Varietetet Autoktone të Preshit dhe Hudhrës




Keni interes të njheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri ?

Dëshironi një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre? Kërkoni të njiheni me vlerat dhe rëndësinë e tyre për tregun rajonal ?

Vendi ynë është një vend i pasur me resurse gjenetike bimore si dhe është vend origjinë për disa specie e varietete të kultivuara.

Në kuadër të zhvillimit të agroturizmit, veçanërisht në zonat kodrinore e malore, ato mund të kultivohen, të prodhohen dhe të përdoren produkte tipike të zonës.

Shtimi i kujdesit dhe ndërgjegjësimi për përdorimin e varieteteve tradicionale nga komuniteti i zonës dhe i mbështetjes nga organet lokale e qendrore, nga donatorët, akademikët dhe media, do të mundësojë rritjen e të ardhurave në ato zona si dhe do të shtohen resurset gjenetike të vendit.

Më poshtë po përshkruajmë disa nga variatetet kryesore autoktone të preshit dhe hudhrës sipas një studimi të Institutit të Resurseve Gjenetike të bimëve Universitetit Bujqësor të Tiranës.

  • Preshi i Kasharit

Specia: Allium porrumL.

Përhapja: Në fshatrat e Tiranës njihet e kultivohet për më se 80-100 vjet. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi nga bahçevanët. Aktualisht zë rreth 10-15% të sipërfaqes që mbillet me këtë bimë në zonë.

Përshkrimi: Bima formon pak gjethe dhe kërcell të gjatë 40-60 cm, i cili në pjesën e poshtme vjen më i trashë, kurse pranë gjetheve më i hollë (formë “kopani”). Ka cilësi të mira organoleptike: përmbajtje të ulët celuloze dhe zien lehtë, është i ëmbël, pak djegës dhe i shijshëm në ngrënie. Nuk ka qëndrueshmëri të mirë ndaj të ftohtit.

Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me fidanë.

Teknologjia: Fara për prodhimin e fidanëve mbillet gjatë muajit mars. Fidanët mbillen në fushë gjatë periudhës qershor – korrik, në largësitë 20-25 x 10-15 cm. Prodhimi fillon të merret në periudhën tetor e vazhdon deri në mars të vitit pasardhës.

Rendimenti: rreth 25 - 30 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Është i qëndrueshëm ndaj sëmundjeve.

Negative: Nuk ruhet për kohë të gjatë.

Përdorimi: Për konsum të freskët dhe gatim.

Risku: Është në rrezik zhdukjeje; në vite nuk është punuar për seleksionimin dhe prodhimin e farës.

  • Preshi i Belortasë

Specia: Allium porrum L.

Përhapja: Në fshatrat e Korçës, Devollit e Pogradecit njihet e kultivohet për më se dy shekuj. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar nga banorët brez pas brezi, me përzgjedhje dhe mbjellje të bimëve më tipike e të shëndetshme. Aktualisht zë rreth 20-25% të sipërfaqes së preshit në zonë.

Përshkrimi: Bima formon pak gjethe, me ngjyrë të gjelbër të errët, kërcell cilindrik mjaft të gjatë 70-90 cm. Ka cilësi të mira organoleptike: zien lehtë, është i ëmbël, pak djegës dhe ka shije të mirë. Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj të ftohtit.

Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me fidanë.

Teknologjia: Fara për prodhimin e fidanëve mbillet herët në pranverë, gjatë muajit shkurt e deri nga fillimi muajit mars. Fidanët mbillen në fushë gjatë periudhës maj-qershor, në largësitë 20-25 x 10-15 cm. Prodhimi fillon të merret në periudhën tetor e vazhdon deri në mars të vitit pasardhës.  Në këtë zonë ka përvoja të mira, për shkuljen e preshit në vjeshtën e vonë dhe  ruajtjen e tij të shtratifikuar për konsum dimëror. 

Rendimenti: rreth 25 - 30 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Është i qëndrueshëm ndaj sëmundjeve dhe të ftohtit.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: Për konsum të freskët dhe gatim.

Risku: Është në rrezik zhdukjeje; në vite nuk është punuar për seleksionimin dhe prodhimin e farës.

  • Hudhra e Korçës

Specia: Allium sativum L.

Përhapja: Në zonën e Korçës, veçanërisht tek bahçevanët e fshatit Bulgarec, njihet e kultivohet për më se 100 vjet; fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi.  Aktualisht zë rreth 10-15% të sipërfaqes së hudhrës në zonë, duke përbërë kështu një kultivar të rrallë.

Përshkrimi: Bima formon kërcell të gjatë e masë gjethore të madhe, me ngjyrë të gjelbër të çelur. Bulbet janë të rrumbullakët, me mbulesë të kuqe në lejla, me peshë mesatare 30-40g.  Ato nuk janë shumë kompakte e shkoqen lehtë; më shpesh formojnë 5-6 thelpinj, të cilët kanë shije të fortë djegëse.

Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me thelpinj. Mbjellja e thelpinjve bëhet herët në pranverë (1- 15 mars), me brazda të cekëta, me largësitë 20 cm rreshti nga rreshti dhe 10-15 cm bima nga bima. Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve, në mes rreshta. Prodhimi është i gatshëm për tu vjelë si hudhër e njomë në maj-qershor e për hudhër të thatë në korrik-gusht. Pas vjeljes, hudhrat e thata lidhen gërshetë e ruhen në hangarë.

Rendimenti: Për të njomë 15-20 kv/dynym, kurse për të thatë rreth 10-15 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Është mesatarisht e qëndrueshme ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Jep prodhim të qëndrueshëm. Pas vjeljes ruhet në vargje për 5-6muaj.

Negative: Preket nga ndryshku (Puccinia allii), veçanërisht kur mbillet në zonën e ngrohtë. Janë përkeqësuar cilësitë bimore dhe shpesh herë bulbet shpërbëhen lehtë.

Përdorimi: Përdoret si hudhër e njomë për konsum të freskët; e thatë për gatime të ndryshme.

Risku: Është në rrezik zhdukjeje, sepse në vite nuk është punuar për seleksionimin dhe prodhimin e farës.

  • Hudhra e Brojës

Specia: Allium sativum L.

Përhapja: Në zonën e Alpeve, kryesisht Kelmend, njihet e kultivohet për më se 100 vjet; fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Zë rreth 10-15% të sipërfaqes së hudhrës që mbillet në zonë, duke qenë kështu kultivar i rrallë.

Përshkrimi: Karakterizohet nga bimë që formon kërcell të gjatë e masë gjethore të madhe. Ato janë të gjata, me ngjyrë të gjelbër të errët. Bulbet janë të vogla, shpesh me 2-3 thelpinj të  vegjël ose edhe pa thelpinj. Kultivohet kryesisht për hudhër të njomë.

Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me thelpinj.

Teknologjia: Mbjellja e thelpinjve bëhet herët në pranverë (1-15 mars), në brazda të cekëta të hapura me shatë, me largësitë 20 cm rreshti nga rreshti dhe 10-15 cm bima nga bima. Kryhen  ujitje, plehërime dhe prashitje të bimëve, në mes rreshta. Prodhimi është i gatshëm për tu vjelë si hudhër e njomë në maj-qershor e për hudhër të thatë në gusht-shtator. Pas vjeljes, hudhrat  e thata lidhen gërshetë e ruhen në hangarë.

Rendimenti: Për të njomë 15-20 kv/dy- nym; për të thatë rreth 7-10 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Është mesatarisht e qëndrueshme ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Jep prodhim të qëndrueshëm.

Negative: Janë përkeqësuar cilësitë bimore. Shpesh herë nuk formon thelpinj.

Përdorimi: Për konsum të freskët dhe e thatë për gatim në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Është në rrezik zhdukjeje, pasi në vite s’është punuar për seleksionimin e prodhimin e farës.

Data e publikimit: 12/12/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: