TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË GRURIT




                                                                            REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Gruri, është kultura e arave që mbillet më shumë, në shkallë botërore në rreth 225 milion ha ose 42% e drithrave kryesore si: grurë, oriz, misër, sipas studimeve të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Me grurë ushqehet rreth 40% e popullsisë. Gruri është kulturë e lashtë, e kultivuar që në periudhën e shoqërisë primitive, 8000 deri në 10000 vjet më parë. Në kontinentin amerikan dhe australian është kulturë më e re.

Në vendin tonë gruri është kultura e drithrave, që mbillet më gjërësisht.

Para viteve 90 mbilleshin rreth 200 mijë ha, sot mbillen rreth 80 mijë ha (Burimi: Ministria e Bujësisë dhe Zhvillimit Rural). Gruri mbillet në fushë, kodër e malësi, nga zona bregdetare deri në 1200 m mbi nivelin e detit.

Përse gruri meriton të përhapet më shumë në vendin tonë?

Kjo sepse: 

  • Gruri, përdoret kryesisht për përpunim të drejtpërdrejtë për ushqim për njeriun, kurse përdorimi i tij si ushqim për blegtorinë dhe për industrinë, janë dytësore.
  • Kokrra e grurit përmban mesatarisht proteina 12.5%, celulozë 2%, yndyrna 1. 9%. Përbërja kimike e kokrrës së grurit tregon se ai është i pasur në karbohidrate, kryesisht në amidon, pastaj në proteina dhe më pak në yndyrna dhe kripëra minerale.
  • Cilësia e përgatitjes së bukës, nga të gjitha produktet bimore, vetëm mielli i grurit përmban llojet dhe kombinimet e proteinave të nevojshme për prodhimin e panineve të lehta, poroze dhe të përvetësueshme.
  • Nga kokrra e grurit përgatitet një numër i madh nënproduktesh ushqimore, që nga llojet e ndryshme të bukës e makaronave, deri tek galetat e ëmbëlsirat.
  • Gruri në embrion dhe në shtresën aleuronike, përmban dhe është i pasur në enzimë, vitamina të grupit B, si dhe në kripëra minerale, si: kalcium, hekur, fosfor, potas, squfur, magnez etj.
  • Buka e grurit është nga më të ushqyeshmet dhe të shijshmet. Prej saj, njeriu merr mbi 60% të karbohidrateve, që përfaqësojnë rreth 80% të kërkesave kalorifike ditore. Gjithashtu, nëpërmjet produkteve të grurit, organizmi i njeriut merr çdo ditë, rreth 35- 40% të proteinave.

Cilat janë kërkesat e grurit për klimën, tokën dhe parabimën?

Gruri, është bimë e ditës së gjatë, me përshtatshmëri të gjerë ndaj klimës, kryesisht është kulturë e klimës kontinentale, temperaturat më të favorshme për mbirje të farës janë 14-20°C, ku mbin për 5-7 ditë. Në temperaturë 7-8°C mbin për 17-20 ditë, ndërsa në temperatura më të ulëta mugullon dhe mbin edhe më ngadalë. Uji/ujitja luan një rol të rëndësishëm ku gjatë vegjetacionit kërkohen 500-700 mm të reshje. Gruri i butë duron më shumë të ftohtit deri -20-25°C.

Si kulturat e tjera edhe gruri ka temperaturat e tij optimale biologjike dhe bujqësore (agronomike) me minimalen dhe maksimalen brenda tyre. Për fazat më të rëndësishme të zhvillimit temperaturat optimale janë :

Fazat e zhvillimitOptimale biologjikeOptimale bujqësore
Për mbirjen22-25°C6-12°C
Për lulëzimin20°C16-20°C
Për pjekjen30°C16-22°C

 

Kujtesë për kultivuesit e grurit!

  • Kultura e grurit është e ndjeshme në mungesë të lagështisë, sidomos në fazën e kallëzimit dhe në kohën e formimit dhe mbushjes së kokrrës.
  • Duke njohur kushtet konkrete të vitit që është përgjithësisht i lagët, si dhe biologjinë e bimës së grurit i cili është mjaft i ndjeshëm ndaj lagështirës së tepërt, është e domosdoshme që të përmirësohet rregjimi i kullimit. Me rregjim të rregullt të kullimit, bëjmë të mundur:
  • Rritjen e koeficientit të shfrytëzimit të plehërave;
  • Përmirësimin e gjendjes shëndetësore të bimës dhe fuqizimin e sistemit rrënjor;
  • Uljen e shkallës së prekjes nga sëmundjet.
  • Shumë negativisht do të ndikojë në zhvillim dhe frytdhënie, nëse moti i thatë do të shoqërohet me temperatura të larta.
  • Mungesa e azotit e bën bimën e grurit të rritet pak, të mos vllazërojë shumë, të formojë kalli të vogël me pak kokrra në kallzë, etj.
  • Temperaturat më të ulëta dhe më të larta se 14°C dhe 25°C si dhe mungesa e lagështirës tokësore dhe ajrore në këtë periudhë, shkaktojnë sterilitet të lartë të kallirit.

 

Në cilat toka shkon më mirë gruri?

Për grurin, tokat më të përshtatshme për kultivimin e tij janë tokat pjellore dhe të thella me reaksion të lehtë acid si dhe me lagështi relative. Shkon mirë dhe në tokat aluvionale e në tokat torfike të dekompozuara.

Cilët nga parabimët i përshtaten më shumë grurit ? 

Qarkullimi bujqësor, gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në arritjen e rendimenteve të larta. Prandaj fermerët duhet të marrin shumë seriozisht qarkullimin bimor të kulturave të ndryshme sepse grurit nuk do t’i përshtatet aspak, kultivimi në monokultur, kjo vjen si rezultat i kërkesave pothuajse të njëjta për ushqim dhe po ashtu rreziku i rritjes dhe zhvillimit të sëmundjeve mund të jetë permanent. Në vendin tonë gruri më shpesh mbillet pas misrit. Në rast se përdorim misrin si parabimë, atëherë, është e këshillueshme të përdoren kultivarët e misrit, të cilët kanë vegjetacion të shkurtër. Në bazë të mundësive, fermerët do t’i këshillonim që si parabimë të përdorin edhe kulturat leguminoze pasi ato janë parabimët më të mira të cilat përdoren edhe si pasurues të tokës. 

KUJDES! Gruri është mirë që të rikthehet në të njëjtën ngastër, jo më parë se pas 3-4 vjet. Mbjellja e grurit pas grurit rrit shkallën e infeksionit nga barërat e këqija, sjell shfrytëzimin e njëanshëm dhe në të njëjtën thellësi të elementëve ushqyes, rrit shkallën e prekjes nga sëmundjet, kryesishtato të kalbëzimit rrënjor.

 

Si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e grurit? 

 

Për përgatitjen e tokës për mbjelljen e grurit, duhet të kemi parasysh këto specifika të tij;

Natyra argjilore dhe e rëndë e tokave si edhe reshjet e përqëndruara në muajt e dimrit (60-80%) kërkojnë sistemimin e tokës për të rregulluar regjimin hidrik të saj. Në fusha me sistemim jo të mirë, me funksionim jo normal të rrjetit kullues, gruri paraqitet i zverdhur, zhvillim të ngadalshëm, asfiksi të sistemit rrënjor, mungesë të ushqyeri, ndjeshmëri të lartë ndaj sëmundjeve (veçanërisht ndaj kalbëzimit rrënjor), si dhe zhvillim të fuqishëm të barërave të këqija të cilat reduktojnë fuqishëm prodhimin e grurit.

Punimi i tokës

Përsa i përket punimit të tokës, këto operacione do të jenë në varësi të parabimës. Në rast se fermerët përdorin parabimë të hershme, atëherë në këto raste i këshillojmë fermerët që ta bëjnë një punim të cekët me qëllim të përmbysjes së mbetjeve bimore dhe ruajtjes së lagështisë, preferohet të jetë deri në 10 cm thellësi. Më vonë rekomandohet punimi i thellë dhe hedhja e plehërave minerale. Thellësia e punimit varet nga toka dhe kushtet klimatike, në rastet më të shpeshta ky punim kryhet në thellësi deri në 25 cm. Punimet e tjera përgatitore bëhen me qëllim krijimin e shtresës sipërfaqësore të shkrifëruar, duke krijuar kushte të volitshme për mbjelljen e farës së grurit dhe mbirje homogjene të saj. Në rast se përgatitja e tokës nuk do të jetë në nivelin e dëshiruar, si për shembull sipërfaqja tokësore nuk thërmohet, nuk nivelohet dhe nuk krijohet masa e shkrifët, atëherë fara mund të mbetet e pambuluar, do të këtë mbirje më të ulët, mund të dëmtohet nga shpendët dhe insektet dhe përveç që do të mbijë me vonesë mund edhe të dështojë pjesërisht apo tërësisht, sepse në këto raste edhe nëse fara mbin, atëherë rrënjët do të depërtojnë me vështirësi në thellësi të tokës, mbirjet nuk janë uniforme, nyja e vëllazërimit formohet cekët dhe dëmtohet gjatë dimrit. Për këtë arsye, shtresa e sipërme e tokës në thellësi 10-12 cm, duhet të përgatitet me kujdes të veçantë.

Kanalet kulluese dhe vaditëse

Pas punimit dhe frezimit të sipërfaqes së tokës, është e domosdoshme të përgatitet i gjithë sistemi i kanaleve kulluese dhe vaditëse, duke bërë të mundur mbajtjen e tokës në kullim të plotë.

Plehërimi i tokës

Rëndësi të veçantë duhet t’i kushtoni edhe plehërimit, metodave, mënyrave dhe dozave të plehërimit. Mënyra më e mirë e plehërimit vendoset pasi fermeri të bëjë analizat agrokimike të tokës. Në bazë të rezultatit të këtyre analizave, fermerët do të kenë mundësi të hedhin sasinë e duhur të plehrave minerale dhe kombinimin e duhur të elementeve kimike. Në vazhdim po paraqesim disa nga kombinimet e mundshme të azotit dhe fosforit që janë në qarkullim dhe në përdorim, si: N:P 16:32, 18:48, 11:52, 10:50, 20:20 etj. 

Nëse dëshironi të arrini rendimente më të larta për njësi të sipërfaqes, atëherë mund të përdorni kombinime nga më të ndryshme. Në vijim po i paraqesim vetëm disa si skema plehërimi: 150 – 180 kg/ha N (azot, apo 90 – 100 kg/ha P2O5 (fosfor), ose 160 – 200 kg/ha K20 (potas).

Për të arritur rendimente sa më të larta këshillohet që në plehërimin bazë, të përdoren sasi të vogla të azotit nga 10-25% dhe të përdoren sasi më të mëdha të fosforit dhe kaliumit, nga 50–70%. Pastaj, para mbjelljes këshillohen fermerët që të përdorin plehra me përmbajtje të balancuara të elementëve ushqyese azotit, fosforit dhe kaliumit. Kurse, përsa i përket plehërimit plotësues, i këshillojmë fermerët që të përdorin plehra me përmbajtje të azotit/urea që përmban 46% të azotit të tretshëm, dhe kjo do të duhet të jepet në disa faza; ku në fazën e parë në fillim të vegjetacionit preferohen të përdoren nga 40 – 60 kg/ha, pastaj në fillim të formimit të kallirit 30 – 50 kg/ha.

Sasia dhe raporti i plehërimit 

Si përcaktohet sasia e plehërave që duhen përdorur tek gruri? 

Duhet patur parasysh se: për 100 kg prodhim kokërr dhe sasisë së kashtës, grurit duhet t’i sigurojmë: 2,5 – 3 kg N, pastaj 1,4 – 1,6 kg P₂O₅, si dhe 2,5 – 3,5 kg K₂O

 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Varietetet, mbjellja dhe kultivimi i grurit. 

 

Data e publikimit: 01/06/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: