Histori Suksesi – Qemal Tahiraj




Në Kukës udhëtojmë për të takuar z. Qemal Tahiraj. Kolegu ynë, Sabahu na shpjegon se Qemali është i dashuruar me bimët medicinale me një aktivitet 30 vjeçar në këtë fushë.

Qemalin e gjejmë në mjediset e një magazine skrapi. Habisë tonë ai i përgjigjet duke qeshur se ky është aktiviteti i periudhës së dimrit kur nuk ka bimë medicinale dhe nga aty na shoqëron për te ambientet e tjera, ku hundët të shpohen nga aroma e bimëve medicinale.

Qemali ishte pak i shpërqendruar dhe na shpjegon se për herë të parë po kryente eksport vetë dhe ishte në pritje të telefonatës së përfundimit të procedurave të dorëzimit ndërkohë që në hyrje të magazinës ishte një kamion duke u ngarkuar po për eksport. Na tregon për listën e bimëve medicinale të cilat ai trajton, të gjitha nga mali i Gjallicës si dhe për rrjetin e tij të grumbulluesve, tregun e brendshëm ku ka shitur deri më tani etj.

Interesit tonë se përse zgjodhi të merret me bimët medicinale, Qemali i përgjigjet se zanafillat janë shumë të hershme, që në kohën e monizmit. “Gjatë pushimeve të verës kishim shumë kohë të lirë dhe s’kishim shumë mundësi për argëtim, kështu që për të grumbulluar edhe ndonjë lek, i ngjiteshim me një grup shokësh malit të Gjallicës për të grumbulluar bimë medicinale, të cilat pasi i thanim, i shisnim në pikat e grumbullimit. Kështu mësova se çfarë bimësh medicinale dhe aromatike rriteshin në Gjallicë, kush kishte çmim më të mirë, pra me pak fjalë që në moshë të re u bëra “ekspert”, kështu që pas ndryshimit të sistemit, ky ishte i vetmi biznes ku unë ndihesha komod, sepse provova dhe hapa edhe lokal, por ishte angazhim shumë i madh dhe pa ndonjë kënaqësi. Me pak fjalë, kam 30 vjet që merrem me bimët medicinale dhe jam i kënaqur”.

 

Sa i përket pyetjes lidhur me certifikimin organik, Qemali thotë se “tani që bëra eksportin tim të parë po ja shoh bereqetin, se vërtet ka nevojë për shpenzime për certifikim organik, por çmimi i shitjes është shumë më i mirë. Sa të mbyll kredinë e radhës që mora për dhomën frigoriferike do shikoj mundësinë për kredi të re për investime për përmbushjen e kushteve për certifikim organik”.

Qemali ka gjithashtu edhe një histori të gjatë me institucionet financiare në Kukës, sepse për të mbajtur rrjetin e tij të grumbulluesve, në fillesat e veta, është detyruar të marrë kredi për t’i shlyer ata në momentin e dorëzimit. “Kam punuar me shumë institucione financiare, por që me hapjen e degës së FED invest në Kukës kam gjetur korrektësi, shpejtësi, interesa më të mira dhe fleksibilitet për kreditë që kam marrë. FED invest më ka mundësuar edhe këste sezonale që është shumë e mirë për biznesin tim, të gjitha këto edhe falë stafit shumë të mirë, të paktën në Kukës, që unë i njoh”.

 

 

Data e publikimit: 07/11/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: