Speci është një ndër bimët kryesore të perimeve e cila për nga sipërfaqja zë vendin e dytë pas domates. Në Shqipëri sipërfaqja e mbjellë me speca arrin gati arrin në 3.000 ha, ku peshën kryesore e zën sipërfaqja e mbjellë në kushtet e fushës së hapur.
Cilat janë kërkesat ndaj faktorëve të mjedisit?
Ndër elementët më kryesorë të klimës dhe ato të mjedisit janë: temperatura e ajrit, temperatura e tokës, lagështira ajrore dhe tokësore, drita, ajrimi, gazi karbonik, era, toka, kundërdrejtimi, etj. Në lidhje me kërkesat ndaj temperaturës, kjo bimë renditet në grupin e bimëve me kërkesa të larta ndaj nxehtësisë.
Farat e specit fillojnë të mbijnë në temperaturën 13°C. Në qoftë se vazhdohet të trajtohet me këtë temperaturë, procesi i mbirjes së farërave zhvillohet me ngadalë dhe përfundon pas 18-20 ditëve. Nëse temperatura rritet në vlerat 18°-25°C, farat mbijnë për 10-15 ditë, në 25°-28°C ato mbijnë për 8-10 ditë. Ndërsa në temperaturën 28°-35°C, mbirja bëhet për 4-6 ditë. Mbi temperaturën 35°C, farat dëmtohen duke humbur fuqinë mbirëse.
Temperatura optimale e mbirjes së farërave është 25°-28°C, e cila përfundon për një periudhë kohore në 8-10 ditë.
Nga momenti i mbirjes së farërave e deri në fillimin e formimit të çiftit të parë të gjetheve të vërteta, bimëzat e sapo mbira, vetëushqehen akoma nga lënda rezervë që ndodhet në gjethet kotiledone.
KUJDES! Pas mbirjes, temperatura nuk mbahet 25°–28°C pasi shpenzohet lënda rezervë që ka mbetur në kotiledone gjatë procesit të frymëmarrjes.
REKOMANDIM! Pasi farat të kenë mbirë në 55-65% të sasisë, temperatura e mjedisit duhet medoemos të ulët në nivelet 16°-20°C. Ky regjim duhet të vazhdojë deri sa të shfaqen gjethet e para të vërteta, për 8-12 ditë. Pasi bimët të kenë filluar formimin e dy gjetheve të vërteta, atëhere është e nevojshme që temperatura e ajrit të rritet gradualisht deri në rreth 25°C. Me temperaturën nën 13°C, kjo bimë e ndalon rritjen dhe zhvillimin, ndërkohë që bimët e domates dhe patllixhanit e kanë respektivisht 10°C dhe 12°C.
Shqetësimet fiziologjike, i fillojnë kur temperatura e ajrit zbret nën 12°C. Nën temperaturën 0°C (praktikisht nga – 0.3° deri në – 0.5°C), bimët e specit kalben plotësisht. Temperaturat optimale për rritjen dhe zhvillimin e specit, janë 23° – 28°C. Nëse temperatura e ajrit vazhdon e rritet në mbi 30°C, atëhere ritmi i sintezës së lëndës organike ulët gradualisht dhe në temperaturën 40°C, bëhet ndërprerja e plotë e saj. Mbi 40°C, procesi i frymëmarrjes fillon e bëhet më intensive dhe bimët kalojnë në depresion e shqetësime të rënda fiziologjike.
Në cilat toka shkon më mirë speci ?
Tokat në të cilën do të kultivohet speci, duhen të jenë të thella, të ajrosura mirë, të përshkueshme nga uji, të ngrohta dhe me drejtim nga Jugu (veçanërisht për prodhimin e hershëm), humusore dhe të pasura me elementë ushqimor dhe të asimilueshëm nga bimët. Tokat e ftohta, të lagëta, e të rënda, me taban të cekët, janë të papërshtatshme për rritjen e sistemit rrënjor të kësaj bime. Reaksioni i solucionit tokësor duhet të jetë neutrale në vlerat e ph: 6.5 – 7.5.
Cilët nga parabimët i përshtaten më shumë ?
Speci kurrë nuk duhet të mbillet pas vetes apo bimë të së njëjtës familje (domate, patate, patëllxhan, etj,). Madje është e domosdoshme që të aplikohet një skemë e qarkullimit bujqësor mbi 5 vjeçare. Parabimët më të mira për bimën e specit janë kulturat e familjes së bishtajoreve (papilonace), një dhe shumvjeçare si: jonxha, tërfilet një-dhe-shumvjeçare, fasulja, bizelja, batha, etj. Parabimë të mira janë gjithashtu kulturat e familjes së frutrrënjore (Umbrelifere), si karrota, panxhari, rrilkat, repkat, etj.
Parabimë të mira gjithashtu, janë edhe drithrat e bukes, si gruri, misri, etj, si dhe bimët industriale si duhani, etj. Veçanërisht misri,i cili kultivohet në kushtet e një plehërimi të bollshëm oganik dhe kimik, është një parabimë e mirë për specin.
Çfarë kërkesash ka speci për lagështirë?
Fillimi i lulëzimit dhe i frutifikimit dhe në fazën e rritjes së frutave, lagështira në tokë duhet të jetë në vlerat 60 – 70% të kapacitetit ujëmbajtës të saj. Nga fillimi i lulëzimit e deri në pjekjen e frutave, kërkesat për ujë janë edhe më të mëdha. Në këtë fazë sasia e lagështirës në tokë duhet të jetë në vlerat 70 – 85% të kapacitetit ujëmbajtës të saj. Krahas nevojave për lagështirën tokësore, speci është kërkues dhe për lagështirë ajrore. Kërkesat për lagështirë ajrore nga speci, janë më të mëdha se sa ajo e domates.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë Si përgatiten fidanët e specit dhe toka për mbjelljen e tyre.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Lotusi – foragjeri natyral që ushqen bagëtinë dhe pasuron tokën
Lexo më shumë
Përse endivia meriton të përhapet më shumë në vendin tonë?
Lexo më shumë
Guava ka përdorime të shumta falë profilit të saj ushqyes, shijes dhe vlerës së saj në mjekësinë tradicionale.
Lexo më shumë
Feijoa është një frut i pasur me lëndë ushqyese, që siguron minerale, vitamina dhe fibra thelbësore për mirëqenien e përgjithshme.
Lexo më shumë