Jetnorin e takojmë në fermën e tij blegtorale në kulmin e punës. Nuk ka qejf për shumë foto pasi siç na thotë: “Kjo që shihni nuk është as 10% e asaj që do jetë pas përfundimit të ndërtimit të stallës së re, për të cilën kam marrë edhe kredi nga FED invest-i.”
Na tregon makineritë dhe paisjet që presin për tu instaluar në stallën e re. “Ndërtimi do fillojë sapo të më lejojë moti.”
Jetnori na tregon për fillimet e tij si një emigrant, fillimisht në Greqi, ku punoi sa të bënte disa para për të kaluar në Itali.
“Kam punuar në ndërtim në Itali dhe paguhesha si mjeshtër. Paguhesha shumë mirë, por nuk më pëlqente të punoja për të tjerë, prandaj vendosa të kthehem në Shqipëri. Me paratë e kursyera bleva një traktor të vogël Kubota dhe disa agregatë. Punoja për të tjerë dhe fitoja mirë. Edhe në kafe shkoja me traktor që edhe po të më dilte ndonjë punë të isha i gatshëm. Më pas lindi nevoja për një traktor më të fuqishëm që e bleva. Dikur, një mik i imi më sugjeroi që të mbanim disa viça për mish. Kështu fillova të futesha në fushën e blegtorisë bashkë me vëllain. Nuk dolëm keq me shitjen e mishit kështu që e vazhduam atë punë.
Disa vite më vonë doli në shitje një fermë me 14 lopë për qumësht dhe unë i bleva të gjitha. Këtu është pika ime e kthesës nga prodhim mishi në prodhim qumështi. Jam i kënaqur. Nuk mbaj asnjë lopë që jep nën 20 litra qumësht. Rreth 65% të ushqimit ja siguroj vetë. Jam i kënaqur me çmimin e shitjes si dhe jam përfitues i rregullt i skemave të mbështetjes pasi çdo gjë e kam të formalizuar.”
Kur e pyesim se ku do të arrijë ai na thotë: “Nuk e di, por e sigurtë është që në vend jo. Po nuk u zhvillova më mirë e mbyll këtë punë. Hapi i parë, i shpejtë, është ndërtimi i stallës së re për të cilën më mbështeti edhe FED-i, ku jeni të ftuar në përurim.”
Ndahemi me Jetnorin dhe të vëllain duke uruar të takohemi sa më shpejt, në stallat e reja, dhe me më shumë foto për të pasqyruar arritjet e këtij të riu të apasionuar ndaj punës.
Shpërndaj në rrjetet sociale: