Vëzhgoni përreth. Pothuajse çdo lëndë organike në parcelat e mbjella, në stalla, në kopshtet tuaja, në anë të rrugëve të fshatit, mund të jetë një burim i mirë lëndësh për kompostim.
Së pari, masa vegjetative e mundshme për kompostim përfshin mbetjet bimore pas vjeljes së produkteve në sera të tilla si domate, spec. Nga fusha e hapur ju mund të siguroni materiale të kompostueshme si kërcelli i misrit, kashta e grurit apo thekrës, mbetjet pas vjeljes së duhanit. Një material i mundshëm për kompostim sigurohet edhe nga kallamat e rritur në anë të kanaleve, si dhe barërat e rritur përgjatë rrugëve. Po ashtu me vlerë për kompostim janë edhe bari e jonxha e vjetër që nuk mund të përdoren më si ushqim për kafshët. Mbetja e ushqimeve të pa konsumuara nga kafshët (lopët, delet, dhitë), format e ndryshme të kashtës (si kashta e vjetër, kashta e ndotur, kashta që ka qëndruar gjatë në fushë), përbëjnë gjithashtu burime të lëndëve për kompostim.
Mos harroni se industria e grumbullimit dhe tregtimit të fruta-perimeve gjithashtu ofron lëndë të parë për kompostimin të tilla si frutat, perimet, patatet e prishura. Gjithashtu industria agro-përpunuese ofron burime të mira mbetjesh për kompostim sikurse janë mbeturinat nga përpunimi i frutave dhe perimeve, si dhe mbeturinat nga përpunimi i rrushit dhe ullirit. Një tjetër burim i mirë lëndësh për kompostim janë edhe rezervat e lëndëve që sigurohen nga krasitjet në zonat pyjore dhe në parcelat e mbjella me fruta, vresht e ullinj, mjafton që trashësia e masës së krasitur të mos kalojë 15 cm.
Të vlefshme janë gjithashtu mbeturinat e luleve, sikurse dhe gjethet e çfarëdolloji (pyje, bujqësi, florikulturë). Pa dyshim një burim të mirë për kompostimin përbën edhe jashtëqitja e kafshëve si e gjedhit, të leshtave dhe të dhirtave, si dhe jashtëqitja e lëngëshme (e trashë) nga gjedhi.
Por, çfarë duhet të garantojmë gjatë grumbullimit të materialeve të sipër përmendura?
Është e rëndësishme që ato të mos kenë përmbajtje gurësh, plastike, xhamash dhe fijesh. Kërcenjtë e gjatë si të perimeve ashtu edhe degëzat e gjata të dala nga krasitja duhet të copëtohen paraprakisht në grirës në copëza 10-12 mm. Mbetjet organike (jashtëqitjet e kafshëve me kashtë) duhet të jenë sa më të freskëta.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me hapat që ndiqen për të krijuar grumbullin e kompostueshëm.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Çfarë duhet mbajtur parasysh gjatë hyrjes së kafshëve, materialeve riprodhuese si dhe produkteve me origjinë shtazore në vendet e BE-së nga vendet jashtë tij.
Lexo më shumëKy artikull është i përqendruar në “Pyetjet më të Shpeshta” të cilat janë adresuar në rubrikën “Pyet Ekspertin” në Platformën ABA online.
Lexo më shumë