MASAT ZBUTËSE PËR ULJEN E EFEKTIT TË NDRYSHIMIT TË KLIMËS




                                                                            REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Agrumet do të mund të kultivohen më në veri, efektet negative të sëmundjeve po rriten. Reshjet po shkojnë drejt sasive më të ulëta, intervaleve të shkurtra, por intensitetit të lartë. Të gjitha këto janë ndikimet që ndryshimet klimatike do të sjellin në Shqipëri, të cilat në afat të mesëm dhe afat të gjatë do të jenë më të dukshme. Efekti ka filluar të ndihet që tani në sektorë si bujqësia, peshkimi, energjia, turizmi, vera. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Gjeoshkencës tregojnë se temperaturat mesatare vjetore në vitet e fundit shënuan rritje +1.8°C, ndërkohë që sasia vjetore e reshjeve në formë dëbore dhe shiu, në dy dekadat e fundit, ka pësuar rënie prej rreth 20%. Ndryshimet klimatike duket se janë “të pandalshme”, ndaj të gjithëve u duhet të gjejnë mënyrën të përshtaten.

Institucionet ndërkombëtare kanë rritur vëmendjen ndaj ndryshimeve klimatike, duke u kërkuar vendeve të jenë aktivë dhe vigjilentë për të reaguar dhe për të minimizuar pasojat. Efekti i klimës është i dukshëm dhe pasojat janë të jashtëzakonshme në sektorë jetikë, duke kërkuar që masat e reagimit apo zbutjes të merren seriozisht.

Po Shqipëria, në çfarë faze është?

Sot, vendi ynë ka miratuar një ligj të veçantë “Për ndryshimet klimatike”. Bëhet fjalë për ligjin 155, i datës 17 dhjetor 2020, i cili rendit si qëllime të tij pesë pika.

  • Së pari, ulja e shkarkimeve të efekteve serrë.
  • Së dyti, përshpejtimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe zbutja e efekteve të dëmshme.
  • Së treti, të kontribuojë në përpjekjet globale ndaj ndryshimeve klimatike nëpërmjet plotësimit të detyrimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj Konventës.
  • Së katërti, të krijojë një kuadër gjithëpërfshirës ligjor dhe ndër-institucional për ndërmarrjen e veprimeve ndaj klimës në nivel kombëtar, në përputhje me legjislacionin e BE-së për ndryshimet klimatike.
  • Së fundmi, t’u bashkohet shteteve që njohin emergjencën klimatike, sipas vendimit të Parlamentit Europian të 28 nëntorit 2019.

Shqipëria ka gjithashtu një Plan Kombëtar për Energjinë dhe klimën. Plani parashikon të gjithë politikat dhe objektivat që do të ndërmerren në funksion të klimës dhe energjisë nga ana e vendit tonë deri në vitin 2030.

Në kuadër të projektit “Identifikimi dhe zbatimi i masave adaptuese në zonën e deltave të lumenjve Drin e Mat” është bërë një modelim se si do të jetë klima deri në vitin 2100 për zonën. Është bërë e mundur gjithashtu që të kemi ide të qartë se si do jetë klima në këtë zonë. 

Cilat masa përfshihen:

  • Masa të karakterit të politikave. Këtu mund të rendisim bazën ligjore të nevojshme, strategji sektoriale apo të përgjithshme, plane veprimi etj, të cilat japin kuadrin e përgjithshëm të masave dhe politikave përkatëse. Një masë e rëndësishme është që në politikat sektoriale të bujqësisë, zhvillimet e sektorit duhet të marrin në konsideratë edhe ndikimin që kanë e do vazhdojnë të kenë ndryshimet klimatike në këtë sektor, duke parashikuar për çdo rast edhe masat zbutëse ndaj këtyre ndryshimeve.
  • Masa të karakterit teknik. Këtu përfshihen masa të cilat janë dhënë nga specialistë të fushës së bujqësisë (agronomët, veterinerët, zooteknikët etj) të cilat kanë kostot e tyre të llogaritura, si dhe afatin kohor se kur do të zbatohen.
  • Masat në nivelin e fermës. Përveç masave të karakterit politik e teknik, në fakt masat në praktikë zbatohen në nivelin e fermës. Kjo do të thotë se janë fermerët të cilët do të zbatojnë një pjesë të rëndësishme masash, të cilat janë pjesë e punës së përditshme të tyre. Në këtë kategori përfshihen masa të tilla si; zgjedhja e përshtatshme e kohës së mbjelljes, përzgjedhja e varietetit më të përshtatshëm për kushtet e fermës, koha dhe mënyra e ujitjes dhe e plehërimit, qarkullimi i kulturave bujqësore, praktikat e mira të punimit dhe menaxhimit të tokës etj.

Disa nga masat që rekomandohen për zonën (Shëngjin, Shënkollë, Fushë Kuqe) dhe që mund të zbatohen nga ana e fermerit, duke u këshilluar nga specialisti i bujqësisë në zonë (Shërbimi Këshillimor Bujqësor), paraqiten në tabelat e mëposhtme: 

Rreziku i pritshëmMasat zbutëse
Thatësira
  • Modelimi bimor për të gjitha kulturat kryesore në zonë (misri, gruri, perimet, foragjeret), bazuar në skenarët e ndryshimeve klimatike të parashikuara për zonën.
  • Përmirësimi i kompostimit të plehut organik (përmirësim i mënyrës s ë ruajtjes dhe përdorimit të plehut organik duke e përdorur atë në mënyrë efektive.
  • Përmirësimi i organizimit të fermerëve në shoqata, në mënyrë që të rritet shkalla e lobimit për çështjet e bujqësisë në zonë.
  • Përdorimi i burimeve alternative për energji (p.sh biogazi), në fermat blegtorale me numër të konsiderueshëm krerësh.
  • Përcaktimi i saktë i kohës së mbjelljes, duke u këshilluar me specialistin e bujqësisë me ekspertin e ABA onlinë.
  • Përmirësimi gjenetik, duke përdorur varietete që janë rezistente ndaj thatësirës dhe sigurojnë një rendiment të lartë.
  • Rritje e kapaciteteve të depozitave ujore.
  • Përcaktimi mbi baza shkencore i kohës dhe shpeshtësisë së ujitjes.
  • Mbështetje për fermerët që përdorin ujin në mënyrë efektive.
Thatësira
  • Përmirësimi i menaxhimit të ujit për ujitje (transporti, cilësia, skema etj.
  • Përmirësimi i teknologjisë së ujitjes, përmes aplikimit të ujitjes me pika.
  • Rritje e shkallës së edukimit dhe ndërgjegjësimit për problemet që lidhen me ndryshimet klimatike.
  • Hartimi i masave parandaluese dhe paralizuese ndaj zjarreve në nivel fshati dhe Njësie Administrative dhe Bashkie.
  • Ndërtimi i një partneriteti ndërmjet Njësive Administrative dhe Bashkive për të bashkëpunuar në raste zjarresh dhe përmbytjesh.
  • Përmirësim i efektivitetit të menaxhimit të pesticideve/herbicideve.
  • Programe të përhershme monitorimi për sëmundjet e dëmtuesit.
  • Përcaktimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi i sistemit të karantinës.
  • Qarkullim i kontrolluar, shumëllojshmëri dhe periodicitet i kulurave bujqësore.
  • Përdorim i çertifikuar i farërave, fidanëve, plehrave dhe kimikateve që përdoren në bujqësi duke zbatuar me rreptësi kartelat teknologjike të tyre.
  • Zhvillimi bujqësisë organike në zonë (pa përdorime kimikatesh).
  • Përdorimi i praktikave agro-pyjore, duke ndërtuar breza pyjorë në anë të tokave bujqësore, kanaleve ujitëse e kulluese, si dhe vepra mbrojtëse (diga, argjinatura etj), për të pasur më shumë bazë ushqimore për blegtorinë, për të mbrojtur më shumë tokat bujqësore, qendrat e banuara, infrastrukturën etj, si dhe për të krijuar më shumë kushte të favorshme faunës së zonës.
  • Ndalim i ndërtimeve në zona që potencialisht janë të rrezikuara nga përmbytjet, apo mbi veprat ujitëse e kulluese.
  • Ripërdorimi i ujit që përdoret për ujitje.
  • Mirëmbajtje e vazhdueshme e kanaleve ujitëse e kulluese.
  • Mbrojtje të argjinaturave dhe digave, në mënyrë që ato të jenë vazhdimisht efektive.
Thatësira
  • Përcaktimi i saktë i kohës së kullotjes së sipërfaqeve që janë objekt kullotje nga blegtoria.
  • Alternimi i ushqimit për kafshët, duke u konsultuar me specialistin zooteknik.
  • Kultivimi i foragjereve me vlera të larta ushqyese.
  • Përdorimi i racave të blegtorisë, që janë më rezistente ndaj të nxehtit.
  • Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit të ujitjes në të tre sistemet e kanalizimeve (I, II, III).
  • Mos ndot kanalet kulluese e ujitëse, pasi kjo ndotje riciklohet përmes ujit që përdor për ujitje, për rrjedhojë rikthehet tek ne përmes ushqimit dhe ujit të pijshëm.
  • Rritje e periodicitetit të ujitjes (ujit më shpesh, duke përdorur më pak ujë).

Mos përdor për ujitje ujërat nëntokësore, nëse nuk janë në përputhje me cilësinë që kërkohet.

 

Rreziku i pritshëm

 

         Masat zbutëse

 

 

 

 

Valët e të nxehtit

 

 

  • Aplikim i skemave siguruese për bujqësinë dhe blegtorinë.
  • Marrja e masave për informimin e fermrëve.
  • Mbulim i kulturave (mbulim me kashtë, byk etj : shalqi, bostan etj.) në mënyrë që të mos përcëllohet nga dielli.
  • Ujitje e shpeshtë dhe jo në periudhën e pikut të vapës.
  • Hijezim i bimëve.
  • Aplikimi i mbjelljes së drurëve në tokat që përdoren për kullotje, për të krijuar vende me hije për blegtorinë.
  • Sigurimi i ujit të pijshëm për blegtorinë sa më afër kullotës.

 

Rreziku i pritshëm

 

         Masat zbutëse

 

 

Rritja e nivelit të 

detit

 

 

  • Riparim i veprave mbrojtëse (diga, argjinatura, stacione pompimi, hidrovore).
  • Rigjelbërimi i brezit mbrojtës bregdetar duke e rimbjellë atë.
  • Jo ndërtime në afërsi të bregut të detit
  • Përmirësim i sistemit të kullimit dhe mirëmbajtja e tij.
  • Përcaktimi i një brezi strict të mbrojtur ku të ndalohet çdo lloj aktiviteti njerëzor.
  • Rehabilitimi i brezit të drurëve të mbjellë në bregdet në mënyrë periodike.

 

Rreziku i pritshëm

 

         Masat zbutëse

 

Rritje e frekuencës 

së ngjarjeve 

ekstreme të klimës

 

  • Përdorim i vaieteteve që ndikohen pak nga variacionet e menjëhershme të klimës.
  • Përgatitja dhe mbajtja gati e materialeve izoluese ndaj të nxehtit e ftohtit ekstrem. Marrja paraprake e masave të tilla.
  • Rritje e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet ekspertëve të klimës me ato të bujqësisë.
  • Mbulim i bimëve dhe pemëve me rrjeta për t’i mbrojtur ato nga breshëri.

 

Rreziku i pritshëm

 

         Masat zbutëse

 

 

Përmbytjet

 

  • Përmirësimi i sistemit të kullimit, duke u bazuar në skenarët maksimalë të ndryshimit të klimës dhe ngjarjeve të ndodhura deri më tani.
  • Hartimi i skemave siguruese/kompensuese ndaj fatkeqësive natyrore.
  • Ndalimi i aktivitetit të marrjes së inerteve në shtratin e lumit.
  • Ndalimi i hapjes së puseve në mënyrë të pakontrolluar.
  • Monitorim periodik i cilësisë së ujrave.
  • Planifikim i të gjitha veprave inxhinierike në zonë, duke marrë në konsideratë skenarët maksimalë të ndryshimeve klimatike.

 

Rreziku i pritshëm

 

          Masat zbutëse

 

Shtim i sëmundjeve,

dëmtuesve & epidemive

 

  • Shkëmbim informacioni dhe këshillim i vazhdueshëm me specialistët e bujqësisë në zonë, espertët e ABA online.
  • Rritje e efektivitetit të sistemit të prognozë-sinjalizimit.
  • Trajnime për të njohur sëmundjet dhe dëmtuesit që nuk janë njohur më parë.
  • Përdorimi i farërave/llojeve bimore e shtazore të çertifikuara.
  • Mbjellje e kombinuar e kulturave bujqësore (jo vetëm një lloj kulture por disa).
  • Shtim I drurëve pyjorë rreth fermave, në mënyrë që të ulen efektet e ekstremeve të klimës sa më shumë të jetë e mundur (për të ulur shpejtësinë e erërave, krijimin e mikro-klimave në fermë etj).

 

Rreziku i pritshëm 

 

              Masat zbutëse

 

 

 

 

 

 

 

Erozioni

 

 

  • Përmirësim i praktikave menaxhuese të tokës e cila nënkupton që duhet përmirësuar në mënyrë rrënjësore struktura e bimëve që kultivohen në një zonë të caktuar. Do të ishte mirë që në zonat me pjerrësi të kultivohen bimë shumëvjeçare (p.sh jonxha), që nuk kërkon punime të përvitshme të tokës.
  • Përmirësim i procesit të punimit dhe prashitjes së tokës. Punimi dhe prashitja horizontale, si dhe mbjellja e bimëve në rreshta përfaqësojnë një praktikë të mirë.
  • Përmirësimi i ujitjes. Ujitja me përmbytje përfaqëson një problem serioz përsa i përket erozionit. Kërkon sasi të madhe uji dhe nuk është efektive. Ndaj, ujitja me pika mbetet zgjidhja më e mirë.
  • Përdorimi i kontrolluar i plehrave kimike, ndihmon që procesi i shpëlarjes dhe degradimit të tokës të jetë sa më minimal. Përdorimi i plehrave duhet bërë vetëm mbasi të bëhet kryerja e analizave kimike të tokës, dhe konsultimit me specialistin e bujqësisë.
  • Mbjellja e drurëve. Veçanërisht në zonat përreth tokave bujqësore ky proces duhet të jetë një prioritet i përhershëm. Rekomandohet mbjellja e drurëve shumëqëllimë (arra, gështenja, qershia, lajthia etj), të cilët përveç që mbrojnë tokën nga erozioni japin dhe prodhime të përvitshme. Kjo praktikë rekomandohet për të gjitha zonat e vendit.
  • Në brigjet e lumenjve dhe në anë të tokave bujqësore rekomandohet ndërtimi i brezave pyjorë. Kjo praktikë ndihmon në stabilizimin e brigjeve, rritjen e jetëgjatësisë së tyre, ul shpejtësinë e erërave në zonë, duke ulur në këtë mënyrë shkallën e avullimit dhe transpirimit të ujit nga toka (për rrjedhojë ul kërkesën e bimëve për ujë). Breza të tillë ndihmojnë gjithashtu në uljen e shkallës së fragmentimit të habitateve, duke shërbyer si korridore biologjike për faunën.
  • Ndalimi i aktiviteteve minerare në shtretërit e lumenjve.
  • Marrja e masave për rehabilitimin e shtretërve të lumenjve, përmes mbjelljes së pemëve në to (duke përdorur plepa, shelgje etj.), rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara përmes rindërtimit dhe krijimit të gardheve të gjalla për rritjen e jetëgjatësisë së tyre.

Lista e mësipërme e masave është e gjatë dhe për momentin që po kalon sot bujqësia, nuk janë të mundura që të gjitha ato të zbatohen. Por, ndër masat më kryesore të cilat mund të zbatohen dhe të japin efektet që dëshirojmë, janë:

  • Përcaktimi i kohës optimale të mbjelljes

Për shkak të temperaturave që pritet të rriten, sezoni i rritjes (vegjetacionit) të bimës do të jetë më i gjatë. Kjo do të thotë që koha e mbjelljes së bimëve do të jetë më shpejt, dhe ajo e përfundimit të ciklit të tyre vegjetativ do të jetë më vonë se zakonisht në kohë. Koha e mbjelljes vlerësohet si shumë e rëndësishme, pasi është mundësia më e mirë për të mos e ekspozuar bimën ndaj temperaturave të larta në fazat më të rëndësishme fenologjike të saj, që do të thotë një rendiment më i mirë i bimës. Ndaj, përcaktimi i saktë i saj, është masa e parë që mund dhe duhet të ndërmerret në fermë.

Elementët kryesorë që kanë të bëjnë me përcaktimin e saktë të kohës së mbjelljes janë:

Temperatura, lagështia e tokës, thellësia e vendosjes së farës për mbjellje, lloji i tokës dhe përbërja e saj si dhe kërkesat specifike të bimës. Të gjithë këto elementë duhen harmonizuar ndërmjet tyre, në mënyrë që të gjendet optimumi i kohës së mbjelljes për një kulturë të caktuar. Zgjidhja për fermerin është konsultimi me specialistin e bujqësisë.

  • Punimi i tokës

Mënyra e punimit të tokës ka vlerën e saj në masat adaptuese ndaj ndryshimit të klimës. Thellësia e punimit është një tregues i rëndësishëm, pasi ka të bëjë kryesisht me zhvillimin e sistemit rrënjor të bimës. Sa më thellë të punohet toka, aq më shumë rritet mundësia e bimës për të shtrirë rrënjët dhe për të patur më shumë mundësi në marrjen e lëndëve ushqyese dhe ujit nga toka. Nga ana tjetër, thellësia e punimit ndikon në porozitetin dhe ajrosjen e tokës, shpërbërjen e lëndëve organike në tokë etj.

Një element i rëndësishëm i punimit të tokës është “punimi konservativ ose ruajtës” i tokës. Ky punim konsiston në faktin se pjesa e mbetur e bimëve pas vjeljes së tyre (kërcejtë, gjethet, pjesë të bimëve etj) përmbysen gjatë punimit dhe futen në tokë.

Aplikimi i këtij lloji punimi, është i rëndësishëm sepse:

  • Rrit sasinë e lëndëve organike në tokë, për rrjedhojë e pasuron atë.
  • Rrit shkallën e porozitetit të tokës, duke përshpejtuar ritmin e shpërbërjes së lëndëve organike, si rrjedhojë ushqimi tek bima shkon më shpejt.
  • Rrit kapacitetin ujor fushor të tokës duke rritur aftësinë e tokës për të thithur më shumë ujë, element që i nevojitet më shumë bimës.
  • Ul shkallën e avullimit të ujit prej tokës, duke ruajtur për një kohë më të gjatë një sasi më të madhe të ujit në tokë.
  • Rrit prezencën e faunës së tokës si një element i rëndësishëm që ka të bëjë me dekompozimin e lëndëve organike dhe strukturën e tokës.

Prandaj, rekomandohet jo djegie e tokave, por përmbysje në tokë përmes punimit të materialit që mbetet nga bima.

  • Përmirësimi i ujitjes

Në kushtet e mungesës së ujit dhe rritjes së temperaturave, zgjidhja më optimale mbetet përdorimi me efektivitet i ujit. Kjo realizohet përmes aplikimit të ujitjes me pika.

Një mënyrë tjetër për të përdorur ujin në mënyrë efektive është ajo me kanalet kulluese. Rekomandohet që në stinën e verës, kanalet kulluese të mbahen të mbyllura (të mos lejojnë largimin e ujit), në mënyrë që të mbajnë sa më shumë të jetë e mundur ujrat nëntokësore në afërsi të sipërfaqes. Kjo kursen ujin që përdoret për ujitje dhe numrin e ujitjeve në një sezon. Gjithashtu, zbatimi i kësaj praktike, mundëson edhe ripërdorimin e ujit duke rritur shumë efektivitetin.

 

  • Praktikat agro-pyjore

Konsistojnë në mbjelljen e drurëve të ndryshëm (kryesisht pyjorë) në tokat bujqësore (përreth tyre), në formë rreshtash apo brezash. Kjo praktikë merr vlera të veçanta në kuadër të ndryshimit të klimës sepse:

  • Luan rolin e brezave mbrojtës ndaj erës.
  • Stabilizon brigjet dhe argjinaturat.
  • Krjohen kushte më të mira për blegtorinë
  • Rritet vlera ekologjike e zonës.
  • Shërbejnë si mjeti më me pak kosto për t’u mbrojtur nga erozioni.

Rekomandohet që brezat pyjorë të ndërtohen duke kombinuarlloje të ndryshme si: lajthia, shelgu, plepi, rrapi si dhe drurë frutorë si: qershia, arra, gështenja etj.

Data e publikimit: 18/04/2024


Lini një koment


Komente të mëparshme
byejka

-Hello World! https://racetrack.top/go/hezwgobsmq5dinbw?hs=9701069719175e03d87fc557b77e7e63&


Shpërndaj në rrjetet sociale: