REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.
Toka e vendit tonë karakterizohet nga një reliev i rrudhosur me ngritje dhe ulje të fuqishme, pas të cilave, gërryerja fillon veprimtarinë e saj intensive, duke shkaktuar konfiguracione me pjerrësi të madhe e lugina të thella.
Rreth 70% e territorit shqiptar është me kodra dhe male me lartësi, që shkon nga 300 deri 3000 m. Territori përshkohet nga një rrjet i dendur hidrografie me lumenj dhe përrenj të cilët derdhen në detin Adriatik dhe detin Jon.
Relievi, toka, klima dhe struktura e përdorimit të tokës janë disa nga faktorët që bëjnë të mundur që gërryerja (erozioni), në Shqipëri të konsiderohet si një dukuri shumë e rrezikshme me një shtrirje të gjerë hapsinore. Në këtë shtrirjeje, 20% e tokës në Shqipëri, është e prirur për t’u gërryer fuqishëm në vlera mbi 50 Ton/ha/vit dhe vetëm në 10% gërryerja është në vlera deri në 15 Ton/ha/vit.
Në përgjithësi, sa më ekstensiv dhe me nivel të ulët teknik të jetë shfrytëzimi dhe përdorimi i fondit të tokës, aq më shumë do të mbizotërojnë proceset gërryese.
Njohja e dukurisë së gërryerjes nga çdo fermer dhe përdorues toke, faktorëve që e kushtëzojnë dhe e shkaktojnë atë, na bëjnë më të ndërgjegjshëm për të vlerësuar drejt këtë dukuri, si dhe ndihmon në marrjen e vendimeve, përcaktimin e masave dhe zbatimin e tyre.
Krahas faktorëve objektivë të përmendur më sipër, ndikim të madh kanë luajtur dhe faktorë të tjerë si, kultivimi i tokave dhe degradimi gjithmonë në rritje, të cilat kanë bërë të mundur që qëndresa e tokave ndaj gërryerjes ujore të vijë gjithmonë duke u ulur.
Studimet tregojnë se si rezultat i gërryerjes ujore, Shqipërisë çdo vit, i largohen nëpërmjet rrjetit lumor, rreth 60 milion ton materiale të ngurta. Në përbërje të këtyre materialeve ndodhen: rreth 1 milion e 200 mijë ton lëndë humusore, rreth 100 mijë ton kripëra nitratesh, 60 mijë ton kripëra fosfori dhe rreth 16 mijë ton kripëra potasi.
Shembujve të sipërpërmendur u shtohen edhe dëmtimet masive të shkaktuar nga:
Gërryerja, efektet negative i shfaq duke reduktuar nivelin bazë të lëndëve ushqyese, në tokë, duke ndikuar drejtpërdrejt dhe jo drejpërdrejt, në prodhimin e bimëve të arave, si dhe pemëve frutore, duke ulur sasinë e organizmave të tjera të tokës dhe biodiversitetin në përgjithësi.
Gërryerja e tokës është një problem i rëndësishëm, që ka ndikime ekonomike e sociale dhe përbën një nga faktorët esencialë, në vlerësimin dhe funksionimin e ekosistemit shëndetësor.
Në varësi nga koha e shfaqjes së gërryerjes dhe ritmit të ecurisë së tij, vendoset një ekuilibër natyror midis sasisë së tokës së gërryer dhe asaj që formohet rishtas.
Veprimtaria e njeriut në prani të kushteve specifike natyrore, ka rolin e saj dhe ndikon në prishjen e baraspeshës fillestare, duke krijuar një baraspeshë të re midis sasisë së tokës që krijohet në varësi të kushteve gjeoklimatike dhe asaj që transportohet për efekt të gërryerjes.
Studimet e kryera në vendin tonë, tregojnë se niveli i humbjes së tokës është nga 20 deri 70 ton/ha/vit, në raste të veçanta edhe 100 ton/ha/vit.
Ç’është toka dhe ç’duhet të dijë fermeri për të ?
Toka është e aftë të mbështesë jetën e bimëve dhe të gjithë veprimtarinë e njeriut për qëllime nga më të ndryshme.
Toka është rezultat i proceseve të ndryshme formues, në përbërje të së cilës është materiali prindëror (shkëmbi i origjinës), i kombinuar me masën organike të gjallë ose të vdekur.
Për nga natyra që ka, toka është vitale për të gjithë jetën në glob. Ajo mbështet jetën dhe rritjen e bimëve, të cilat japin ushqime edhe oksigjen, duke thithur dioksidin e karbonit dhe azotin.
Toka brenda saj, ka një ndryshueshmëri të madhe përsa i përket përbërësve kimikë dhe organikë, grimcometrisë dhe strukturës, si dhe të gjithë treguesve fizike, kimike dhe biologjike.
Toka është e formuar nga dy shtresa kryesore, që janë:
Uji dhe ajri janë gjithashtu komponentë të tokës.
Sa e thellë është toka ? Cili është ndërtimi shtresor i saj ? Cila është natyra e ndërtimit të kësaj shtrese? Cili është formacioni mëmë ose amnor i origjinës dhe sa i thellë është ai? Si ndikojnë këto në përdorimin e saj?
Njohuritë për tokën janë të domosdoshme, për tu njohur jo vetëm se ajo është burim ushqimi, por edhe për faktin se fermeri mbi këtë tokë ka ngritur gjithçka që i nevojitet atij, duke zhvilluar një aktivitet të gjerë dhe të gjithanshëm jetësor dhe ekonomik.
Tërësia e këtyre objekteve përbën pronën e fermerit të cilën fermeri duhet ta ruajë, mbrojë nga degradimi, gërryerja dhe ndotja.
Është e nevojshme të kemi njohuri mbi praninë e shtresave dhe rrezikun e tyre për shkarje, shembje dhe shpëlarje si dhe aftësinë e saj potenciale për të prodhuar. Të gjithë këta elementë, janë të domosdoshëm të dihen dhe të njihen nga fermeri “nikoqir”. Ky informacion njëkohësisht ndihmon në përcaktimin e masave për ta ruajtur tokën nga gërryerja dhe ndotja.
Qëndrimet dhe lufta që duhet bërë kundër gërryerjes, do të jetë më e rreptë, në tokat ku ka proska ose përrenj natyralë dhe artificialë. Njohja e shtresave të punueshme, përcaktimi i natyrës së origjinës së tabanit dhe natyra fizike dhe kimike e tij, janë tregues që përcaktojnë ndërmarrjen e vendimeve për mënjanimin e gërryerjes, shkarjeve dhe shembjeve të tokës ku janë ngritur objektet ndihmëse të ekonomisë së fermerit ose në afërsi të tyre.
Kompleksi i masave për ruajtjen e tokës ndryshon, në varësi të përbërjes mekanike. Për tokat me origjina të ndryshme formimi, qëndrimi është i ndryshëm.
Gërryerja konsiderohet si një dukuri, që nuk njeh kufinj në dëmin që shkakton. Gërryerja, është një dukuri “kontradiktore” në prizmin e zhvillimit normal të tij. Ai ndikon me tërë forcën e tij fizike e kimike mbi tokën bujqësore e jo bujqësore, por njëkohësisht efektet e tij ndihen në formimin e luginave dhe masivëve të ulët, ku ka grumbullime dhe depresione.
Në saj të gërryerjes vendoset baraspesha ose ekuilibri natyror midis sasisë së gërryer dhe të transportuar, dhe tokës që formohet.
Gërryrja krijon shqetësime kombëtare për faktin se nuk dëmton vetëm bujqësinë, por të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë si energjitikën, urbanistikën, transportin, ndërtimin etj.
Gërryerja është një proces natyror kompleks që modifikohet fuqishëm (në përgjithësi rritet) nga veprimtaria njerëzore. Është shumë e rëndësishme që fermeri krahas pjesës sipërfaqësore të tokës së tij, të njohë edhe pjesën e padukshme ose nëntokën, formacionin amnor/mëmë, i cili ka një rol jashtëzakonisht të madh.
Cilët janë formacionet tokësore dhe roli i tyre në qëndrueshmërinë ndaj gërryerjes?
Tokat mbi formacion amnor gëlqeror, janë mesatarisht të qëndrueshëm ndaj ndryshimeve fizike (temperaturave, ngricave, erërave, reshjeve). Në këto kushte, në përgjithësi, kemi të bëjmë me tip tokash që janë të qëndrueshme ndaj degradimit dhe në mënyrë të veçantë ndaj gërryerjes ujore. Karakteristikat e tokave të vendosura mbi këto formacione, rezultojnë me vlera të larta në elementët ushqyes dhe kanë një lidhje pozitive me reaksionin e tokës.
Tokat me formacion amnor flyshi; përfshihen tokat me formacione amnore pak të qëndrueshme ndaj dukurive të ndryshimeve fizike e kimike.
Tokat e vendosura mbi këtë formacion janë më afër degradimit dhe më të prirura ndaj tij. Bimësia është më pak e bujshme në zhvillim dhe për rrjedhojë tokat janë më afër ndikimit nga gërryerja dhe degradimi.
Tokat me formacion amnor serpentinite, janë më të qëndrueshme se dy të parat, si ndaj ndryshimeve kimike dhe ndaj ndryshimeve fizike.
Tokat e vendosura mbi këto formacione amnore në përgjithësi janë mesatarisht të thella, deri në të cekëta. Në këto toka ndikimet e gërryerjes (erozive) janë të vogla, në një shkallë shumë të ulët. Instalimi i bimësisë së kultivuar dhe asaj pyjore krijojnë stabilitet të tokës.
Si ndikojnë elementët kimikë e fizikë në degradimin e tokave ?
Ndikimi i elementëve kimikë e fizikë në degradimin e tokave në përgjithësi dhe gërryerja në veçanti, është e lidhur ngushtë me formacionet tokëformuese. Të gjitha të dhënat fizike e kimike të një toke mund të ndihmojnë për të vërtetuar aftësinë dhe funksionet e saj ekologjike brenda ekosistemeve ekzistuese. Aftësia e furnizimit, me lëndë ushqyese azot, fosfor dhe potas, ndjeshmëria ndaj acidifikimit dhe aftësia për të çmobilizuar metalet e rënda të bakrit, zinkut dhe plumbit, janë diktues të rëndësishëm të cilësisë së tokave. Tokat e vendosura mbi formacione amnore sedimentare, paraqiten me vlera të larta të humusit, të cilat ruhen në horizontet më të thella.
Karakteristikë e tokave, të vendosura mbi formacione magmatike, përqindja e humusit luhatet nga 10-15% në horizontin sipërfaqësor i cili bie në mënyrë drastike në horizontet më të thella ku shkon deri në 1%.
Pasuritë kimike dhe fizike të tokës janë rezultat i ndikimit klimatik dhe të përbërësve mineralë të tokës, të shpërbërjes së lëndës organike dhe veprimtarisë jetësore mbi tokë. Një nga elementët fizikë më të rëndësishëm është edhe tekstura e tokës, e cila është rezultat i alternimit fizik të mineraleve të tokës dhe shërben si bazë për formimin e argjilës së saj. Në këtë rast lënda organike, koloidale dhe argjilore, ka ndikim mbizotërues mbi pasuritë kimike të tokës. Aftësia e këtyre lëndëve organike për të thithur dhe mbajtur elementët ushqyes të tokës, është ndoshta kontributi më i madh i tyre ndaj pasurive kimike të tokës. Materiali amnor ndikon në përbërjen kimike të tokës dhe modifikohet nga klima. P.sh. tokat me origjinë të njëjtë por, të zhvilluara në kushte klimatike të ndryshme, të cilat janë rezultat i ndryshimeve të zhvillimit të klimës dhe të akumulimit të lëndës organike.
Kjo dukuri është evidente, e shprehur qartë në tokat e zonës klimatike mesdhetare veriore dhe mesdhetare jugore.
Dukuria e gërryerjes dhe cilat janë format e shfaqjes së saj ?
Gërryerja është një dukuri komplekse, ku janë të ndërthurura proceset fiziko-kimike. Kjo dukuri ka një natyrë të ndërlikuar, pasi lidhet ngushtë me tokën, e cila konsiderohet si një trup që përbëhet nga lëndët minerale e organike, gjallesa, uji, ajër. Këta elementë, në mënyrë të pavarur apo të ndërthurur janë pjesë e procesit të gërryerjes dhe duke e bërë të komplikuar shfaqjen dhe mekanizmin e veprimit të tij. Ky mekanizëm, i diferencuar është në funksion të proceseve të shkëputjes dhe përzierjes së grimcave me rrjedhën ujore sipërfaqësore, të cilat herë janë të dukshme dhe herë të padukshme. Tokat me formacione deltinore e koloidale (tokat e rënda argjilore), rrjedhjet e vogla sipërfaqësore të ujit i shkëputin me vështirësi, por i transportojnë me lehtësi. Ndërsa, në tokat me fraksione të trasha dhe ranore, rrjedhat e vogla sipërfaqësore të ujit i shkëputin me lehtësi fraksionet e trasha dhe ranore, por nuk janë në gjendje t’i transportojnë ato. Kjo dukuri të çon në përfundimin se në toka me përbërje grimcometrike dhe gjendje strukturore të ndryshme, pika kritike, ku fillon të shfaqet dhe përfundon shkëputja e grimcave të tokës është e ndryshme. Në tokat e lehta ranore, gërryerja shfaqet herët dhe vepron me ngadalë. Në tokat e rënda argjilore shfaqja e gërryerjes është e vonuar, ndërsa zhvillimi është i shpejtë.
Gërryerja ujore shfaqet dhe zhvillohet përgjithësisht atje ku mungon vegjetacioni, ku toka përdoret keq dhe kur rrjedhat ujore sipërfaqësore nuk mirë-administrohen. Në këto kushte ulet ndjeshëm prania e lëndëve ushqyese në tokë, ulet diversiteti në përgjithësi dhe organizmat e tokës në veçanti, për pasojë edhe prodhimi bujqësor pakësohet.
Gërryerja rrit turbullirat dhe për pasojë ndikon në dëmtimin e organizmave të ndryshme, në këto ujëra. Efektet e gërryerjes nuk duhet të shihen vetëm si rezultat i menaxhimit të keq të tokës dhe ujit, por edhe si një dukuri e cila ndikon edhe në drejtime të tjera. Gërryerja është një proces që modifikohet fuqishëm nga veprimtaria njerëzore si rezultat i zhveshjes së tokave, zbatimit të keq të praktikave bujqësore, kryesisht punimit të tokës dhe ujitjes së bimëve, mënyra dhe forma e kullotjes, prerja e pyjeve, gërmimet, ndërtimet dhe urbanizimi.
Kudo në botë sa herë njerëzit ndryshojnë teknologjitë dhe ekosistemet natyrore në bujqësi, toka degradohet. Njerëzit nëpërmjet veprimtarisë së tyre ndikojnë si negativisht ashtu dhe pozitivisht, në shfaqjen, shpejtimin dhe pakësimin e gërryerjes. Gërryerja, në varësi të origjinës së lindjes, formës se si shfaqet, kohës dhe mekanizmit të veprimit, është gjeologjik (natyror) i pa ndikuar nga njeriu. Pavarësisht nga shkaku i lindjes, gërryerja është e ndikuar edhe nga veprimtaria ekonomike dhe shoqërore e njeriut.
Shpëlarja, si dukuri, është e lidhur me mekanizmin e veçimit të elementit shpëlarës, me mënyrën e transportimit dhe formën e lëvizjes hidrike mbi dhe nën tokë. Kjo dukuri përbën rrezik serioz, sidomos në ato toka të cilat kanë lidhshmëri të ulët. Dukuritë, që ndikohen nga gërryerja janë infiltrimi dhe rrjedhat ujore sipërfaqësore. Sa më të larta të jenë treguesit e këtyre dy dukurive aq më e madhe është shpëlarja e tokës.
Ndikon në shtresën sipërfaqësore duke “rrëmbyer” tokën, në mënyrë masive në të gjithë sipërfaqen e saj. Sasia e tokës së gërryer nga kjo formë është më e ndikuar nga veprimtaria e njeriut dhe kushtet klimatike, kryesisht reshjet në formë shiu.
Lëvizja e ujit bëhet midis të çarave, duke mbartur me vete sasi shumë të madhe uji. Tokat e gërryera dhe të transportuara në këto hulli, në shumë raste kanë për drejtim lumenjtë kryesorë të cilët derdhen në det. Shpesh këto rrjedha në formë hullie mbartin me vete materiale inerte të cilat bëhen objekt i zaptimit të tokave më pjellore të cilat ndodhen në fundin e këtyre rrjedhave.
Depozitimet e zhavorreve të transportuara dhe “mbathja” me material të transportuar konsiderohet si një nga format e degradimit të tokës. Këto janë dukuri të kudondodhura, që mbartin me vete efektet negative në ndotjen fizike dhe kimike të tokave. Kjo dukuri ka për shkak reshjet e shiut.
Konsiderohet një nga format më të rrezikshme të gërryerjes ujore në vendin tonë. Humbjet e tokës nga kjo formë gërryerje janë në disa dhjetra ha, në vit. Kjo formë gërryerje, përbën një rrezik serioz për tokat bujqësore dhe jo bujqësore. Në brigjet dhe shtretërit e lumenjve dhe përrenjve, krahas humbjes së tokës dëmtimet vërehen edhe në veprat e ndërtuara në shtretërit e lumenjëve dhe në afërsi të tyre. Dëmtimi i veprave mbrojtëse (argjinatura, panelet tërthore), konstatohet në të gjithë lumenjtë.
Ka të bëjë me dinamikën e lëvizjes bregdetare dhe efektet në gërryerjen e tokës nga deti. Shpeshherë, faktorët ekonomikë dhe socialë, nuk marrin parasysh dinamikën e lëvizjes natyrore të bregdetit dhe bëhen shkaktarë për prishjen ose shkatërrimin e mjedisit bregdetar dhe objekteve të ndërtuara, gjatë tij.
Në kushtet e sotme ndërhyrjet e drejpërdrejta ose të tërthorta të njeriut kanë cënuar faktorët e zhvillimit natyror të bregdetit, duke e kthyer atë pothuajse tërësisht në një bregdet gërryes (eroziv). Një nga faktorët, që sot kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë, në gërryerjen e tokës, në vijën bregdetare, kryesisht në afërsi të grykëderdhjeve të lumenjve, janë ndërhyrjet pa kriter të njerëzve. Këto ndërhyrje të drejpërdrejta ose të tërthorta, në shtretërit e lumenjve, krijojnë një raport negativ në mes akumulimit dhe gërryerjes.
Pra, bregdeti mbushës kthehet në bregdet gërryes (eroziv).
Një formë tjetër e degradimit të tokës është edhe efekti i djegies së tokave torfike, pyjeve, shkurreve dhe kullotave. Në të gjitha këto raste, efektet negative të zjarrit duken qartë në djegien e tokave torfike, të cilat për nga rëndësia ekonomike, kapaciteti prodhues dhe pozicioni gjeografik, ku ndodhen, konsiderohen si tokat më të mira. Djegia e tyre para së gjithash është pakujdesi e fermerëve që kanë në pronësi këto toka. Pasojat e djegies së torfës janë jashtëzakonisht të dënueshme, si në aspektin fizik të ruajtjes dhe mbrojtjes së tokës, ashtu edhe në dëmtimin e mikroflorës në tokë.
Cilët janë faktorët që kushtëzojnë dhe shkaktojnë gërryerjen e tokës?
Faktorët që ndikojnë në lindjen dhe zhvillimin e gërryerjes janë të shumtë. Fermerët para se të ndërhyjnë dhe të veprojnë në tokë nëpërmjet praktikave bujqësore (punimeve dhe shërbimeve që i bëhen tokës dhe bimës), duhet të dijnë:
Si ndikojnë këto praktika ? Kush është roli i tyre, në shkaktimin e gërryerjes ? Si duhen zbatuar këto praktika bujqësore për ta bërë gërryerjen më pak të dëmshme ?
Faktorët që shkaktojnë lindjen dhe zhvillimin e gërryerjes, janë objektive dhe subjektive. Pavarësisht nga roli dhe rëndësia që kanë, faktorët subjektivë luajnë një rol të rëndësishëm, efektet dhe ndikimet e të cilëve janë të kushtëzuara dhe të lidhura ngushtë me veprimtarinë e përditshme që njerëzit veprojnë mbi tokën. Roli i fermerëve dhe vëmendja në luftën kundër gërryerjes duhet përqëndruar tek puna që duhet të bëjnë vetë fermerët për të pakësuar këtë dukuri. Këto faktorë janë produkt i aktiviteteve bujqësore, rezultatet e të cilave ndihen njëherësh në masën kundër gërryerjes. Shkalla e ndikimit të këtyre masave, në uljen e humbjes së tokës është në varësi të njeriut.
Pavarësisht nga karakteri dhe roli, më të rëndësishmet janë:
Fermerët, pavarësisht nga kushtet dhe mundësitë që kanë, duhet të kenë të qartë, rolin që luan mënyra dhe mjeti i punimit, në ruajtjen e masës organike, në tokë dhe konkretisht të mbeturinave bimore.
Ja disa nga vlerat që kanë mjetet dhe mënyrat e punimit në ruajtjen e masës organike, në sipërfaqen e tokës;
Duke analizuar këta tregues, çdo fermer ndërton punën e tij dhe merr vendimin përkatës, për të mos gërryer tokën. Përcaktimi i masave kundër gërryerjes, programimi dhe prioritetet për tu zbatuar.
Masat më të rëndësishme për parandalimin e gërryerjes janë të shumta. Këto masa, sipas rëndësisë dhe funksionit që luajnë apo dhe llojit, mënyrës së ndërtimit, kostos dhe karakterit mbrojtës, klasifikohen si vijon:
Format dhe praktikat e zbatimit të këtyre masave janë në varësi të përdorimit të tokës. Tokat bujqësore, në përgjithësi kërkojnë metoda dhe teknika mbrojtëse të ndryshme, nga tokat që përdoren për kullota dhe pyje. Tokat urbane kërkojnë të tjera masa mbrojtëse, ndërsa tokat djerrë kanë të tjera masa. Larmia e masave mbrojtëse pavarësisht nga karakteri që kanë edhe brenda në tokën bujqësore janë të ndryshme. Tokat që përdoren për frutikulturë për natyrën e tyre të veçantë kërkojnë zbatimin e masave të tjera nga tokat që përdoren për bimët e arave. Në tokat e mbjella me bimë prashitëse, praktikat për ruajtjen dhe mbrojten e tokës, ndryshojnë nga ato të mbjella me të lashta apo livadhore. Në rastin e shfaqjes së gërryerjes sipërfaqësore, masat për të pakësuar dhe parandaluar atë, janë të ndryshme nga masat që përdoren për gërryerjen e thelluar.
Në rastin e shfaqjes së gërryerjes në brigjet e lumenjve dhe përrenjëve, pra, kur shfaqet në formë shkarjejeje e shembjeje, na bën të zbatojmë masa krejt të diferencuara. Gërryerja e shkaktuar nga dëmtimi i bimësisë (mbi kullotja, djegia, dëmtimi fizik) kërkon masa më speciale. Fermerët dhe përdoruesit e tokave duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe efektivë në përcaktimin dhe përdorimin e tyre. Copëtimi i tokave ka sjellë shumë vështirësi, në ruajtjen dhe mbrojtjen e tokës. Toka ruhet dhe mbrohet më mirë , kur konceptohet si një e vetme pavarësisht nga pronësia.
Zbatimi i masave për mbrojtjen e tokës nga gërryerja janë nga më të thjeshtat, deri tek më të komplikuara. Masa me karakter ndërtimor, biologjik dhe agronomik. Këto mund të ndërtohen me gardhe, mur guri, prita, masa vegjetative të mbjella, në formë të ndryshme. Roli i krijimit dhe rigjenerimit të brezave apo masiveve me bimësi, konsiderohet një masë shumë efektive. Zbatimi i praktikave bujqësore në forma dhe mënyra të përmirësuara, rrit efektivitetin e tyre për t’ju kundërvënë më mirë gërryerjes së tokës. Fermerët dhe përdoruesit e tokës para se të përcaktojnë dhe të ndërmarrin masat për ruajtjen dhe mbrojtjen e tokës, duhet të njohin shkaqet dhe problemet, sesi shfaqet gërryerja. Shkaqet janë objektive (që nuk varen nga ne) dhe subjektive (që varen nga ne). Pas përcaktimit të shkaqeve faza më rëndësishme është bashkërendimi i punës me komunitetin aq më tepër me fqinjin.
Fermeri asnjëherë nuk duhet të shikojë dukurinë e gërryerjes si një dukuri që lind njëherësh. Në luftën kundër gërryerjes dhe degradimit të tokave të mbjella me bimë arash dhe tokave të papunuara, vend të rëndësishëm zënë masat agronomike, biologjike dhe hidroteknike.
Tokat bujqësore janë më të ndjeshme dhe më të rrezikuara nga gërryerja ujore. Tokat e papunuara megjithëse ndikohen më pak nga gërryerja, problemet i kanë më të shumta. Për të dy kategoritë e tokave të përmendura, vëmendja duhet të përqëndrohet në:
Zbatimi i masave për ruajtjen dhe mbrojtjen e tokës duhet të fillojë nga ato më të thjeshtat dhe pa kosto të lartë ndërtimi, deri tek më të komplikuarat dhe me kosto të lartë ndërtimi.
Këto prita për karakterin dhe efektivitetin, që kanë, konsiderohen si masa kundër gërryerjes me karakter praktik, me kosto të ulët dhe që mund të kryhen, në çdo vend nga vetë komuniteti. Zbatimi i pritave të thjeshta të ndërtuara me gardhe me material drusor, mund të duhet të bëhen përgjatë gjithë proskave. Forma e ndërtimit dhe këndi i vendosjes së gardheve, duhet të jetë tërthor pjerrësisë.
Ndërtimi i këtyre pritave dallon nga të parat, pasi materiali ndërtimor është prej guri dhe kushton më shumë por është më i qëndrueshëm. Masat mbrojtëse me karakter biologjik, konsiderohen si masat më të efektshme në ruajtjen e tokës nga gërryerja ujore. Masat mbrojtëse me karakter agronomik. Roli i këtyre masave është e lidhur drejtpërdrejt me praktikat bujqësore. Sistemimi i tokave bujqësore me sistem brezare, përbën elementin bazë të sistemimit të tokave të pjerrëta.
Shpërndaj në rrjetet sociale: