Përse ka rëndësi përcaktimi i kultivarit? Përcaktimi i kultivarit merr rëndësi sepse në bazë të karakteristikave të tokës, lartësisë mbi nivelin e detit, temperaturës mesatare vjetore, lagështirës (reshjeve) e faktorë të tjerë, ne përcaktojmë se cili kultivarë është më i përshtatshëm për tokën dhe zonën ku do të ngremë pemëtoren e arrës.
Tendencat moderne të kultivimit përdorin kultivarë me frutifikim anësor (lateral) të cilat janë më produktiv se sa ato me frutifikim të majës (apikal), hyjnë më shpejt në prodhim si dhe japin dyfishin e prodhimit.
Kultivarë të huaj
Chandler: Është kultivar shumë prodhues, me kohë pjekje mesatarisht të vonë dhe me frutifikim lateral (anësor), 85-95% e sythave anësor lidhin fruta.
Nuk rrezikohet nga ngricat e vona të pranverës sepse fillon vegjetacionin dhe lulëzimin më vonë krahasuar me kultivarët e hershëm.
Bima është mesatarisht e fuqishme dhe me tendencë të rritjes së degëve gjysmë drejt, prandaj rekomandohet në ngritjen e blloqeve me numër të madh bimësh.
Fruti është i madh, me gujadë të hollë e që thyhet lehtësisht me dorë.
Forma e frutit është ovale dhe me puthitje të mirë të kapakëve.
Rrezja e thelbit shkon në nivelet 48-51%.
Koha e pjekjes së frutave është mesatare.
Shkon shumë mirë në zona me klimë të thatë dhe kërkon një sasi më të vogël të shumave të temperaturës deri në 7°C për të filluar vegjetacionin.
Për të pasur prodhimtari të lartë, 5% e bllokut mbillet me kultivarin Franquette, i cili rekomandohet si pjalmues.
Lara: Kultivarë me origjinë franceze. Aktualisht është ndër kultivarët kryesorë me frutifikim anësor.
Bima ka fuqi rritje mesatare dhe me tendencë të rritjes së degëve gjysmë të drejtë.
Është kultivarë me prodhimtari të lartë dhe konstante.
Koha e lulëzimit është e vonë. Shumë i përshtatshëm për zonat kodrinore e malore.
Hyn shpejt në prodhim dhe jep prodhime të larta.
Frutat janë shumë cilësor. Peshë e tyre është 11-13 g, formë globi, me rreze të thelbit 49-51%.
Realizon pjekjen e frutave në dhjetëditorin e dytë të muajt shtator.
Për pjalmues rekomandohet kultivari Franquette.
Hartley: Kultivarë me origjinë amerikane. Ky kultivar siguron 90% të prodhimit në Kaliforni.
Bima është me madhësi mesatare (në toka me pjellori të lartë ka tendencë rritje të fuqishme).
Frutifikimi është i tipit të ndërmjetëm dhe dallohet për fillim vegjetacioni të hershëm dhe lulëzim të vonë.
Frutat kanë madhësi mesatare dhe janë me formë konike. Pasha e frutit 12-14 g dhe cilësi shumë të mirë.
Thelbi zë 48-50% të peshës së frutit.
Thelpinjtë dallohen për ngjyrën mjaft tërheqëse si të qelibarit.
Futet shumë shpejt në prodhim (viti e 3-4 pas mbjelljes).
Është i ndjeshëm ndaj sëmundjes së bakteriozës.
Pjalmues janë varietetet me lulëzim të vonë Amigo dhe Franquette.
Tulare: Kultivari më i ri me origjinë kaliforniane.
Dallohet për prodhimtari shumë të lartë.
Bima ka fuqi rritje mesatare dhe tendencë të rritjeve të degëve pothuaj të drejtë. Rekomandohet të mbillet në blloqe me numër të lartë bimësh ose si gardh.
Frutat janë të mëdha me forma pothuaj të rrumbullakët, me kapakë të puthitur mirë, me cilësi të lartë të thelbit dhe aromatik.
Gujada është e hollë por më e trashë se Chandler.
Periudha e pjekjes së frutave është mesatare.
Howard: Ky kultivar dallohet për frutifikim në të gjithë gjatësinë e lastarit.
Është kultivarë me pjekje të mesme, me aftësi të lartë prodhues.
Tendenca e rritjes së degëve është nga gjysmë e shtrirë në të drejtë.
Pema është me fuqi rritje mesatare dhe me përmasa të kurorës më të vogla se të kultivarit Chandler. Për shkak të këtyre cilësive ky varietet rekomandohet për mbjelljen e blloqeve me numër të madh bimësh.
Fruta ka formë të rrumbullakët, janë të lëmuara, kanë bashkim të mirë të kapakëve, me ngjyrë qelibar të thelbit.
Si gjithë varietet e tjera, me fillim vegjetacioni të vonë, preket më pak nga bakterioza dhe krimbi i frutit.
Pjalmues i këtij kultivari është Franquette.
Franquette: Është kultivarë i vjetër francez. Konsiderohet më i miri ndër kultivarët me frutifikim të majës.
Bima është e fuqishme me tendencë të rritjes së degëve gjysmë e drejtë.
Kërkon pllenim të kryqëzuar për marrjen e prodhimeve të larta.
Futet shpejt në prodhim, në vitin e 5-6 pas mbjelljes dhe siguron prodhime konstante (rreth 20 kv/ha).
Lulëzon vonë dhe eviton dëmet nga ngricat e vona të pranverës. Lulëzimi është i tipit protoandri (lulet mashkullore lulëzojnë më shpejt se ato femërore).
Frutat janë me madhësi mesatare, me formë nga e zgjatur në eliptike. Fruti ka peshë 10-12 g, kurse rrezja e thelbit është 40-48%.
Thelbi veçohet lehtë nga gujada dhe me cilësi organoleptike shumë të mira.
Koha e pjekjes së frutave është fundi i muajt shtator fillimi i muajt tetor.
Rekomandohet për zonat malore dhe kodrinore me rrezik ngricash të vona në pranverë.
Kultivarë të vendit Arra në vendin tonë gjendet në trajtë popullatash me prejardhje farore (e shtuar me anë të farës) nga e cila janë përzgjedhur forma me karakteristika superiore dhe konkretisht:
Cilësi të lartë të frutit, janë preferuar forma që kanë përqindje të thelbit nga 50-58% (raporti i peshës së thelbit me peshën e gjithë frutit), fruta tek të cilat thelbi veçohet me lehtësi nga gujada dhe me ngjyrë të zbardhur të thelbit. Gjithashtu preferohen fruta gujada e të cilave është e mbyllur mirë apo me sipërfaqe të lëmuar dhe ngjyrë të çelët të gujadës;
Bimë me prodhimtari të lartë;
Bimë me rezistencë të lartë ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve kryesorë.
Ndër kultivarët autoktonë më me interes përmendim arrën e Gizavezhdës, të Smokthinës dhe të Leshnicës.
Arra e Gizavezhdës: Gjendet e përhapur në rrethin e Librazhdit, kryesisht në fshatin e Gizavezhdës.
Bima paraqitet me fuqi rritje të madhe dhe formë të kurorës glob;
I duron shumë mirë të ftohtit dhe është rezistente ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve;
Koha e lulëzimit është 10 ditori i fundit i muajt prill dhe 10 ditori i parë i muajt maj;
Fruti ka madhësi mesatare (10.3 g), guaskë e butë, ngjyrë kafe e çelët;
Thelbi e mbush plotësisht guaskën dhe ndahet lehtë prej saj;
Sharku në kohën e pjekjes çahet dhe veçohet me lehtësi nga fruti;
Koha e pjekjes është fundi i muajt shtator dhe fillimi i muajt tetor.
Arra e Smokthinës: Ka shtrirje në rrethin e Vlorës, kryesisht në fshatrat Smokthinë, Ramicë, Verbës, Bashaj etj. Ka prejardhje nga fara.
Bima ka rritje mesatare në të fuqishme;
Koha e lulëzimit është nga fundi i i muajt prill deri në 10 ditorin e parë të muajt maj;
Prodhimi është i përqendruar në pjesën e majës së lastarit njëvjeçar;
Frutat janë me madhësi mesatare, formë të rrumbullakët, guaskë mesatarisht të butë dhe ngjyrë kafe e çelët;
Thelbi është shumë i shijshëm, i plotë, e mbush mirë gujadën dhe ndahet lehtë prej saj;
Ngjyra e cipës së thelbit është e verdhë në bezhë;
Koha e pjekjes është 10 ditori i parë i muajt tetor dhe prodhimi është mesatar.
Arra e Leshnicës: Gjendet në rrethin e Korçës me një përhapje të kufizuar kryesisht në fshatrat Lshnicë, Prenisht, Nicë dhe Osnat. Banorët e kësaj zone e njohin edhe si “Arra e Kalit” ose “Arra e Madhe”. Prodhimi është i vendosur në periferi të kurorës (prodhim lateral).
Bima ka një rritje të fuqishme me kurorë që i ngjan një piramide;
Fillimi i vegjetacionit ndodh në fund të muajt mars. Lulëzimi mesatarisht i vonë;
Fruti është i madh me gujadë që thyhet lehtësisht me dorë;
Mbushja e frutit është e mirë, rrezja e thelbit është rreth 50%. Thelbi është i plotë, me ngjyrë bezhë, shumë i shijshëm dhe aromatik;
Koha e pjekjes së frutave është fundi i muajt shtator dhe fillimi i muajt tetor. Prodhimi është mesatar.
Në tabelën e mëposhtme jepen karakteristikat kryesore të kultivarëve të cilat janë më të vlerësuarit dhe më të përhapurit sot në Evropë dhe botë dhe që rekomandohen për mbjellje edhe në vendin tonë.
Karakteristikat kryesore të kultivarëve në botë dhe Evropë
Kultivarët me origjinë franceze Franquette, Lara rekomandohen për zona kodrinore malore, kursepër zonat e ulëtakultivarët kalifornian Chendler, Hartley, Tulare dhe Howard. Pjalmues, pothuaj në të gjitha raste, rekomandohet kultivari Franquatte.
Si rregull, traditë, në vendin tonë ka qenë që vjelja të fillojë kur frutat e para fillojnë e bien në tokë. Gjithashtu në praktikë si metodë për vjeljen e frutave të arrës është shkundja me shkopinj të gjatë (purteka) dhe mbledhja e frutave në tokë me dorë. Kjo metodë konsiderohet e rrezikshme pasi dëmton sythat prodhues dhe lëvoren e pemës. Gjithashtu edhe pastrimi nga sharku bëhet me dorë.