Nga Vlora nisemi për në Kotë, ku Fatjoni me Kreshnikun na tregojnë që do të takojmë Fatjonin me bashkëshorten që kishin një stallë lopësh.
Në qendër të fshatit, pavarësisht se Fatjoni me Kreshnikun e dinin vendndodhjen e stallës sërish deshën të komunikonim për të qenë sa më të sigurtë. Telefoni binte por nuk përgjigjej njeri dhe atëherë vazhduam rrugën me idenë që gjithsesi kur të shihnin që ishin telefonuar do të na merrnin mbrapsht. Kur mbërritëm në stallë i gjetëm Sonilën dhe Fatjonin që po ndihmonin një lopë të sillte në jetë viçin.
Stalla ishte në një zonë kodrinore malore rrethuar me një natyrë fantastike. Kati i parë ishte stallë ndërsa në katin e dytë jetonin prindërit e Fatjonit. Ajo që binte në sy ishte se ajrimi ishte fantastik dhe nuk ndihej asnjë aromë.
Fillojmë bisedën me Fatjonin derisa të vinte Sonila, sepse “ajo është pronare” na thotë ai. Ajo ishte bërë sebep që ferma të ishte e formalizuar.
Fatjoni me Sonilën kishin qenë në emigrim në Itali dhe nuk i kishte ecur keq, gjithsesi kishin vendosur ta linin emigracionin dhe të fillonin këtë biznes. Komentet e para pasi u kthyem thotë Sonila ishin, “ç’është ky budallallëk, të lësh Italinë për tu marë me lopë në Kotë”.
Fillimi ishte i vështirë. Vetëm me pesë lopë. "Na u gjend FED invest-i me kredi për të blerë viça për të shtuar tufën dhe kemi marrë disa kredi" dhe na tregon viçat e blerë me kredinë e fundit para pak ditësh. "Sot kemi një tufë me 50 lopë qumështi."
Kreshniku na shpjegon se Fatjoni me Sonilën veç kredive ndër vite, sot kanë edhe një depozitë. "Vitet e para, ushqimin e prodhonim vetë, por na rezultoi që sikur ta blinim ishte aty-aty, kështu që vendosëm ta blinim ushqimin dhe mundin dhe kohën ta harxhonim për gjëra të tjera më produktive". Lidhur me çmimin e shitjes ishin të kënaqur. Gjysmën e prodhimit e dërgonin te “Shpella Vajzë” dhe pjesën tjetër kishin kontraktuar me 2 dyqane në Vlorë.
Pas një bisede shumë të këndshme me çiftin ramë dakord që si Qendër ABA me eksperten Valbona Ylli të bëjmë së shpejti një vizitë për të parë në mënyrë sa më të detajuar mirëmenaxhimin e fermës.
Shpërndaj në rrjetet sociale: