Në Berat, për historinë e radhës së suksesit, takojmë blegtorin Edmond Beke të cilin e gjejmë të angazhuar, në pritje të pjelljes së një keci ku dhe ne u bëmë “dëshmitarë dhe këmbëmbarë” të procesit.
Mondi na tregon historinë e lidhjes së tij me blegtorinë, ku pas viteve 90 me shpërbërjen e kooperativave përfitoi ai me babain, si barinj, 12 krerë dhi.
“Si pjesa më e madhe e shoqërisë edhe unë emigrova në Greqi, ndërsa babai si bari i vjetër dhe i apasionuar pas zanatit, filloi të blinte dhitë nga njerëzit që shisnin për tu larguar. Kështu filloi edhe tufa jonë ku sot kemi mbi 180 krerë. Punojmë shumë familjarisht me gruan dhe djalin, por edhe babai edhe pse në moshë të madhe, si bari i vjetër nuk shkëputet nga bagëtitë.
Bashkëpunimin me FED invest e kam të hershëm dhe vazhdoj të jem anëtar aktiv. Kam gjetur mbështetje pa shumë burokraci në kohën e duhur, por edhe i kam qëndruar korrekt pagesave.”
Ndërsa përpiqemi të mos i zëmë shumë kohë, Mondi në pamundësi për të na çuar në stan, na bën një “shëtitje” në oborrin e shtëpisë ku na tregon kosheret e bletëve, haurin ku mbante lopë edhe viça si dhe një kal shumë të bukur. Kishte vend për të filluar një bisedë nga e para pasi edhe pse bletarinë e kishte filluar shumë vonë, i ishte kthyer në një pasion dhe kishte shumë për të folur, kështu që na kërkoi që të shkonim një ditë tjetër për të folur vetëm për bletët dhe pasionin për kuajt.
Shpërndaj në rrjetet sociale: