METODAT PËR MBAJTJEN E TEMPERATURËS OPTIMALE NË USHQIMIN DITOR TË LOPËVE




                                                                             REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Në ditët e nxehta me temperaturë të lartë, ushqimi i fermës ndodhet përballë rrezikut të prishjes. Ekzistojnë një sërë faktorësh që sjellin ngrohje deri edhe vetëdjegie të disa prej ushqimeve që përdoren për konsum nga blegtoria, të tilla si bari i jonxhës, bari i livadhit, silazhi.  

Ndër këta faktorë si më të rëndësishmit mund të përmendim përmbajtjen e lagështisë në kulturat foragjere në momentin e korrjes, temperaturën dhe lagështinë e ajrit, ngjeshjen, paketimin, format dhe përmasat e paketimit si dhe grumbullimi i produkteve. Ngrohja (ose djegia) e ushqimit shkaktohet nga rritja e shpejtë e aktivitetit të mikroorganizmave, baktereve, myqeve dhe majasë. Këto mikroorganizma arrijnë të zbërthejnë ushqimin duke shkaktuar humbje të energjisë dhe duke e bërë atë të padëshirueshëm dhe pa vlerë ushqyese për kafshët. 

Por, çfarë e favorizon dhe cilat janë kushtet perfekte për rritjen e bakterieve, myqeve dhe majasë?

Gjatë muajve me temperatura të larta, kur ndodh dhe korrja e foragjereve, krijohen kushtet e përshtatëshme për jetesën e mikroorganizmave. Temperaturat e larta, prania e oksigjenit dhe lagështisë favorizojnë shumimin e mikroroganizmave. Pikërisht, shtimi i tyre sjell për pasojë procesin e degradimit të ushqimit. Janë temperaturat mbi 20°C ato që krijojnë kushte të favorshme për përshpejtimin e prishjes së ushqimit. Nën praninë e oksigjenit, pjesa më e madhe e kërpudhave dhe baktereve gjejnë kushtet e përshtatshme për zhvillim. Njëkohësisht prania e lagështisë e përshpejton më tej procesin e prishjes. Ndryshime ndodhin edhe në nivelin e aciditetit në ushqim, ose vlerën e pehashit (pH) i cili në kushte normale duhet të jetë nën 4, me qëllim që të pengohet rritja e mikroorganizmave. Në një mjedis ushqimi ku mikroorganizmat aktive bëjnë zbërthimin e proteinave, krijohen kushtet për rritje të nivelit të pH mbi vlerën 4, për pasojë dhe ngrohja e prishja e ushqimeve foragjere.

Cilët faktorë ndikojnë në ngrohjen (djegien) e barit të jonxhës dhe barit të livadhit?  

Gjithnjë e më shumë edhe në fermat tona paketimi i barit të thatë po bëhet në formën e ballave të cilat mund të jenë në formë drejtkëndore ose në formë cilindrike. Krahas faktorëve të përmendur, rreziku i ngrohjes së ballave të barit të thatë krijohet nga edhe nga faktorë të tillë si madhësia e ballës, densiteti i saj dhe mënyra se si ruhet apo magazinohet ajo. Ballët e vogla kanë sipërfaqe relativisht më të madhe, për pasojë mund të çlirojnë më shumë nxehtësi. 

Mbani parasysh se rregulli i përgjithshëm është: bari i paketuar në balla kur ka mbi 20% lagështi shfaq rrezikun e ngrohjes ose të krijimit të myqeve, gjë e cila ndikon mbi cilësinë ushqyese të barit të thatë. Pra, nëse bari paketohet në balla kur lagështia e tij është 25-35% (ose lënda e thatë është 65-75%), ai fillon të ngrohet (digjet) në mënyrë spontane. 

Mbani parasysh se rregulli i përgjithshëm është: ciladoqoftë forma e ballës (cilindrike apo drejtkëndore), madhësia është e lidhur me lagështinë në kohën e korrjes. Ballat e mëdha janë të prirura të krijojnë më shumë nxehtësi krahasuar me ballat e vogla, dhe ngrohen (fillojnë djegien) në nivele më të ulta të lagështisë. Dëmtimi nga ngrohja (djegia) shfaqet kur bari merr ngjyrë kafe të errët në pjesën e mesit të ballës. Ndaj, kur përgatiten balla të mëdha ato duhet të përgatiten kur bari ka një nivel lagështije jo më të madh se 14-16%. Pra, nëse barin e paketoni në balla kur ai është me përmbajtje të lartë lagështije, atëherë shfaqet një rrezik i madh për ngrohjen (djegien) e tyre.

Mbani parasysh se rregulli i përgjithshëm është:  nëse bari paketohet në balla kur ai është shumë i thatë, ekziston rreziku i copëtimit të gjetheve duke sjellë dhe humbje të mëdha në fushë gjatë procesit të paketimit, humbje këto që mund të arrijë deri në 25 % të masës së barit nëse lagështija do të jetë më e vogël se 12%.

Mbani parasysh se rregulli i përgjithshëm është: kushtojini vëmendje formës së ballës. Përgjithësisht ballat drejtëkëndore të vendosura ngjitur me njëra tjetrën nuk lejojnë depërtimin e ajrit dhe për pasojë nxisin rritjen e temperaturës dhe nxehtësisë së tyre. Ndërsa, sistemimet e ballave cilindrike, mundësojnë lëvizjen e ajrit ndërmjet tyre dhe shpërndarjen e nxehtësisë, duke ulur rrezikun e ngrohjes së masës së barit. Gjithsesi, edhe në rastin e ballave cilindrike, duhet t'i kushtoni vëmendje udhëzimeve që ju rekomanduam më lart lidhur me lagështinë gjatë fazës së korrjes.

Cilët faktorë ndikojnë në ngrohjen (djegien) e silazhit?

Natyrisht elementët që kemi përmendur në përgatitjen e nje silazhi misri cilësor (si koha e korrjes, madhësia e prerjes, ngjeshja, koha e mbulimit, etj) janë të rëndësishëm në përgatitjen e silazhit. Por, një silazh misri mbetet cilësor kur vlera e aciditetit të tij në gropën e silazhit ka një gjendje të qëndrueshme të pH prej nën 4.5. Në nivelin e pH nën 4.5 nuk ka rreziqe të zhvillimit të kërpudhave të cilat prishin cilësinë e tij. Nga ana tjetër zhvillimi i majasë (ose tharmit) nuk ndikohet nga vlerat e pH, por në temperaturë të përshtatëshme, lagështi dhe lëndë ushqyese dhe në prani të oksigjenit, majaja mund të zhvillohet në mënyrë të shpejtë. Ushqyesit e majasë janë sheqerërat dhe acidi laktik që ndodhen në silazh.

 Pikërisht konsumi i acidit laktik sjell rritjen e temperaturës dhe pH tek silazhi, duke mundësuar kështu zhvillimin e kërpudhave dhe baktereve. Për pasojë silazhi humbet nivelin e energjisë, aromën, ngjyrën dhe shijen e tij, e rrjedhimisht humbet vlerat ushqyese. 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Nxehtësia shkaktar i prishjes së cilësisë së ushqimeve.

Data e publikimit: 17/08/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

MENAXHIMI I SËMUNDJEVE NË BIMËT ZBUKURUESE BARISHTORE (BULBORE)

Bimët dekorative preken nga një sërë sëmundjesh dhe kontrolli i tyre është i një rëndësie të veçante për të garantuar mosprishjen e bukurisë së tyre

Lexo më shumë

CILAT JANË SËMUNDJET KRYESORE QË PREKIN BIMËN E GLADIOLËS?

Simptomat dhe menaxhimi i tyre

Lexo më shumë

MENAXHIMI I SËMUNDJEVE NË BIMËT ZBUKURUESE DRUNORE

Cilat janë sëmundjet kryesore që prekin bimën e mimozës?

Lexo më shumë

CILAT JANË SËMUNDJET KRYESORE QË PREKIN BIMËN E PLEPIT (POPULUS)?

Sëmundja mund të prekë gjatë gjithë periudhës së vegjetacionit, gjethet,degët e padrunjëzuara, lulet.

Lexo më shumë