe ujitja në formë shiu. Mbas mbjelljes dhe para mbirjes mund të bëjmë spërkatjen e vllajave me preparat kimik për të luftuar barërat e këqija. Gjatë periudhës bimore, në varësi të kushteve të motit, kryhen disa ujitje. Bëhen gjithashtu dhe 3-4 plehërime me nitrat amoni. 

Plehërim i i parë bëhet dy javë pas mbirjes, ndërsa të tjerët në çdo 15 ditë. Nga fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit kërcelli zbutet, gjethet fillojnë të thahen dhe bulbi i qepës ka marrë formën dhe ngjyrën karakteristike të llojit. Në këtë kohë qepujkat shkulen menjëherë, vendosen në gjatësinë e vllajës ku lihen për tu tharë , rreth një javë duke i mbuluar bulbat me gjethet.

Mbasi janë tharë mirë, çohen në magazinë ku bëhet përzgjedhja dhe kalibrimi i tyre, sipas madhësisë dhe vendosen në mjedis për ruajtje. Temperatura më e përshtatshme për ruajtje është nga -1°C deri në 1°C ose mbi 15°C.

Si bëhet përgatitja e fidanit për mbjellje?
Prodhimi i fidanit përgatitet në të njëjtat procedura si ajo e qepujkës, veçse për prodhimin e fidanit nevojiten rreth 60 ditë dhe fidani i gatshëm për mbjellje duhet të jetë në trashësinë e një lapsi.

Në cilët afate rekomandohen mbjellja në fushë?
Fidanët, para se të mbillen në fushë bëhet përzgjedhja e tyre, duke përzgjedhur fidanët më të mirë që plotësojnë standartet. Fidanët e përzgjedhur banjëzohen dhe mbillen brenda ditës. 

Në varësi të zonave të kultivimit, mbillen;

  • Në zonën bregdetare: me qepë mëmë mbjellja bëhet me 1-30 gusht; me qepujka, fara mbillet me 20-30 mars dhe në fushë qepujka mbillet në 25 korrik deri me 15 gusht; me fidan ku fara mbillet me 1-15 korrik dhe fidani mbillet me 5-15 shtator.
  • Në zonën veriore dhe veri-lindore: me qepë mëmë mbjellja bëhet me 20-30 shtator; me fidana ku fara në farishte mbillet me 20 qershor deri me 5 korrik dhe fidani mbillet me 25 gusht - 10 shtator. Zbatimi i këtyre afateve siguron një vargëzim gjithëvjetor të prodhimit të qepës.

Sa duhet të jenë distancat e mbjelljes?
Mbjellja e qepujkës dhe e fidanit në fushë bëhet në rreshta 15-20 cm ndërmjet tyre, ndërsa në mes bimëve në rreshta duhet të jetë 10-12 cm. Nëpërmjet këtyre distancave duhet të sigurohen rreth 50 mijë bimë për dynym. Mbjellja e fidanëve të qepës në tokë bëhet me dorë (me kunj) dhe me makina mbjellëse të posaçme.

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për qepën pas mbjelljes në fushë?

  • Mbas mbjelljes së fidanit në fushë është e domosdoshme që të kryhet një ujitje për të garantuar zënien e fidanit.
  • Në rast se kemi dështime në mbirje bëhet zëvendësimi i tyre dhe pas kësaj përsëritet ujitja për të garantuar fidanët e rimbjellë.
  • Mbas 15-20 ditësh bëhet prashitja e parë e qepës së mbjellë me fidanë, ndërsa në qepën e mbjellë me qepujkë zakonisht kur bima ka arritur lartësinë rreth 10 cm.
  • Prashitje, qepës i kryhen 3-4 të shoqëruara me plehërim plotësues me nitrat amoni. Këto të fundit duhet të ndërpriten deri 3-4 javë para vjeljes së qepës.

 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi Sëmundjet dhe dëmtuesit e qepës, parandalimin dhe luftimin e tyre. 

Data e publikimit: 11/11/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VARIETETET AUTOKTONE TË SPECIT

Keni interes të njiheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre? Kërkoni të njiheni me vlerat dhe rëndësinë e tyre për tregun rajonal?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË QIQRËS

Cilat janë vlerat e qiqrës?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ROZMARINËS

Cilat janë sëmundjet, simptomat dhe masat e kontrollit?

Lexo më shumë

VARIETETET AUTOKTONE TË DOMATES

Jeni të interesuar të njheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre?

Lexo më shumë