VARIETETET AUTOKTONE TË SPECIT




Keni interes të njheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre?

Kërkoni të njiheni me vlerat dhe rëndësinë e tyre për tregun rajonal?

Shqipëria, është një vend i pasur me resurse gjenetike bimore si dhe është vend origjinë për disa specie e varietete të kultivuara. Në kuadër të zhvillimit të agroturizmit, veçanërisht në zonat kod rinore malore, ato mund të kultivohen dhe të prodhohene të përdoren produkte tipike të zonës.

Shtimi i kujdesit dhe ndërgjegjësimi për përdorimin e varieteteve tradicionale nga komuniteti i zonës dhe i mbështetjes nga organet lokale e qendrore, nga donatorët, akademikët dhe media, do të mundësojë rritjen e të ardhurave në ato zona si dhe do të shtohen resurset gjenetike të vendit.

Më poshtë po përshkruajmë disa nga varietetet kryesore autoktone të specit sipas një studimi të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

  • Speci i Laknasit

Specia: Capsicum annuum L.

Përhapja: Në zonën e Shqipërisë së mesme, fshatrat e Tiranës dhe Durrësit, njihet dhe kultivohet për më se 80-100 vjet. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi nga bahçevanët. Aktualisht zë më pak se 5% të sipërfaqes që mbillet me spec në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton i rrallë.

Përshkrimi:

Bimë me kërcell të drejtë, me degëzim mesatar dhe ndërnyje të shkurtra. Gjethe të dendura. Prodhon 10–20 fruta për bimë. Ata janë me formë prizmatike, me 3-4 lobe, peshë mesatare 60-80 g. Në pjekjen teknike kanë ngjyrë të verdhë, kurse në atë biologjike të kuqe portokalli. Është spec me shije të veçantë.

Kultivimi: Farat mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë 15 prill-15 maj. Vjelja fillon pas 7-9 javë, fund qershori, fillim korriku dhe vazhdon deri në tetor.

Rendimenti: rreth 25-30 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të  ulëta dhe të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: Për konsum të freskët, gatime të ndryshme dhe përpunim në formë turshie, të mbushur me gjizë etj, në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Me futjen e farërave të importit, po mbillet gjithnjë e më pak dhe vetëm në kopshtet familjare; pra është në rrezik zhdukjeje.

  • Speci Peza

Specia: Capsicum annuum L.

 

Përhapja: Në zonën e Shqipërisë së mesme, fshatrat e Tiranës dhe Durrësit, njihet dhe kultivohet për më se 60-70 vjet. Mendohet se është me orgjinë nga Bullgaria. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar nga bahçevanët. Aktualisht, zë më pak se 5% të sipërfaqes që mbillet me spec në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton i rrallë.

Përshkrimi: Bimë të larta 65-70 cm, me kërcell të drejtë, degëzim mesatar dhe ndërnyje të shkurtra. Gjethe të dendura. Prodhon 20-25 fruta për bimë. Ata janë në formë trekëndëshi të zgjatur, me dy brazda gjatësore (depresione të dobëta mes mesit dhe majës), me peshë mesatare 80-90 g. Në pjekjen teknike kanë ngjyrë të gjelbër të errët, kurse në atë biologjike të kuqe intensive. Tuli është i trashë (4-5 mm), i  ngjeshur dhe i lëngshëm. Është spec me shije të mirë.

Kultivimi: Farat mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë 10-15 maj. Prodhimi fillon pas 8-10 javë, në fund të korrikut dhe vazhdon deri në ngricat e para të vjeshtës.

Rendimenti: rreth 35-40 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: Për konsum të freskët, gatime të ndryshme dhe përpunim në formë turshie, të mbushur me gjizë, etj, në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Me futjen e farërave të importit po mbillet gjithnjë e më pak dhe vetëm në kopshtet familjare; pra është në rrezik zhdukjeje.

  • Speci Gogozhare

Specia: Capsicum annuum L.

Përhapja: Në zonën e Korçës njihet dhe kultivohet për më se 80-100 vjet. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar ndër breza nga bahçevanët. Aktualisht, zë më pak se 5% të sipërfaqes së mbjellë me spec në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton i rrallë.

Përshkrimi: Bimët kanë trup të ulët 40-45 cm, kërcell të trashë dhe me pak degëzime. Gjethe të mëdha, të gjëra, eliptike dhe me ngjyrë të gjelbër të errët. Prodhon7-10 fruta për bimë. Ata kanë formë të rrumbullakët plloçakë (si domate), me 6-8 brinjë, peshë mesatare 80-100 g. Në pjekjen teknike kanë ngjyrë të gjelbër të errët, kurse në atë biologjike të kuqe intensive. Fruti, në përgjithësi ka tre fole, por ka raste edhe me katër fole të farërave. Tuli është shumë i trashë dhe i ngjeshur. Është spec i ëmbël, i lëngshëm dhe me shije të mirë. Ky spec ka periudhë vegjetacioni gjysmë të vonë deri në të vonë.

Kultivimi: Farat mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë 10-15 maj. Prodhimi fillon në muajin gusht dhe vazhdon deri në ngricat e para të vjeshtës.

Rendimenti: rreth 25-30 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: I freskët, në sallata dhe gatime të ndryshme, por dhe përpunim, në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Me futjen e farërave të importit po mbillet gjithnjë e më pak dhe vetëm në kopshtet familjare; është në rrezik zhdukjeje.

  • Speci i Dukagjinit

Specia: Capsicum annuum L.

Përhapja: Në zonën e Dukagjinit, ku njihet edhe me emrat “Speci Somborka i Kosovës” dhe “Speci i Kosovës”, nga edhe ka ardhur. Kultivohet aty për më se 60-70 vjet; fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Zë rreth 10- 15% të sipërfaqes që mbillet me spec në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton i rrallë.

Përshkrimi: Bimë shumë e degëzuar, tip kaçube, me ndërnyje të shkurtra. Prodhon 20-25 fruta për bimë. Ata janë relativisht të vegjël, formë konike, peshë mesatare 55-70 g. Në pjekjen teknike kanë ngjyrë të bardhë deri në të verdhë të hapur, kurse në atë biologjike të kuqe të plotë; pak djegës dhe me shije të veçantë.

Kultivimi: Farat mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë në 1-15 maj. Vjelja fillon pas 8-10 javë, në fillim të korrikut dhe vazhdon deri në ngricat e para të vjeshtës.

Rendimenti: rreth 25-35kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj vrugut (Phytophthora capsiciLeon), temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: Për konsum të freskët, gatim dhe përpunim në formë turshie, të mbushur me gjizë etj, për konsum në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Nuk është në rrezik zhdukjeje.

  • Speci “Poçe e kuqe”

Specia: Capsicum annuum L.

Përhapja: Në zonën e Korçës, Devollit dhe Pogradecit, njihet dhe kultivohet për më se 80-100 vjet. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar ndër breza nga bahçevanët. Aktualisht zë më pak se 5% të sipërfaqes së specit në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton i rrallë.

Përshkrimi: Bimët janë të larta 70-80 cm, kërcell mesatarisht të trashë dhe degëzim mesatar. Gjethe të mëdha, eliptike, me majë dhe me ngjyrë të gjelbër të errët. Prodhon15-20 fruta për bimë. Ata janë të mëdha deri shumë të mëdha, formë prizmi me 4 brinjë (ka raste edhe me 6 brinjë), me peshë mesatare 80-120 g. Në pjekjen teknike kanë ngjyrë të gjelbër, kurse në atë biologjike të kuqe intensive. Fruti, në përgjithësi ka tre fole. Tuli është i trashë (4-5 mm), i ngjeshur dhe i lëngshëm. Është spec i ëmbël, i lëngshëm dhe me shije të mirë. Ky spec është gjysmë i vonë.

Kultivimi: Farat mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë 10-15 maj. Prodhimi fillon pas 8-10 javë, në fund të korrikut dhe vazhdon deri në ngricat e para të vjeshtës.

Rendimenti: rreth 35-40 kv/dynym.

Veçantitë  

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: Për konsum të freskët, gatime të ndryshme dhe përpunim në formë turshie, të mbushur me gjizë, etj, në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Me futjen e farërave të importit po mbillet gjithnjë e më pak dhe vetëm në kopshtet familjare; pra është në rrezik zhdukjeje.

  • Speci Vëthka

Specia: Capsicum annuum L.

Përhapja: Në zonën e Korçës njihet dhe kultivohet për më se 80-100 vjet.Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar ndër breza nga bahçevanët. Aktualisht zë më pak se 5% të sipërfaqes së specit në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton i rrallë.

Përshkrimi: Bimët kanë trup mesatarisht të lartë 50-60 cm, kërcell të hollë e të drejtë, degëzim mesatar dhe ndërnyje të shkurtra. Gjethe të mëdha, të gjera, eliptike dhe me ngjyrë të gjelbër të errët. Prodhon 15-20 fruta për bimë. Ata janë mesatarisht të mëdhenj, me formë trekëndëshe të zgjatur, me majë, me peshë mesatare 80-90 g. Në pjekjen teknike kanë ngjyrë të gjelbër të çelur deri në të verdhë, kurse në atë biologjike të kuqe intensive. Tuli është i hollë (2.5-3 mm), i lëngshëm. Është spec me shije të mirë.

Kultivimi: Farat mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë 10-15 maj. Prodhimi fillon në muajin korrik dhe vazhdon deri në tetor.

Rendimenti: rreth 20-25kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve dhe temperaturës së ulët.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: Për konsum të freskët, gatime të ndryshme dhe përpunim, në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Me futjen e farërave të importit po mbillet gjithnjë e më pak dhe vetëm në kopshtet familjare; pra është në rrezik zhdukjeje.

  • Speci “Poçe e verdhë”

Specia: Capsicum annuum L.

Përhapja: Edhe kjo popullatë, sikurse “Poçe e kuqe”, në zonën e Korçës, Devollit dhe Pogradecit, njihet dhe kultivohet për më se 80-100 vjet. Fara e saj është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar ndër breza nga bahçevanët. Aktualisht zë më pak se 5% të sipërfaqes së specit në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton i rrallë.

Përshkrimi: Bimët kanë trup të lartë 70-80 cm, me kërcell mesatarisht të trashë dhe degëzim mesatar. Gjethe të mëdha, eliptike, me majë dhe me ngjyrë të gjelbër të errët. Prodhon 15-20 fruta për bimë. Ata janë të mëdha deri shumë të mëdha, formë prizmi me 4 brinjë (ka raste edhe me 6 brinjë), me peshë mesatare 80-100 g. Në pjekjen teknike kanë ngjyrë të gjelbër të çelur deri në të verdhë, kurse në atë biologjike ngjyrë portokalli të kuqe. Fruti, në përgjithësi ka tre fole. Tuli është i trashë (4-5 mm), i ngjeshur dhe i lëngshëm. Është spec i ëmbël, i lëngshëm dhe me shije të mirë. Edhe ky spec është gjysmë i vonë.

Kultivimi: Farat mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë 10-15 maj. Prodhimi fillon pas 8-10 javë, në fund të korrikut dhe vazhdon deri në ngricat e para të vjeshtës.

Rendimenti: rreth 35-40 kv/ dynym.

Veçantitë

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: Për konsum të freskët, gatime të ndryshme dhe përpunim në formë turshie, të mbushur me gjizë, etj, në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Me futjen e farërave të  importit po mbillet gjithnjë e më pak dhe vetëm në kopshtet familjare; pra është në rrezik zhdukjeje.

  • Speci Hundashkë

Specia: Capsicum annuum L.

Përhapja: Në zonën e Korçës njihet dhe kultivohet për më se 80-100 vjet. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar nga bahçevanët. Aktualisht zë më pak se 5% të sipërfaqes së specit në zonë.

Përshkrimi: Bimët kanë lartësi 55-60 cm, kërcell të trashë e të drejtë, degëzim mesatar dhe ndërnyje të shkurtra. Gjethet janë të mëdha, të gjera, eliptike dhe me ngjyrë të gjelbër të errët. Prodhon 7-10 fruta për bimë, të cilët vendosen kryesisht në bazën e bimës. Ata janë mesatarisht të mëdha, me formë prizmi të zgjatur, me dhe pa majë, me peshë mesatare 70-80 g. Në pjekjen teknike kanë ngjyrë të gjelbër të çelur deri në të verdhë, kurse në atë biologjike të kuqe. Tuli është i hollë (2.5-3 mm), i lëngshëm. Është spec me shije të mirë.

Kultivimi: Farat mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë 10 - 15 maj. Prodhimi fillon në muajin korrik dhe vazhdon deri në tetor.

Rendimenti: rreth 25-30 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve dhe temperaturës së ulët.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: Për konsum të freskët, gatime të ndryshme dhe përpunim, në familje dhe për tregun lokal.

Risku: Me futjen e farërave të importit po mbillet gjithnjë e më pak dhe vetëm në kopshtet familjare, pra është në rrezik zhdukjeje.

Data e publikimit: 16/10/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I KOPRËS

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I PAZISË

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I LAKRËS KINEZE

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

SHËRBIMET AGROTEKNIKE TË GËSHTENJËS

Çfarë shërbimesh i kryhen gështenjës pas mbjelljes?

Lexo më shumë