Ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më shumë një faktor stresues për mbarështimin e kafshëve. Stresi nga temperaturat e larta dhe tejzgjatura në kohë e tyre (sikurse temperaturat gjatë verës që sapo kaloi) shoqërohet me ulje të aftësisë së kafshëve për marrjen e ushqimit, humbje oreksi, si dhe një stres i shtuar që vjen si rezultat i përshkrimit të distancave të gjata për të siguruar ushqim dhe ujë sikurse rasti i të leshtave në kullota.
Kjo situatë shoqërohet me ulje të prodhimit, rënie të pjellorisë dhe rezistencës së kafshëve. Temperaturat ekstreme ndikojnë në mënyrë direkte në shëndetin e tyre duke pamundësuar aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën e brendshme të trupit. Pikërisht humbja e kontrollit të temperaturës së brendshme rezulton në sëmundje të ndryshme si lodhja nga vapa, goditjet nga vapa, hyperthermia ose ndryshe sëmundja që lidhet me mos përballimin e temperaturës së brendshme të trupit, etj.
Për përballimin e situatave të tilla, gjenetistët vazhdimisht punojnë për përmirësimin e rracave përmes kryqëzimeve dhe seleksionimeve, sikurse është dhe rasti i rracës Assaf e cila është e përshtatshme për pothuajse të gjithë kushtet klimatike. Rraca Assaf e deleve është një rracë me qëllim të dyfishtë, por me drejtim kryesor prodhimin e qumështit. Rraca është një kryqëzim i rracës Izraelite Awassi me atë Gjermane East Friesian, me qëllim ruajtjen e prodhimit të lartë dhe fertilitetit nga Friesian dhe adoptimin në kushtet klimatike të Izraelit nga Awassi.
Fermerët Izraelitë kanë punuar për përmirësimin e rracës Awassi prej përgjatë 80 viteve të fundit. Në vitin 1930, delet Awassi prodhonin një mesatare prej 40 litra qumësht në laktacion. Ishin pikërisht menaxhimi i kujdesshëm, të ushqyerit e duhur krahas seleksionimit gjenetik, faktorët që ndikuan në përmirësimin e prodhimit të qumështit, duke bërë të mundur që rraca Awassi e përmirësuar të arrinte nga 40 litra në 550 litër qumësht në laktacion. Por, problematika që shfaqte Awassi ishte e lidhur pikërisht me pjellorinë dhe pjellshmërinë, kjo pasi delet Awassi rracë e pastër pjellin 1 herë në vit dhe zakonisht një qingj të vetëm për pjellje.
Në vitin 1955 në Izrael filloi projekti i kryqëzimit të dy rracave që synonte përmirësimin e fertilitetit tek Awassi, duke bërë që kryqëzimi i ri Assaf të ishte një kombinim i cilësive më të mira të Awassi me Friesian.
Por, cilat janë disa nga karakteristikat e rracës së re Assaf të krijuar nga kryqëzimi dhe seleksionimi ndërmjet Awassi dhe Frisian?
Delet Assaf dallohen për madhësi mesatare të trupit, përgjithësisht me lesh të bardhë, me fytyrë të bardhë dhe në masën më të madhe si femrat ashtu edhe meshkujt janë pa brirë. Assaf është një rracë e fortë, e adoptueshme dhe përgjithësisht menaxhohet me sistem intensive duke aplikuar shkëputjen e qengjave pas pjelljes.
Mesatarja e prodhimit të qumështit nga kjo rracë arrin në 450 litër për krerë në laktacion, ose mesatarisht 2.1 litër qumësht për krerë në ditë. Rraca ka përgjithësisht një prodhim të mirë të pasardhësve me një mesatare 3 pjellje në 2 vjet dhe 1.6 qengja për çdo pjellje. Për shkak të këtyre karakteristikave si dhe adoptimit në kushte të vështira klimatike, Assaf po përhapet në vende të ndryshme si në Spanjë, Portugali, Kili, Peru dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
NJË SHEMBULL I MBARËSHTIMIT TË RRACËS ASSAF NË VENDIN TONË
Një vështrim i përgjithshëm
Aktiviteti i mbarështimit të tufës Assaf zhvillohet në zonën e Kolonjës, Lushnje. Mbarështimi i deleve është kthyer tashmë në një traditë familjare. Me ndryshimin e sistemit nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë, u mundësua fillimi i aktivitetit privat në mbarështimin e deleve pikërisht në vitin 1992 kur ndodhi dhe shpërndarja e kafshëve të kooperativave dhe fermave për anëtarët e tyre. Ndërkohë, të rinjtë në atë periudhë ju drejtuan emigracionit në Greqi, por njëri prej tyre Iliri u kthye në fshat pranë familjes për të zhvilluar më tej biznesin. Fillimisht u mbarështuan 30 krerë dele rracë vendi e kryqëzuar si dhe 5 dele të rracës Chios të sjella nga Greqia.
Me kalimin e viteve, rraca u përmirësua dhe sot ferma numëron rreth 100 krerë, kryesisht të rracës Assaf si dhe pak krerë të rracës Gjermane Friesian. Fillimisht, Iliri ka blerë 15 krerë dele të rracës Assaf në vitin 2018 dhe më tej duke synuar rritjen e tufës, ka blerë vazhdimisht si dhe ka përdorur remontin për të arritur në numrin aktual prej rreth 100 krerë.
Qëllimi i fermës është prodhimi i qumështit, ndaj është përzgjedhur rraca Assaf si një rracë me avantazh në prodhimin e qumështit. Tregu i shitjes së qumështit është i garantuar në një nga fabrikat e qumështit, ndërsa qengjat tregtohen në dy – tre kasapë të zonës.
Strehimi i tufës bëhet në një stallë relativisht të re të përshtatshme dhe me ajrosje e ventilimin e duhur e ndërtuar në vitin 2000.
Toka në dispozicion të fermës
Ferma disponon 0.5 ha tokë në pronësi e cila mbillet me tërfil. Ndërkohë me qera janë marrë 8 hektarë tokë e cila mbillet 2 hektarë me elb, 2 hektarë me tërshërë, 2 hektarë me jonxhë aktualisht në vitin e tretë si dhe 2 hektarë foragjere për kullotë.
Tufa e deleve
Aktualisht tufa e deleve përbëhet nga rreth 100 krerë, nga të cilat 60 krerë janë dele në mjelje, rreth 35 rurza, 4 desh dhe 1 sheleg.
Pjellja e tufës është e organizuar me një shtrirje përgjatë periudhës Nëntor – Shkurt.
Cikli Vjetor i Riprodhimit
N = Ndërzimi
P = Pjellja
L = Laktationi
Delet realizojnë 1 pjellje në vit, disa prej tyre prodhojnë dyjare, duke mundësuar kështu pjelljen, rritjen dhe shitjen e 82 qengjave në vit.
Të ushqyerit
a) Të ushqyerit e qengjave:
Përgjatë muajit të parë qengjat ushqehen vetëm me qumështin e nënës. Pas muajit të parë krahas pirjes së qumështit të nënës hidhet edhe 70 – 80 gram për krerë përzierje grurë, elb e misër si dhe pak bar i thatë jonxhe. Kjo sasi vjen në rritje deri në momentin e shkëputjes dhe shitjes që ndodh në moshën 65-70 ditë ose rreth moshës pak më shumë se dy muaj.
b) Të ushqyerit e deleve
Gjatë periudhës së verës Korrik – Gusht kullotja e tufës është e kufizuar, pasi për mungesë të reshjeve dhe vaditjes parcelat ofrojnë sasi të kufizuara kullote. Nga momenti i pjelljes, pra rreth muajit Nëntor e deri në Qershor përdoret koncentratë (një përzierje misër, elb dhe tërshërë) sasia e së cilës rritet nga disa gramë në masën 300 – 400 gram për krerë në ditë në muajin Shkurt duke arritur në rreth 700 gramë për krerë në ditë në muajin Qershor. Krahas koncentratës ofrohet edhe jonxhë e thatë 1.5 kg për krerë në ditë si dhe mundësohet kullotja e lirë.
Në periudhën Qershor deri në Shtator delet shkojnë drejt tharjes dhe përdoret 1.5 kg për krerë në ditë bar jonxhe si dhe 1.5 kg për krerë në ditë bar i përzier. Në periudhën nga Shtatori deri në Nëntor kur është dhe momenti i fillimit të pjelljes, delet ushqehen me 1 kg bar i thatë për krerë në ditë si dhe lihen në kullotë të lirë. Pjellja përgjithësisht fillon në muajin Nëntor.
P = Pjellje
K = Koncentratë
JTh = Jonxhë e thatë
KL = Kullotë e lirë
BTh = Bar i Thatë
Operacionet në fermë
Biznesi operohet nga anëtarët e familjes. Mjelja dhe përkujdesi në shërbimet kryesore si të ushqyerit, kullotja, kujdesi gjatë pjelljes së qengjave, pastrimi, ofrimi i ujit, etj, bëhen nga vetë anëtarët e familjes, kryesisht Iliri. Operacioni i mjeljes bëhet me dorë dhe mjelja është e organizuar dy herë në ditë. Në mjelje janë rreth 60 krerë dhe procesi i mjeljes zgjat rreth një orë për çdo mjelje. Sasia e qumështit është në varësi të periudhës së laktacionit.
Qethja kryhet me makineri dhe është një nga operacionet kur punësohet një punëtor me njohuri për qethjen.
Produktet dhe tregtimi i tyre
Produktet kryesore për tregtim janë qumështi dhe qengjat, ndërkohë që nuk ka një treg për shitjen e leshit dhe të plehut organik. Sidoqoftë, plehu organik përdoret në procesin e kultivimit të kulturave bujqësore. Qumështi shitet në fabrikën e përpunimit e cila bën grumbullimin e qumështit në fermë, ndërsa qengjat shiten tek tregtarët lokalë. Çmimi i qumështit në momentin e kryerjes së analizës ekonomike të fermës është 110 lekë për litër, ndërsa cmimi i qengjave është rreth 14,000 lekë për qengj.
Gjithashtu, ferma skarton rreth 4-5 dele në vit të cilat shiten me një çmim 12,000 lekë për dele në moshën 5-6 vjeçare. Sasia e tregtuar e qumështit në fabrikë krahas konsumit të qengjave dhe konsumit familjar gjatë vitit 2023 ka qenë 9,196 litra nga e cila janë siguruar 1,011,560 lekë të ardhura. Nga shitja e qengjave janë siguruar 1,148,000 lekë të ardhura dhe nga shitja e deleve të skartimit janë siguruar 60,000 lekë të ardhura, duke mundësuar që të ardhurat vjetore të fermës në total të jenë 2,219,560 lekë.
Shpenzimet
Shpenzimet e realizuara për mbarështimin e tufës përfshijnë:
(i) Kultivimin e foragjereve për kullotë në sipërfaqe 2 hektarë, shpenzime 136,600 lekë.
(ii) Kultivimin e elbit në sipërfaqe 2 hektarë, shpenzime 245,000 lekë
(iii) Kultivimin e tërshërës në sipërfaqe 2 hektarë, shpenzime 245,000 lekë
(iv) Kultivimin e jonxhës së re në sipërfaqe prej 2 hektarë, shpenzime total 213,000. Duke qenë se jonxha shfrytëzohet për 4 vjet në këtë fermë, totali i shpenzimeve bazë shpërndarë në vit është 53,250 lekë.
(v) Kultivimi i jonxhës në vitin e dytë në sipërfaqe 2 hektarë, shpenzime total 153,800 lekë, plus shpenzimin bazë 53,250 lekë është 207,050 lekë.
Krahas produkteve të prodhuara në fermë, blihen jashtë fermës:
(i) 600 dengje jonxhë me një vlerë prej 300,000 lekë
(ii) 40 kv misër me një vlerë prej 120,000 lekë
Shpenzimet e tjera të fermës përfshijnë:
(i) Qethje, makineria 2,000 lekë dhe punëtor 20,000 lekë, total 22,000 lekë
(ii) Shërbim veterinar dhe medikamente 20,000 lekë në vit
(iii) Energji elektrike 15,000 lekë në vit
(iv) Ujë 10,000 lekë në vit
(v) Mirëmbajtje stalle 12,000 lekë në vit
(vi) Transport plehu 60,000 lekë
Për rrjedhojë, shpenzime të fermës në total janë në vlerën 1,392,650 lekë.
Të ardhurat neto 2,219,560 - 1,392,650 = 826,910 lekë, ose 89.92 lekë/litër
Objektivi afat-shkurtër i familjes është rritja e mëtejshme e prodhimit si dhe futja në efiçencë prodhimi i 35 rurëzave duke siguruar mbi 90 krerë dele mjelëse. Me një numër prej 35 krerë shtesë do të realizohen hipotetikisht:
(i) Prodhim qumështi shtesë 5,364 litra, në total 14,560 litra që me një çmim prej 110 lekë për litër do të sigurojnë 590,040 lekë shtesë osë në total të ardhura nga qumështi 1,601,600 lekë
(ii) Qengja 48 shtesë, në total 130 qengja që me një çmim prej 14,000 lekë për krerë do të sjellin një të ardhur shtesë prej 672,000 lekë ose në total 1,820,000 lekë
(iii) Numri i deleve të skartimit do të shtohet me 3 copë të cilat me një çmim prej 12,000 lekë për krerë do të sjellin 36,000 lekë të ardhura shtesë, ose në total nga shitja e 8 krerë dele skartimi do të sigurohen 96,000 lekë të ardhura.
(iv) Të ardhura në total do të jenë 3,517,600 lekë
(v) Shpenzimet do të rriten në masën 350,000 lekë duke arritur në total 1,742,650 lekë.
(vi) Të ardhurat neto do të jenë 3,517,600 - 1,742,650 = 1,774,950 lekë.
Shpërndaj në rrjetet sociale: