VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I KUNGULLIT TË DIMRIT NË FUSHË TË HAPUR




                                                                            REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Cila është struktura varietore e rekomanduar për kungullin e dimrit?

Kultivarët më të përshtatshëm për kultivimin e kungujve të dimrit tek ne janë: 

  • Kunguj cipëhollë (Cucurbita moschata Duch)
  • Dollma Bushat
  • Oblika
  • Pojani- Fier
  • Stambolli

 

  • Kunguj cipëtrashë (Cucurbita maxima Duch)
  • i Pites
  • i Has-Pukë
  • i Misirit
  • Kosova
  • Pjekës i kuq
  • Pjekës i Tiranë

Cila është Teknologjia e Kultivimit të Kungujve të dimrit?

Kungujt e dimrit mund të mbillen drejtpërdrejt me farë ose me fidanë të parapërgatitur. Fidanët mund të përgatiten në kubikë ose qese, me përmasa 8x8 ose 10x10 cm, mbushur me dherishte të përbërë prej plehu organik të kalbur mirë ose torfë, me pH 7.5 e të ngopur me lëndë ushqyese (raporti N:P:K:Mg:Ca-1:0,6:1,3:1,1:0,35).

Por mund të përgatiten edhe në tava polisteroli me 28-40 fole.

Për të mbjellë një dynym me kungull dimri, në fushë, në varësi të kultivarëve, kushteve të kultivimit, mënyrës dhe skemës së mbjelljes, është e nevojshme përgatitja e 500-1300 fidanë dhe nevojiten rreth 70-120 gram farë, me fuqi dhe energji të lartë mbirëse. Koha e nevojshme për përgatitjen e fidanit, në varësi të kushteve të përgatitjes, është 25-30 ditë. Fidanët janë të gatshëm për t’u mbjellë në fushë, kur të kenë formuar 2-4 gjethe të vërteta.

Në mbjelljet e drejtpërdrejta me farë, në brazda ose oxhakë, përdoren rreth 250-300 gram farë për dynym.

Kur duhet të bëhet mbjellja e fidanëve të kungullit të dimrit në fushë të hapur?

Mbjellja e fidanëve të kungujve të dimrit, në zonën me klimë të butë, bëhet gjatë pranverës për të marrë prodhim të vonshëm veror dhe gjatë gjithë vjeshtës.

Në zonën me klimë të freskët (mesdhetare, kodrinore dhe paramalore), bëhet në fund të pranverës për të marrë prodhim gjatë vjeshtës.

Cilat distanca mbjelljeje zbatohen për kungullin e dimrit në fushë?

Largësitë e mbjelljes ndryshojnë në varësi të kultivarëve, kushteve të kultivimit dhe mënyrës së mbjelljes. Më shpesh për kungujt e dimrit përdoret skema e mbjelljes 150-200x150-200 cm, me 1–2 bimë për fole duke siguruar 0.3-1.2 bimë/m2.

Mbjellja mund të bëhet dhe me farë. Për këtë në gropëz, në fund të brazdës ose në oxhak mbillen 3-5 fara. Mbirja zgjat 8-10 ditë. Pak ditë pas mbirjes, bëhet rrallimi duke lënë sipas dëshirës një-dy bimë për fole. Kur mbjellja bëhet me fidan, në oxhak ose në brazdën mbjellëse vendosen fidanët me dy-katër gjethe të vërteta.

Pas mbjelljes bëhet ujitja e bollshme për lidhjen e torfës së kubikut me tokën. Më pas, rreth bimëve shpërndahen ushqime të helmuara për mbrojtje të tyre nga dëmtuesit e tokës.

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për kungullin e dimrit ?

Shërbimet kulturale më të rëndësishme janë ujitja, plehërimi plotësues, kontrolli i barërave të këqija, sëmundjeve dhe dëmtuesve, të cilat kryhen në të njëjtën mënyrë si dhe për kungullin e njomë.

Masë teknike me interes  është krasitja e bimëve.

Më shpesh, gjatë kultivimit të kungujve të dimrit, zbatohet këputja e majës së kërcellit, pas gjethes së 3-4, që në fidanë, 2-3 ditë para mbjelljes së tij në vendin e përhershëm, pastaj këputje e majës së lastarëve të rendit të parë 1-2 gjethe pas frutit, e shoqëruar me operacione plotësuese (heqje të degëzave shterpë, etj.).

 

CILAT JANË SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E KUNGULLIT TË DIMRIT NË FUSHË TË HAPUR?

Bimët e kungullit të dimrit preken nga një sërë sëmundjesh e dëmtuesish, mbrojtja e të cilave kërkon mendimin e kualifikuar të specialistit të fushës.

Pse përbëjnë problem sëmundjet dhe dëmtuesit?

  • Shkaktojnë ulje të ndjeshme të prodhimit
  • Ulet vlera tregtare
  • Ulen të ardhurat për njësi prodhimi

TRAKEOFUZARIOZA

Sëmundja prek bostanoret kryesisht gjethet.

REKOMANDIM! Të bëhen trajtime parandaluese, pa u shfaqur sëmundja, menjëherë pas shirave, çdo dyjavë me preparate me bazë bakri.

 

HIRI

Hiri është një sëmundje kërpudhore. Simptomat e saj janë njolla ngjyrë gri mbi sipërfaqen e gjethes. Sporet e hirit shfaqen kryesisht në ambiente me lagështi të lartë. Kjo sëmundje mund të çojë në tharje të parakohshme të gjethes. Ajo ul gjithashtu prodhimtarinë dhe cilësinë e frutit. Luftohet me spërkatje me pesticide me bazë squfuri.

 

VRUGU I BOSTANORËVE  

Është sëmundje shumë e rrezikshme dhe e vështirë për t’u luftuar. Efekt të mirë jep qarkullimi bujqësor shumëvjeçar, mbjellja e kultivarëve të qëndrueshëm dhe fidanë të shartuar me nënshartesa te qëndrueshme si dhe trajtimi i tokës me avull të nxehtë dhe fumigantë. 

REKOMANDIM! Të bëhen trajtime parandaluese, pa u shfaqur sëmundja, menjëherë pas shirave, çdo dy javë.

AFIDET

Afidi më i rrezikshëm për bimët bostanore është Aphis gossypii, etj. Shkatrrojnë qelizat e mezofilit të gjethes duke i tharë plotësisht ato. 

Masat: heqja e barërave të këqija. Lufta kimike me akaricide.

 

 

VJELJA DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË KUNGULLIT TË DIMRIT 

 

Vjelja e prodhimit , në varësi të periudhës së mbjelljes, cilësive të kultivarëve të përdorur dhe dëshirës për konsum (kungull gjysëm i thatë dhe i thatë) bëhet gjatë verës së vonë dhe deri në vjeshtë, para fillimit të ngricave. Vjelja e frutave bëhet në orët e para të ditës ose vonë në darkë, kur në fruta nuk ka ka vesë. 

Prodhimi i kungullit të dimrit mund të jetë 30-50 kv/dyn, ndërsa në disa forma ai arrin edhe 70-80 kv/dyn.

Frutat e kungujve të dimrit ruhen më mirë se ato të bostanoreve të tjera, për më shumë se 2-3 muaj. Në mjedise të ftohta e të ajrosura mirë ato mund të ruhen shumë mirë e më gjatë, në qoftë se për këtë qëllim përdoren fruta të cilësisë së parë, të pastra nga dherat dhe lagështia. Temperatura e ruajtjes duhet të jetë 5-7°C dhe lagështi relative të ajrit 70-85 %

Në këto kushte frutat, të përgatitura mirë mund të ruhen nga dy, deri në gjashtë muaj.

Data e publikimit: 25/10/2024


Lini një koment


Komente të mëparshme
Pershrimi i teknologjise se kultivimit i shkurter dhe sqaron gjera te pergjitheshme. Ne fakt une do dija dicka per kultivimin e kungullit per prodhim farash, e per me shume , dicka per manipulimin e farave . Flm

-Ferit Hasaj


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VARIETETET AUTOKTONE TË SPECIT

Keni interes të njiheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre? Kërkoni të njiheni me vlerat dhe rëndësinë e tyre për tregun rajonal?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË QIQRËS

Cilat janë vlerat e qiqrës?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ROZMARINËS

Cilat janë sëmundjet, simptomat dhe masat e kontrollit?

Lexo më shumë

VARIETETET AUTOKTONE TË DOMATES

Jeni të interesuar të njheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre?

Lexo më shumë