TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË FTOIT




Frutat e kësaj peme zënë një vend të rëndësishëm në strukturën e konsumit të frutave. Ato përmbajnë 8-10% lëndë sheqerore, acide organike, lëndë azotike, lëndë minerale, vitaminat më kryesore A, B, C, si dhe lëndë aromatike të cilat ia rrisin më shumë vlerat e frutave të përpunuara në industrinë ushqimore. 

Ftoi është i përhapur kudo në Shqipëri, por përhapje më të gjerë ka në zonën e ulët të vendit tonë, në rrethet Elbasan, Tiranë, Vlorë, Shkodër, Peshkopi, etj. Numri i madh i formave bimore si dhe ruajtja në ambiente të freskëta bën që frutat e kësaj peme të gjejnë përdorim në një pjesë të madhe të vitit. 

Gjithashtu, frutat e kësaj pemë kanë gjetur një përdorim të gjerë edhe në industrinë përpunuese, si reçelra, marinada, lëngje, prevede, marinadë, fruta të thata, etj.

Cilat janë kërkesat e ftoit për klimën dhe tokën?

Klima: Ftoi është i përshtatshme për vendet me klimë të freskët dhe temperaturat më të larta që mund të durojë, pa strese, janë deri me 30°C, ndërsa mbi këto temperatura bimët e ftoit vuajnë.

Ftoi shkon deri në lartësitë 700- 800 m, por mund të gjendet edhe mbi këto lartësi. Në kushtet me hije frutat nuk piqen mirë, nuk kanë aromën karakteristike dhe bie prodhimi. 

  • Duron temperaturat e dimrit deri -23°C,
  • Rrënjët durojnë deri në -12°C.
  • Lulet dëmtohen në -1°C deri 1,5°C.

Pema e ftoit duron mungesën e ujit por, për një prodhim të mirë duhet të ketë 600-900 mm shi dhe të shpërndarë gjatë gjithë vitit. Kërkesat më të mëdha për ujë i shfaq gjatë muajve gusht – shtator. 

Toka: Në përgjithësi ftoi nuk pëlqen toka të ngjeshura, argjilore të rënda, më shumë gëlqere dhe të papërshkueshme nga uji. Kjo bimë e shfaq potencialin e saj prodhues vetëm në toka të thella, të ajrosura dhe të kulluara e drenazhuara mirë. Armiku kryesor për ftoin është teprica e ujit në tokë. Ajo i përshtatet mirë tokave me përbërje mekanike të mesme (tokat argjilë-ranore). 

Shtresa e aktive e tokës duhet të jetë së paku 50-60 cm dhe përmbajtja e humusit jo më pak se 2-3%. 

Në toka shumë të thata frutat, në përgjithësi, mbeten të vogla dhe me pak lëng. 

Varietetet kryesore të ftoit

Ekzistojnë rreth 50 varietete ftonjsh. Në varësi të formës së frutit ato klasifikohen në dy grupe të mëdha që janë:

  • Në formë dardhe (Cydonia vulgaris var. B. Oblanga);
  • Në formë molle (Cydonia vulgaris var. A. Maliformis).

 

Ftoi Portugez është një kultivar me fruta të mëdha dhe me një peshë mesatare nga 600-800 g. Fruti nuk ka bisht pasi del direkt në degëzën njëvjeçare. 

Piqet në tetor dhe mund të ruhet në ambiente të freskëta për rreth 2 muaj pas vjeljes. 

Duron tokat e thata dhe të varfrat.  Ka gjetur përhapje në gjithë zonat e kultivimit të kësaj bime. Ka nevojë të bashkëshoqërohet me varietete të tjera për të realizuar pjalmimin. 

Është i përshtatshëm për kultivimin në forma kupore, por edhe në forma të detyruara si kordon dhe atë palmetë.

Gjiganti i Vranisë  është një kultivar me fruta të mëdha me formë si të dardhës dhe me një peshë mesatare nga 400-500 g. Fruti ka bisht, tuli është me ngjyrë të verdhë dhe shije të veçantë. 

Piqet në tetor dhe mund të ruhet ne ambiente të freskëta për rreth 1 muaj pas vjeljes. 

Karakterizohet për një qëndrueshmëri të lartë ndaj klimës së ftohtë dhe kontinentale prandaj është i përhapur kryesisht në zonën e Peshkopisë. Është i përshtatshëm për kultivimin në forma kupore, por edhe në forma të detyruara si kordon e  palmetë.

Anxher është një kultivar frutat e të cilit janë në formë molle, ngjyrë të verdhë, lëkurë të mbuluar me push të verdhë në gri. Është më shumë i përhapur ne zonën e Pogradecit, Peshkopisë, Beratit, etj. Është i përshtatshëm për kultivimin në të gjitha format, si: kordon, palmetë, piramidale apo dhe në formë kupore.

Cilat janë distancat e mbjelljes dhe format e kultivimit tek ftoi?

Distancat e mbjelljeve përcaktohen në bazë të nënshartesave, të formave të kultivimit, pjerrësisë së tokës, ekspozicionit ndaj diellit, pjellorisë së tokës, etj. Distancat më të përshtatshme janë:

  • Për kultivarët në formë dardhe distancat më të pranueshme janë 3,5 x 5 m ose 4 x 5  m.
  • Për kultivarët në formë molle distancat më të pranueshme janë 3 x 4 m ose 3.5 x 4.5 m

Koha e mbjelljes: si të gjithë pemët frutore koha më e përshtatshme është periudha e qetësisë dimërore duke shmangur ditët shumë të ftohta, me ngrica dhe shira. Kur fidanët tregtohen me bukë dheu ato mund të mbillen në çdo stinë të vitit.

Mbjellja: fidani mbillet në gropa ku hidhen plehrat kimike dhe organike. Në rastet kur toka nuk është punuar thellë gropat hapen në përmasa 1x1x0,8m, kurse kur toka është e punuar thellë mjafton të hapet një gropë me përmasa të tilla që sistemi rrënjor të gjejë një shtrirje të plotë. Thellësia e mbjelljes duhet të jetë në atë thellësi që fidani ka qenë në fidanishte. 

Format e mbajtjes së kurorës

Format e kultivimit (forma e kurorës) që mund të aplikohen janë:

  • Të detyruara ku përfshihen format:
  •  spalierë/kordon (d.m.th. me shtrirje horizontale në sistemin mbështetës);
  • palmetë.
  • Forma te lira ku përfshihen:
  • piramidale (d.m.th. lihet një udhëheqës qendror dhe vishet me kate);
  • kupore me 3-4 degë skeletore dhe është forma më kryesore e kultivimit të kësaj bime.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Shërbimet agroteknike tek ftoi.

Data e publikimit: 25/02/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

SHËRBIMET AGROTEKNIKE TEK FTOI

Disa nga shërbimet kryesore janë punimi i tokë, ujitja, plehërimi, krasitja, kontrolli i sëmundjeve dhe dëmtuesve, etj.

Lexo më shumë

MBROJTJA NGA SËMUNDJET, DËMTUESIT DHE VJELJA E PRODHIMIT TEK FTOI

Cilat janë disa nga sëmundjet kryesore të ftoit dhe Masat e parandalimit dhe kontrollit?

Lexo më shumë