HISTORI SUKSESI- Fidai Çela




Vendosur në Fshatgramsh të Gramshit, z. Fidai Çela merret me blegtori. Ai ka ngritur një biznes familjar dhe mbarështon gjedh dhe të imta. 

Dukeqenëse fshati ka kullota të bollshme, Fidaiu ka mbarështuar rreth 300 kokë bagëti. Shumica janë dhi, pasi terreni është i përshtatshëm për livadhisjen e tyre në kullota malore, kurse lopët janë me rregjim stallor. 

"Pandemia në vend zëre se nuk ka ndikuar në aktivitetin tonë blegtoral", shprehet djali i vogël i Fidaiut, "pasi kërkesat për qumësht organik janë gjithmonë në rritje. Çdo mëngjes babi shpërndan qumështin në qytet, porositë i kemi të rregullta dhe ne jemi korrektë me klientët. Gjithashtu, viçat tregtohen me porosi, kurse kecat i nxjerrim në treg në Gramsh. Falë ABA Online tani do kemi edhe një tjetër mundësi tregtimi në kohë dhe pa kosto shtesë. Është një lehtësi për punën tonë të përditshme". 

Përveç disa ditëve që mund të ketë brymë apo dëborë, të imtat janë gjithmonë në kullotë. Gjatë verës, bagëtitë i nxjerrin në kullotë në mal. Të ushqyerit në natyrë patjetër që rrisin cilësinë e mishit dhe të qumështit, por Fidaiu shpjegon se çmimi i tregtimit nuk është shumë i kënaqshëm, për gjithë këtë punë të bërë dhe garanci në cilësinë e produkteve.

Falë mbështetjes së FED invest ndër vite me financim në zhvillimin e biznesit, punës shembullore të gjithë familjes Çela, sot, ata kanë një nga fermat më të begata blegtorale në zonë, dhe për këtë gëzojnë respektin e gjithë banorëve të krahinës. 

Me mbarështimin e bagëtisë janë rritur edhe nevojat për të zgjeruar aktivitetin dhe mbështetje financiare. Familja Çela dëshiron të ndërtojë një baxho, ku të mund të përpunojë vetë nënproduktet e qumështit. Pengesa kryesore është mungesa e infrastrukturës. Ky fshat edhe pse shumë afër lumit të Devollit, nuk ka ujë. Rruga automobilistike është disi e asfaltuar, por në mungesë të ujit, investimet nga banorët e kësaj zone kanë ngelur pezull. 

I urojmë familjes së Z. Fidai Çela shumë suksese në punën e tyre fisnike. 

Data e publikimit: 11/08/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: