LUFTIMI I SËMUNDJEVE DHE DËMTUESVE KRYESORË




Të gjitha organet e bimës së fasules rrënjët, gjethet dhe kokrrat mund të preken nga një ose më shumë sëmundje apo dëmtues, nga mbjellja e deri në ruajtje në magazinë. Parandalimi dhe luftimi i tyre merr rëndësi sepse në vite dhe kushte të veçanta ato ulin ndjeshëm si prodhim ashtu dhe cilësinë e prodhimit. 

Ndër sëmundjet më kryesore mund të përmendim: 

Sëmundjet kërpudhore

Bima e fasules preket e dëmtohet nga disa sëmundje kërpudhore dhe disa prej tyre takohen pothuaj çdo vit dhe më kryesoret janë:

Antraknoza e fasules (Colletotrichum lindemuthianum) 

Antraknoza e fasules është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek si bimëzat e reja të fasules edhe ato në rritje e zhvillim. Prek të gjitha pjesët e bimës. Takohet në kërcell, gjethe, bishtaja e kokrra në fazën e pjekjes. Antraknoza dallohet nga simptoma karakteristike. 

Në bishtatajë ajo shfaqet me njolla nekrotike të theksuara dhe me formë rrethore, kurse mbi gjethe sëmundja shfaqet mbi nervaturën e anës së poshtme dhe shoqërohet me tharje progresive e më vonë rënien e tyre. Në kushtet e lagështisë së lartë ajrore, mbi njollat e nekrotizuara të sëmundjes shfaqen postula, që përfaqësojnë organet e riprodhimit të kërpudhës. Përhapet më shumë në mjedise të ngrohta dhe me lagështi. 

Për mbrojtjen e fasules nga kjo sëmundje rëndësi kanë marrja e masave parandaluese si: përdorimi i farërave të pastra nga sëmundja, kultivarëve rezistentë si dhe zbatimi i qarkullimit bujqësor. Ndërprerja e kultivimit të fasules në të njëjtën tokë të paktën 3 vjet. 

Përveç masave agroteknike për mbrojtjen e fasules nga antraknoza përdoren edhe preparate kimike. Rekomandohen dy trajtime, trajtimi i parë bëhet mbi bimëzat e reja dhe i dyti në fazën e lulëzimit. 

Ndryshku i fasules (Uromyces phaseoli)

Ndryshku i fasules sëmundje e përhapur në të gjithë zonën e kultivimit të fasules. Kërpudha mund të prekë gjethet dhe bishtajat. Fillimisht sëmundja shfaqet në gjethe në formën e postulave të verdha, të cilat përfaqësojnë trupat frutorë të kërpudhës, të cilat më vonë zhvillohen deri në këndet gjethore. Edhe në bishtaja shfaqen postula, të cilat në dallim nga antraknoza nuk zhvillohen në thellësi të bishtajës, pra nuk arrijnë të infektojnë kokrrën. Dëmi që sjell ndryshku varet nga kushtet e mjedisit dhe faza e zhvillimit të bimës. Favorizohet më shumë nga klima e ngrohtë dhe e lagësht.

Mbrojta e fasules nga ndryshku realizohet duke shkatërruar mbeturinat bimore dhe nëpërmjet qarkullimit bujqësor. Mbrojtja realizohet edhe me preparate kimike. 

Fusariozat (Fusarium sp.)

Këto sëmundje shkaktohen nga kërpudha të gjinisë Fusarium, të cilat jetojnë në tokë dhe shfaqen kryesisht me dëmtimin e rrënjëve apo edhe të koleoptilit.

Sëmundja shfaqet në formën e njollave të qullëta mbi rrënjë dhe koleoptil. Bimëzat e reja, të prekura nga fuzarioza, paraqiten me venitje progresive që shkon deri në tharje. Shkaktarët kryesorë të këtyre sëmundjeve janë lagështia e tepërt ose qëndrimi i ujit në tokë në fazën e mbirjes dhe të bimëzave të reja.

Mbrojtja e fasules nga fuzariozat apo luftimi i tyre me mjete kimike, kur kanë prekur bimët, është e kufizuar për shkak të shpejtësisë me të cilën patogjenët prekin dhe zhvillojnë sëmundjen mbi bimë.

Për të ulur mundësinë e prekjes dhe dëmit të fasules nga fuzariozat, rekomandohet përgatitja e mirë e tokës dhe qarkullimi bujqësor si praktikat më të mira agronomike. 

Kalbëzimi i zi i rrënjës (Thielaviopsis basicola)

Simptomat

Në indin e rrënjës shfaqen lezionet të zgjatura të kuqe-vjollcë, që kthehet në gri të errët në të zezë; lezionet bashkohen për të formuar zona të mëdha të errëta në rrënjë dhe kërcell; lezionet e thella mund të shkaktojnë frenim të rritjes, tharje të gjetheve, zhveshje dhe tharje të bimëve.

Kërpudhat mbijetojnë në mbeturinat e bimëve në tokë.

Menaxhimi i sëmundjes: këshillohet qarkullimi me bimë që nuk preken nga kjo sëmundje si dhe shmangia e ujitjeve të tepërta.

Rizoctonia (Rhizoktonia solani)

Është armiku më i rrezikshëm i bimëzave të reja të fasules. Rizoktonia prek rrënjët dhe kërcellin mbi e nën nivelin e tokës. Bimët e prekura qullosen dhe thahen. Bimët e zhvilluara (të drunjëzuara) mbijetojnë, por japin prodhim shumë të ulët. Luftimi i saj nëpërmjet rrugës kimike është gati i pamundur.

SËMUNDJET BAKTERIALE

Djegia (njollosja) bakteriale (Xanthomonas campestris)(sin. Xanthomonas axonopodis)

Simptomat

Në gjethe shfaqen njolla të njomura si me ujë të cilat zmadhohen dhe bëhen nekrotike; njollat mund të rrethohen nga një zonë e zbardhur në të verdhë; lezionet bashkohen dhe i japin bimës një pamje të djegur; gjethet që thahen mbeten të lidhura me bimën. Në bishtaja lezionet shfaen në formë rrethore të thelluara, i kuq-kafe. Lezionet e bishtajave mund të rrjedhin gjatë kushteve të lagështa.

Sëmundja mund të futet nga fara e kontaminuar; bakteret dimërojnë në mbeturinat e të korrave. Shfaqja e sëmundjes është e favorizuar nga temperaturat e ngrohta dhe kushtet e motit të lagështa. 

Menaxhimi i sëmundjes

Mbillni vetëm fara të certifikuara dhe mundësisht varietete rezistente ndaj sëmundjes. Trajtojini farat përpara mbjelljes me një preparat kundër baktereve të përshtatshëm për të vrarë bakteret; spërkatni bimët me një fungicid të përshtatshëm mbrojtës me bazë bakri përpara shfaqjes së simptomave.

SËMUNDJET VIRUSALE

Mozaiku i zakonshëm (BCMV)

Mozaiku i zakonshëm është sëmundje virusale (BCMV) që shfaqet në forma të ndryshme, por gjithmonë me pasoja të rënda. Gjethet mund të shtrembërohen, pika të verdha mund të jenë të pranishme në gjethe, rritja e bimës mund të frenohet. BCMV mund të transmetohet me anë të farës.

Kontrolli i saj bazohet në përdorimin e farës së pastër, përdorimi i kultivarëve rezistentë dhe në kontrollin e afideve të cilat janë përhapës të sëmundjeve virusale.

Dëmtuesit e fasules

Përveç sëmundjeve, dëme të konsiderueshme fasules i sjellin edhe dëmtuesit. Ajo preket e dëmtohet kryesisht nga afidet, acaret (merimangat) dhe buburreci i fasules.

Afidet (Aphis fabae) 

Afidet janë insekte të vogla me trup të butë të cilat vendosen në pjesën e poshtme të gjetheve dhe/ose kërcellit të bimës. Zakonisht janë me ngjyrë jeshile ose të verdhë, por mund të jenë rozë, kafe, e kuqe ose e zezë në varësi të specieve dhe bimëve pritëse. Nëse infektimi i afideve është i rëndë, mund të shkaktojë zverdhje gjetheve, shtrembërim të tyre, njolla nekrotike në gjethe dhe/ose lastarë të rrëgjuar. Afidet sekretojnë një substancë ngjitëse, me sheqer të quajtur mjaltë, e cila inkurajon rritjen e mykut e të blozës në bimë.

Menaxhimi

Insekticidet në përgjithësi përdoren për të trajtuar afidet nëse infektimi është shumë i lartë - bimët përgjithësisht tolerojnë infektimin e nivelit të ulët dhe të mesëm. Për luftimin e tyre përdoren sapunët ose vajrat insekticide. Kontrolloni gjithmonë etiketat e produkteve për udhëzimet specifike të përdorimit përpara përdorimit të tyre.

Merimangat (Tetranychus urticae) 

Merimangat janë insekte të vogla që jetojnë në pjesën e poshtme të gjethes. Gjethja mund të shtrembërohet dhe duken si të bronzta. Merimangat mund të duken si pika të vogla lëvizëse, të cilat më mirë mund të vihen re me anë të një lente zmadhuese. Zakonisht nuk dallohen derisa të ketë simptoma të dukshme në bimë. Gjethet zverdhen dhe mund të bien nga bima. Me shfaqjen e infeksionit merren masa për të trajtuar me akaricide të ndryshme duke spërkatur pjesën e poshtme të gjethes.

Buburreci i fasules (Acanthoscelides obtectus) 

Buburreci i fasules është i njohur dhe shumë i përhapur. Femra e buburrecit i vendos vezët e saj në bishtajën e sapo formuar. Larva që del depërton në farën në formim e sipër dhe e përfundon ciklin në brendësi të saj duke formuar një galeri. Insekti i rritur del  gjatë kohës së ruajtjes së fasules në magazinë duke i dhënë kështu fillesë breznisë së dytë që së bashku dhe me dy brezni të tjera që zhvillohen në magazinë shkaktojnë dëme të konsiderueshme. Luftimi i buburrecit mund të bëhet në fushë duke bërë trajtime në kohën e pjekjes ose në magazinë me trajtime kimike (fostoksinë) ose termike (ngrohje në 55 – 60°C për një orë).

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja, përpunimi dhe ruajtja e prodhimit të fasules.

Data e publikimit: 27/03/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË THJERRËZËS

Thjerrëza kultivohet kryesisht për kokrrat e saj, të cilat janë të shijshme dhe të përvetësueshme nga organizmi i njeriut.

Lexo më shumë

VJELJA, PËRPUNIMI DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË THJERRËZËS

Vjelja para kohe ul ndjeshëm cilësinë e prodhimit, kurse vjelja me vonesë çon në humbjen e tij, për shkak të hapjes së bishtajave dhe rënies së farës.

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË FASULES

Fasulja përmban më shumë proteina sesa të gjitha bimët e tjera – vetëm një filxhan fasule ofron 1/4 e proteinave për të cilat kemi nevojë çdo ditë.

Lexo më shumë

AGROTEKNIKA E KULTIVIMIT TË FASULES

Vetë fasulja nuk ka kërkesa të veçanta ndaj parabimës, mjafton që toka të mos jetë e infektuar nga barërat e këqija dhe nga sëmundjet e dëmtuesit.

Lexo më shumë