TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LOTUSIT




Lotusi (Lotus corniculatus L.) është bimë shumë vjeçare e familjes Leguminosae (fluturore) e përhapur më shumë në Mesdhe, prandaj mendohet që origjinën ta ketë nga ky pellg. Autorë të ndryshëm e quajnë me emra të ndryshëm: tërfili me brirë, thua pula dhe në disa zona të vendit tonë i thonë edhe tërfili i verdhë. Si bimë e kultivuar në Evropë është shfaqur në shekullin XIX dhe XX në mënyrë të veçantë si bimë përbërëse e kullotave dhe livadheve, më rrallë si bimë e veçantë foragjere dhe si e tillë në ato vende ku jep më shumë se foragjeret e tjera. Në vendin tonë është futur në vitet 1962 – 1963 nga Katedra e Fototaksisë e ILB Kamzë sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Lotusi është një përbërës i mirë për krijimin e kullotave të mbjella. Sistemi rrënjor i lotusit nuk është aq i thellë sa ai i jonxhës. Ai është shumë i degëzuar dhe i shtrirë në shtresat më të cekëta të tokës (30-60 cm thellësi). Boshti kryesor arrin deri në 2 m sipas kushteve ekologjike. Kërcelli është i përbërë nga lastarë që dalin nga qafa e rrënjës , të cilët arrijnë lartësinë  nga 10–15 cm deri në 50–70 cm sipas kultivarit, kushteve ekologjike dhe atyre të kultivimit. Gjethja është e përbërë nga 5 gjethëza me bisht të shkurtër, gjethëzat janë mesatarisht 1 cm të gjatë dhe 0,5 cm të gjerë. Lulëria është e përbërë nga ombrella 5 lulëshe me bisht të gjatë. Petlat e luleve janë të verdha të çelura ose me ngjyrë portokalli, sidomos në pjesën e sipërme. Kurora e luleve është mesatarisht 1,5 cm e gjatë, pra në krahasim me shtatin dhe gjethet ka lule relativisht të mëdha dhe të shumta. Fryti është bishtajë me shumë fara që në pjekje çahet më dyshë dhe secila pjesë përdridhet dhe shkund farën. Farat janë të vogla, në formë veshke pak të rrumbullakosur, me ngjyrë të verdhë në të gjelbër, ngjyrë vaji të errët dhe deri afërsisht të zezë. Pesha e 1000 farave është 1,2–1,4 gr.

Pse meriton përhapje lotusi?

  • Lotusi është bimë me vlera të mirë foragjere. Lotusi është po aq ushqyes për bagëtinë sa jonxha ose edhe më shumë.
  • Mund të konsumohet i njomë, barë i thatë dhe silazh. Lotusi kur konsumohet i njomë nuk shkakton fryrje të bagëtive.
  • Lotusi e duron mirë të ftohtin e zonave malore. Sot është i përhapur në të gjithë rruzullin tokësor që nga zonat bregdetare deri në lartësitë 2000-2500 m.
  • Duron mirë edhe temperaturat e larta, është i qëndrueshëm ndaj thatësirës. Në zonat kodrinore bregdetare të vendit tonë, në vite me thatësirë të theksuar dhe temperatura të larta, qëndron i njomë, vazhdon të rritet dhe përtëritet pas kullotjes.
  • Ka një zhvillim shumë të shpejtë në krahasim me bimët e tjera foragjere.
  • Pasuron tokën, pra është një parabimë e mirë si dhe e mbron atë nga erozioni.
  • Është veçanërisht i mirë në toka jopjellore, të kulluara dobët dhe ato që janë të vështira për t'u kultivuar me bimë tjera.
  • Ka jetëgjatësi të madhe, mund të shfrytëzohet 7 – 10 vjet.

Cilat janë kërkesat e lotusit për klimën dhe tokën?

Tiparet themelore të lotusit janë jetëgjatësia e madhe, qëndrueshmëria në kushte të vështira të mjedisit, hershmëria në rritje dhe zhvillim, ndryshueshmëria e varieteteve botanike, plasticiteti i theksuar biologjik dhe përhapja e gjerë.

Kërkesat për temperaturën

  • Fara mbin në 5–8 °C.
  • Bimët e sapo mbira i durojnë mirë temperaturat e ulëta -5 °C deri -6 °C.
  • Bimët e rritura kanë qëndrueshmëri të lartë ndaj të ftohtit. Ato dëmtohen kur temperatura ulet në  –15 °C. Pra lotusi e duron mirë të ftohtin e zonave malore.
  • Duron mirë edhe temperaturat e larta, është i qëndrueshëm ndaj thatësirës.
  • Rifillon vegjetacionin në pranverë sapo temperatura mesatare ditore të arrijë 5–6°C

Kërkesat për lagështirën

Megjithëse është i qëndrueshëm ndaj thatësirës, jep rendimente të larta kur gjen lagështirën e nevojshme. 

Kërkesat për tokën

Lotusi nuk ka kërkesa të mëdha për tokën. Shkon mirë në tipat gjenetike të tokave tona, në toka me përbërje të ndryshme fizike. Rritet dhe shkon mirë në tokat e pasura me lëndë ushqimore, të sistemuara dhe me lagështirë të mjaftueshme. Lotusi toleron pH e tokës prej 4.5-8.2. Pra, shkon  mirë si në toka bazike dhe ato acide dhe ka tolerancë të moderuar ndaj kripëzimit të tokës. Duron mirë lagështirën e tepërt si dhe afërsinë e ujërave të nëntokës. Në zonat malore të thata mund të kalojë foragjeret e tjera nga ana e rendimentit. Nga këto arrihet në përfundimin se lotusi është bimë me qëndrueshmëri të lartë ndaj kushteve të vështira të mjedisit. Edhe streset që shkaktojnë mbi bimët faktorët klimatik të disfavorshëm, lotusi i kalon më me pak ndikim dëmprurës mbi prodhimin se disa bimë të tjera të ngjashme më të.

Agroteknika e kultivimit

Lotusi mund të mbillet si bimë e vetme ose e bashkëshoqëruar ne rastet kur ai përdoret për krijimin e livadheve polifite. Për kultivimin e lotusit, si bimë e vetme, përdoret pothuaj e njëjta teknologji si edhe tek jonxha. Përgatitja e tokës fillon me plugimin e tokës i cili duhet të kryhet në kohë sa më të përshtatshme e cilësi të lartë sa i përket thellësisë, kthimit e nivelimit. Rekomandojmë që plugimi bazë të bëhet të paktën 3 javë para mbjellje në thellësi 26 – 30 cm. Në plehërimin bazë rekomandojmë të përdoret 6 – 7 kv/ha superfosfat ku 2/3 e sasisë të përdoren para plugimit dhe 1/3 para diskikimit apo frezimit të tokë para mbjelljes. Rëndësi e veçantë i kushtohet përgatitjes së tokës për mbjellje. Lotusi futet në grupin e bimëve më farë të imët, prandaj shtrati i mbjelljes duhet të  përgatitet sa më mirë. Përgatitja e shtratit të mbjelljes realizohet me anë të diskimit ose frezimit.

Mbjellja

Mbjellja e lotusit bëhet herët në pranverë. Kur mbillet si kulturë e veçantë përdoret 15–20 kg/ha farë. Në ngastrat për farë kur mbillet me rreshta të gjerë mjaftojnë 6–7 kh/ha. Mbjellja bëhet në thellësi 1–1,5 cm, në varësi të llojit të tokës.

Kujdes! Mos tejkalo thellësinë e mbjelljes. Lotusi ka fara shumë të vogla dhe mbjelljet më të thella, nga ajo e rekomanduar, çojnë në dështimin e mbirjeve.

Para e pas mbjelljes rekomandojmë të kryhet procesi i rulimit, masë kjo e domosdoshme kur nuk kemi vlagën e mjaftueshme për mbirjen e farës. Përkujdesjet në livadhet monofite (e mbjellë si bimë e veçantë) dhe ploifite (e mbjellë në bashkëshoqërim me bimë tjera) janë po ato që bëhen në kulturën e jonxhës ku rëndësi e veçantë i kushtohet kullimit të tokës gjatë periudhës së shirave

Shfrytëzimi i livadhit (kositja dhe kullotja) Livadhi i lotusit mund të shfrytëzohet për një periudhë 7 – 8 vjet por ka raste që mund të shkojë deri në 10 vjet. Prodhimin më të madh e jep në vitin e dytë dhe të tretë, por edhe në vitet pasardhës rënia e prodhimit është e ngadaltë dhe jep rendimente të kënaqshme. Në kohën e lulëzimit ka shije pak të hidhur, prandaj ose kullotet para lulëzimit ose shfrytëzohet për barë të thatë ose silazh sepse pas tharjes e silazhimit humbet hidhërimin. Zakonisht vitin e parë kositet dy herë, vitet tjera tre herë. Ka raste, në kushte më të mira agroteknike, mund të kositet edhe 4 herë. Lotusi mund të japë deri 500 kv/ha masë të njomë foragjere. Dallohet si bimë që e duron mirë si kullotjen, ashtu dhe kositjet e shpeshta Faza e lulëzimit dhe e pjekjes së farës është relativisht e gjatë. Pjekja e farës nuk është e menjëhershme, por e zgjatur dhe krijon vështirësi në prodhimin e farës. Lotusi prodhon në përqindje të lartë fara të forta.

Data e publikimit: 02/02/2026


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË BURXHAKUT

Cilat janë kërkesat e burxhakut për klimën (temperaturë dhe lagështirë)?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KUTIVIMIT TË KOÇKULLËS

Kërkesat e koçkullës për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ELBIT

Kërkesat e elbit për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

KULTIVIMI I PANXHARIT FORAGJER

Për një kultivim të suksesshëm të panxharit foragjer ju rekomandojmë të mbani parasysh:

Lexo më shumë