VARIETETET AUTOKTONE TË KUNGULLIT




Keni interes të njiheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri ?

Dëshironi një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre?

Kërkoni të njiheni me vlerat dhe rëndësinë e tyre për tregun rajonal?

Vendi ynë, është një vend i pasur me resurse gjenetike bimore si dhe është vend origjinë për disa specie e varietete të kultivuara.

Në kuadër të zhvillimit të agroturizmit, veçanërisht në zonat kodrinore e malore, ato mund të kultivohen, të prodhohen dhe të përdoren produkte tipike të zonës.

Shtimi i kujdesit dhe ndërgjegjësimi për përdorimin e varieteteve tradicionale nga komuniteti i zonës dhe i mbështetjes nga organet lokale e qendrore, nga donatorët, akademikët dhe media, do të mundësojë rritjen e të ardhurave në ato zona si dhe do të shtohen resurset gjenetike të vendit.

Më poshtë po përshkruajmë disa nga varietetet kryesore autoktone të kungullit sipas një studimi të Institutit të Resurseve Gjenetike të bimëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

  • Kungulli i dimrit për pjekje

Specia: Cucurbita maxima L.

Përhapja: Në zonën e Alpeve, në veri të vendit, kultivohet për më se 80-100 vjet. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Aktualisht zë rreth 45-50 % të sipërfaqes që mbillet në zonë.

Përshkrimi: Bimë me kërcell zvarritës, me lastarë të gjatë. Prodhon 3-4 fruta për bimë; me formë cilindrike të shtypur, me gjatësi 20–25 cm e diametër 20-30 cm, me peshë mesatare 2,5-4,0 kg, nuk përjashtohen rastet edhe më të mëdha; në pjekjen teknike kanë ngjyrë jeshile të hapur, kurse në pjekjen botanike ngjyrë gri; tuli ka ngjyrë të verdhë në portokalli.

Kultivimi: Mbillet me farë në gropëza, në fund prillit dhe gjatë majit. Zakonisht mbillet në anë ngastrash e në ledhe, me largësi 2-2,5 m midis gropëzave në rresht. Po kështu, është e njohur praktika e mbjelljes së tij në bashkëshoqërim me misrin. Prodhimi fillon në fund të korrikut dhe vazhdon deri vonë në ngricat e vjeshtës. Pas kësaj frutat vilen dhe ruhen për konsum dimëror.

Rendimenti: rreth 25-35 kv/dynym.

Veçantitë 

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve, temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: Për pjekje, për konsum dimëror në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Nuk është në rrezik zhdukjeje.

  • Kungulli i byrekut

Specia: Cucurbita moschata L.

Përhapja: Në zonën e Alpeve kultivohet për më se 70-80 vjet, fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Aktualisht zë rreth 30-35 % të sipërfaqes që mbillet në zonë.

Përshkrimi: Bimë me kërcell zvarritës, me lastarë të gjatë. Prodhon 3-4 fruta për bimë; me formë cilindrike, me gjatësi 15-20 cm e diametër 20-25 cm, me peshë mesatare 1.5-2.0 kg, nuk përjashtohen rastet edhe më të mëdha; në pjekjen teknike kanë ngjyrë jeshile të errët, kurse në pjekjen botanike ngjyrë të verdhë dhe me mozaik  jeshil; tuli ka ngjyrë të bardhë ose të verdhë.

Kultivimi: Mbillet me farë në gropëza, në fund prillit dhe gjatë majit. Zakonisht mbillet në anë ngastra e në ledhe, me largësi 2-2,5 m midis bimëve. Po kështu, është e njohur praktika e mbjelljes së tij në bashkëshoqërim me misrin. Prodhimi fillon në fund të korrikut dhe vazhdon deri vonë në ngricat e vjeshtës. Pas kësaj fru tat vilen dhe ruhen për konsum dimëror.

Rendimenti: rreth 20-25 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve, temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: Për përgatitje të byrekëve, për konsum në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Nuk është në rrezik zhdukjeje.

  • Kungulli i bardhë i verës

Specia: Cucurbita pepo L.

Përhapja: Në zonën e ulët e bregdetare kultivohet për më se 80-100 vjet. Mendohet se është me orgjinë nga Italia, i mbjellë fillimisht në fermat bujqësore të Durrësit (Sukth) e Tiranës. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar nga bahçevanët. Aktualisht zë rreth 5-10 % të sipërfaqes që mbillet në zonë, duke qenë kështu kultivari autokton i rrallë.

Përshkrimi:

Bimë me kërcell kaçubor, me lastarë të shkurtër. Prodhon 4-5 fruta për bimë; me formë cilindrike, me gjatësi 12-15cm e diametër 3-4 cm, me peshë mesatare 120- 150 g; në pjekjen teknike kanë ngjyrë jeshile të çelët, kurse tuli ngjyrë e bardhë. Në pjekjen botanike fryti ka ngjyrë të verdhë.

Kultivimi: Mbillet me farë dhe me fidanë. Farat mbillen në gropëza në fund të prillit deri fillim të majit. Për mbjelljet me fidanë, fara në farishte në gjysmën e parë të prillit dhe fidanët në fushë në fillim të majit. Largësia midis rreshtave 100-120 cm dhe midis bimëve në rresht 40-60 cm. Prodhimi fillon në gjysmën e dytë të qershorit dhe vazhdon deri në vjeshtë.

Rendimenti: rreth 10-15 kv/dynym.

Veçantitë 

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj vrugut dhe ndaj temperaturave të ulëta.

Negative: Jep prodhim të ulët.

Përdorimi:Për konsum të freskët dhe gatime, në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Me futjen e farërave të importit po mbillet gjithnjë e më pak dhe vetëm në kopshtet familjare, pra është në rrezik zhdukjeje.

  • Kungulli “Stambolli” i Shkodrës

Specia: Cucurbita moschata L.

Përhapja: Në zonën e Shkodrës njihet e kultivohet për më se 100-120 vjet, fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Aktualisht zë rreth 10-15% të sipërfaqes së kungullit në zonë, duke qenë kështu kultivari autokton i rrallë.

Përshkrimi: Bimë me kërcell zvarritës, me lastar të gjatë. Prodhon 5-8 fruta për bimë; me formë dardhe, me gjatësi 25-30 cm e diametër 10-15 cm, me peshë mesatare 3.5-4.0 kg, nuk përjashtohen rastet edhe më të mëdha; në pjekjen teknike kanë ngjyrë jeshile të errët, kurse në pjekjen biologjike ngjyrë të verdhë-portokalli; tuli ka ngjyrë të verdhë-portokalli.

Kultivimi: Farat mbillen në gropëza të përgatitura me pleh organik, në fund të prillit deri fillim të majit. Zakonisht mbillet në anë ngastra e në ledhe, me largësi 2-2,5 m midis bimëve. Po kështu, është e njohur praktika e mbjelljes së tij në bashkëshoqërim me misrin. Prodhimi fillon në gjysmën e dytë të qershorit dhe vazhdon deri në vjeshtë. Pas kësaj frutat vilen dhe ruhen për konsum dimëror.

Rendimenti: rreth 10-15 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve dhe ndaj ndryshimeve të temperaturave të ditës.

Negative: Jep prodhim të ulët.

Përdorimi: Për përgatitje të byrekëve dhe gatime të ndryshme, në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Nuk është në rrezik zhdukjeje.

Data e publikimit: 23/04/2025


Lini një koment


Komente të mëparshme
k0iz83

-🗒 + 1.977974 BTC.NEXT - https://graph.org/Binance-04-15?hs=bdb697beddd05c82a3021245d820d8f7& 🗒


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I BARBUNJËS NË FUSHË TË HAPUR

Cila është struktura varietore e rekomanduar për barbunjën?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË FARËS SË ZEZË

Farat përmbajnë vaj esencial 0,5 – 1,6 % i cili përdoret në industrinë ushqimore dhe farmaceutike. Është përdorur si ilaç bimor për më shumë se 2000 vjet.

Lexo më shumë

VARIETETET AUTOKTONE TË PJEPRIT

Njihuni me varietetet kryesore autoktone të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri.

Lexo më shumë

SHËRBIMET AGROTEKNIKE TEK FTOI

Disa nga shërbimet kryesore janë punimi i tokë, ujitja, plehërimi, krasitja, kontrolli i sëmundjeve dhe dëmtuesve, etj.

Lexo më shumë